KAOS / Afrimi i 30 Qershorit, të gjithë takojnë gjithkënd për të marrë vesh diçka. Vetëm njëri rri stakuar

June 29, 2019 00:32

KAOS / Afrimi i 30 Qershorit, të gjithë takojnë gjithkënd për të marrë vesh diçka. Vetëm njëri rri stakuar

 

TIRANË dhe PERIFERIRA – Me afrimin gjithnjë e më kërcënues të datës 30 Qershor 2019, që është një ngjarje e paevitueshme për shkak të këmbënguljes kokëshkretë të Tokës për t’u rrotulluar rreth Diellit pa i hyrë gjemb në këmbë, në kryeqytetin shqiptar janë shtuar lëvizjet frenetike të aktorëve e faktorëve nga më të larmishmit, për të marrë vesh diçka.

Historia nisi me dërgime letrash nga Edi në drejtim në Lulit, në tentativë për të kontrolluar aq sa ishte e mundur, atë që do të ndodhte më 30 Qershor.

Fiksimi i çuditshëm për të marrë vesh, në trajtë epidemike kaploi ambasadorë të huaj, atashe ushtarakë e tregtarë, deputetë dhe ish deputetë, ministra e politikanë, kryetarë partish dhe dhoma tregtie.

Në vijim, epidemia është përhapur te gazetarë, kameramanë e reporterë të terrenit, të cilët ditët e fundit janë pikasur teksa gjurmonin këmba-këmbës pikërisht ambasadorët e politikanët që rendnin të takonin dikë ose të takoheshin nga dikush, si e si për të kuptuar diçka.

“Duam të dimë se ç’do të ndodhë,” shpreheshin diplomatët, duke e alternuar pohimin e tyre edhe në variacionin, “duam t’u bëjmë me dije politikanëve se çfarë nuk duam të ndodhë më 30 Qershor”.

Nga ana e tyre, disa nga pyetjet më pikante të gazetarëve lidhur me datën fatale – ose të lume, sipas këndvështrimit – të 30 Qershorit, kishin të bënin me atë se çfarë mendonin diplomatët se do ishte mirë të ndodhte më 30 Qershor. Ose pse shumë diplomatë janë pro 30 Qershorit.

Ndërkaq, në një nivel akoma më të lartë, Luli takoi Ilirin për t’u sqaruar mbi opsionet e zhvillimit të ngjarjeve më 30 Qershor. Emra të tjerë të spikatur si Dashi, Timi, Paskali biseduan po ashtu me Ilirin, ndërsa ky i fundit bisedoi me një grup diplomatësh të huaj, të cilat nga ana e tyre, ashtu tufa-tufa dhe të bezdisur nga reporterët dhe vapa, dolën nga Iliri për të shkuar tek Edi.

Por nivelet e ankthit erdhën duke u rritur teksa afrohej e enjtja dhe e premtja. Eprorët e tyre nga jashtë shtetit, i shtuan telefonatat për vartësit ambasadorë brenda shtetit, pastaj emailet, mesazhet në uacap dhe video-konferencat në skalp, gjithnjë me temë qëndrore:

-Uore, ça do bëjnë ata më 30 Qershor ore, ça thuhet andej?

Pika kulmore erdhi kur pikërisht ai që shkruante letra, Edi, më në fund mori një letër nga Iliri. Por Edi ishte i zënë duke u kërkuar me këmbëngulje votën anëtarëve të partisë së vet, për kandidatët e vet, në zgjedhjet ku garonte veç partia e vet. Ndaj u tregua i gatshëm të takohej me këdo, me përjashtim të atyre që i kërkonin takim.

Orët e fundit, mësojnë Gojët e Liga, po vihen re tufa njerëzish në Tiranë që po vizitojnë farefisin ose takohen me njëri-tjetrin, ose e lënë të bisedojnë në kafe, ose në celular, ose në telefon fiks, për të marrë vesh se çfarë thuhet për 30 Qershorin.

Ndërkaq, në qytete të tjera të vendit, paraqitet e njëjta situatë, me njerëz që përpiqen të kuptojnë se çfarë ndodh në Tiranë.

Si element pozitiv i këtyre zhvillimeve kaotike, thonë burime për Gojët e Liga, mund të veçohet fakti se është ndër të paktat herë gjatë këtyre 30 viteve që shqiptarët janë të etur për të mësuar ose ditur diçka.

“Epo na daltë për hajër,” shtuan burimet.

*****

SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike që nuk di asgjë për 30 Qershorin  

June 29, 2019 00:32