GUIDË: Karjani, një ndër “lezetet” e Lunxhërisë

Zylyftar Hoxha November 9, 2014 14:45

GUIDË: Karjani, një ndër “lezetet” e Lunxhërisë

Odise Porodini është sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Por intervista e mëposhtme me të është bërë në cilësinë e një biri të thjeshtë dhe të ndjeshëm të një prej fshatrave më në zë të krahinës së Lunxhërisë së Gjirokastrës, Karjanit. Zoti Porodini brenda atyre hapësirave të kufizuara që lejon gazeta, me mbresat dhe kujtimet që ka, derdh tërë mallin dhe nostalgjinë për vendin ku është rritur dhe ku ka kaluar pjesën më të bukur të jetës së tij, fëmijërinë.

Ju keni shkruar një libër interesant për fshatin ku jeni rritur dhe keni kaluar fëmijërinë, Karjanin, gjë që e bëjnë të gjithë, por libri juaj ka një gjë të veçantë se ka kapur çështjet më thelbësore, që e bëjnë këtë fshat të dallueshëm, jo vetëm në krahinën e Odries, por edhe në të gjithë zonën e Jugut.

Faleminderit për atë që thoni. Një fjalë e urtë thotë se çdo arixhi lëvdon shoshën e tij, ndaj unë për t’iu shmangur kësaj, jam munduar të jem sa më i vërtetë dhe sa më i saktë në ato që them, duke nxjerrë vlerat e vërteta e të veçanta të këtij fshati, dhe të mos e mburr kot, pasi Karjani ka një kulturë jetese të veçantë dhe të dallueshme edhe nga fqinjët e tij më të afërt, kjo si rezultat i një harmonie, dashurie dhe solidariteti midis gjithë banorëve të fshatit.

Odise Porodini

Odise Porodini

Ç’gjë i dallon karjanjotët në punët dhe jetesën e tyre?

Banorët e këtij fshati janë marrë me bujqësi, pemëtari dhe bujqësi, por atë që e kanë patur zanat për zemër ka qenë kultivimi i perimeve dhe i bostanit. Bostanxhinjtë e Karjanit, kanë qenë të njohur në pazarin dikurshëm të Gjirokastrës. Ajo që i dallonte ata ishte jo vetëm se nxirrnin prodhime me cilësi të lartë, por edhe se i tregtonin bukur dhe me kulturë. Të tillë bostanxhinj kanë qenë Sife Rizo, Tolo Krisafi, Koço Kutra, Koço Krisafi etj. Ata rrisnin patëllxhanin, specin, domaten, bamjen, barbunjën, qepën, hudhrën, kungullin, kastravecin etj. Zarzavatet dhe pjeprat e Sife Rizos nuk binin në shesh në Lonxhë, tregun e perimeve në Gjirokastër, në sheshin e Luarisë në Labovë e gjetkë.

Krahas bujqësisë, karjanjotët janë marrë edhe me artizanat. Familjet e ardhura nga Suli si ato të Gudajve, Mërtirajve, Rizajve, Gjelajve, Nikajve, Fotajve, Notajve, Kërsafajve sollën në Karjan kulturën tyre të punimit të xanës, gjineshtrës, me fijet e të cilës karjanjotët bënin thasë, hejbe, trasta, kuverta, qilima etj. Në muajin qershor ata e prisnin xanën, krasitnin llumakët e saj, i lidhnin dhe i bënin duaj e i vendosnin në kanalin e ujit në fund të fshatit, duke sajuar bende të vegjël. Ato i linin 20 ditë të mbuluara me gurë. Pastaj i nxirrnin, i rrihnin dhe u zhvishnin lëkurën deri sa i bënin fije-fije dhe shtëllunga. Pastaj i punonin në tezgjah. Nga suljotët karjanjotët morën edhe zejen e përpunimit të lëkurëve, që më vonë u përvetësua nga agallarët e fshatit, të cilët ngritën edhe një punishte të fuqishme ku punonin mbi dhjetë punëtorë.

Interesante në Karjan ka qenë edhe mënyra e administrimit të fshatit, veç administrimit zyrtar nga komuna apo qarku…

Po, vërtetë, krahas administrimit shtetëror, në Karjan, si në të gjithë fshatrat e tjerë të krahinës sonë, kanë ekzistuar edhe forma të tjera administrimi, që vinin si produkt i një trashëgimie të diktuar nga nevojat e jetës dhe të veprimtarisë praktike. Si të tilla, rregullimi i tyre bëhej, për disa nga norma publike dhe për disa nga norma zakonore. Këto forma kanë qenë: Kryepleqësia, një formë qeverisje brenda fshatit, e cila gjatë Luftës Nacionalçlirimtare u zëvendësua nga Këshillat Nacionalçlirimtare. Pas viteve 1990 kryepleqësia është rivendosur përsëri. Një formë tjetër rregullimi dhe qeverisjeje ka qenë Hajsomeri, vend ku mblidheshin burrat, zakonisht në mbrëmje pas punës. Hajsomeri mblidhej në fillim te Shtufet e Qafës dhe më vonë te Mami Lalaj. Këtu ishte rregulluar vendi me pezule e pllaka gur ku uleshin njerëzit dhe kuvendonin. Hajsomeri ka shërbyer për tre qëllime. Së pari, për të diskutuar probleme që shqetësonin fshatin si kullota, vaditje, pyje, konflikte, detyrime, taksa etj. Së dyti, hajsomeri ka shërbyer si qendër argëtimi, ku luhej domino, letra, damë, këndohej etj. Dhe së treti, Hajsomeri ishte edhe vend humori, ku bëheshin qyfyre e tregoheshin barsoleta. Sot nuk ka Hajsomer, por janë klubet e fshatit që shërbejnë si të tillë.

Po fshatrat e tjerë të Lunxhit e kishin këtë formë organizimi?

Po, kështu funksiononin të gjithë. Nga format e sipërme të administrimit fshatshe kishin dalë edhe disa “struktura”, po t’i quajmë të tilla. Kështu psh, caktoheshin çmesët, që ishin 2-3 bashkëfshatarë të aftë e të zotë për të çmuar dëmet që bëheshin, vendimet e tyre për zhdëmtimin ishin të detyrueshme dhe të pakundërshtueshme; zgjidhej bekçiu, roja i fshatit, që ruante pronat e të gjithëve dhe paguhej nga të gjithë fshatarët; caktoheshin çobanët e deleve, dhive dhe lopëve; komisionet, i ujit rregullonte radhën e ujit, i kullotave, kullotat etj; Alimekoja, që ka qenë një dhomë që administrohej nga kryepleqësia dhe që shërbente si hotel për tagrambledhësit, të deleguarit, xhandarët dhe nëpunës të tjerë të shtetit. Ushqimi atje çohej me radhë nga i gjithë fshati.

Një vend të veçantë në librin tuaj “Karjani në rrugën e historisë” i keni kushtuar pjesëmarrjes së bashkëfshatarëve tuaj në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, do të shtonit ndonjë gjë me këtë rast?

Do t’u lutesha të më linit të flas pak më gjatë në këtë pjesë, jemi në vigjilje të 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, dhe dy fjalë për Luftën në çfarëdo rasti të thuhen, janë homazh nderi për të gjithë ata që e paguan me jetën e tyre lirinë e këtij vendi, për të gjithë pjesëmarrësit në të dhe për të gjithë atë periudhë të lavdishme historike. Si i gjithë populli i vendit tonë, edhe të fshatarët e Karjanit me mënyra të ndryshme morën pjesë në Luftë. Dy bij të këtij fshati, Niko Vasi dhe Thimio Bllaci ranë dëshmorë, ndërsa 18 të tjerë u shpërndanë në formacione të ndryshme partizane. Karjanjotët kanë marrë pjesë në rezistencën antiitaliane që në ditët e para të pushtimit fashist. Të ndodhur në Gjirokastër në pazar në datat 5-6 dhe 7 prill, fshatarët e Karjanit dhe të gjithë zonës së Odries, u bashkuan bashkë me demonstruesit gjirokastritë, shqyen flamurin italian në kala dhe demonstruan në rrugët e Gjirokastrës, duke qëndruar të tubuar në Sheshin e Çerçizit. Ndërsa dy djem nga Karjani, Polo Bllaci dhe Xhelo Konomi shkuan deri në Sarandë në pritje me armë të pushtuesve.

Çfarë do të veçonit nga Lufta?

Do të veçoja Luftën Italo-Greke, kur banorët e këtij fshati, me sa mundnin dhe me sa dinin, u erdhën në ndihmë zonave myslimane ku terrori qe më i egër; por do të theksoja edhe anën tjetër, kur popullsia e pafajshme greke, e uritur dhe e përndjekur erdhi në krahinën e Rrëzës, dhe u përball jo me urrejtje, por me ndjenja thellësisht njerëzore, bujare, ku kafshatën e bukës e ndanë në mes.

Ndërtimi socialist?

Do ta përmblidhja me dy fjalë atë periudhë relativisht të gjatë historike, jo më të lehtë dhe jo më pak heroike se sa Lufta. Karanjotët në këtë periudhë punuan dhe jetuan pa e ndryshuar linjën e tyre, si gjithmonë, me ndershmëri e dinjitet, ashtu siç po bëjnë edhe sot.

 

**************

 

Çfarë gjen sot në Karjan!?…

Natyrisht, gurët dhe drurët, çezmat dhe burimet, arat dhe korijet, kishat dhe varrezat e të parëve janë aty, të palëvizura, siç kanë qenë mot e jetë. Por Karjani nuk është ai që ka qenë, me atë gjallërinë, kompaktësinë dhe jetën humane të dikurshme, pasi koha ka evoluar dhe ka sjellë të tjera gjëra. Një pjesë e madhe e banorëve të këtij fshati janë larguar dhe të tjerë kanë ardhur nga zona të ndryshme të Jugut, madje edhe një numër familjesh vllahe me zakone e mentalitete të ndryshme. Megjithatë, edhe pse me besime të ndryshme fetare, ortodoks dhe myslimanë, edhe pse me disnivele të ndryshme arsimore dhe kulturore, me mënyra jetese e psikologji të ndryshme, përsëri karjanjotët kanë ditur të ndërtojnë marrëdhënie të drejta, të pastra dhe tepër njerëzore me ata që kanë ardhur.

Sot nuk dallohen të ardhurit me karajanjotët, pasi janë shkrirë zakonet. Fshati ka një harmoni të admirueshme, pasi banorët i gjenden njëri-tjetrit si në fatkeqësi ashtu edhe në të mira dhe në gëzime. Në Karjan lidhja e martesave midis të rinjve bëhet pa marrë parasysh përkatësinë fetare, origjinën, kufijt që i mbajnë njerëzit të ndarë.

Jo vetëm brenda fshatit, por edhe me fshatrat fqinj, historikisht karajanjotët kanë ditur dhe dinë të ndërtojnë marrëdhënie të një fqinjësie të mirë. Kështu, megjithëse pranë me Kakozin, Dy Labovat e Zhapës, Palokastën, Humelicën, Mashkullorën, Vlarenë e më gjerë, nuk kanë patur asnjë konflikt kufijsh, pronësie, kullote, dëmesh etj., përkundrazi kanë lidhur miqësi me njëri-tjetrin, duke kultivuar vlera të mira morale të fisnikërisë, tolerancës, humanizmit dhe ndihmës reciproke, aq të nevojshme sidomos sot në këtë sistem.

Miku, i ftuar apo i paftuar, udhëtari që e zë rruga, apo edhe kujt t’i shkrepet si turist të vejë në Karjan, do të gjejë një mikpritje si në asnjë vend tjetër, një bujari dhe zemërgjerësi të papërshkrueshme me fjalë, një tavolinë me të gjitha ato të mira që dinë të nxjerrin nga duart vetëm amvisat e zemrës së Jugut (Lunxhërisë).

Doni natyrë? Atë do ta gjeni në shfaqjen më të mirë, të virgjër, të brishtë, kudo që të shkel këmba e kudo që të hedhësh sytë në hapësirat e Karjanit.

 

Karjani / Histori-etimologji

Ashtu si gjithë krahina e Lunxhërisë dhe ajo e Rrëzës, edhe Karjani ka qenë i banuar që në kohët e lashta nga fisi Ilir i Kaonëve. Ndërsa përmendet në shekujt e IV dhe të III para erës së re, në kohën e lulëzimit të Antigonesë fqinje ky fshat ka njohur një përtëritje mbresëlënëse. Në Karjan ka objekte të shumta arkeologjike të periudhave të ndryshme historike që vërtetojnë vazhdimësinë e jetës në këtë fshat. Për origjinën e fshatit Karjan ka disa hipoteza të lidhura me një emër të quajtur Jani, i cili kishte një korije dhe vendi ku ishte vendosur ky, quhej Koria e Janit, që në një variant linguistik jep Korjani (Karjani). Por, sipas disa historianëve, emri i fshatit rrjedh nga ai i një banori të famshëm të fshatit në kohën e pushtimit turk. Ai quhej Jani dhe titulli “Kará”, domethënë “i Zi”, ishte një titull nderi, sikurse njihet në historinë shqiptare Kara Mahmut Pasha e të tjerë.

Fiset, autoktonë dhe të ardhur

Fiset më të vjetër, autoktonë, të Karjanit kanë qenë Krëkajt, Qapajt, Menkshajt, Kanajt, Nanajt, Fotajt, Thanasajt, Gjinajt, Qerimajt, Janajt, Kareshajt, Poçajt, Notajt, Lolajt, Konomajt, Spirajt, Zisajt, Gjergjajt, Qelajt, Kicjt, Koçajt, Nikajt, etj., ndërsa fiset e tjerë kanë ardhur më vonë. Më vonë në Karjan kanë ardhur familje të tjera nga vende të ndryshme. Kështu, fiset e Thanajve, Bllacajve, Vasajve, Premtajve, Haxhiajve kanë ardhur nga fshati Shtëpëz; Krisafajt kanë ardhur nga Suli; familja e Panajotajve ka ardhur nga Rumania. Thuhet se edhe fisi i Rizajve të sotëme kanë prejardhjen nga Panajotajt. Kanë ikur nga Karjani familjet e Haxhiajve në Dhoksat, dhe e Qëndro Premtit në Këllëz.

 

*Shkëputur nga Suplementi Memo-Enciklopedik që botohet të dielave në DITA

 

1463031_572903522781287_280177385_n

Zylyftar Hoxha November 9, 2014 14:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*