Kapërcim në të ardhmen

October 13, 2019 13:57

Kapërcim në të ardhmen

Moikom Zeqo

Kam pesë vjet që jam i papunë.

Qëkur një farë kryeministri urdhëroi shkarkimin tim nga detyra, ku isha, si Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, kam përjetuar një gjendje të habitshme, të përshkruar nga Migjeni, të statusit të njeriut të papunë.

Është një status universal edhe për shumë të tjerë.

Nuk e di sesi do të jetë e ardhmja.

 

***

Një natë në ëndërr kapërceva në të ardhmen.

Kalova kufirin e saj konvencional (në të vërtetë ka disa kufij konvencionalë të kohës, më saktë një shumësi kufijsh), u gjenda në një fushë të pafundme.

Isha në ëndërr dhe njëkohësisht në një realitet të prekshëm që e shqisoja mrekullisht.

Në fillim nuk e kuptova pse gjendesha në këtë fushë që zbardhte nën një Diell të zbehtë.

Duke ecur e kisha vetëdijen se do të arrija diku.

Befas pashë një skulpturë të madhe bronxi të rrëzuar përdhe.

Skulptura paraqiste një grua me një kurorë dhe në dorën e djathtë mbante formën e një pishtari.

Ku e kisha parë këtë skulpturë?

Iu afrova dhe e pashë më kujdes.

E identifikova.

Qe skulptura e Lirisë Amerikane.

Kush dreqin e kishte rrëzuar?

Eca më tej.

Pashë grumbuj kompjuterash të hedhur, pirgje të mëdha me monitorë dhe me ekrane.

Këto grumbuj, gjatë ecjes sime, dukeshin të pafundme.

Shirat dhe klima i kishin ndryshkur dhe pluhurosur.

Befas dola në një hapësirë më të zbrazët.

Pashë një tufë me kuaj që vraponin.

Kjo gjë më dha ndjenjën e një gëzimi të vërtetë.

Kuajt iknin me vërtik dhe u zhdukën diku drejt një pylli që niste në rrëpirën e një mali.

Eca më me ngulm, i mpirë nga kurioziteti.

U tmerrova kur e pashë një kafshë me përmasa gjigande; një dinosaur.

Ai iku tërthorazi me drejtimin tim duke klithur (mua mu duk me trishtim) drejt shkretëtirës.

Një dinosaur?

Mos isha në epokën prehistorike?

Mos është e ardhmja një dyzim i prehistorikes?

Pak më tej pashë midis rërës strukturën e një anije prej druri.

Anija qe shumë e vjetër dhe e stilit antik.

Nga brendësia e anijes kishin mbirë disa bimë llojin e të cilave nuk e njihja.

Në bashin e anijes pashë gërmat në greqisht ARGO.

Eca akoma më tej.

Pashë fillimin e një qyteti me ndërtesa të larta, të kapluar tërësisht nga bimë të njëjta me ato të anijes.

Në të vërtetë shumëfishimi i bimëve kishte krijuar një sintezë të xhunglës me arkitekturat e qytetit.

Nuk dukej frymë njeriu.

Çdo gjë dukej se kishte vdekur.

Ku isha vallë?

Në planet ku jeta ishte ndërprererë papritur?

Vura re se qielli ishte plot zogj.

Po afrohej muzgu.

Po ndjeja lodhje dhe më ngjante se po më binte të fikët.

Por nuk u ndala.

Befas pashë një banesë të thjeshtë prej druri në një formë gjeometrike të thjeshtë pranë së cilës rriteshin disa kaktusë dhe orleandra.

Aty e takova njeriun që banonte në këtë shtëpi.

Qe një burrë i gjatë i veshur me një kostum të hirtë.  Iu afrova me ndrojtje.

Ai tundi dorën dhe më përshëndeti.

Më foli në anglisht.

Duket sikur e kishte pritur ardhjen time.

Nuk më pyeti për emrin, as unë nuk e pyeta si quhej.

Anglishtja e tij qe pak e çuditshme.

Fjalët kuptoheshin por sintaksa kishte një deformim.

Burri i panjohur më tha se isha i mirëpritur në banesën e tij.

U futëm brenda.

Mjedisi qe i thjeshtë.

Kishte vetëm një tryezë druri, një bibliotekë me libra, një shtrat, asnjë ekran TV, telefon.

E pyeta burrin se ku ndodhesha.

Më tha se isha në të Ardhmen.

E Ardhmja më shpjegoi ai është më tepër kohë sesa hapësirë.

Nuk ka rëndësi përcaktimi gjeografik, as saktësia e vendit.

E Ardhmja është një kohë që përfaqëson gjithçka.

E pyeta me ankth nëse kishte njerëz të tjerë si ai.

– Po, – mu përgjigj.  Janë afro 5 miljon njerëz si unë.

Para disa shekujsh njerëzimi kishte arritur shifrën 10 miliard.

Por ndodhën luftra, ku u përdorën edhe sulmet atomike.

Popullsia e planetit u shfaros.

Ata që mbetën u shpaguan nga sëmundje të panjohura.

U shfaqën viruse që nuk i kishte klasifikuar shkenca më parë.

Megjithatë njerëzit mbijetuan.

Por ndodhën ndryshime të mëdha.

Njerëzit ende e kishin nivelin e lartë të diturisë dhe të teknologjisë.

Por nuk kishin më besim tek shkenca.

Gjenetika dhe klonimi laboratorik para katastrofës kishte krijuar mutacione të shumëllojta.

Fjala vjen qe krijuar qënia e quajtur Centaur.

Shumë centaurë kishin fytyrën e Homerit, Dantes dhe të Ainshtajnit, kurse pjesën nga mezi e poshtë, kuptohet, e kishin prej kali.

Kjo racë hibride nuk u zhduk e  tëra.

U klonuan edhe dinozaurët prej ADN-së së eshtrave të tyre si dhe kafshë të tjera të zhdukura prej shekujsh.

Qeveritë dhe partitë u bënë të panevojshme.

Ato e kishin shpërdoruar llahtarisht rolin e tyre dhe të mbijetuarit ende kanë një alergji të frikshme për to.

Shtypi i shkruar dhe media elektronike nuk u ringjallën më.

Ato kishin krijuar një realitet virtual, një survejim të përbindshëm të jetëve private dhe kishin mitizuar qeveritarët dhe Vipat, njerëz absolutisht të rëndomtë, që kishin vetëm instiktin e krimit dhe të bujës.

Në të Ardhmen u kuptua edhe diçka tjetër:  Njerëzit, duke i krijuar sendet, u bënë skllevër të tyre.  Skllevër të makinave, avionëve, apareteve elektronike.

Ato u bënë aq të shumtë sa bota e tyre përcaktonte psikologjinë e njerëzve.

Njerëzit nuk ishin më vetvetja.

Por ndodhi edhe tjetersimi .

Efekti i globalizmit juridik, ekonomik dhe kulturor e bëri njerëzimin një simulacrum.

Pra, një kopje të origjinalit.

Morali i globalizmit qe hedonizmi.

U zhdukën idealet, shpirtrat e humbën fisnikërinë, shqisat e humbën aftësinë e ndjeshmërive të mëdha.

Bibliotekat e muzetë u bënë të panevojshme.

Industria e armatimeve kishte zotëruar gjithçka, kjo qe katastrofa.

–Tani, – më tha duke psherëtirë i panjohuri, – po jetojmë një jetë tjetër më të thjeshtë por më afër natyrës.

Nuk kemi nevojë për luks të kotë, as për hierarki, madje as për libra.

Artet dhe fetë e humbën ndikimin dhe autoritetin e tyre.

Bankat dhe qëndrat e financës mbetën gërmadha.

Por e kemi një problem që po na torturon.

Anglishtja, që u bë gjuha globale, me kalimin e kohës u bastardua.

Idiomat e gjuhëve të tjera e infektuan substancën e gjuhës së mirëfilltë.

Kështu u krijua anglishta kinezishte, ajo e ekspresionit sllav, hebraik, spanjoll, madje dhe anglishtja zululandase.  Komunikimi u vështirësua, u bë torturues.

Kërkojmë një rrugë shpëtimi.

Ndjehesha i sfilitur nga ky dialog.

Më tepër ishte monologu i njeriut me kostum të hirtë.  Befas u kujtova se pikërisht një personazh i tillë, me të njëjtin kostum, kishte përshkruar në një tregim të paravdekjes të Borgesit.

Papritur i panjohuri më pyeti:

-Më falni, a dini ju latinisht?

Isha i papërgatitur për këtë pyetje.

Me stërmundim ia ktheva:

-Latinisht?  Po, e di një latinishte jo shumë të saktë.  Gjatë studimeve universitare, profesori im i latinishtes, Henrik Lacaj, më futi pasionin për këtë gjuhë të vdekur.

Arkeologjia ma shumëfishoi këtë pasion.

Mund të lexoj në latinisht.

Po pse po më pyesni?

-Është diçka tepër e rëndësishme për ne (me “ne” ai nënkuptonte edhe të tjerët).

-Po pse?

-Fare e thjeshtë.  Ka lindur idea se na duhet një gjuhë komunikimi më e pastër dhe më e vërtetë.

Ende jetojnë këtu shumë njereëz që janë të ditur.

Ata janë shprehur se njerëzimit të mbetur në këtë planet i nevojitet një gjuhë.

Ata mendojnë se latinishtja është gjuha e vetme.

Duhet ringjallur latinishtja.

A më kupton?

Po të bëj një propozim.

Ti jo rastësisht je këtu.

Nuk më intereson sesi ke ardhur, as përse ke ardhur.

Do të lutesha që të na ndihmoje.

E kemi bërë një projekt për ngritjen e një sistemi mësimor për gjuhën unike.

E pra, kjo gjuhë do të jetë latinishtja.

Njohuritë e tua për latinishten janë të domosdoshme për ne.

Ti mund të jetosh mes nesh dhe të na ndihmosh.

Kjo është një ofertë pa ndonjë shpërblim.

Mendohu!

Heshta.

Befas mu duk se e gjeta punën që më mungonte.

Tani e tutje nuk do të quhesha më i papunë.

Do  të mund të praktikoja mësimdhënien e latinishtes.

M’u duk vetja si Shpëtimtari i Botës.

Por ja që unë nuk isha Shpëtimtari i Botës.

-Të lutem mu përgjigj, – nguli këmbë i panjohuri.

Isha gati të thoja “Po”.

Ndoshta kjo ishte e pashmangshme.

E Ardhmja më përkiste edhe mua.

Ç’rëndësi ka të kisha lindur shumë shekuj më parë?

Të gjithë të gjallë e të vdekur shkojnë drejt së Ardhmes.  Drejt ankthit dhe problemeve të saj.

Këtu ëndrra ndërpritet.

Kthimi mbrapsht në kohë nuk është një shpikje.

Makina e Kohës, e mitizuar në filmat hollivudianë dhe në romanet fantastiko-shkencorë është në fakt vetëm ëndrra.

 

Kur u zgjova ndjeva se mund të flisja vetëm latinisht këtej e tutje.

 

October 13, 2019 13:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*