KAM NJË ËNDËRR

August 30, 2013 09:04

KAM NJË ËNDËRR

Ndihem i lumtur të jem sot këtu midis jush, në atë që do të hyjë në historinë e vendit tonë si demonstrimi më i madh për liri. Njëqind vjet më parë, një amerikan i madh, nën hijen simbolike të së cilit qëndrojmë sot, firmosi Proklamatën e Emancipimit. Ky dekret i rëndësishëm erdhi si një fener shprese për miliona negër skllevër, të cilët qenë damkosur në flakët vrasëse të  padrejtësisë. Ai erdhi si një agim i gëzuar në fundin e një nate të gjatë të robërisë së tyre. Por, njëqind vjet më pas, negri nuk është ende i lirë. Njëqind vjet më pas, jeta e negrit është ende e gjymtuar keqas nga prangat e ndarjes dhe zinxhirët e diskriminimit. Njëqind vjet më pas, negri jeton në një ishull të vetmuar të varfërisë, në mes të një oqeani të pafund të begatisë materiale. Njëqind vjet më pas, negri ende lëngon në skajet e shoqërisë amerikane dhe e gjen veten të syrgjynosur në vendin e tij.

Kështu, kemi ardhur sot këtu, për të vënë në dukje këtë gjendje të shëmtuar.

Në njëfarë kuptimi, kemi ardhur në kryeqytetin e kombit tonë, për të thyer një çek. Kur arkitektët e republikës sonë të madhe shkruan fjalët e mrekullueshme të Kushtetutës dhe të Deklaratës së Pavarësisë, ata po nënshkruanin një akt premtimi prej të cilit çdo amerikan do të ishte përfitues. Kjo deklaratë ishte një premtim se të gjithë, po, të zinjtë si dhe të bardhët, garantoheshin për të drejtat e tyre të patjetërsueshme të lirisë së  jetës dhe të ndjekjes së lumturisë.

Sot është e qartë se Amerika nuk iu përmbajt asaj deklarate për qytetarët e saj me ngjyrë. Në vend që ta përmbushte atë detyrim të shenjtë, Amerika u dha negërve një çek të keq, një çek që u kthye mbrapsht me shënimin “për pamjaftueshmëri fondesh.”

Por ne refuzojmë të besojmë se banka e drejtësisë ka falimentuar. Ne refuzojmë të besojmë se nuk ka fonde në kupolat e mëdha të mundësive të këtij vendi. Kështu, ne kemi ardhur ta thyejmë këtë çek, këtë çek që do të na japë, sipas kërkesës, pasuritë e lirisë dhe sigurinë e drejtësisë.

Ne kemi ardhur, gjithashtu, në këtë vend të shenjtë, për t’i kujtuar Amerikës ngutësinë e madhe të këtij problemi. Nuk ka më  kohë të zhytemi në luksin e largimit prej tij, apo të qetësimit me barnat e gradualizmit.

Tashti është koha për të realizuar premtimin e demokracisë.

Tashti është koha për t’u ngritur nga lugina e errët dhe e mjerë e ndarjes, në rrugën e ndritur të drejtësisë racore.

Tashti është koha ta ngremë kombin tonë nga rëra fundosëse e padrejtësisë racore, në shkëmbin solid të vëllazërisë.

Tashti është koha të vendosim drejtësinë për të gjithë fëmijët e Zotit.

Do të jetë fatale për vendin të anashkalojë ngutshmërinë e momentit dhe të nënvlerësojë vendosmërinë e qytetarëve me ngjyrë. Kjo verë zhuritëse e pakënaqësisë së ligjshme të negërve, nuk do të kalojë, përderisa të ketë një vjeshtë jetëdhënëse të lirisë dhe të barazisë. Njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e treja nuk është një fund, por një fillim. Ata që ëndërrojnë se negrit po të shfrynë, do të  qetësohen, do të zgjohen të zhgënjyer rëndë. Vendi nuk mund të vazhdojë kështu.

Nuk do të ketë as reshtje dhe as qetësi në Amerikë, përderisa t’i garantohen negërit të drejtat e qytetarisë. Shtjella e revoltës do të vazhdojë të tronditë themelet e vendit tonë, përderisa të shfaqet drita e shkëlqyer e drejtësisë.

Por, ka diçka që dua t’u them njerëzve të mi  që qëndrojnë në pragun e ngrohtë që të çon për në pallatin e drejtësisë. Në procesin e fitimit të vendit që na takon, nuk duhet bëhemi fajtorë nga punë të gabuara. Mos të kërkojmë të shuajmë etjen tonë për liri, duke pirë nga kupa e vrazhdësisë dhe e urrejtjes. Ne duhet ta drejtojmë përpjekjen tonë gjithnjë në planin e lartë të dinjitetit dhe të disiplinës. Nuk duhet të lejojmë protestën tonë krijuese të degjenerojë në dhunë fizike. Prapë dhe prapë duhet të ngrihemi në lartësitë madhështore të përballjes së forcës fizike me forcën e shpirtit.

Militantizmi i ri i mrekullueshëm që ka përfshirë komunitetin e negërve, nuk duhet të na çojë në mosbesim ndaj të gjithë të bardhëve, sepse shumë nga vëllezërit tanë të bardhë, siç duket edhe nga prania e tyre sot këtu, kanë kuptuar se fati i tyre është lidhur me fatin tonë. Ata kanë kuptuar se liria e tyre është lidhur pazgjidhshmërisht me lirinë tonë. Ne nuk mund të ecim vetëm. Dhe, ndërsa ecim, duhet të premtojmë se duhet të marshojmë gjithnjë përpara. Ne nuk mund të kthehemi mbrapsht.

Ka nga ata që pyesin të devotshmit e të drejtave civile, “Kur do të kënaqeni?”

Ne nuk do të mund të kënaqemi kurrë, për sa kohë negrit do të mbeten viktima të  tmerreve të patregueshme të brutalitetit të policisë.

Ne nuk do të mund të kënaqemi, për sa kohë trupat tanë, të rënduar nga lodhja e udhëtimit, nuk do të mund të qetësohen në motelet e autostradave dhe në hotelet e qyteteve.

Ne nuk do të mund të kënaqemi, përderisa lëvizja bazë e negrit do të vazhdojë të bëhet vetëm nga një geto e vogël për në një geto më të madhe.

Ne nuk do të mund të kënaqemi, përderisa  fëmijët tanë do të të jenë të zhveshur nga personaliteti dhe të vjedhur nga dinjiteti nga shpallje që thonë “Vetëm për të bardhët.”

Ne nuk do të mund të kënaqemi, përderisa  një negër nga Misisipi nuk do të mund të votojë dhe një negër nga Nju Jorku do të besojë se nuk ka se për se të votojë.

Jo, jo ne nuk jemi të kënaqur dhe ne nuk do të kënaqemi, përderisa drejtësia të rrjedhë si uji dhe e mira si një përrua i fuqishëm.

Nuk jam i pavëmendshëm se disa prej jush kanë ardhur këtu nga përpjekje dhe mundime të mëdha: që disa prej jush kanë ardhur drejtpërsëdrejti nga qelitë e ngushta, që disa prej jush kanë ardhur nga ato zona ku përpjekja për liri është ndeshur me furinë e persekutimeve dhe me brutalitetin e policisë. Ju keni qenë veteranët e vuajtjes krijuese. Vazhdoni të punoni me besimin se vuajtja e pamerituar është shpërblyese.

Shkoni përsëri në Misisipi, shkoni përsëri në Alabama, shkoni përsëri në Karolinën e Jugut, shkoni përsëri në Xhorxhia, shkoni përsëri në Luiziana, shkoni përsëri në lagjet e ndyra dhe ne getot e qyteteve tona të veriut, duke besuar se kjo gjendje në njëfarë mënyre mundet dhe  do të ndryshojë.

Le të mos zhytemi në luginën e dëshpërimit. Ju them, miqtë e mi, sot, se edhe pse ndeshemi me vështirësitë e sotme dhe të nesërme, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ‘Ëndrrën Amerikane.’

Unë kam një ëndërr se një ditë ky vend do të ngrihet dhe do të jetojë sipas kuptimit të plotë të kredos së tij: ‘Ne themi se këto të vërteta janë të qarta: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.’

Unë kam një ëndërr se një ditë në kodrat e kuqe të Xhorxhias, bijtë e skllevërve të dikurshëm dhe bijtë e skllavopronarëve të dikurshëm do të mund të ulen së bashku në tryezën e vëllazërimit.

Unë kam një ëndërr se një ditë edhe shteti i Misisipit, një shtet që po shkrumbohet nga  flakët  e shtypjes, do të transformohet në një oazë paqeje dhe drejtësie.

Unë kam një ëndërr se të katër fëmijët e mi të vegjël do të jetojnë një ditë  në një vend, ku nuk do të gjykohen më nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre.

Unë kam një ëndërr sot!

Unë kam një ëndërr se një ditë, aty poshtë në Alabama, aty tek racistët e pashpirt, aty ku  guvernatorit i rrjedhin nga buzët vetëm fjalët “interpozicion” dhe “nulifikim,” një ditë, pikërisht aty, në Alabama, vajzat dhe djemtë e vegjël të zinj, do të mund të tokin duart me vajzat dhe djemtë e vegjël të bardhë si motra dhe vëllezër.

Unë kam një ëndërr sot!

Unë ka një ëndërr se një ditë, çdo luginë do të lartësohet, çdo kodër e mal do të ulet, vendet e ashpra do të sheshohen dhe vendet e shtrembra do të drejtohen, se lavdia e Zotit do të na shfaqet dhe të gjithë ne do ta shohim atë së bashku.

Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi me të cilin do të kthehemi  për në jug.

Me këtë besim do të jemi në gjendje që nga mali i dëshpërimit të gdhendim një gur të shpresës.

Me këtë besim do të jemi në gjendje të kthejmë kakofonitë çjerrëse të  vendit tonë në një simfoni të bukur të vëllazërimit.

Me këtë besim do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, të lutemi së bashku, të përpiqemi së bashku, të shkojmë në burg së bashku, të ngrihemi për liri së bashku, duke ditur se një ditë do të jemi të lirë.

Dhe kjo do të jetë dita, kur të gjithë bijtë e Zotit do të jenë në gjendje të këndojnë me një kuptim të ri:

“Vendi im, për ty, vendi i ëmbël i lirisë, këndoj,

Vendi ku na u shuan baballarët, vendi i krenarisë së pelegrinëve,

Nga çdo anë mali, le të buçasë liria!”

Dhe, në qoftë se Amerika do të bëhet një vend i madh, kjo duhet të ndodhë.

Dhe kështu, le të buçasë liria nga majat e kodrave të mrekullueshme të Nju Hempshairit.

Le të buçasë liria nga malet e fuqishme të Nju Jorkut.

Le të buçasë liria nga lartësitë Alegeni të Pensilavanisë.

Le të buçasë liria nga majat me borë të Rokit të Kolorados.

Le të buçasë liria nga tatëpjetat dredhuese të Kalifornisë.

Por jo vetëm aq, le të buçasë liria nga malet Ston të Xhorxhias.

Le të buçasë liria nga malet Lukaut të Tenesisë.

Le të buçasë liria nga çdo kodër dhe kodrinë e Misisipit.

Nga çdo anë mali le të buçasë liria.

Dhe kur të ndodhë kjo, kur ta lejojmë lirinë të buçasë – kur ta lëmë atë të buçasë nga çdo lagje e nga çdo fshat, nga çdo qytet dhe nga çdo shtet – do të mundemi të shpejtojmë ditën kur të gjithë fëmijët e Zotit, të zinj dhe të bardhë, çifutë dhe jo çifutë, protestantë dhe katolikë, do të mund të bashkojnë duart dhe të këndojnë fjalët e këngës së vjetër spirituale negre: “Të lirë më në fund! Të lirë më në fund! Falë të Madhit Zot, jemi të lirë më në fund!

*Fjalimi i Martin Luter Kingut në Uashington, më 28 gusht 1963 (shkëputur nga libri monografik “Martin Luter Kingu” i autorit Ilir Hashorva, Botimet Toena, 2011)

August 30, 2013 09:04
Komento

5 Komente

  1. ARUSHA August 30, 14:27

    MARTIN LUTEN KING KA THENE ” I HAVE A DREAM ” = UNE KAM NJE ENDERR dhe jo “kam nje enderr”

    PERKTHIMI I IM ESHTE I SAKTE DHE ESHTE FJALI E PLOTE DHE E SHQUAR DHE E NJE VENDOSMERIE , DUKE JU PERGJIGJUR TE GJITHA PYETJEVE GRAMATIKORE ( KUSH …….?, CFAR……..? )

    Reply to this comment
  2. shpresa August 30, 15:23

    une kam nje ender qe drejtesia do te vendoset ne kete vend qe te jetoje , por kjo duhet te filloje me venien para drejtesise te sali berishes e bandes se tij .atehere vendi ka hyre ne zhvillim .

    Reply to this comment
    • ceti August 30, 16:11

      Kush e di sa ka qa Ed Rama kur e ka lexu kete fjalim. Lere pastaj po ta ket lexuar me Xhon Lenon ne sfond. Eshte shkrehur komplet ne vaj, ne vaj dhe uthull si i thon llafit. Pastaj i ka futur nje shishe vere me vize te bardhe dhe oho ho ho. Kaq ishte edhe 21 janari i 2011. Edhe ky by..ziu qe ka shkruar kete fjalimin nje bicim i tille si Edi ka qene. Nuk thone kot gjithe derrat nje turi kane. Prit shpresa prit…se asaj rruge eshte Edi.

      Reply to this comment
  3. Horri i Bulevardit August 30, 18:20

    Edhe une kisha nje ender, qe mbas shume viteve qe jetova nen diktature, si shumica e shqiptareve, besova se me ne fund ne vitin 90-te, kur u ambasadat, te vinte demokracia qe kisha enderruar.
    E enderruam kete qysh kur degjuam se diktatori vdiq, kujtuam dhe enderruam se tani ky tjeteri, do te na jape ate liri te munguar, por pritem dhe nuk pame asgjekundi lirine qe meritonim.
    Edhe kur rumunet cuan ne plumb diktatorin e tyre, ne enderruam se edhe ne do te shpetonim nga diktatura, duke i cuar ne plumb diktatorin e fundit, por diktatura i kishte marre masat para nesh, diktatura i futi njerezit e saj, pikerisht kriminelet qe spiunuan shqiptaret, si demokrate te kulluar ne krahun tjeter dhe sot ne jemi ketu ku jemi, se nuk beme ate qe duhet, vetem enderruam.
    Heren tjeter me mire do te na bie qe mos te enderrojme me, por te veprojme, do te kemi me shume sukses, se diktatoret duan qe ne te enderrojme, se e dine qe endrat kur hapen syte, mbeten vetem endra.

    Reply to this comment
  4. tol francezi it August 30, 19:16

    edhe une enderoja se ne demokraci do jetoja me mire,po ndodhi e kunderta jetoj me keq sec isha ,ngela pa pune,pa shtepi,pa qetesi,u detyrova te merja aratine jashte per te mbushur barkun me buke,albania postkomuniste eshte pakicen rufjaneve qe grabiten pasurite e popullit per vete te tyre,se shumica e popullit mer buken me liste.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim