Katalonja, më pak autonomi?

October 19, 2017 15:25

Katalonja, më pak autonomi?

Spanja do të vendosë sundimin direkt mbi Katalonjën pasi Presidenti i rajonit autonom nuk e sqaroi pozicionin e tij brenda afatit të fundit kohor, që ishte ora 10 e paradites së djeshme.

Madridi zyrtar njoftoi, ashtu siç kishte paralajmëruar, se do të aktivizojë nenin 155 të Kushtetutës, të pazbatuar asnjëherë më parë, i cili i lejon pezullimin e të drejtave të zgjeruara që Katalonja kishte gëzuar deri më tani. Përpara se neni mitik të hyjë në fuqi, ai duhet të marrë dritën jeshile të Senatit spanjoll, çka nuk do të jetë e vështirë, pasi Dhoma e Lartë e Parlamentit kontrollohet nga Partia Popullore e Rahoit dhe aleatët e saj.

Njoftimi erdhi pasi lideri katalanas Carles Puigdemont paralajmëroi se rajoni mund ta shpallë zyrtarisht pavarësinë nëse ekzekutivi spanjoll nuk pranon bisedimet. Po vazhdoi qeveria qendrore ta pengojë dialogun dhe të ndjekë rrugën e shtypjes, Parlamenti katalanas do të procedojë nëse e sheh të nevojshme me votimin e shpalljes zyrtare të mëvetësisë, thuhej në letrën e dërguar Rahoit nga Puigdemont pak minuta përpara skadimit të afatit, i dyti dhe i fundit i vendosur Katalonjës këtë javë.

Situata tashmë ka hyrë në hullinë e paqendrueshmërisë. Pezullimin e autonomisë, Madridi do ta nisë të shtunën, kur ministrat e kabinetit qeveritar do të takohen për aktivizimin e nenit të shumëdiskutuar që i lejon të marrë në dorë drejtimin e rajonit rebel. Shumë druhen se kjo lëvizje dhe shpallja e paralajmëruar e shkëputjes do të shkaktojnë trazira. Mendohet se masat e ekzekutivit qendror do të nisin me vënien nën kontroll të policisë rajonale e financave të Katalonjës dhe mund të vazhdojnë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ekspertët megjithatë mendojnë se neni 155, pjesë e Kushtetutës së vitit 1978 që çimentoi sundimin demokratik në vend pas vdekjes së diktatorit Franko, nuk i jep qeverisë pushtetin ta pezullojë plotësisht autonominë e rajonit.

October 19, 2017 15:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*