KAMI QË U KTHYE NË (S)KAM

Gjon Neçaj April 4, 2016 20:27

KAMI QË U KTHYE NË (S)KAM

Rrëzë kodrinave rrethuar nga malet, anës rrugës automobilistike Krumë – “Bajram Curr”, në të djathtë të sheh syri ca rrënoja, por dhe ca pallate suvashqyer, që natyrshëm të provokojnë një pyetje dilematike të brendshme: vallë, a jeton kush këtu?! Dhe nëse jeton, ç’dreqin mund të bëjë aty?!

Është Kami, një qytezë mbi 40-vjeçare, produkt i ish-sistemit komunist, i njohur për cilësinë dhe sasinë e mineralit të kromit që nxirrte dhe eksportonte. Me një vendim të qeverisë së atëhershme të vitit 1968,  Kami u shpall qytet dhe brenda një kohe të shkurtër u ndërtuan apartamentet e para, ku kuptohet banorët e tij ishin pothuajse të gjithë të rinj, punonjës dhe kuadro të minierës.

U ndërtuan jo vetëm pallate, por edhe shumë objekte social-kulturore si shkolla, spitali trekatësh, postë-telegrafa, libraria, kinemaja e objekte të tjera, duke marrë kështu pamjen e një qyteze me 5000 banorë.

1441016381miniereSot shumë prej banorëve e kujtojnë me nostalgji qytetin e tyre. Tashmë disa prej tyre kanë hapur dhe një grup në një nga rrjetet sociale, ku anëtarët postojnë herëpashere fotografi të qytetit të dikurshëm dhe foto të sotme, prej të cilave duket qartë dhe në mënyrë të trishtë braktisja dhe ndërtimet e rrënuara.

Besimi, njëri prej nismëtarëve të këtij grupi, fton të gjithë të kujtojnë vendlindjen e tyre, pavarësisht se anëtarët e grupit nga mos, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Kami i mëparshëm ka mbetur vetëm në fotot e zverdhura të këtij grupi si një kujtim i hershëm që mban lidhur të gjithë ata banorë që kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre në këtë qytet, sot të banuar vetëm nga katër-pesë familje me 30-40 banorë. E pamundur të rikrijosh qytetin e dikurshëm pa shfletuar foto të para tre-katër dekadave.

Qyteti i vogël i minatorëve, dikur plot gjallëri, shpresë dhe të ardhme, tashmë e ka ndjerë së tepërmi shfrytëzimin e sistemit të kaluar deri në fund, pasi me vite të tëra nëpër galeritë e thella të vendburimeve të minierës nxirrnin mineralin e shumëkërkuar, kromin, për t’ia shitur  Jugosllavisë së atëhershme matanë kufirit. E shumë syresh duke lënë edhe jetën galerive të ftohta dhe dramatike.

Tashmë shumë godina  janë shkatërruar e gërmadhat ngrenë krye mbi fushën e Kamit si dëshmitare të një kohe të shkuar, kur ky qytet sot i heshtur gjallëronte mes atyre maleve e kur njerëzit ëndërronin për një të ardhme më të mirë.

Në kohën e lulëzimit të qytetit, në Kam kishte 12 pallate, ndërsa sot mezi mbahen në këmbë dy-tre syresh. Të tjerat janë rrënuar gjatë viteve të gjata të braktisjes nga banorët, të cilët u larguan për një jetë tjetër.

993864_939693832732674_3993577799210763850_nAta që kanë mbetur të thonë se nuk kanë mundur të largohen. “Me ndryshimin e sistemit u shkatërruan minierat e çdo gjë, dhe ne mbetëm pa punë, pa prona. Sot mbijetojmë duke gërmuar atë pjesë kromi që ka mbetur pasi është përpirë tash një çerek shekulli duke sjellë edhe viktima në familjet tona”, shton njëri prej atyre pak banorëve që kalojnë jetën në atë qytezë-fantazmë.

Kami është zymtia e një kohe moderne, me ca pak banorë që mbijetojnë si në një absurd, me shpresën se mbase një ditë minierat do funksionojnë e ata do punojnë për të siguruar të ardhura për familjet e tyre.

Banorët e këtyre anëve shpresojnë në thithjen e kompanive të huaja që të rivënë në punë galeritë ekzistuese. Gjithashtu ata shpresojnë se reforma administrativo-territoriale diçka do sjellë për mirë. Qyteti i dikurshëm i minatorëve ka mbetur një lagje e njësisë administrative të Bytyçit.

Kjo njësi ka një shtrirje të gjerë dhe një numër të madh minierash të braktisura si dhe një numër  të pafund vendburimesh që shfrytëzohen në sipërfaqe apo në nëntokë, në mënyrë amatore nga vetë banorët. Kësaj njësie, tashmë në administrim të bashkisë së Tropojës, i përkasin edhe Lajthiza, Kepeneku,e tj.

Banorët kërkojnë që të vihet dorë në vendburimet e kromit, pasi ato janë ndërtuar dhe shfrytëzuar me dekada nga shteti.

Gjon Neçaj April 4, 2016 20:27
Komento

2 Komente

  1. Mark uk April 6, 09:57

    Qeveria e vetquajtur rilindje kthej ne skamje 80% te popullit ne skamje,ju ankoheni me nje minier.

    Reply to this comment
  2. ortes April 7, 08:50

    Harrojeni SOCIALIZMIN,se vetem ai sistem mendonte e punonte per FUKARAIN!
    Kapitalizmi vetem per te PIRE GJAKUN TONE eshte!
    Shikojini se sa MILIARDA euro,dollare apo FLORI kane grabitur keta kelyshet fashiste te ketyre 25 vjeteve!
    Ndersa 80% e popullit nuk ka buke te haje!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*