Katalonja në prag referendumi, çfarë do të ndodhë me Barçën?

September 27, 2017 14:36

Katalonja në prag referendumi, çfarë do të ndodhë me Barçën?

Të dielën në Katalonjë zhvillohet referendumi për ndarjen nga Spanja.

Në Madrid janë të sigurtë se nuk do të votohet, ndërsa në Barcelonë janë po aq të sigurtë për të kundërtën. Në pritje të asaj se çfarë do të ndodhë, “Gazzetta dello Sport” ka marrë në një intervistë Gerard Figueras është drejtori i përgjithshëm i Sportit në qeverinë katalanase, thënë ndryshe ministri i Sporteve të rajonit spanjoll, duke e pyetur në lidhje me pasojat në botën e sportit, e veçanërisht të futbollit, në rastin e një shkëputjeje eventuale të Katalunjës nga Spanja.

“Për ne është e qartë se sporti është pjesë jetike e referendumit. Nëse do të fitojë ‘po’-ja, pasoja e parë e menjëhershme që do të shohë bota, e sigurisht edhe Katalonja, është ajo e një kombëtareje katalanase në një ndeshje zyrtare futbolli”.

GdS: Çfarë do të ndodhë me futbollin?

Figueras: Aspekti më i rëndësishëm do të jetë “e panjohura” e madhe e këtyre ditëve, ose më saktë çfarë do të ndodhë me skuadrat profesioniste, ku do të luajnë skuadrat katalanase, e në veçanti Barça, duke parë se e gjithë bota është e fiksuar pas kësaj teme. Nuk ka një përgjigje të dallueshme qartë: kushdo që thotë se e ardhmja do të jetë bardhezi, gabohet, sepse do të hapet një skenar i ri dhe do të duhet të zhvillohen negociata. Në rast pavarësie, skuadrat katalanase të La Ligës, si Barça, Espanyol apo Girona, mbi të gjitha duhet të vendosin se ku duan të luajnë. Në kampionatin spanjoll, apo në kampionatet e një tjetër vendi të afërt, si Italia, Franca apo Premier League në Angli. Sapo klubet ta kenë bërë këtë reflektim, atëherë duhet të nisë tratativa me federatën respektive që organizon turneun e përzgjedhur prej tyre.

GdS: Presidenti i La Ligës, Javier Tebas ka thënë shpesh se, në rast pavarësie, skuadrat katalanase nuk mundet të marrin pjesë për shkak të ligjeve në La Liga, por duhet të krijojnë një turne katalanas.

Figueras: Sipas këndvështrimit tim, skuadrat tona duhet të zgjedhin të vazhdojnë të militojnë në La Liga, pasi kjo do të ishte zgjidhja më e arsyeshme. Kjo, sepse është një traditë e përjetësuar prej shumë vitesh, gjithashtu është vendi më i afërt me ne, e në fund edhe për shkak se Liga profesioniste e Futbollit nuk është një organizëm politik, por një organizatë profesioniste që harton kontrata të ndryshme, siç janë edhe të drejtat televizive që sjellin përfitime. Ndaj mendoj se në interesin e Barçës, por edhe të vet La Ligës, është të ruhet ‘status quo’-ja. Dy burimet kryesore të të ardhurave të LFP-së janë pikërisht Barcelona dhe Real Madrid.

GdS: Po fjalët e Tebas?

Figueras: Atyre iu përgjigjem duke thënë se do të jetë Barça, ajo që do të vendosë nëse dëshiron të vazhdojë në kampionatin spanjoll, apo nëse i jep “dritën jeshile” fillimit të negociatave me një tjetër federatë. Kështu që, pavarësisht fjalëve që ka thënë zoti Tebas, deri më sot opinioni i tij nuk është i vetmi që merret parasysh, duhet të ballafaqohet edhe me atë të klubeve të tjera të La Ligës, e mbi të gjitha duhen mbajtur në konsideratë edhe aspektet kontraktuale dhe ekonomike. Pastaj, argumentet e përmendura nga Tebas, sipas të cilave në rast pavarësie të Katalunjës ligji spanjoll i pengon skuadrat katalanase të luajnë në kampionatin spanjoll, janë false. Sot për sot në Spanjë ka edhe skuadra të shteteve të tjera që luajnë në kampionatet kombëtare, siç janë klubet nga Andorra të futbollit dhe basketbollit. Në Francë kemi shembullin e Monacos, ndërsa në Angli janë klubet uellsiane. Nuk mendoj se UEFA ka ndonjë gjë kundër, nëse sheh një klub të militojë në një kampionat tjetër nga ai i vendit të tij. Jemi në një situatë konflikti politik, e deri të dielën temperaturat do të rriten ndjeshëm, kështu që është e qartë se të gjithë do të përdorin argumente për të shmangur tensionet. Tebas nga ana e tij po bën fushatë për “Jo”-në, e rrjedhimisht kundër pavarësisë së Katalunjës. Ai po shfrytëzon pozicionin e tij për të provuar të frikësojë ata njerëz që janë tifozë të Barcelonës, e që mund të votojnë “po”, apo t’u thotë atyre se Barcelona nuk do të mund të luajë më me Realin e Madridit, përveçse në Champions League, duke shpresuar që ata të mos votojnë. Ai po bën fushatën e tij dhe le ta vazhdojë deri të dielën. Por, pas votimit, nëse fiton “po”-ja do të duhet të nisë negociatat, në të dyja aspektet: qoftë politike, ashtu dhe ato sportive.

GdS: Ju po thoni se vendimi se ku do të luajnë iu përket klubeve. Edhe për ju në politikë është kështu?

Figueras: Detyra e qeverisë katalanase (Generalitat de Catalunya) është të shoqërojë krah për krah shoqëritë sportive. Unë mendoj edhe për lëvizjet Olimpike, kemi përgatitur gjithçka derisa të krijohet një Komitet Olimpik Katalanas, që do të mund të sigurojë më pas njohjen nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Të mërkurën do t’i nisim një letër Tomas Bach, presidentit të IOC-së, me anë të të cilës do të informojmë mbi atë që po ndodh dhe, nëse referendumi do të sjellë rezultat pozitiv për ne, do të nisim praktikën për njohjen zyrtare të Komitetit Olimpik Katalanas. E njëjta gjë vlen edhe për federatat sportive dhe skuadrat e futbollit. Ne do t’i mbështesim për sa kohë që do të ketë dialog real, një tratativë të vërtetë. S’ka aspak dyshim se në rast shkëputjeje, periudha e ditëve të para do të ndikohet nga ndjenjat, por me kalimin e kohës do të duhet që ato të lihen mënjanë dhe të nisin procedurat praktike. Me të kaluar tensionet do të mbizotërojë arsyeja.

GdS: A keni biseduar me klubet?

Figueras: Po, por e kemi bërë me shumë kujdes. E dinë se ne po përgatisim terrenin, megjithatë gjithmonë do të respektojmë vendimet e shoqërive respektive.

GdS: Po me FIFA-n dhe UEFA-n?

Figueras: Jo, ende jo. Është e parakohshme të flasim me to.

GdS: Po atyre që flasin për hipokrizi, mes kërkesës për pavarësi dhe dëshirës për të qëndruar në La Liga, çfarë do t’iu thoshit?

Figueras: Mund edhe të kenë të drejtë, sepse gjëja më normale në rast pavarësie do të ishte që të organizonim ligën tonë katalanase, e të niseshim pikërisht nga aty për të siguruar kualifikimin në kompeticionet europiane. Por duhen pasur parasysh të gjitha skenaret, edhe ai që një skuadër si Barcelona, që bën diferencën për shkak të përmasave sportive, ekonomike e botërore, të mund të vendosë të luajë në një kampionat tjetër. Por kujdes, sepse zgjedhja e parë mund të jetë pikërisht kampionati spanjoll, por ndoshta Barça mund të zgjedhë një tjetër kampionat. Gjithçka mbetet e hapur.

GdS: Dhe sigurisht që do të krijohen edhe kombëtaret katalanase…

Figueras: Po. Për momentin në Katalunjë ka 73 federata. Nga këto, 21 janë të njohura nga organizmat ndërkombëtarë, por kemi të bëjmë me sporte me përmasa të vogla, si “boëling”, “tenisi në plazh”, “alpinizmi”. Të tjerat, 52, do të duhet të kërkojnë njohjen zyrtare nga organizmat homologe ndërkombëtare.

GdS: Çfarë do të ndodhë me futbollistët që aktualisht aktivizohen me Spanjën?

Figueras: Ne do të krijojmë një sistem përfaqësimi kombëtar ndryshe nga ai ekzistues në Spanjë. Spanjollët janë të detyruar të luajnë në kombëtare, në çdolloj sporti. Për ne do të jetë opsionale, e në çdo rast do të jenë atletët që do të mund të zgjedhin: nëse duan të luajnë ende me “La Roja”-n, në rregull; nëse preferojnë të veshin fanellën tonë do të jetë perfekte. Kjo gjë vlen edhe për emra tepër të njohur si Sergi Busquets, Gerard Pique apo Jordi Alba. Mund të zgjedhin vet ata dhe nuk do të ketë asnjë lloj raprezaljeje, përkundrazi. Ajo që do të bëjmë ne është që të mos detyrojmë askënd të zgjedhë. Kush dëshiron të ruajë dyshtetësinë, mund ta bëjë gjithashtu.

September 27, 2017 14:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*