Katalonja, nuk ka ndarje pa luftë…

October 11, 2017 18:35

Katalonja, nuk ka ndarje pa luftë…

Katalonja, teksa shpalli dje në mënyrë të njëanshme pavarësinë, do t’i jepte një mundësi dialogut me Madridin, duke pezulluar efektet e menjëhershme të saj.

Po dje, Madridi do të reagonte menjëherë, duke deklaruar se Presidenti i Katalonjës, Puigdemont nuk di se ku po shkon: “Është fjalim i dikujt që nuk di se ku është, as se ku po shkon as, se ku do të shkojë”,- deklaroi për shtyp zv. Presidentja e qeverisë qendrore, Soraya Saenz.

Sot, qeveria spanjolle e mbledhur në urgjencë, i ka kërkuar zyrtarisht ekzekutivit të Katalonjës, përmes një akti me natyrë juridike, të konfirmojë deri më dt.16 tetor, nëse ka deklaruar pavarësinë e Katalonjës. Kreu i ekzekutivit spanjoll, Mariano Rajoy, ka saktësuar gjithashtu se, kjo kërkesë bëhet në kuadër të nenit 155 të Kushtetutës, procedurë që lejon pezullimin e autonomisë së një rajoni.

Ekzekutivi në Madrid, ka në dispozicion të tij një arsenal të tërë juridik, që shkon nga pezullimi i pjesshëm, apo tërësor i autonomisë së Katalonjës, deri tek shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, që i lejon autoriteteve qendrore të marrin kontrollin e forcave të sigurisë së Katalonjës, për të frenuar zbatimin e aktit të shpalljes së pavarësisë.

Por, qeveria ka ende mjete të tjera në dispozicion. Madridi, tashmë ka marrë kontrollin e financave të rajonit në muajin shtator. Ndërkohë që shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, lejon kryerjen e veprimeve përmes dekreteve, një arrestim i Puigdemont dhe rrethit të tij të ngushtë, në kuadër të një hetimi juridik tashmë të hapur për rebelim, nuk përjashtohet.

Por, megjithatë, çdo masë drastike rrezikon të provokojë turbullira në Katalonjë.

Nacionalizëm

Do të ishte shekulli i 19-të, kur nacionalizmi katalanas do të njihte shkëlqimin e tij, në një periudhë kur lëvizje të njëjta, po krijoheshin anembanë Evropës. Por, se ndryshe nga perceptimet që ofrojnë ngjarjet e fundit në Barcelonë, në atë kohë nacionalizmi katalanas, nuk ishte sinonim i pavarësisë.

Dhe teksa analizohet konteksti historik i nacionalizmit katalanas, historianë të ndryshëm bëjnë një lidhje mes përforcimit të kërkesave nacionaliste dhe momenteve kur shteti spanjoll ndjehet i dobësuar. Dhe mbi të gjitha, në këtë kontekst fryme nacionaliste, nacionalizmi katalanas spikat, në historinë e krijimit të shtetit-komb të Spanjës, pasi ka pasur një anim, më shumë ndaj një strukture të përbërë shtetërore të natyrës federatë apo konfederatë, se sa ndaj një pavarësimi të plotë të Katalonjës.

Këtë optikë, ndan edhe historiani Mishono, tek thekson se, në atë epokë, intelektualët katalanas shikoheshin si ata, që do të çonin kombin e ri spanjoll në rrugën e modernitetit dhe se, katalanasit nuk e kanë hequr asnjëherë nga vizioni i tyre, horizontin spanjoll. Ata, kanë pasur gjithnjë shpresën se, do të jenë levat e një reforme në thellësi të Spanjës, sipas vizionit të tyre. Aspirata e tyre, sipas Mishonosë, ka qenë gjithnjë një shtet spanjoll, që sot ngjan me atë ç’ka ne sot e quajmë konfederatë. Dhe këtë objektiv katalanasit nuk e arritën dot kurrë. Por, se ata nuk kanë hequr kurrë dorë prej tij, dhe kanë shfrytëzuar gjithmonë periudhat e dobësisë së shtetit qendror, për të avancuar me objektivat e tyre politikë.

Në vitin 1868, mbretëresha Izabela e II-të, bie dhe katalanasit arrijnë të imponojnë republikën e parë spanjolle, një republikë federale. Ajo do të zgjaste vetëm një vit dhe të katër presidentët e saj, do të ishin katalanas. Bëhet fjalë për Paktin Federal të Tortosës, për krijimin e Konfederatës katalanase-aragonase, në kuadrin e shtetit republikan spanjoll.

Në vitin 1898, Spanja humb Kubën dhe Filipinet. Një ngjarje, që do të përshpejtonte strukturimin politik të nacionalizmit katalanas. Jemi në një periudhë kur katalanasit, vlerësojnë se, shteti spanjoll është i dobët, pasi ka qenë i paaftë të ruajë perandorinë e tij dhe se, ata tashmë duhet të ndërtonin shtetin e tyre. Dhe në këtë periudhë kemi edhe krijimin e partisë së parë katalanase në vitin 1901, partia konservatore Lidhja Rajonaliste.

Më pas do të ishte viti 1931, ku me rënien e monarkisë spanjolle dhe sipas kushtetutës së miratuar, Spanja do të shndërrohej në një shtet republikan, demokratik, laik dhe të decentralizuar. Në këto rrethana, pra me hapjen e mundësisë konkrete të zgjidhjes së problemeve rajonale, katalanasit formulojnë një projekt-status, që miratohet në mënyrë plebishitare në Katalonjë dhe që më pas i paraqitet qeverisë. Por, sipas historianëve De Kortazar dhe Vesga, gjërat nuk do të shkonin edhe aq lehtë në parlament, pasi protestat e fuqishme të së djathtës e të qendrës do të frynin valën emocionale, që përshkoi Spanjën, duke i dhënë rrugë një lloj kryqëzate, kundër kësaj “shpërbërje” të atdheut. Sipas dy historianëve, në mbrojtje të autonomisë katalane, kryeministri spanjoll Azanja do të mbante një prej fjalimeve të tij më të shkëlqyera, duke vënë në rrezik jetën e qeverisë së tij dhe prestigjin e vet me miratimin e statusit. Intelektuali madrilen arrin majën e karrierës së tij politike më 1932; është në krye të një qeverie që hap shkolla, nënshtron ushtarakët dhe lidh përfundimisht Katalonjën me Generalitat-in e saj të ri, pra, qeverinë e saj rajonale autonome me republikën demokratike. Dhe formula e përdorur në atë kohë, kishte të bënte me krijimin e një republike katalanase, si shtet i integruar i federatës iberike.

Tre vite më vonë, më 6 tetor 1934, Katalonja nën drejtimin e Luis Kompanis, pret marrëdhëniet me qeverinë qendrore dhe shpall shtetin katalan, brenda republikës federale spanjolle. Por, tentativa dështon. Trupat e gjeneralit Batet shtypin rebelimin me një bilanc prej 46 të vdekurish. Autonomia e rajonit pezullohet, ndërsa drejtuesi i Katalonjës, arrestohet dhe ekzekutohet më pas nga regjimi frankist (1940) dhe autonomia e rajonit pezullohet.

Në demokracinë spanjolle, që lind me vdekjen e Frankos në vitin 1975, Katalonja përfiton njësoj si tërësia e rajoneve spanjolle, një status të papërfunduar.  Kushtetuta e vitit 1978, mbi të cilin u ngrit shteti spanjoll aktualisht vlerësohet si një kushtetutë e turbullt dhe jo shumë e qartë, që nuk jep kuadër të plotë as për një centralizim dhe as një federalizim. Ndaj, ngelet si objekt i leximeve të ndryshme.

Çfarë pritet të ndodhë ?

Qasja e re ndaj kërkesës për pavarësi, risjell sërish në vëmendje, paralelizmin mes saj dhe dobësimit të shtetit qendror. Spanja, njeh prej vitesh një situatë të dobësuar ekonomike dhe sociale, nga ku nuk është kursyer as korniza demokratike e saj. Janë një sërë raportesh të të drejtave të njeriut, që theksojnë shkelje të shumta dhe një situatë aspak dinjitoze për një vend anëtar të BE-së. Situatë, që fatkeqësisht u demonstrua drejtpërsëdrejti dhe me brutalitetin policor kundrejt qytetarëve të qetë, gjatë ditës së referendumit. Por, kjo situatë, është e përgjithshme dhe prek më gjerë se, sa rajoni i katalanasve.

Në fillim të viteve 2000, autoritetet katalanase negociuan një status të ri që mundësoi thellimin e autonomisë së tyre. Por, nën iniciativën e së djathtës spanjolle, Gjykata Kushtetuese e anuloi atë pjesërisht në vitin 2010 dhe kryesisht nenet, që theksonin se Katalonja ishte një komb. Dhe katalanasit e përjetuan si një mohim të demokracisë, pasi kishin votuar pro saj dhe si një dhunim të paktit kushtetues të vitit 1978. Dhe që prej vitit 2010, kemi një situatë të ngrirë. Miliona katalanas kanë manifestuar pakënaqësinë e tyre në rrugë këto shtatë vitet e fundit, por Madridi nuk ka lëvizur nga pozicioni i tij.

Përse ky qëndrim i ashpër ?

Gjithnjë e më shumë, objektivat kanë rënë mbi sjelljen aspak elastike të qeverisë së djathtë. Ajo ka arritur ta shndërrojë kushtetutën e vendit në një “libër të shenjtë”, që nëse preket, rrezikon të rikthejë në imagjinaren kolektive, gjurmët e rënda të plagëve të luftës civile.

Por, Katalonja e shtriu dorën për dialog. E vetmja zgjidhje, do të ishte që qeveria e djathtë spanjolle, të pranonte një mundësi dialogimi, për të bërë të mundur, një tjetër lexim të kushtetutës, ndoshta më pak të centralizuar dhe më shumë federale. Por, pozicionimi i ngurtë i qeverisë duket se, nuk do të krijojë hapësirën e duhur për dialog dhe marrëveshje.

A ka mundësi që situata të përshkallëzohet ?

Në rast se, presioni që po ushtron pjesa tjetër e Spanjës do të çojë qeverinë të zbatojë nenin 155 të Kushtetutës, që bën të mundur pezullimin e statusit aktual, atëherë i hapet rruga arrestimit të presidentit të Katalonjës dhe rrethit të tij të ngushtë.

Dhe këtu, situata do të fillojë të komplikohet.

Tashmë lëvizja katalanase është përshkruar si një lëvizje, që në thelb, lidhet me klasat e mesme. Por, se klasat popullore, mund të arrijnë t’i bashkëngjiten kësaj lëvizje, pas rrezikut për përkeqësim të situatës. Dhe në përgjithësi klasat popullore katalanase, janë kryesisht të shqetësuara nga çështje të karakterit social, dhe se çështja nacionale për to, është një problematikë e rangut të dytë. Por, nëse çështja nacionale e ngritur nga klasat e mesme, do të artikulohet me çështjen sociale të ngritur nga klasat popullore atëherë do të asistojmë në krijimin e një fronti popullor. Dhe këtu, historiani Mishono vlerëson se, “Mbreti nuk mund të bëjë dot më asgjë, dhe se Spanja do të ishte e humbur!”

DITA

October 11, 2017 18:35