Kam njohur një ushtarak…

April 24, 2018 13:25

Kam njohur një ushtarak…

Nga Bashkim Koçi

Kam patur gjithmonë një kontradiktë brenda vetes. Ndërsa rroba e ushtarakut  nuk më ka tërhequr kurrë, madje e kam parë paksa të bezdisur, me ushtarakët, me ata që i kanë vënë shpatullat kësaj uniforme  të fisshme,  jam ndjerë gjithmonë  mirë, në mos edhe pak “trim” për shkak të besimit që të jep në vetvete prezenca e hijes së tyre. Në këtë rrjedhë të arsyetimit kam qenë gjithmonë i “përvëluar” për të zënë miq ushtarakë, për të përzgjedhur midis tyre nga ata që zemra t’a thotë për të mos i braktisur kurrë, në gjallje, por edhe atëherë kur ai është bërë “qytetar i qiellit”.

Një ndër ushtarakët që kam njohur, tek i cili jetonin gjithmonë bashkë nderi dhe fisnikëria, tek i cili talenti s’ishte gjë tjetër veçse qëndrimi i tij ndaj punës dhe profesionit, ka qenë kolonel Arshi Çela. Vetëm nga goja e tij kisha dëgjuar të thoshte: nëse më merrni nderin, jetën time nuk e keni shpëtuar dot.

Arshi Çela ishte skraparas, nga fshati Gostënckë. Ai e ruajti si amanet nga të parët e fisit që të “mbetej andej” me mendje e me zemër, pra në Skrapar, duke e çmuar si të virtytshme  atë thënien brilante “kokën dhe këmbët mbështeti gjithnjë në truallin tend”. Sigurisht një fëmijë si ai, i zgjuar dhe ëndërrimtar, do t’a kapte shpejt fillin e jetës në mënyrë që ajo, “hyjnorja” e zgjuarsisë, të bënte vend,  t’i konsideronte uljet dhe ngritjet si të shmangshme vetëm duke mos harruar porosinë e babait “ punën e nesërme planifikoje sot”. Për këtë ushtarak të karrierës kishte vetëm një kohë të rëndësishme: tani! Me këtë ndjenjë përgjegjshmëri, për të ndryshuar veten dhe jo Botën, në vitet 1960-1964 filloi e mbaroi shkëlqyeshëm studimet në shkollën “Skënderbej”, e më pas, vitet ’64-’67, Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, sot Akademia Ushtarake. Ishin këto shkolla që më të “dobëtin” e bënte të fortë,  që  më pesimistit i jepte vullnet  për të qenë i suksesshëm. Ishte kjo shkollë famëmadhe në përgatitjen e oficerëve të karrierës, e cila Arshi Çelën e burrëroi para kohe, duke ia shkurtuar paksa vitet e fëminisë. Në disa aspekte, siç ishin dashuria për vendlindjen, prindërit, lotët nga gëzimi kur  për herë të parë veshi një palë këpucë ushtarake, ai do të mbetej  deri në fund të jetës fëmijë.

Askush nuk mund të përparojë nëse nuk njeh jetën, nëse nuk di nga vjen dhe nuk di ku shkon. Arshi Çela rridhte nga një familje jo e kamur, disi e këputur nga ana ekonomike dhe për këtë shkak nuk harroi kurrë t’a konsideronte jetën, rrugën e saj, si të mbjellë dëndur me gjëmba, por që për t’a pastruar nuk duhej vetëm talent në profesionin aq të lakmuar të ushtarakut të ardhshëm, por së pari i duhej të kishte vullnet. Nga disa shënime të mbajtura me dorën e tij nënvizuam  dy-tri gjëra nga më të spikaturat e që paratregojnë se ai do të arrinte të bëhej dikushi si ushtarak, si qytetar vizionar, si intelektual. Arshiu na paska patur idhull Napolon Banapartin nga i cili kishte veçuar një thënie që, mesa di unë si miku i tij, e pati si këshillë, si kujtesë e ndoshta ca më shumë për të qenë i suksesshëm. Këshilla e Banapartit ishte kjo: Nëse dëshiron që gjërat të bëhen mirë, bëji vetë. Ai për çka arriti si ushtarak, si mësimdhënës, si lektor, si këshilltar ushtarak e juridik në institucione, apo pranë  personaliteteve të lartë politikë të shtetit, e kishte të tijën, të askujt tjetër. Nuk bëjmë ndonjë hiperbolizim të gjësë po të sjellim në këto radhë vlerësimin “e përgojuar” nga miq e kolegë se ai, pra Arshi Çela, ishte i ditur, ishte orator që nuk ia gjeje shokun.

Ka qenë e vështirë, në mos e pamundur, që një ushtarak të mund të përzgjidhej për të dhënë mësim, për të mbajtur e referuar leksione në shkolla të larta. Arshi Çela ishte një ndër këta “të ditur” që i jepej besimi nga autoritete shkencorë për të ligjëruar, për të mbajtur auditorin studentor “të ngrirë”, me sy e vesh për të “shijuar” gatesën e profesorit. Për çka po them jam dëshmitar okular, madje mbeta gjatë gjithë kohës, sa qe gjallë, një fans i tij, si shumë të tjerë, për ligjëratat që mbante. Le të më korrigjojnë dikush që e ka njohur, bashkëkohës apo studentë që dolën nga dora e tij, nëse po them me gojën plot që Arshi Çela ishte një Ciceron i vërtetë. Dhe meqë jemi këtu, në profesionin e tij të dytë si mësimdhënës, duhet të sjellim vlerësimet që ai ka marrë, shumë të merituara. E ngre pak zërin kur them “të merituara” sepse në këto vitet e të ashtuquajturës demokraci, janë  mijëra ata që “ngrefen”, që tunden e shkunden ngaqë janë bërë doktorë, profesorë, mjeshtra të mëdhenj e kudiçfarë, vetëm duke hedhur trasta me para. Personazhi ynë, Arshi Çela, gëzonte titullin Profesor i Asociuar, por e kishte prej vërteti, të përfituar me mundim e sforcim në fushën ku konkurroi. Puna e tij shkencore, e njohur dhe e vlerësuar nga personalitete të shquara të fushave përkatëse, ka gjetur, gjen dhe do të gjejë edhe në të ardhmen kërkuesin, atë që do t’i duhet për t’ju referuar e për të zgjeruar njohuritë.  Profesor Dok. Hamit Kaba, historian, Drejtues i Departamentit të Studimeve Bashkëkohore në Institutin e Historisë, në Universitetin e Tiranës, ka sjellë këtë vlerësim për Arshi Çelën, në kohën kur ai mbrojti gradën shkencore Profesor i Asocuar: Më është krijuar bindja e plotë për të vlerësuar cilësitë e tij si mësimdhënës, si personalitet shkencor në fushën ushtarake, në shkencat sociologjike dhe të së drejtës, të cilave ai u ka kushtuar karrierën e tij shumëvjeçare.

Ai ishte vërtet ushtarak i karierës, por puna ia solli që të mos mbetej skllav i profesionit që mori në rininë e herëshme. Arshiu në rrugë e sipër ndjeu nevojën për të qënë pak më shumë se ushtarak. Dhe në këtë pasion për të zgjeruar njohuritë ai përzgjodhi  fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, dega Drejtësi. Nuk ka qenë e lehtë. Në vitin 1975 Arshi Çela u diplomua si jurist.  Jo nga ai soj juristësh që u ka marrë mendjen shqiptarëve, por nga ata që jurispudencën  e vlerësonin si komunikim, si  zgjidhje problemesh, si pasion që nxjerr në pah pasione  të fshehura të individeve, që të rrit besimin, që të ndihmon të përmirësosh aftësitë  menaxhuese.

Sigurisht që ata kuadro apo specialistë të përgatitur, të aftë për qenë kompetent në fushën përkatëse, janë më të kërkuar në tregun e punës. Arshi Çela ishte i kërkuar sepse, po të bëjmë një gjetje jo shumë të goditur, ai ishte produkt “bio”, nga ata që kërkohen me qiri. Ndoshta ishte kjo mungesë kuadrosh mësimdhënës  që ai për më shumë se 13 vjet  të largohej nga shërbimi në ushtri dhe kalonte andej ku kishte dhënë shenja shkëlqimi. Për gjatë këtyre viteve u caktua të ishte lektor, pedagog i filozofi-sociologjisë në shkollat e larta të kohës. Pa asnjë mëdyshje, kultura e tij ishte e lartë dhe e vlerësuar. E vlerësuar nga intelektualët  më në zë të kryeqytetit, por edhe të institucioneve shkollore e shkencorë.  Leksionet e tij, dëshmojnë kolegët, zbulonin kulturën e tij të konsoliduar pedagogjike e shkencore, zotërimin  e shkëlqyer të metodave bashkëkohore të mësimdhënies, aftësitë e tij për t’i transmetuar me kompetencë në të gjitha nivelet e arsimit të lartë. Unë shkruesi i këtyre radhëve, e kam konsideruar vetëm me fat që kam qenë për disa kohë student i Arshi Çelës.

Çdo njeri ka të drejtë të rrezikojë në jetën e tij për t’u gjendur më i motivuar në punët që kryen. Rrezikon për të qenë më i vlerësuar, por shpesh edhe për të provuar veten në pozicione të veshtira, të pa eksploruara. Tek Prof. as. Arshi Çela ka ndodhur e kundërta. Kanë qenë të tjerët ata që kanë rrezikuar për emrin e tij.  Lëvizjet për të kryer detyra të ndryshme, për shembull,  nuk erdhën për shkak të paaftësisë së tij. Përkundrazi. Të punoje redaktor në Shtëpinë Botuese të Ushtrisë, në redaksinë e Enciklopedisë, do të thoshte ta kishe kokën plot, do të thoshte të ishe mjaft i përgatitur në fusha që kërkonin intelekt dhe guxim për të kapur suksesin. Arshiu ishte “njeri i plotësuar” dhe nuk kishte nevojë të shpallej vet si i tillë.  E kishte treguar veten që në fillimet e karrierës.

Kolonel Arshi Çela

Ndoshta virtyti nuk është asgjë më shumë, se sa mirësjellja e shpirtit. Për një sociolog  “mirësjellja e shpirtit” është gjëja më e rëndësishme për t’a ndriçuar atë tek tjetri dhe  ca më shumë kur puna të çon të merresh me përgatitjen, me edukimin të breza studentësh. Është  përvojë e vyer veprimtaria e tij si lektor dhe me që është rasti po sjell vetëm  një shembull nga puna e tij shumëvjeçare.  Profesori, midis shumë institucioneve të tjerë të arsimit të lartë u bë shumë i kërkuar edhe nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës, nga Fakulteti e Shkencave Politike dhe Juridike. Aftësia nuk ka shumë vlerë pa mundësinë, por Prof. Arshiut mundësia i dilte gjithmonë përpara, “i zinte rrugën” për shkak të vlerave të tij të çmuara.  Programi ishte për të zhvilluar një bisedë me temën: Një këndvështrim sociologjik mbi Partitë Politike. E di si e nisi ligjëratën Prof. Arshiu? Me disa vargje të Dritero Agollit, me të cilët i jepej shtysë mendësisë studentore për mendimin politik dhe reflektimeve personale të studentëve. Pra ai ishte krijues në punën mësimore, por edhe në detyra të tjera, në ato që mbuloi për disa vjet në hierarkinë ushtarake e shtetërore. E shikonte botën në lëvizje,  ashtu si do të vepronte me një formacion ushtarak për të mundur armikun.

Koloneli e vuajti shumë shkatërrimin e bazave të ushtrisë në vitin e mbrapshtë ’97. Grabitjen e municionit luftarak, të tankeve, të avionëve dhe gjithçkaje që u bë pjesë e trafiqeve të trafikantëve,  në bashkëpunim me politikën,  e përjetoi dhimbshëm. Kur batërdia bëhej  në sy të të gjithë popullit, të atij që kish investuar djersën dhe gjakun e dhjetëra viteve për mbrojtjen e vendit, zëmra e ushtarakut  Arshi sa s’pëlciste. Ai i rikthehej shpesh kësaj teme dhe…mundohej për ta harruar, për t’a konsideruar pjesën  më të keqe të së shkuarës. Ç’po na duhen armatimet, bënte humor Profesori, duke sjellë një thënie të Ajnshtajni: Nuk e di se me cilat armë do të bëhet Lufta III-të Botërore, por Lufta IV-rt do të luftohet me shkopinj dhe gurë.

Njeriu nuk lind i ditur. Ai fomohet në punë e sipër, në përpiekje të vazhdueshme për të nxënë, për t’u kualifikuar, për të ndjekur progresin, i cili në kohrat që jetojmë është tmerrësisht i shpejtë. Meqë Arshi Çela vitet e fundit të jëtës e kaloi pothuajse të gjitha në profesionin e mësimdhënies, pra me studentë, si në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Mojsiu”, Universitetin “Marin Barleti”, Universitetin Ndërkombëtar të Strugës etj. gjente rastin të jepte këshilla të vyera, nga ato që të krijojnë mundësi për të zgjeruar dijet. Mëndja duhet ushqyer, përditë e nga pak. Ajo është si gjëja të cilën po e humbe nuk e gjen dot më, filozofonte ky mjeshtër i fjalës dhe sociologjisë. Ai e vlerësonte shumë, në shkallën sipërore, përvojën Botërore, të shteteve të qytetëruara. Për të marrë e përvetësuar nga kjo përvojë u ra çark shteteve të Europës. Po sjellim vetëm disa: Për ligjin Humanitar dhe Politika në rajonet me konflikt ai u kualifikua në Gjermani (1998); Për mbrojtjen ligjore të robërve të luftës dhe popullsisë së shpërngulur, mori mësime në Francë (1998); Ligjin i konfliktit të armatosur dhe roli i këshilltarëve ligjorë, e përvetësoi në Turqi (1999); Partneriteti për Paqe dhe përshtatja e legjislacionit, iu dha rasti të shkonte në Angli (2000); Mësimet për kontrolli civil demokratik të Forcave të Armatosura, i mori në SHBA (2003). Seminare të ndryshëm me tema për korrupsionin, rolin e mediave, psikologjia e uniformës së gjelbër, roli i informacionit kulturor, etj. iu desh të shkonte  në disa vende europiane si Hungari, Itali, Zvicër, Bullgari etj. Është një punë shumë serioze, kualifikim bashkëkohor, apo jo?

Personi i cili ka jetuar më shumë nuk është ai me më shumë vite, por ai me përvojat më të pasura. Prof.as. Arshi Çela për çka është regjistruar në jetën e tij aktive duhet thënë se përbën një “investitor” i vyer në fushën e mbrojtjes dhe atë të arsimimit shqiptar. Si  intelektual punëshumë, ky ushtarak i ngjan flokut të dëborës në përbërje të ortekut, i cili jep ndihmesë modeste në fuqinë e tij.  Ndarja e parakohshme nga jeta ia preu në mes krijimtarinë në fushën e Historisë  Institucionale, të Teorisë së Shtetit, Sociologjisë, Filozofisë së Ligjit apo të  Drejtës Kushtetuese, por sidoqoftë kontributi i tij në këto fusha është i çmuar, modest dhe i duet t’i jemi mirënjohës. Vetëm angazhimi i tij serioz, si ai i Arshi Çelës, mundi të përballonte ngarkesë të madhe në mësimdhënie në të gjitha nivelet, të drejtonte me kompetencë modulin e së drejtës në dy nivele “Master”, të hartonte tekste mësimore, të ishte pjesë e anëtarëve të jurisë, oponent shkencor apo udhëheqës i temave studimore të shumë studentëve. E kishte  zakon të tij, ndryshe nga shumë kolegë e studiues të tjerë, që t’i përqendronte të gjithë aftësitë, të gjitha përpjekjet, në punën që kishte në dorë. Ndonëse ndonjë karrierist apo servil e kryente punën për të ngjitur shkallët e gradimit, të ngritjes në pozitë, apo për të përfituar financiarisht, ushtaraku Arshi Çela mbeti një “utopist i lumtur”, njeri modest, por edhe “madem” i pazbuluar.

Është diçka hyjnore, e mrekullueshme  të punosh për të lënë emër të mirë, për t’u lënë pasardhësve atë çka atyre ua bëjnë jetën  të lumtur. Njerëzit e sotëm mendojnë se puna do rregulluar në mënyrë të tillë që të sjellë sa më shumë fitim gjë që nuk u bërë kurrë lakmi për ushtarakun tonë emërmirë. Pasuritë e tij të vyera, dhe që ua la fëmijëve si një “kurorë krenarie”, janë librat e shumtë, grada shkencore e Profesorit të Asociuar, urdhrin “Naim Frashëri”,  “Medaljen e Mirënjohjes”  të cilat, të gjitha së bashku, janë ajo çka ai dha nga vetja, dëshmi  që Prof.as. Arshi Çela rrojti me optimizmin për të parë dritë edhe aty ku nuk kishte.

 

April 24, 2018 13:25
Komento

8 Komente

  1. DRITAN April 24, 16:54

    PROFESORE BASHKIMI na mallengjeve me kujtimin e profesorit dhe xhaxhait tone ARSHI CELA te falenderojm perzemershisht

    Reply to this comment
  2. Nje ze me shume April 24, 21:06

    Respekte per kete njeri te ndritur, nga burrat me te mire te Skraparit. Sa mire qe flitet e shkruhet per ta sepse njeres te virtytshem si ai brez nuk perseriten kurre. Faleminderit Bashkim Koci.

    Reply to this comment
  3. shushica April 25, 00:00

    Sakte,me ndjenje dhe vertetesi ke shkruar per Arshiun .Dhimbje per ikjen e nje intelektuali te nivelit te larte.Natyra i kishte dhuruar cilesi te mrekullueshme ,por vullneti dhe karakteri e bene Arshiun nje personalitet ne fushen e vet .Shume intelektuale te niveleve te tilla media e sotme nuk i njeh ,nuk i kupton ,nuk do ti kuptoje .Kohet e turbullta peshkojne vetem njerez te turbullt .Ndoshta me mire mosperzjerja.Ndersa Arshiu ,dhe shume te tjere qe ndihmuan per ta nxjerre kete vend nga feudalizmi jetojne jeten e tyre me nder ,deri ne ikjen perfundimtare .

    Reply to this comment
  4. Ruzhdi April 25, 10:09

    Nje njeri i mrekullueshem ishte Arshiu.
    Te lumte Bashkim!

    Reply to this comment
  5. Guri Naimit D(Dh Xhoga) April 26, 08:30

    I perjetshem kujtimi shembelltyrave ATDHETARE!

    Eshte kenaqesi te lexosh e te perjetosh per nje tregim te tille nga pena juaj sjelle, me te tille miq e shoke jetuar.Faleminderit.Shembuj qe frymezojne brezat i nderuar dashamiresi im, Bashkim Koci..
    Shendet e suksese ju uroj une, 82 vjecari, nje jete me liber ne dore,si bir i “Dangellise Naimjane”; Zavalanit lene gjurme- PARAARDHESIT tane..
    BREZAT pasofshin ATDHETARIZMIN e TYRE!

    Tirane 26-04 2018.Guri Naimit D.(Dh.Xhoga..

    Reply to this comment
    • Doni apo nuke doni ju o mizakali,Drejtesia do te BEHET. April 26, 22:00

      E kam njohur dhe une Arshiun,e vertet qe Ai ishte i zguar,i slellshen dhe i pergatit si ushtarak,por me lejimin e shkaterrimin e ushtrise nga nje malok si berishavici,per asnje ushtarak nuke mund te deklarohet se ishte Atdhetare.Hapja e depove te armeve me pasoja tragjike qe pasuan nga pas,per asnje ushtarak nuke mumd te etiketosh atdhetare,pervecse ushtarakeve te aeroportit te Rinasit Nene Tereza qe u perballen me bandat kriminale,se te tjere reparte te vogla qe shperuan nuke ishte merite e ushtarakeve por e atije barbari qe nuke i urdheroje mostrat e tije te “sulmojne ato.Dhe nje here policeve te Aeroportit te Rinasit Nene Tereza i thuhet me gjithe zemer Atdhetare dhe Heroj qe nuke lejuan bandat kriminale korruptive ekstremiste e imorale antiatdhetare qe te shkaterronin kete aeroport te vetem derkombetare qe kishte Shqiperia.Kurse ai reparti i aviacionit ushtarak te Rinasit si shumica e reparteve ushtarake qe ju dorezuan pa rezistence barbareve antishqiptare te berishavicerve,sa nuke eshte vone duhet te nise procedim penal si bashkepuntore me barbaret si dhe tradheti kombetare.Viti 1997 vertetoje katerciperisht se Shqiperia kishte ushtarake per rroga se per atdhedashuri e patriotizem barazoheshin me kolobracionistet qe bashkepunuam me pushuesin,por dhe me keq se i kushtoje shtrejte Shqiperise mijra te vrare dhe mijra te gjymtyer dhe nje vend i pa sigurte,ku dhe sot e kesaje dite shpallet nga nderkombetaret pjeserish i augurate.Turp,marri dhe krim e fajesi sebashku.Dhe se fundi per ju o shkrivane te jeshe atdhetare,pra patriot dhe ushtarak qe ke bere betimin me fjale e zemer,do te thote te japesh jeten ne mbrojte te atdheut ne rrezik dhe jo te mbetesh ne kuader te dhimshurise kure ujqerit pa arme e zotesi ushtarake bejne kerdine,me pasoja mijra viktima,dhe nje pasuri kombetare qe sherbente per te mbrojtur atdheun u lejua te mbetej prone e bandave kriminale,ekstremiste e korruptive-imorale te berishavicerve te Serbise.

      Reply to this comment
  6. Mihal Jano April 26, 11:47

    Arshi Çela ishte dhe do të mbetet një intelektual i rrallë i vëndit tonë…..ashtu është i nderuar Bashkim Koçi na e keni sjellë portretin e tij siç ishte në jetë, meni këtë shkrim na ke prurë vetit, vlerat dhe virtytet që udhëhiqen në këtë të qytetar të nderuar…e kam njohur nga afër disa vite si student por edhe si koleg në uniformë…të gjithë kishin respekt për oratorin dhe thjeshtësinë e tij…një skrapari i zakonit, nga një familje e thjeshtë por ë nderdhme…shkuam një ditë dimri më shokët në vitin 1989 në Çorovodë për ngushëllim, i kish vdekur i jati…bashkëqytetarë të shumtë ishin mbledhur dhe ju bë një ceremoni nderi siç dinë skrapallinjtë…Arshiu dhe pse vet më një ftohje dhe kollë në atë dimër të ashpër qëndroj pranë njerzve të tij të dashur…kishte një mik që si ndahej dhe si rrihej pa të…dhe ai mik ja shkurtimi jetën shokut tonë …Duhanin se ndante ë pinte litar…. Kultura e dijet e tij ishin të arrira dhe i jepnin krahë në.zhjidhjen e mjaft situatsve shoqërore….ishte dhe një mik i madh i librit…kur i dhurova librin Porosia e Madhe e Rexhep Qoses shtypur në Prishtinë ë lexoj me një frymë…u njoha edhe më bibliotekën e tij që ishtë ndër më të pasurat që kam njohur ndër miqtë..dhe të gjithë ato libra ja vetëm i kish lexuar por edhe skeduar më shënimet përkatëse që i paraqiste më mjaft hijeshi në trajtesa shoqërore apo leksionet e shumta më studentet…i pa harruar miku ynë i mirë Arshi Çela ti rrojnë të dashurit..

    Reply to this comment
  7. Mihal Jano April 26, 12:11

    Arshi Çela ishte dhe do të mbetet një intelektual i rrallë i vëndit tonë…..ashtu është i nderuar Bashkim Koçi na e keni sjellë portretin e tij siç ishte në jetë, me këtë shkrim na ke prurë vetit, vlerat dhe virtytet që udhëhiqen në këtë të qytetar të nderuar…e kam njohur nga afër disa vite si student por edhe si koleg në uniformë…të gjithë kishin respekt për oratorin dhe thjeshtësinë e tij…një skrapari i zakonit, nga një familje e thjeshtë por ë nderdhme…shkuam një ditë dimri më shokët në vitin 1989 në Çorovodë për ngushëllim, i kish vdekur i jati…bashkëqytetarë të shumtë ishin mbledhur dhe ju bë një ceremoni nderi siç dinë skrapallinjtë…Arshiu dhe pse vet më një ftohje dhe kollë në atë dimër të ashpër qëndroj pranë njerzve të tij të dashur…kishte një mik që si ndahej dhe si rrihej pa të…dhe ai mik ja shkurtimi më tej jetën shokut tonë …Duhanin se ndante ë pinte litar…. Kultura e dijet e tij ishin të arrira dhe i jepnin krahë në.zhjidhjen e mjaft situatsve shoqërore….ishte dhe një mik i madh i librit…kur i dhurova librin Porosia e Madhe e Rexhep Qoses shtypur në Prishtinë ë lexoj me një frymë…u njoha edhe më bibliotekën e tij që ishtë ndër më të pasurat që kam njohur ndër miqtë..dhe të gjithë ato libra ja vetëm i kish lexuar por edhe skeduar më shënimet përkatëse që i paraqiste më mjaft hijeshi në trajtesa shoqërore apo leksionet e shumta më studentet…i pa harruar miku ynë i mirë Arshi Çela ti rrojnë të dashurit..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*