“Kastakraus” i Xhaferrit, zbulohen dorëshkrimet origjinale

Gazeta "Dita" April 3, 2013 17:20

“Kastakraus” i Xhaferrit, zbulohen dorëshkrimet origjinale

Pas shumë vitesh, poeti i përndjekur nga diktatura pasi kritikoi romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes

Bruno Marku

Dalip Hoxha, një kushëri i poetit disident Bilal Xhaferri, ka ruajtur në banesën e vet një pjesë të vogël letërkëmbimi të poetit, si dhe disa fletore me shënimet e para të projekteve letrare të Xhaferrit.

Xhaferri gjatë periudhës që ka qëndruar në Durrës ka ndenjur shpesh tek kushëriri i tij, por edhe tek halla e vet, e cila ka qenë fqinje në një korridor të përbashkët me Dalipin. Pas marrjes dhe botimit të disa kujtimeve, si dhe te një korrespondence intime të Xhaferrit e disa poezive për shtypin, kontaktuam me Dalipin nëse kishte sjellë një pjesë të materialeve që dispononte nga Italia, ku edhe i mbante pas largimit në eksodin e viti 1991.

Këtë radhë duhet thënë se fati na ndriti me një pjesë të dorëshkrimeve të librave të tij, si të romanit të njohur “Krastakraus”. Së bashku me to, në një fletore te thjeshtë të asaj periudhe, është dhe dorëshkrimi i një tregimi të panjohur të Xhaferrit, i cili nuk ka përfundim. Me sa duket, tregimi i përket asaj serie shkrimesh që i fillonte dhe i linte pas, kur i dilnin përpara projekte më të rëndësishme në laboratorim krijuesëtë shkrimtarit të ri.

Rinia e vështirë e Xhaferrit

Rreth asaj periudhe kur u realizuan dorëshkrimet e përmendura, Dalip Hoxha kujton: “Kam qenë i pranishëm që në hapat e para të krijimtarisë letrare të Bilal Xhaferrit. Duke qenë me të që nga viti 1958 ose fundi i vitit 1959, mbaj mend, – thotë ai, – se Bilali shkruante shumë dhe griste shumë. Ishte shumë kërkues ndaj vetes. Por ai si kredo të punës së tij kishte parimin se arti i të shkruarit është dhe arti i të shkurtuarit”.

Sipas tij, ai mund të ketë djegur edhe perla letrare. Duke punuar në këtë mënyrë, ai flinte gjumë vonë, kujton Dalipi, ndërsa thotë se ora e fjetjes së tij ka qenë ora 2 pas mesit të natës. Ka qëlluar që edhe pasi punonte deri në këtë orë, të gjithë punën e tij e digjte në sobë. Për këtë ai tregon se si shkrimtari i nëmur i regjimit kishte punuar disa ditë tek shtëpia e tij dhe shkroi shënimet për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë, si dhe shumë gjëra të tjera të cilat edhe janë djegur, edhe kanë mbetur.

Lidhur me shënimet e bëra mbi romanin “Dasma”, Dalipi thekson se ato u shkruan kur ai ishte në banesën e tij, por kur Xhaferri iku dhe banonte në Shijak, ka shumë mundësi që ato të jenë ribërë nga fillimi, pasi ai punonte në shumë variante. “Shënimet që i mbetën tek shtëpia ime, kanë shpëtuar rastësisht”, thotë.

Shënimet e romanit “Krastakraus” janë projekti i tij për të marrë pjesë në konkursin e 500-vjetorit të Skënderbeut. Ai e bëri veprën në 4 kopje, thotë Dalipi, dhe njëra prej kopjeve ra në duart e kushërirës Ballkize Halili, e cila punonte në atë kohë tek “Zëri i Popullit”. Pas arratisjes së Bilalit, ajo i ruajti me shumë fanatizëm duke i futur brenda në dyshek. Nga arratisja e Bilalit e larguan nga ai vend pune dhe ka dalë në pension në sektorë të Ministrisë së Bujqësisë.

Romani “Krastakraus” u shkrua, sipas Dalipit, në të njëjtën periudhë kur u hoq nga libri “Lirishtja e Kuqe”, libër i cili atëherë nuk doli në treg. Ajo i ruajti dhe vetëm në vitin 1993 libri u botua. Interesant është edhe fakti se Bilali e kishte çuar një kopje për ta botuar në Kosovë. Dorëshkrimi i tij ka arritur që në vitin 1973, por ai atje nuk u botua pa u botuar më parë në Shqipëri. Në Kosovë ai ishte dërguar me titullin “Ra Berati”.

Dorëshkrimet në pompën e spërkatjes

Dorëshkrimet e Bilal Xhaferrit kanë pasur një fat të çuditshëm. Deri diku të kujtojnë fatin e poezive të humbura të poetit të madh arbëresh të letërsisë sonë, Zef Serembes. Si dhe fshehjen nëpër ishujt e internimeve si të Makronisit etj të poezive të shkruara e të mbyllura në pagure e të futura në dhe nga poeti grek Janis Ricos.

Dalipi thotë se një pjesë e dorëshkrimeve kanë mbetur në faqe të ndryshme librash, të cilat ai i mbante në bibliotekë dhe që më vonë janë marrë dhe janë përdorur, ndoshta edhe dëmtuar nga lexuesit që nuk e kanë ditur vlerën e tyre, pasi nuk dinin gjë mbi historinë e autorit dhe mbi vetë atë, pas konfliktit që ai hapi mes tij dhe shtetit, mbi kritikën për romanin “Dasma” të Kadaresë dhe së fundi mbi arratisjen.

Në periudhën kur Xhaferri si dënim qe çuar me punë në fshatin Kullë të Durrësit, zonë e largët për atë periudhë, ai kishte shkruar poezi, të cilat për të mos ia dëmtuar ata që e mbanin nën vëzhgim, i kishte futur në pompat e spërkatjes së vreshtave me herbicide, helme bujqësore, të cilat ishin një kasë mjaft komode për to, pasi pak kujt mund t’i shkonte në mendje se poezitë e disidentit mund të gjendeshin të fshehura mes solucioneve të helmeve.

Pas arratisjes, ato u gjetën gjatë kontrollit në banesën e tij nga Sigurimi i Shtetit. Këto poezi u sekuestruan sipas rregullave drastike të këtij organi të diktaturës së asaj periudhe dhe u kaluan në arkivin e Sigurimit, si pjesë e dokumentimit të veprimtarisë armiqësore të poetit dhe shkrimtarit disident. Pas periudhës së demokratizimit, këto poezi u gjetën në arkiv nga shkrimtari dhe botuesi me origjinë nga Çamëria, Shefki Hysa, dhe u botuan nën kujdesin e tij.

Fragment nga dorëshkrimi i romanit “Krastakraus”

Dorëshkrimi i romanit “Krastakraus” përbëhet gjithsej nga 6 fletë fletoreje, 4 të parat janë fletë fletoreje me vija, ndërsa 2 të fundit ndryshojnë, pasi janë shkëputur nga një fletore e asaj kohe që përdoreshin në shkollën fillore për bukurshkrim, dhe që i kanë pistat e vijëshkruese të ndërprera me vija tërthore. Kaq kanë mbetur, por edhe kaq janë mjaftueshëm për të treguar metodikën e shkrimit të autorit.

Ndonëse në ballinën e saj është shkruar se janë edhe fragmente të tregimit “Përtej Largësive” dhe më pas të romanit me titullin e njohur, nuk gjejmë gjurmë të tregimit me këtë titull.

Po përzgjedhim pak rreshta nga shënimet e gjetura e të shkruara me laps plumbi nga autori.

“Mua më kish hipur temperaturë, me digjte koka si furrë “Plevit, plevit…” kjo fjalë nuk më hiqej nga mendja. Duke dëgjuar këndezat m’u kujtua diçka… pastaj e harrova, pastaj ajo m’u kujtua përsëri: Një herë kisha lexuar se Gorki bënte një krahasim në mes të Leninit dhe një këndezi krenar. Kjo at’herë nuk m’u duk serioze, kurse tani më dukej me shumë kuptim…”

Në fletoren e mbetur, në faqen e fundit të saj ndodhen vetëm pak rreshta të shkruara imët me një laps plumbi, por që i kanë rezistuar kohës dhe janë plotësisht të lexueshme.

“Shpëtimtari i një jete”

“Tërë horizonti rreth e rrotull ka vënë kurorën e artë të mbrëmjes. Dielli është ulur matanë maleve, në sfondin e purpur të perëndimit qëndrojnë ca fjollëza resh si të lëna atje prej penelit të ndonjë piktori… Një fletë lisi dridhet në… ”

Këtu përfundon edhe ky fragment i dridhshëm tregimi, të cilin e ka shpëtuar nga humbja përfundimtare kujdesi i Dalip Hoxhës. Një kujdes që kalon çdo masë, pasi dihet se ç’pasoja do të kishte pasur sikur të konstatohej kjo ruajtje prej tij.

Shkrimtari dhe botuesi Shefki Hysa për veprën “Krastakraus”

Sipas shkrimtarit dhe botuesit Shefki Hysa, romani i Bilal Xhaferrit  “Krastakraus” (Kreshta e Krujës, qytet – vendlindja e kryetrimit legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeut), është shkruar që në vitin 1968, dhe është endur gjatë nëpër redaksitë e së vetmes shtëpi botuese të shtetit komunist, përderisa përfundoi i burgosur nëpër arshivat e saj për vetë idetë që shtjellonte. U botua vetëm në vitin 1993 prej shtëpisë botuese private “Bilal Xhaferri”, krijuar për të përkujtuar emrin e këtij autori të shquar disident.

Hysa shkruan se romani “Krastakraus” është një vepër monumentale, njëherësh sa klasike dhe moderne. E merr temën nga e kaluara historike e Shqipërisë e pikërisht nga periudha e luftërave heroike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mbretit të shqiptarëve (1417-1467), i cili për një çerek shekulli përballoi me shpatën e vet dyndjet osmane në mbrojtje të shtetit shqiptar dhe të krishterimit. Është një vepër e shkruar mjeshtërisht. Imagjinata e fuqishme e këtij autori depërton nëpër mjegullën e mesjetës dhe përmes tablove dhe detajeve që përshkruan arrin t’i zbresë nga trualli i legjendave heronjtë dhe t’i sjellë ashtu të gjallë në sytë e lexuesve. Përmes jetës dhe bëmave të luftëtarëve të thjeshtë të Gjergj Kastriotit, shpaloset e tërë historia e luftërava shqiptaro – turke, e fitoreve dhe e humbjeve, e tradhtive dhe e qëndresës.

Gazeta "Dita" April 3, 2013 17:20
Komento

3 Komente

  1. Nostalgjia per kohen qe iken April 4, 13:29

    Deshmitaret e atyre viteve pohojne se kishte rivalitet te madh mes Kadarese e Xhaferit,
    edhe pse njeri ishte ne “profesion te lire” dhe tjetri punonte ne Rruga-Ura, hapte kanale, si me biografi te keqe qe ishte…

    Romani “Berati Ra” (Renia e Beratit) i B Xhaferit, lexohet sot me me endje dhe me kendshem, se romani “Keshtjella” i Ismail Kadarese…provojeni vete.

    Pastaj fatet u ashpersuan edhe me per Bilalin: u detyrua te ikte nga atdheu, arriti ne Amerike, ku botoi revisten Krahu i Shqiponjes, deri sa ia mbyllen syte…
    Tjetri, Kadarea, kendoi “Shqiponjat fluturojne lart”…!

    Reply to this comment
  2. Arturi April 4, 15:00

    E cuditshme, i prekur dhe kusherira i punonte tek Zeri i Popullit? U arratis Bilali e ajo doli ne pension ne mIn. e Bujqesise!
    Si ka mundesi qe Bilali ne boten e lire nuk shkroi asgje per te qene, ndonje kryeveper? Kishte apo s kishte talent!

    Reply to this comment
  3. Bahri Omari April 4, 15:56

    Artur,

    c’ke me kusheriren o rob allahu?!

    Shoku Enver ka pasur kunatin te pushkatuar (prej EH-se!)
    dhe nuk e hoqi njeri nga Sekretari i Pare i PPSH-se!

    Ne po flisnim per letersi dhe qendrim personal, me duket.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*