Kalifornia do të votojë për t’u ndarë në tre shtete

June 15, 2018 11:30

Kalifornia do të votojë për t’u ndarë në tre shtete

 

Kërkesa e veçantë e një miliarderi për ta ndarë Kaliforninë në tri shtete të tjera, ka fituar një vend në zgjedhjet e mesmandatit të këtij nëntori.

Nëse nisma “Cal 3” e Tim Draper merr shumicën e votave, mund të fillojë një proces i gjatë për ta ndarë Kaliforninë e sotme në atë të Veriut, të Jugut e Qendrore.

Është hera e parë në 150 vite që kjo zgjedhje vendoset në votimet e shtetit.

Nëse propozimi bëhet realitet, do të ishte ndarja e parë e një shteti, qëkur Virxhinia e Perëndimit u nda nga Virxhinia në vitin 1863.

Shteti i ri i Kalifornisë do të përqendrohej nga Los Anxhelosi  e deri në Monterej.

Kalifornia e Veriut do të përfshinte Sakramenton dhe Bay Area.

“Shtetet do të mundësonin infrastrukturë më të mirë, arsim më të mirë dhe taksa më të ulëta”, thoshte Draper për Los Angeles Times verën e shkuar, pasi dorëzoi propozimin.

Që nga themelimi i Kalifornisë, në vitin 1850, ka pasur më shumë se 200 përpjekje për ta ndarë. Përpjekjet kanë ardhur nga ligjvënës, drejtues kontesh apo individë pro-ndarjes, si z.Draper.

Në vitin 1859 Kalifornia i dërgoi kongresit një propozim për ta ndarë jugun nga veriu, por Lufta Civile la pak vend që ligjvënësit të shqetësoheshin për çështje të tilla.

Që nga ajo kohë, përpjekjet e tjera kanë qarkulluar pa ndonjë vëmendje të madhe.

Në vitin 2012 dhe 2014, Draper propozoi ta ndanin Kaliforninë në gjashtë shtete, një nismë që nuk arriti të futet në votime.

Por në 3 shtator të vitit 2017 ai e riktheu këtë ide në qendër të vëmendjes.

Një zëdhënëse për Cal-3, Peggy Grande, tha për Uashington Post se ndarja në tri pjesë do ta bënte më të lehtë që ligjvënësit të përqendroheshin në probleme specifike, duke u dhënë vëmendje më të madhe secilës zonë.

Por çfarë do të ndryshonte kjo në rang kombëtar?

Kalifornia ka 55 vota në kolegjin zgjedhor, dhe këto vota u kanë shkuar demokratëve, historikisht.

Nëse Cal-3 miratohet, kjo situatë ndryshon dhe demokratët nuk janë fort të kënaqur me ndarjen.

Duke u bazuar mbi të dhënat e zgjedhjeve nga Qendra për Politikë, në Universitetin e Virxhinias, Kalifornia e Jugut mund të bëhej një shtet i lëkundur, nëse miratohet ndryshimi.

Cal-3 gjithashtu do të shtonte katër senatorë në Senatin amerikan.

Sa janë gjasat që propozimi të miratohet?

Kushtetuta e SHBA-ve lejon krijimin e shteteve të reja, por nuk e bën procesin të lehtë. Sipas Nenit 4, asnjë shtet nuk mund t’i shtohet Bashkimit pa pëlqimin e legjislaturave të shteteve të përfshira, si dhe pa pëlqimin e Kongresit.

Kjo do të thotë që edhe nëse Cal-3 do të ketë sukses me votuesit, kërkesa do të shkonte në Uashington, për miratim federal.

Më 6 nëntor, kalifornianët do të kenë mundësinë të japin mendimin e tyre me votë.

a.s/dita

June 15, 2018 11:30
Komento

1 Koment

  1. Fat man June 15, 16:38

    Edhe kjo orvatje si te tjerat do te deshtoj. nuk ka te bej fare me kushtet ekonomike, por vetem politike.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*