“Kaprolli” –Operacion i përbashkët nazisto-ballist

July 3, 2019 13:31

“Kaprolli” –Operacion i përbashkët nazisto-ballist

Nga Safet Ramolli

Në vëmendje për ata që baltosin luftën antifashiste nacional-çlirimtare

Intervistë me dy ish-partizanë të Brigadës së Tetë Sulmuese, Naxhi Zhupa dhe Zenel Koshaj

Të bisedosh me ish-partizanë për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare është kënaqësi e veçantë, sepse përpos sa mund të kesh lexuar, fjalët dhe tregimet e tyre nuk kanë nevojë për përfundime apo argumente, që në disa raste na servirin disa, që më së shumti artikulojnë sloganet e ndonjë politikani të pozicionuar krejt kundër çështjes kombëtare, se sa fakte dhe dokumente historike. Naxhi Zhupa dhe Zenel Koshaj, që në moshën 14-15 vjeçare, kanë qenë pjesë e Brigadës 8 S., një nga njësitë më të konsoliduara dhe me kontribut me vlerë. Edhe pse në prag të 90-tave, paraqiten energjikë, me kujtesë të qartë, të qetë dhe bindës për ato që artikulohen, pjesë aktive e jetës së komunitetit, por edhe të shqetësuar për ndonjë zhvillim të mbrapshtë në politikën e ditës. Nuk ndihen mirë, kur në tregun bajat të politikës, përpos mjaft drejtuesve të LANÇ-it, cilësohen kriminelë edhe 12 nga drejtuesit kryesorë të njësisë së tyre, ndërkohë që kryekolaboracionistit Mit’hat Frashëri i ngrihen përmendore. Ata me fakte dhe zhvillime konkrete, sjellin në kujtesë se operacioni ndëshkimor “Kaprolli” ka qenë dhe mbetet një operacion i përbashkët nazisto-ballist, për eleminimin e lëvizjes për çlirim, sidomos në trevën jugore. Veteranët e nderuar i njoh nga afër në punë të përbashkët prej dekadash, ngërthejnë një bagazh të pasur për ngjarjet kryesore të LANÇ-it, të cilat i kanë jetuar drejtpërdrejt, por në veçanti për operacionin armik të qershorit 1944, mbeten “arkiv i pasur” . Pohojnë me bindje se lufta ka ligjet e veta, por në ‘të respektohen edhe normat zakonore, ashtu si për shkak të militarizimit të skajshëm bëhen edhe gabime, në ndonjë rast të pakorrigjueshme dhe me pasoja jetësore. Ndihen disi “të harruar ” sepse në  75-së Vjetorin e Çlirimit, institucionet qeveritare me ’ta sillen disi “të ngopura” deri edhe me indiferenncë të pajustifikuar. Epitetimi i LANÇ-it si “Luftë Civile” i fyen, sepse ky term dashakeq u shpik më 7 nëntor 1943 nga Komiteti Qendror i Ballit Kombëtar.

Pyetje: Më lejoni të kthehemi vite më parë. Ju jeni nga të paktët që jetoni nga gjithë ata bashkëluftëtarë, por edhe nga të rrallët që shoqërinë përgjatë 75 viteve nuk e keni ndarë asnjëherë, ç’mund të na thoni për ‘të? Me deklarimet tuaja të herëpasherëshme, mos po anoni pak si shumë nga LANÇ-i?

Zenel Koshaj: Edhe komuniteti njerëzor është si pylli, ku disa pemë vetë koha i seleksionon, në vend të tyre vijnë në jetë filiza të rinj e shëndetplotë. Lum ai që lë gjurmë të mira në rrugëtimin jetësor. Shoqëria jonë nuk mund të jetë ndryshe, veçse e përjetshme, ajo ka qënë, është dhe mbetet shoqëri lufte, bashkëluftëtarësh, e bazuar në ideale dhe interesa të larta për çlirimin e vendit. Në luftë shoku është më shumë se vëllai, me të ndahet sakrifica, suksesi dhe humbja, gëzimi dhe hidhërimi, me të ushqehet shpresa dhe optimizmi për të ardhmen; atë shpesh herë e çimenton gjaku duke i mjekuar plagët njëri-tjetrit, apo duke i dhënë gjak.

Naxhi Zhupa: Bashkë kemi qenë në të njëjtën kompani, rrugëtuam nga Sheperi në Konispol-Berat-Tiranë-Mali të Zi-Bosnjë Hercegovinë dhe, kthim në Tiranë; bashkë kaluam në shumë luftime e ngjarje që lidhen edhe me bashkëshokët dhe komanduesit tanë; bashkë gjithashtu vazhduam studimet në shkollën me emrin e madh “Skënderbej”, dhe po bashkë kontribuam me vullnet të plotë në strukturat e Forcave të Armatosura për dekada të tëra. Gjithë këtë rrugëtim, e kemi të freskët, sikur të gjitha kanë ndodhur dje, sepse ato janë gdhendur një nga një dhe radhazi si me daltë në gur. Ato janë shkruar kur ndodhën ngjarjet, janë shkruar me mendje të freskët, por edhe me gjak, dhe kryerja e detyrave me nder na ka dhënë të drejtën të ndihemi krenarë dhe jo të ulim kokën dhe të mbyllim buzët, sikurse na këshillon ndonjë qeveritar.

Me deklarimet tona në mbështetje të LANÇ-it jemi të përgjegjshëm plotësisht, ne nuk e rritim peshën e saj artificialisht, por ngrejmë zërin në mbrojtje të gjakut të derdhur për liri e vatan, kështu thotë edhe një këngë partizane. Nuk anojmë nga LANÇ-i, jo, aspak, sepse themelin e pavarësisë të 1912-ës e çimentoi LANÇ-i duke e radhitur Shqipërinë në Aleancën e Madhe Anglo-Sovjeto-Amerikane dhe duke u prerë rrugën copëtimeve të mëvonshme si ajo e 1913-ës, e pse jo edhe të 1944-ës, që tashmë dihen mirë.

Pyetje: Jemi në vitin e 75-të të çlirimit, por dhe të disa 75-së vjetorëve të tjerë, siç është mësymja e përgjithshme armike e qershorit 1944 etj., e cila Juve u zuri në një nga zonat më aktive të veprimeve luftarake, në Kurvelesh-Përmet-Zagori- Lunxhëri. Ç’mund të na thoni për ato ngjarje qershori 1944?

Zenel Koshaj: Në fillim të qershorit u ndodhëm në Progonat të Kurveleshit, morëm detyrë për të dalë me shpejtësi në drejtim të “Ujit të Zi” (Çorrovodë). Por në Këlcyrë me një urdhër të dytë ndryshuam drejtimin për në Përmet-Zagori, ku paraprakisht kishin filluar veprimet luftarake.

Naxhi Zhupa: Në mëngjesin e 6 qershorit mësuam se kishte filluar operacioni që në historiografi ka zënë vend me emrin Operacioni Armik i Qershorit. Ndodheshim përballë Përmetit, pas një marshimi të sforcuar. Një komunikatë na sqaronte se nga vija Pogradec-Korçë-Ersekë një ditë më parë kishte filluar një mësymje e përgjithshme armike, dhe se nga veriu Berat-Përmet e nga jugu Pogoni grek-Zagori kishin filluar veprimet e tjera luftarake.

Zenel Koshaj: Mësuam me këtë rast edhe faktin se atë mëngjes (6.6.1944) ishte hapur nga aleatët Anglo-Amerikanë dhe Fronti i Dytë në Normandi, edhe pse me vonesë nga 1942 në 1944, ngjarje që na gëzoi, sa ndonjëri shtiu edhe pushkë.

Naxhi Zhupa: Siç mësuam më vonë, ky operacion, i emërtuar me emrin konvencional “Gemsbock” i filluar më 5 qershor 1944, përkon me 100 vjetorin e shpalljes së famëkeqes “Megali Ide” të Greqisë së Madhe, për jugun e Shqipërisë, dhe jo rastësisht na lindën disa pyetje, dhe pse jo edhe hamendësimi, për një bashkëveprim trepalësh, të reaksionit grek me Napolon Zervën në krye, të Ballit Kombëtar në Shqipëri me Mit’hat Frashërin kryetar dhe, Komandës së Lartë Gjermane të Juglindjes, që mori në dorë drejtimin e këtij operacioni me pjesëmrrjen e 40 mijë forcave ushtarake gjermane përkatësisht të D.1.M; D.104 me pjesën e Grupimit Luftarak “Shtajrer”, Regjimentit “Branndenburg” i D.297, një batalion SS, njësi të aviacionit dhe të flotës detare të Egjeut, por edhe të 10 mijë forcave ballisto mercenare.

 

Pyetje: Z. Naxhi, shpesh ju jeni shprehur se ky operacion, ka një histori të gjatë e të vështirë, si për ta paraqitur ashtu dhe për ta kuptuar, këtë mendim e theksoni veçanërisht në punimin shkencor: “Thyerja e mësymjes armike të qershorit 1944 në fazën e tij përmbyllëse”. Diku artikuloni togfjalëshin: “Këmbët e fshehta të Kaprollit, a mund të na nënvizoni më konkretisht përse e keni patur fjalën?

Naxhi Zhupa: Është fakt i njohur që më 5 qershor 1844, parlamenti grek me propozim të kryeministrit të asaj kohe, miratoi për herë të parë “Idenë e Greqisë së Madhe”, me kufi në veri deri në lumin Shkumbin, e pasqyruar kjo në art edhe me një tabllo, në të cilën një figurë gruaje si Penellopi, kishte hedhur shikimin deri në Shkumbin, apo diku më në jugë. Pikërisht 100 vjet më vonë fillon operacioni sipas kësaj ideje. Të jetë rastësi kjo? S’e besoj! Dihet gjithashtu se në prill 1944, kur përgatitej operacioni në fjalë, në Selanik zhvilloheshin bisedimet midis reaksionit grek të Joanis Realis dhe përfaqësuesve të Ballit Kombëtar të kryesuar nga Dhimitër Fallo, me mandat të firmosur nga Mit’hat Frashëri. Por jo vetëm kaq, se që në fillim të pushtimit të Shqipërisë nga forcat ushtarake naziste (shtator 1943), vija kufitare midis dy njësive: Korpusit 22 në Greqinë Veriore dhe Korpusit 21 në Shqipëri, ishte vendosur nga komanda e Armatës II të Tankeve, në Selanik dhe jo në kufirin shtetëror të 1913-ës, të njohur ndërkombëtarisht edhe më 1926, por ajo kalonte: Guri i Kamjes (Pogradec) – Çorrovodë- mali i Kendravicës (Kurvelesh)- Porto Palermo (Himarë), pra pikërisht aty ku pretendon edhe sot e kësaj dite reaksioni Vorioepirot. Së fundi, edhe në operacionin e qershorit 1944, Divizionit 1 Malor që mësynte në vijën: Pogradec-Korçë-Ersekë në një brez rreth 35-40 km. dhe thellësi 100-130 km., si vijë kufitare nga e djathta iu caktua pothujase ajo e dy korpuseve më sipër. Të katra këto çështje, asesi nuk mund të jenë rastësi, përveçse plane të fshehta midis palëve greko-shqiptare dhe Komandës së Armatës të Tankeve në Selanik, dhe që unë i kam quajtur simbolikisht “Këmbët e fshehta të Kaprollit”, pra të operacionit armik të qershorit.

Pyetje: I nderuar z. Naxhi, si ish kuadër i lartë i ushtrisë dhe si studjues i LANÇ-it në materialet studimore mbi “Thyerjen e mësymjes së dytë gjermano-naziste të qershorit 1944” dhe “Këmbët e fshehta të Kaprollit”, jeni shprehur gati me bindje të plotë, se ajo mësymje ishte më e rrezikshmja nga 56 të tilla që regjistroni Ju, nga ana tjetër, duket sikur parandjeni se çfarë do të ndodhte më 2019 me rivlerësimin e Mit’hat Frashërit gati si një “Hero Kombëtar”, ish kryetarit të Ballit Kombëtar. Mund të jepni ndonjë detaj më të zgjeruar për lexuesin?

Naxhi Zhupa: Mësymja e Përgjithshme e qershorit 1944, ishte me të vërtetë nga më të rrezikshmet të ndërmarra nga pushtuesit dhe reaksioni vendas kundër Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Ishte e menduar mjaft mirë, e planëzuar deri në hollësi, dhe shtrihej në një brez me përmasa 40-50 km. gjerësi dhe thellësi 100-120 km., me pjesëmarrjen e 40 mijë forcave të zgjedhura ushtarake gjermane, dhe 10 mijë mercenarë xhandaro-ballistë shqiptarë, çka duhet pranuar që i shkaktoi Lëvizjes Çlirimtare mjaft dëme. Por me gjithë dëmet e shumta të shkaktuara ai dështoi me turp për armikun, ashtu si ishte shkatërrimtar për gjithë reaksionin shqiptar. Por unë nuk kam menduar kurrë që një ish kryekolaboracionist do të rehabilitohej dhe përcillej me ceremoni qeveritare, qoftë edhe thjesht nga e kaluara e tij në vitet 1942-1944. Dhe ja diçka më konkrete: Krahu i djathtë i tij Hasan Dosti, thekson se, “… në Mbledhjen e Mukjes nga “Këmbëngulja e Mit’hat Frashërit u arrit ajo marrëveshje e çalë…”. Ishte po Mit’hat Frashëri, që pas Mukjes shkoi në Lumë dhe Lurë ku organizon mbledhjen me krerët nacionalistë të Dibrës, Matit, Krujës, Lumës, me praninë e Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine, Hysni Dema e Ali Këlcyra, ndërkohë që nuk ishte denoncuar akoma marrëveshja e Mukjes, Mit’hati u shkruante anëtarëve të KQ të Ballit Kombëtar : “Marrëveshja jonë me komunistët nuk lypset në asnjë mënyrë të bëjë që të pezullohet propaganda jonë ose të lejojë që komunistët të shtojnë veprimet e tyre”. (AQSH, Letër e M. Frashërit, 27 gusht 1943). Në tetor 1943 Mit’hat Frashëri lëshon direktivën për të sulmuar forcat partizane; mandej më 3 nëntor 1943 dokumenti flet qartë se “Bashkëpunimi i ngushtë i Ballit Kombëtar me trupat gjermane tashmë është fakt…”. (DUGJT 120 (340) . Në Kongresin e Beratit, Mit’hat Frashëri kërkoi “… zjarrit t’i përgjigjemi me zjarr…”. Në pranverë 1944 ai filloi bisedimet me reaksionin grek dhe me dakortësinë e Komandës Ushatarake të trupave gjermane në Greqinë e Veriut e në Shqipëri, që ndodhej me vendkomandë në Selanik, dhe udhëzoi përfaqësuesin e vet për krijimin e një Federate Dualiste Greqi-Shqipëri, me kusht që diplomacinë, ekonominë dhe ushtrinë në rast lufte ta kishte Greqia. Gjithashtu kam parasysh edhe qëndrimet e mëvonshme, duke u vënë në krye të Qeverisë së Malit në Prezë (shtator-tetor), si dhe largimin “me bisht në shalë me forcat gjermane deri në Shkodër dhe largimin nga Tivari më 23 nëntor 1944 për në Itali, por edhe aktivitetin shumë armiqsor në krye të “Komitetit Shqipëria e Lirë” pas reabilitimit të tij dhe vënien në shërbim të CIA-s, derisa vdiq më 1949 në SHBA etj. Por ajo që më bënte dyshues më shumë ishte ngazëllimi i Mit’hatit në pranverë 1944 “për të organizuar dhe kryer një mësymje për çdukjen e komunistëve në Jugë…”. (Operacionit të Qershorit 1944 ku bashkoi me forcat gjermane 10 mijë vetë, gjysma e të cilëve ishin ballistë të Tij). Personalisht nuk mund të harroj edhe luftimet disa mujore me forcat ushtarake gjermane dhe ato të Ballit Kombëtar, në fillim në zonën Përmet-Çorrovodë-Tepelenë, dhe më vonë në zonën e Delvinës e të Bregdetit, kur M. Frashërit jetonte në hotelet e Tiranës nën mbrojtjen e trupave gjermane. Këto e të tjera shërbesa ndaj pushtuesit brezi ynë nuk mund t’ia falë Mit’hatit, sepse tradhëtia vetëm dënohet.

E sikur të mos mjaftonin këto, më 7 nëntor (e theksoj më 7 nëntor), me propozimin, firmën dhe vulën e Mit’hat Frashërit, K.Q i Ballit Kombëtar “aprovoi” dhe shpalli me pikëllim termin për “Luftën Civile”, për të cilën për turpin e tyre sot pasardhësit neofashistë të tyre, akuzojnë LANÇ-in padrejtësisht. Ja teksti “Sot më 7 nëntor 1943 me pikëllim dhe me hidhëtim të madh Komiteti Qëndror i Ballit Kombëtar aprovon me pikëllim Luftën Civile…”, (AQSH, f.270/AP, V. 1943, D.1,15), dhe pak muaj më vonë në Kongresin e Ballit në Berat edhe “…pezullimin e luftës kundër trupave naziste dhe domosdoshmërinë e përgjegjes zjarr me zjarr çdo sulmi apo atentati partizan…”. Por akoma më thellë shkon tradhëtia e Mit’hat Frashërit në periudhën kur përgatitej Operacioi i Qershorit, kur Balli Kombëtar kishte futur në Qeverinë “Mitrovica” (8 shkurt)  tre ministra.

Ja pse në ecurinë e Operacionit kundër Lëvizjes N.Çl në qershor 1944 janë mpleksur shumë rrethana, që e vënë në pozita kompromentimi dhe tradhëtie jo vetëm Qeverinë e Tiranës dhe mijëra mercenarë, por edhe Ballin Kombëtar, që me fjalë hiqeshin si pro Perëndimorë e në praktikë merrnin pjesë në operacione të tilla si ai i qershorit 1944. Tani Mit’hat Frashëri ishte në cepin më të largët dhe më anti interesave jetike të Shqipërisë dhe të Alenacës Antifashiste Botërore, pavarësisht se në fund do të gjente strehë në Perëndim. Prandaj pa mëdyshje themi që ai nuk kishte asnjë hapësirë që të mbrohet para historisë për tradhëtinë që i bëri popullit të vet gjatë Luftës II Botërore, dhe jo për gabimet e lajthitjet e mëparshme, që nuk kanë qenë të pakta.

Pyetje: Më lejoni të rikthehemi pak në kohë. Ju jeni pjesëmarrës në të gjitha luftimet e zhvilluara nga Brigada 8 S. Keni provuar lloj-lloj luftimesh e situatash në një moshë fare të re. Jeni komanduar po nga komandantë në moshë të re, një pjesë e të cilëve, akuzohen as më shumë e as më pak, por për krime lufte. Diçka në komentin tuaj.

1.Zhupa. Na takoi të luftonim vetëm në vijat e para të sulmeve, dhe në majft lloje luftimi. Për këto jemi shprehur shpesh herë. Jemi drejtuar nga komandantë të moshës sonë, disa edhe më të pjekur. Për atë periudhë, nuk mund të pajtohemi me asnjë akuzë që bëhet kundër tyre, sepse jemi dëshmitarë okularë për veprimet e tyre korrekte dhe brenda përmbajtjes së ligjeve të luftës. Ata janë treguar në ndonjë rast më shumë se sa tolerantë me pushtuesit, ndërsa me vendasit e mashtruar tërësisht janë sjellë si shqiptarë me shqiptarë.

2.Zenel Koshaj:  Unë e provova veten time për herë të parë në luftimin e vështirë ndeshës ditën me diell më 7 qershor 1944 në Skore të Pogonit, kundër një reparti zbulimi të grupit luftarak “Shtajrer” të D.104 armik, që bëri bat.3 i Br.8 S. Pastaj vazhdimisht këtej e përtej kufirit jam ndodhur në fushëbetejë, me komandantët tanë, të cilët veç titullin kishin të tillë, se ishin luftëtarë të thjeshtë. Ndër kuadrot e Njësisë sonë 12 janë përfshirë në Listën prej 265 drejtuesish të LANÇ-it si “kriminelë lufte”. Nuk na çudit fare ajo listë mavri. Ata, ballistat e djeshëm dhe neofashistët e sotshëm, atë detyrë kanë patur e kanë, kur administrata aktuale e shtetit shqiptar i përkëdhel, i financon e i vendos në poste të pamerituara. Ndaj andej nga ne thonë: “Varu hejbet”! të dy palëve, sepse përsa ju përket 12 drejtuesve tek Lista e Zezë, më mirë seç i patëm njohur ne partizanët e thjeshtë gjatë 383 ditëve që ishim në luftë, por edhe më vonë, ata nuk kanë terrorista por shokë në luftë e në jetë me çdo partizan, por edhe komandantë e komisarë popullorë e fisnikë. Kështu i patëm njohur ne atje ku jeta është në presë të briskut sekondë për sekondë. Po sjell një shembull, për të argumentuar se ata ishin fisnikë dhe jo terroristë. Më 31,12.1943 në luftimet e zhvilluara tek “Manastiri i Kodrës”, afër urës së Dragotit (AQSH, F.67, D.11, fq.3) u zu edhe një rob i plagosur, që mesa dukej duhej të ishte oficer. Dikush nga partizanët e batalionit “Asim Zeneli” tha: “Ç’ta bëjmë këtë”? “Merreni kalin tim – tha komandanti i Zonës Parë Operative (Islam Radovicka) që u ndodh atje, – dhe çojeni në Këlcyrë për mjekim… Është njeri, është ushtarak armik, na duhet për shkëmbim…”. Dhe në të vërtetë kështu u bë. Por ky rast tregon se Islam Radovicka nuk ish terrorist as me armikun, siç e reklamon Instituti Ballisto-nazist i Tufës.

Më 27-28 gusht 1944 në luftimet për çlirimin e Konispolit, grupi i sulmit kapi në befasi plot 23 robër, të gjithë vendas, banorë rreth e rrotull Konispolit. Ata mbaheshin në ruajtje si robër lufte lart në faqet e malit Saraqin në pritje të urdhrit si duhej vepruar me ‘ta. Aty rreth orës 9 dt.28 gusht në vendin ku mbaheshin robrit erdhi vetë komisari i Brig.VIII Qazim Kondi, i cili pasi i pâ një për një, i pyeti: “Përse e mbani kokën ulët, e keni pyetur veten…?” (Ai disa i njihte me emra se kishte punuar në atë zonë). Dhe në fund porositi përgjegjësin tonë Skënder Saliaj me këto fjalë: “Skënder, lëshoji të ikin në shtëpi këta, se vendas të gënjyer janë”. Dhe në fakt 22 prej tyre ikën nëpër shtëpitë e tyre, kurse i 23-ti nguli këmbë dhe qëndroi me ne si partizan. Por për fatin e tij të keq, na u vra po atë ditë (28 gusht 1944) bashkë me 6 partizanë të tjerë, dhe mbeti dëshmor i Br. VIII S.

Naxhi Zhupa: Po sjell në vëmendjen e lexuesit edhe një rast mjaf domethënës. Më 23 qershor morëm detyrë të kryenim zbulim me vrojtim mbi disa përqëndrime armike në rrugën nacionale Dragot-Këlcyrë. Informuam komandën dhe më 24 qershor erdhi në vend vetë komandanti i Br., Asaf  Dragoti me rreth 40 partizanë. Efektivi armik t ishte i grumbulluar për të marrë ushqimin e drekës, edhe pse ishte pak vonë, aty pranë burimeve të ujit (tani është ngritur impianti i ujit “Trebeshina” ). Ishte momenti më i mirë për ta dëmtuar shumë rëndë armikun. Nëpër pozicione prisnim sinjalin e hapjes së zjarrit, që do ta jepte vetë komandanti. Koha po kalonte dhe ky urdhër nuk po jepej, derisa ushtarët armiq u shpërndanë grupe-grupe rreth e rrotull kampingut. Atëherë komandant Asafi hodhi raketën sinjalizuese dhe breshëritë e armëve vollën maksimumin e zjarrit të tyre. Pamë se përtej lumit Vjosa dukeshin mjaft viktima. Zjarri vazhdoi 25-30 minuta. Ne u larguan pa asnjë dëm, sepse terreni na favorizonte duke patur edhe një lumë përpara për armikun. Po pas pak lindi debati, bile mjaft i ashpër: “Pse nuk u dha urdhri “zjarr!” kur armiku ishte i grumbulluar”? Por përgjigja e komandant Asaf  Dragotit ishte: “Shqiptari nuk të vret me bukë në gojë! Nuk të vret prapa krahëve. Ky është zakoni shqiptar, sado armik ta kesh tjetrin. Ne jemi ushtri partizane dhe nuk jemi siç na quajnë “Banda rrebele”. Ky debat ato ditë vazhdoi gjatë, por me kalimin e kohës, për çudi nuk u zu më në gojë. Por ngjarja e vërtetë ishte kjo që treguam. Lexuesi e kupton vetë këtë zakon shqiptar.

Ju falemnderit për informacionin që sollët!

Bashkëbisedoi: Safet N. Ramolli

July 3, 2019 13:31
Komento

4 Komente

  1. Peza July 3, 16:49

    Kurse tani po na vret vete kryetari i PS-se Edi Rama si me buke,por me shume pa buke ne goje!
    Se ky ballist i ndyre,qe ka uzurpuar PS-ne nga qe nuk e njeh fukarallikun e popullit derdellit se “shqiptaret kurre nuk kane vuajtur per buken e gojes,as ne mesjete”!
    Kaq sharlatan eshte,sa nuk e di qe edhe ata qe punojne si specialiste te larte neper ministri mezi u del rroga per te ngrene buke,pa llogaritur pensionistet,te pa punet,lypsat etj!

    Reply to this comment
  2. Mark U.K July 3, 18:51

    Nuk site fati I kti populli tu zhduknin qysh ne ate kohe o fare e keqe.

    Reply to this comment
  3. Fidel Kastro July 4, 17:16

    Nuk i thone shaka; i thone lufte pordhizane qe na prune komunizmin, qe edhe sot po po gjen derman ky popull .

    Reply to this comment
  4. Dhimbia e madhe POPULL-. July 5, 05:19

    Faleminderit veteraneve te nderuar,sjelle kujtimet e tyre, pena juaj.Ju z. Safet RAMOLLI. NA BERE TE JETOJME ME ATO VITE QE sillni DEJT, (Me ate brigate qe flasin inervistuesit, ka qene im vella sa dy bashekefshatre partizane.Ai plogosur pikerisht atje, ne ate betejen ne Kurvelesh qe ju pershkruani.Ne spitalin Partizan shpene e kuruar,shoket luftuan deri tej kufirit shteteror si dihet.)
    Te vertetat thene,Une perjetuar ato buzequmesh .Dhimbiet ndiere .8 vjec isha, kur na dogjen shtepine ballistat,(gjermanet,as u kthyen ne fshatin tone. ..Frasherin me fashatrat rreth, balistet i dogjen.Flaket dhe tymerat ne qiell dhe sot i perfytyroj, 84 vjecar jam. Ndihem krenar me bashkefshataret e mij,(Zavalanit) pasi gjithe kohen bashkejetuam ne mirekuptim, .Faleminderti prinderve tane per mirekuptimin…mes te genjyerve rrjeshtuar me ballin..Luften te gjithe e nisen per mbrojtien e vendit.Kreret e ballit bashkuar me okupatorin.. Po e illustroj vetem me nje fakt. Pasi na u dogj shtepia jone,dhe e nje komshiu,babai turturuar deri per vdekie,te nesermen,erdhen Partizanet dhe,u alarmuan per sa pane,shtepit te djegura nga Balli. Nje mes partizaneve tha, te djegim shtepine e atij komandatit ballist, bir i fshatit tone.( qe ne fakt ishte kunder diegies, ekstremistet e bene. .) Babai ju thote partizaneve; – Jo djema e bene ate ate krim,mos e beni Ju. Ne me ta do jetojme, sa te mbaroje lufta” . Ashtu u be. Nje jete pas lufte,fshati ruajti, unitet atdhetar…
    Me vjen keq per disa komentues sa flasin,. .Kush e pron keshtu, nuk eshte per atdheun.
    Lufta Partizane ishte lufte clirimtare.
    Keq na vjen per interpretimet e sotme…deri mohuar Luften N.Clirimtare.PINJOLLET-ballisto zogiste. Fatkeqesi kombetare. Vellezer e motra, si vepruat me VOTIMET e 30 qershorit, jepian pergjigjen antiatdhetareve. Faleminderit opinionit nderkombetar,qe mbeshtet VOTEN e POPULLIT.
    Faleminderit ish partizaneve inervistuar.

    DHIMBIA E MADHE POPULL.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*