Kasëm Cenaj: Selenica dhe Lumi i Vlorës në 4 vitet e ardhshme

Harilla Koçi June 10, 2015 10:09

Kasëm Cenaj: Selenica dhe Lumi i Vlorës në 4 vitet e ardhshme

Kasëm Cenaj, kandidat i ASHE për kryetar të Bashkisë së Selenicës në qarkun e Vlorës, në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’ shpalos programin dhe ambiciet e tij për bashkëqytetarët e tij gjatë katër viteve të ardhshme. I qetë, konkret dhe argumentues se Bashkia që ai do të drejtojë do të ecë në drejtimin e duhur, ai ka besim se më 21 qershor banorët e kësaj bashkie të re do ta votojnë si alternativën më të mirë. Kandidati i LSI-së dhe ASHE-së për Bashkinë e Selenicës, jep modelin e suksesit, të individit dhe drejtuesit, të njeriut që me shembullin dhe arritjet e deritanishme, tregon se gjithçka mund të bëhet realitet, mjafton që të jetë dhe ekzistoje besimi…

– Cilat mendoni se janë problematikat e bashkisë së Selenicës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për t’i zgjidhur ato gjatë mandatit tuaj?

– Bashkia Selenicë si njësi e re administrative përfshin komunat, Brataj, Kotë, Sevaster, Vllahinë Armen dhe bashkinë aktuale të Selenicës. Kjo njësi e qeverisjes vendore, shtrihet në një territor të gjerë me rreth 36.000 banorë, 47 fshatra dhe qytetin e Selenicës. Shtrirja e gjerë, relievi i larmishëm, specifikat dhe veçantitë e çdo fshati, mungesa e investimeve dhe përkujdesjes qeveritare përgjatë 25 viteve, kanë akumuluar një sërë problematikash për komunitetin që jeton në këtë zonë. Ndër to, do të veçoja: Infrastrukturën rrugore, e cila është tejet e amortizuar si në akset nacionale, rurale, ndërkohë që mungon pothuajse plotësisht sistemi i rrugëve të brendshme të fshatrave. Për këtë arsye, infrastruktura kërkon investime për rindërtimin e plotë të saj. Po ashtu, mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, ku spikasin ujësjellësit tejet të amortizuar dhe jashtë funksioni edhe atje ku ekzistojnë, për të mos përmendur mungesën e plotë të tyre në shumë fshatra. Këtyre problemeve u shtohet rrjeti tejet i amortizuar i kanalizimeve për vaditje dhe kullim, si dhe mungesa e plotë e tyre në zona të veçanta, mungesa e rrjeteve të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe vendgrumbullimeve të mbeturinave, në pothuajse të gjithë territorin e Bashkisë. Nga ana tjetër, ka mjaft problematika me menaxhimin dhe çertifikimin e tokës bujqësore të ndarë me ligjin nr. 7501“Për tokën”, mbivendosjet dhe mungesën e hapësirave dhe rrugëve për të kaluar me mjete dhe mekanizma për punimin dhe shfrytëzimin e këtyre pasurive. Prandaj dhe, në këtë rast është privilegj për mua të rikonfirmoj dhe të përcjell për komunitetin e Bashkisë së Selenicës, lajmin se janë gjetur burimet financiare për rrugën e “Lumit të Vlorës”, një projekt madhor që do të mbështetet me fonde të akorduara nga qeveria e Kuvajtit dhe që do të implementohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ky projekt do të zbatohet nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama, i cili është njëkohësisht deputeti i parë i Vlorës, si dhe nga Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta. Përmes këtij projekti, ndërtohet jo vetëm aksi nacional, por dhe çdo rrugë që lidh fshatrat me këtë aks deri në largësinë 5 km, në drejtim të qendrës së fshatrave. Nga ana tjetër, në të përfshihet edhe aksi rrugor Vlorë-Selenicë, si edhe ura mbi lumin Vjosë, që lidh qytetin e Selenicës me aksin nacional Levan-Tepelenë.

– Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të realizoni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, arsimore apo shëndetësore në Bashkinë e Selenicës?

– Unënuk kam pritur datën 22 Qershor që të filloj nga puna, apo të mendoj për zgjidhjen reale të problemeve të zonës. Disa nga kërkesat, apo shqetësimet që ka paraqitur komuniteti gjatë takimeve të mia prezantuese si kandidat i Aleancës për Shqipërinë Europiane, për Bashkinë e Selenicës dhe Lumit të Vlorës, janë zgjidhur ose janë futur në rrugën e zgjidhjes. Mes tyre, përmend rikonstruksionin e rrugëve të fushës në fshatin Armen, nga aksi nacional, në drejtim të lumit, rrugës së Arapajve në fshatin Rromës, rrugës së Kasave dhe rrugët verore në fshatin Vajzë, ndërtimin e urës së Hotimës, në fshatin Treblovë, rikonstruksionin e plotë të kanalit vaditës në fshatin Armen, rikonstruksionin e kanalit kullues në fshatin Mesarak. Ndërkohë, ka nisur puna për zbatimin e projektit të kanalizimeve të ujërave të zeza në fshatin Kropisht. Ky është veç fillimi. Kjo punë e nisur nuk do të ndalet dhe garantoj zgjedhësit dhe gjithë komunitetin se, Bashkia e Selenicës dhe Lumit të Vlorës do të shndërrohet në një kantier ndërtimi.

– A keni përcaktuar një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Selenicë dhe cilat janë ato?

– Kriteret e përfshirjes në administratën publike janë të përcaktuara në ligj dhe gjithçka do të ndiqet sipas procedurave që ai sanksionon. Do të doja të shtoja se, çdo fshat, çdo krahinë do të përfaqësohet në bashkinë e re me djemtë dhe vajzat e saj me të mirë dhe më të aftë, sipas profilit. Emërimet, konkurset dhe çdo proces do të zhvillohet sipas ligjit. Do të krijojmë një administrate eficente, vizionare, të kulturuar dhe në shërbim të institucionit dhe qytetarëve, për ta çuar Selenicën në drejtimin e duhur.

– Çfarë mekanizmash do të ndërtoni dhe aplikoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Sado vizionar, ideator, menaxher, artist të jetë një njeri, një kryetar apo sado i madh të jetë një institucion, asnjëherë nuk mund të marrë një vendim gjithëpërfshirës, pa u konsultuar më parë dhe në vazhdimësi me banorët, apo me grupet e interesit. Aq më tepër që, në bazë të ligjit “Për Informimin Publik”, çdo vepër apo vendim i një karakteri të veçantë dhe që prek interesat e banorëve, shtron domosdoshmërinë që, përpara miratimit, draftprojekti përkatës duhet konsultuar me banorët. Prandaj dhe garantoj se, çdo projekt, program apo vendim që prek drejtpërdrejt jetën dhe aktivitetin e qytetarëve, fillimisht do ta diskutoj me ta. Gjithashtu, me ligj, grupeve të interesit, organizatave dhe qytetarëve u sigurohet e drejta të marrin pjesë në miratimin e buxhetit. Mbledhjet do të jenë të hapura. Unë i siguroj bashkëqytetarët e mi se, do të vendosim bashkarisht se si do ta përdorim buxhetin për investime.

– Në territorin që administron Bashkia e Re e Selenicës, përfshihen edhe zonat naftëmbajtëse. A keni planifikuar ju masa, apo hapa konkretë për pastrimin dhe rehabilitimin e zonave të ndotura naftëmbajtëse?

Kontratat koncesionare për shfrytëzimin e vendburimeve të pasurive natyrore, hidrokarbure, minerale e të çdo lloji, përcaktojnë dhe detyrimet që kompanitë kanë për mbrojtjen e mjedisit. Gjendja e vendburimeve duhet inventarizuar me specialistë. Prandaj dhe bashkia do të monitorojë realizimin e detyrimeve kontraktore të kompanive që operojnë në këtë zonë. Projektet e rehabilitimit të zonave naftëmbajtëse, janë madhore, që shkojnë përtej kapaciteteve të bashkive, si për sa i përket burimeve njerëzore, po ashtu edhe financave. Detyra ime si kryetar, ashtu si edhe stafit të bashkisë, është të monitorojmë dhe kërkojmë zbatimin e kushteve për ruajtjen e mjedisit, si edhe të bashkëpunojmë me Qeverinë dhe Ministrinë e Mjedisit, për të mundësuar vëmendje të veçantë për këtë zonë.

Si parashikoni të shfrytëzoni të ardhurat e bashkisë së re nga renta minerare në minierën e Selenicës dhe nga burimet e naftës në zonën e Vllahinës?

– Ligji “Për rentën minerare”, parashikon që pjesën e të ardhurave nga renta ta kalojë drejtpërdrejt në njësinë vendore. Këto të ardhura do të miradministrohen dhe do të përdoren për realizimin e projekteve infrastrukturore dhe rehabilituese për zonën. Për këtë, do të inventarizohen dhe vlerësohet gjithë dokumentacioni ekonomiko-financiar, ligjor i marrëdhënieve ekonomike të bashkisë jo vetëm me këto subjekte, por me të gjithë njësitë ekonomike që ushtrojnë aktivitetin në njësinë vendore. Miniera e Selenicës, vendburimet e naftës, këto pasuri dhe burime tejet të çmuara për banorët e zonës dhe qytetarët e mbarë kombit, do të jenë motor i fuqishëm zhvillimi. Çdo qindarkë do të shkojë atje ku ka më shumë nevojë qytetari, tek infrastruktura, uji i pijshëm, kanalizimet për vaditje, kullime e ujërat e zeza, shëndetësia, arsimi dhe kultura, etj.

– Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetejeve urbane?

Natyra dhe zoti i kanë dhuruar zonës së Bashkisë së re Selenicë bukuri natyrore, çka përbën edhe një thesar të çmuar për Shqipërinë. Kjo natyrë duhet respektuar, duhet menaxhuar me kujdes, duhet mbrojtur. Sistemi i menaxhimit të mbetjeve urbane do të realizohet sipas kushteve, modaliteteve dhe standardeve të Komunitetit Evropian. Mundësia e ndërtimit të një landfilli për Bashkinë Selenicë do të studiohet dhe projektohet nga administrata në bashkëpunim me ministritë e linjës. Financimi i këtij Landfilli sot është i realizueshëm, pasi mbështja e Qeverisë për zhvillimin e kësaj zone do të jetë e palimituar. Në realizimin dhe krijimin e mundësive për ndërtimin e një Landfilli do të shfrytëzohet edhe bashkëpunimi me organizma ndërkombëtarë të interesuar për financime, në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Ministria e Mjedisit do të jetë një mbështetëse e plotë e Bashkisë, për sa i përket mbrojtjes së natyrës dhe mjedisit..

– Cila do të jetë mbështetja e Bashkisë së re gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm për zhvillimin e qendrueshëm të sektorit të bujqësisë në këtë zonë?

Bujqësia dhe blegtoria janë degët kyçe për zhvillimin ekonomik të zonës. Në këtë këndvështrim, këto degë do të konsiderohen prioritare në punën e administratës. Bashkia e Selenicës, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, do të sigurojë projekte dhe programe zhvillimi në këto fusha. 33579 ha sipërfaqe e territorit do të menaxhohen dhe trajtohen sipas një projekti të strukturuar për zhvillim ekonomik, zhvillim real të bujqësisë dhe blegtorisë, për të siguruar më shumë shërbime dhe punësim. Në 13192 ha tokë bujqësore do të sigurohen kapacitetet e ujitjes, në 10237 ha kullotë do të shtohen kreret e gjësë së gjallë, duke mbështetur blegtorinë. 10150 ha pyje do të trajtohen sipas ligjeve në fuqi për shfrytëzimin me kriter, ruajtjen dhe rritjen e sipërfaqeve të pyllëzuara. Prioritet i Bashkisë në bashkëpunim me pushtetin qëndror, do jetë shtimi i sipërfaqeve të mbjella me drurë frutorë, shtimi i sipërfaqeve me vreshtari, nxitja e kultivimit masiv të kulturave autoktone të rrushit dhe ullirit, shtimi i bimëve medicinale. Për sa i përket blegtorisë, ku aktualisht numërohen 147978 të imta dhe 6813 gjedhë, do të stimulohet dhe do të subvencionohet shtimi i krerëve të bagëtisë së imët dhe në zonat e ulëta, mbarështimi i lopëve në regjim stallor, është prioritet bazik. Prioritet është gjithashtu orientimi i prodhimit të perimeve sipas standardeve bashkëkohore, për të mundësuar eksportin e tyre dhe konkurrimin në tregun Evropian.

Harilla Koçi June 10, 2015 10:09
Komento

9 Komente

  1. per te gjithe ata qe jane ne foto me kason June 10, 16:17

    o kaso,
    cfare behet ne miniere,
    sa vete punojne tani
    sa punoni ne ish socializem
    sa investime ka bere kocisionari dhe sa eshte rritur prodhimi
    sa prodhohet per vendin,ku dihet qe me asfaltin e selenices cilesor shtrohen rruget e europes..
    sa te ardhura merr shteti nga ky sektor, apo te fala si ne patos

    Reply to this comment
    • Vlora1912 June 10, 19:57

      Laberia i ka dhene shum ketij vendi, sidomos lugina e Shushices ne Vlore, e banuar aktualisht nga rreth 25 mij banore.

      Po cfar ka ndodhur me kete zone; Gjithshka qe i ka mbetur jane vetem permendoret e labidaret per gjakun e derdhur nder vite.

      Gjat 25 viteve te fundit, ne menyre persekutore, me nje urrejtje te paspjegueshme, sidomos nga Bastardi i Vuqidolit, ne kete zone nuk eshte investuar asnje kokerr leku….

      Per me teper, nuk ka asnje projekt nga ministria e transportit, Qeverria, ne terma afat shkurter, afatmesem apo afatgjate, per te investuar ne rrugen tersisht te shkaterruar dhe te pakalueshme te kesaj zone.

      Tani se fundemi, e ndane edhe nga Vlora, per tja bashkangjitur Selenices – nje fshat prej 2 mij banoresh, banuar nga Vlleh ardhacak dhe pa lidhje me zonen e traditat e saj..

      Por nuk u mjaftuan me kaq – Kete zone, tradiocionalisht e Majte,kupto Socialiste, ja dorezuan LSI-se te Ilir M****, atij mashkullit te videos se Priftit.

      Dhe pas kesaj nuk ka me supriza -LSI zgjodhi per kandidat ate lloj tipi qe i shkon per shtat kesaj bande familjare – Kasem Cenaj

      Turp, fatkeqesi, pashpresi

      Reply to this comment
      • Grigor Thanasi February 10, 10:02

        “…Tani se fundemi, e ndane edhe nga Vlora, per tja bashkangjitur Selenices – nje fshat prej 2 mij banoresh, banuar nga Vlleh ardhacak dhe pa lidhje me zonen e traditat e saj..” Keshtu eshte shprehur nje person me emer “Kaso”por mbuluar me etiketen “vlora 1912”

        Po zoteri, eshte e vertete se traditat e vllehve nuk kan ngjashmeri me ato te trojeve tuaja.Dhe eshte krejte normale.Por pyes,ende jeton me ato pasthirma e viteve te shkuara, se jemi “Ardhacak” kur ky komunitet jeton me shume se kater shekuj,ndofta pak me tej.Dhe ky vendi banuar kryesishte nga raca e bukur vlleh, kan bere emer ne historin e treves Vlore dhe pak me tej, se sa mendja e juaj..! Ku qytet qe kerkoni te denigroni,(por smundni dote)i ka dhen shqiperise,kombit shqipetare disa deshmore,! Mos valle nuk deshironi te thoni se me bitumin minerale shume te çmushem, i ka dhen ndihmes ekonomise kombetare ne periudhen post komuniste kur sundonin pashallaret e kuq ..! Kjo lloj race,sipas mendjes tuaj duket e pakte te shtrire ne hapsire dhe ne kohe,i ka dhen kultures shqipetare piktorin e famshme David Selenica,plejada e Jonufrit te madh..!
        Per dijeni, bashkimi i disa fshaterat laberise me bashk- in Selenice,nuk eshte edhe keq,thene ndryshe,eshte per te mire dhe ne interes te dy palve,Vlleh dhe leber,qeveria e pa te mundeshme te beje kete veprim do te thoja te mirefillte politike.Duke qene keshtu, pse nuk keni kundershtuar me mendimnet tuaja,te shkruar ne leter drejtuar qeverise sukseshme Rama
        shpresoje se mendja e juaj” te jete me e ndritur”ndaj komunitetit Vlleh-sinqerishte Grigori

        Reply to this comment
  2. ideali Vlore June 10, 17:24

    O kaso po ti me pare ke kandiduar per P.S.V. pasi kishe ikur nga P.S tani tani na dole me Lesh e line ik ore goj arapash meso mire shqipen fshatar i karbunarit.

    Reply to this comment
  3. ILIRI June 10, 19:03

    o KASO po ti do regullosh Selenicen mo,ti qe sle prone pa ngatruar e rrjepur ne vlore apo do ta regullosh me leket e fituara ne dogane?TE KANE mbetur leke pasi bleve kandidimin se te vajti dyfish a derezi PAGOVE Liken,TAKUN e Kolegjin

    Reply to this comment
  4. plaku i mocem June 11, 00:30

    Te terheq vemendjen fakti qe kandidati i koalicionit te majte i njeh problemet dhe i ka renditur qe ne fillim sipas rendesise elektorale.Eshte e vertete qe problemi me i madh eshte per krahinen(komunat qe jane shtuar Bashkise se Selenices),ose sic quhet ndryshe Rruga e Lumit te Vlores.Kjo rruge i ka votat per te fiuar bashkine e Selenices sepse komuniteti i qytetit eshte zvogluar shume,dhe jo me kot kandidati i majte e ka vene te paren kete rruge.Sa e vertet eshte njoftimi qe ai shpall se jane gjetur fondet per kete rruge?Duhet te shprehet qeveria per vertetsine e njoftimit.Ndryshe kjo eshte nje deklarate elektorale per te marre votat dhe pastaj donatori terhiqet dhe punet mbeten aty ku kane qene per 70 vjet?E them kete se ne zonen e Lumit te Vlores ish sistemi monist per 45 vjet nuk u investua ne infrastructure as nje lek,sepse ajo zone konsiderohej si nje bastion i partise- shtet.Ndersa pas ktheses se sistemit qeverite qe erdhen ne fuqi, per tu bere qejfin grupeve te caktuar antikomuniste, e denoi ate zone duke mos bere asgje.Rruga e Lumit te Vlores e ka lene ate krahine patriotike ne izolim e ne shkretim te plote.Mendoj se dhe Ura mbi Vjose i jep frymemarrje me te mire zones,prandaj eshte cekur nga kandidati.I takon banoreve te asj zone te vendosin se kush do ti drejtoje per kater vitet e ardheshme.

    Reply to this comment
  5. ARDIAN SH VRANISHTI June 11, 11:06

    Fillimisht uroj qe ne zgjedhjet vendore te vitit 2015,ne bashkine e Selenices te fitoje me i miri,me i ndershmi dhe me punetori.Po e them kete sepse populli i kesaj treve,i krahines se Lumit te Vlores ka vuajtur shume,shume me shume sesa trevat e tjera.Gjithkush qe ka marre mandatin,me te drejte,me te blere apo me te vjedhur,te gjithe e kane pare kete krahine si nje LOPE ne kohen e mjeljes.Tani shpresojme me te drejte qe te fitoje bashkine dikush qe di te punoje per njerezit e lodhur,te raskapitur,te mashtruar nga te gjithe,por me zemer te bardhe dhe shpirt te madh sic jane vete keta banore te Lumit te Vlores.Nuk mund te diferencoj njerin kandidat nga tjetri,por sinqerisht ,personalisht,kerkoj ndryshim te madh.Me kenaqesi deshiroj qe ta pranoj z.CENAJ si K.bashkiakun e ardhshem pasi nuk i mungon mbeshtetja e qeverise,pa te cilen kushdo kryetar bashkie do te ngelej vetem ne kuadrin e fjaleve boshe,do te ngelej me premtime te pambajtura,dhe njerezit ne perfundim te mandatit te tij nuk do te shikonin asnje ndryshim.Nuk mund te flas mire apo keq per kandidatin e Ballit,por mjafton te di qe nuk eshte ne nje linje me qeverine dhe e kuptoj menjehere qe nuk ka per te marre asnje financim,pasi keshtu funksionon ne pergjithesi,dhe te gjithe projektet qe mund te kete ne koke,do te mbeten vetem ne leter.Me sa kam degjuar,z.CENAJ eshte njeri i fjales se mbajtur dhe i puneve te mbaruara ne komunitet.Sinqerisht,personalisht,kam vetem nje hall si shumica e banoreve te kesaj treve.Deshiroj qe z.Cenaj,ate qe ka marre persiper ne lidhje me ndertimin sipas standarteve te rruges se Lumit te Vlores,ta realizoje sa me pare sepse do ta uroje me shpirt gjithe zona dhe do ta votojne gjithe jeten si K.bashkiakun e tyre te preferuar dhe te vecante.Nese behet infrastruktura,dmth rruga e para,me tej gjithcka do e bejne vete njerezit.Infrastruktura sjell jete,mireqenie,begati.Ju lutemi z.Cenaj,na e mundesoni kete sa me shpejt dhe ne nuk do tju kthejme krahet KURRE.Vota eshte e fshehte,por une mendoj se votat e gjithe njerezve te ndershem dhe punetore te kesaj zone jane per Ju! JU LUTEMI PER TE VETMEN GJE,MOS NA ZHGENJENI SI GJITHE TE TJERET QE KANE KALUAR PARA JUSH NE ATE KARRIGE.PO JU BESOJME ME ZEMER DHE DO TJU MBESHTESIM PA REZERVA.PACIM FAT,NE SI KOMUNITET DHE JU SI K.RYEBASHKIAKU YNE!!!

    Reply to this comment
  6. ENTELA RR DELVINA June 11, 11:33

    Z.CENAJ,une jam nje vajze e kesaj zone ku ju kandidoni per kryetar bashkie.Kam ikur ne Tirane,vazhdoj shkollen e larte,dhe nuk kam ndermend te kthehem ne vendlindje.Dhe e dini perse?Sepse nuk mund te udhetoj dot ne ate rruge qe ndodhet ne ate gjendje sikur jemi para 2000 vjetesh.Se fundi kam marre vesh se ju keni nje plan se bashku me qeverine shqiptare per ta ndertuar shpejt kete rruge.Nese eshte e vertete,nuk ngelem pa votuar per ju zoteri.Do te nisem urgjent nga tirana,edhe ne kembe po te jete e mundur,vetem e vetem te fitoje projekti i rruges tone,te premtuar nga shume por te pambajtur nga asnje njeri.Nuk dua asgje tjeter zoteri,vetem rrugen.Do tju falenderojne me shpirt nenat tona te lodhura nga hallet e shumta,baballaret tane qe mezi vijne te na takojne sepse duhet te humbasin disa dite nga punet qe bejne per te nxjerre buken e gojes,vetem e vetem sepse rruga e keqe ne gjendje te mjeruar i vonon.Ju lutem si vajze e kesaj zone,qendrojuni afer banoreve te bashkise tone,mos i lodhni sic kane vepruar paraardhesit tuaj me rradhe,kemi besim tek ju dhe normalisht do tju perkrahim.Ju urojme fitoren dhe pune te mbare.

    Reply to this comment
  7. safet shkurtaj June 11, 11:42

    Une jam 80 vjec sot,nuk kam interesa te asnje lloji,por fitoren ja uroj zotit kasem cenaj.Eshte njeri i zoti dhe njerezit e zote nuk te lene kurre ne balte.Urime z.Cenaj

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*