Katër blerje për një derë

August 15, 2019 13:30

Katër blerje për një derë

Nga Bedri Islami

-A është e përgatitur Kosova për ndryshimin e qeverisë?

Kosova, si duket, po hyn në zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme, menjëherë pas dorëheqjes së papritur të shefit të deritanishëm të qeverisë, Ramush Haradinaj. Koalicioni i drejtuesve të luftës, PDK, AAK dhe Nisma, që thënë të saktën, nuk shkëlqeu në fuqizimin e shtetit, do të mbahet mend si shansi që iu dha shokëve të vjetër, por edhe rivalëve të vjetër nga i njëjti burim, për të sendertuar shtetin e tyre, për të cilin ata kishin qenë në momente të vështira në një strukturë të përbashkët çlirimtare.

Personalisht kam patur shpresë se do të kishin bërë shumë më tepër se sa vendosja e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe apo boshnjake; kam menduar se mes tyre do të kishte një ndërlidhje më të veçantë me shtetin shqiptar, por, mbi të gjitha, me shtresat e popullsisë, të cilat ende sot janë në një gjendje jo të mirë financiare.

Kam besuar këtë, pasi, jo shumë larg në kohë, të tri forcat politike që qeverisnin, megjithëse janë shpallur të gjitha si forca të djathta, kishin dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen politike dhe votuese të asaj shtrese të popullsisë që aspiron majtas.

Tani, pas pak ditësh, megjithëse duhet të ketë synuar për të gjetur një zgjidhje të minutës së fundit, çka është në natyrën e tij politike, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të shpallë shpërndarjen e parlamentit dhe datën e zgjedhjeve të parakohshme politike, përmes të cilave mund të ketë një konfiguracion të ri politik qeverisës dhe nga të cilat, ata që drejtojnë sot , nesër mund të jenë në opozitë.

Fillimi i tetorit mund të jetë dita e përballjes politike, llogaritë e të cilave kanë filluar që tani. Partizat e vogla, pa asnjë lloj ndikimi në elektorat, por me dy a tre emra të njohur, po vrapojnë të sigurojnë një shpatull ku të mbështeten për të mbijetuar politikisht drejtuesit e tyre, ndërsa partitë e mëdha, herë haptas e herë mbyllasi, po planifikojnë koalicione të mëdha , para ose pas zgjedhore. Do të jetë njëra nga përballjet më të ashpra në Kosovën e pasluftës, pasi do të kemi një trekëndësh politik , i cili nuk ka ekzistuar asnjëherë më parë në këtë shumësi përplasjesh.

Në njërin cep do të jetë Aleanca për Ardhmrinë e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, kryeministri karizmatik i ditëve të fundit përmes dy veprimeve të gjetura politike, të cilat ndikojnë sidomos në zonat rurale, vendosja e taksës ndaj produkteve serbe dhe tërheqja nga posti i kryeministrit menjëherë sapo është thirrur nga Gjykata Speciale. Kjo e fundit, e përsëritur edhe kur ai ishte kryeministër herën e parë, sjell një dëshmi të fortë: gjithherë ai ka menduar më parë për shtetin e Kosovës e më pas për fatin e tij personal. Të paktën kështu do të konceptohet nga njerëzit që e duan atë apo që duan të shkojnë pas tij.

Në cepin tjetër do të jen VV e Albin Kurtit dhe LDK e Isë Mustafës. Të dyja në opozitë. Njëra e paprovuar dhe ka të drejtën e provës, tjetra e provuar dhe jo me shumë skandale, por as me ecuri. Një qeverisje hije që, si hyri, ashtu edhe doli.

Albin Kurti është sot drejtuesi më karizmatik i forcave politike në Kosovë. I parrahur nga breshëri i pushtetit ai ka përparësinë e premtimit, pa dhënë llogari. Më elokuent se të tjerët, i lëvizshëm në ecurinë e tij drejt njerëzve, i rrethuar nga një grup besnik që nuk e braktisi në ditët e ndarjes me ndjekësin e tij më të afërt, Molliqajn, kritikues i pareshtur i qeverisjes së Kosovë, por edhe në Shqipëri, i gatshëm për aleanca me të gjithë ata që janë kundër Thaçit, prishja me të cilin daton që nga ditët e Rambujesë , i gatshëm të bashkohet me Mustafën, të cilin e ka shembur politikisht kur ishte ky i fundit kryeministër. Në rrjedhën e përbashkët është edhe LDK-ja, drejtuesi i së cilës, përmes një statusi i rankoi të gjithë të tjerët se si ishin sjellë me të, si e kishin etiketuar, si e kishin bërë tradhtar, por dorën ua shtrin së pari VV.

Cepi i tretë janë të njohurit e vjetër, dikur anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, më pas të zemëruar, por sërish së bashku, PDK e Veselit dhe Nisma e Limës. Është e mundur një koalicion parazgjedhor mes tyre nga i cili Nisma mund të ketë më shumë se 10 deputetë, sidomos kur ka si drejtues të Grupit Parlamentar Bilall Sherifin, më i afti në mesin e tyre. PDK  vetëm përmes këtij koalicioni mund të jetë forcë e parë, por do të humbë në numrin e deputetëve të saj.

Fushata ende nuk ka filluar, data e zgjedhjeve nuk dihet ende, asnjë program nuk është shpallur, asnjë takim nuk është bërë dhe, për një post të vetëm, atë të shefit të qeverisë , synojnë katër drejtues. Si të thuash katër bejlerë për një derë.

VV , e cila synon të jetë forcë e parë politike, synon edhe shefin e qeverisë. Të gjithë drejtuesit e saj, pas Kurtit, e kanë shpallur kredon e tyre. Albini duhet të jetë kryeministër.

LDK-ja, e cila mendohet të jetë pjesë e koalicionit VV-LDK, para ose pas zgjedhor, nuk heq dorë nga posti i shefit të qeverisë. Kredo e shpallur e tyre është që kryeministri duhet të jetë i tyre dhe pikë. Kryetari i grupit parlamentar, dikur aspirant për kryeministër, i përkrahur edhe nga Lutfi Haziri, dora e fortë e LDK-së, kanë shpallur se nuk heqin dorë nga posti kryeministror dhe ky është kusht i panegociueshëm.

AAK e Ramush Haradinajt, i cili sapo hoqi dorë nga posti i kryeministrit, e ka synim që gjërat të përsëritet. Është shumë e mundshme që falë figurës karizmatike të Haradinajt, në fakt njëri nga burrat që fjalën e dhënë e ka të shenjtë, numri i atyre që duan të votojnë për të, jo thjeshtë për partinë e tij, të rritet dhe pjesëmarrja e tij në qeverinë e ardhshme të jetë e domosdoshme. Do të pranojë ai më pak se posti kryeministror – kjo do të shihet në të ardhmen. Shumë kush në Kosovë mendon se ai, nëse do të kishte hapësirë më të madhe politike, do të ishte shefi i qeverisë më aktiv. I zënë në kurthin e partive politike koalicioniste të deritashme ai lejoi që aparati të ngjishet nga njerëzit e shumtë dhe ku zëvëndësministrat të ishin si farë liri. Në VV kësaj i tremben më shumë, figurës së tashme të Haradinajt dhe kjo e detyroi një mik të tij të vjetër, Rexhep Selimin, tani në VV, që të deklaronte se “heshtja para gjykatës speciale, që kishte zgjedhur Haradinaj, ishte në dëm të Kosovës”. Ndoshta një ditë do të pyetet edhe Rexhep Selimi dhe njerëzit do të donin të dinin përgjigjet e tij.

PDK, kësaj here, përmes zërit më intelektual të saj, Enver Hoxhaj, deklaroi se nuk do të ketë më kryeministra me qira, por edhe deri tani, nga tre postet themelore, dy kanë qenë të PDK-së, ai i presidentit dhe i kryetarit të Kuvendit, që është edhe drejtues i PDK-së, zoti Veseli.

Katër ëndrra për një post. Katër bejlerë politikë në një derë qeveritare!

Ende pa filluar fushata, gjithçka po sillet rreth shefit të ardhshëm të qeverisë. Të duket sikur partitë politike në Kosovë, më shumë se për gjithçka tjetër, janë të interesuara se cila prej tyre do të ketë shefin e qeverisë, cili nga liderët do të jetë në tryezën kryesore të shtetit, përmes së cilës lëvizin tenderët, ryshfeti, emërimet, hatërllëqet, sundimi mbi ligjin, pasurimi dhe harresa ndaj të tjerëve.

A është e nevojshme që Kosova të ketë një strukturë tjetër qeverisje? A mund të vazhdohet edhe më tej përmes këtij koalicioni qeverisës, i cili, edhe pse kishte në përbrjen e tij figura të dëshmuara gjatë luftës, nuk arritën të ndërtojnë paqen?

Kosova është para dy ngjarjeve të mëdha të cilat, edhe pse duket se e përjashtojnë njëra tjetrën, takohen në qeverisjen e vendit: zgjedhjet e reja politike dhe gjykata speciale!

Gjithçka është ende në fillimin e lojës. Pritet vetëm sinjali i dhënë nga Presidenti Thaçi, veç nëse ai mund të ketë menduar diçka tjetër dhe, si zakonisht, të jetë një hap para të tjerëve.

August 15, 2019 13:30
Komento

1 Koment

  1. GeL August 15, 20:07

    Mos e besoni po deshet, por burime pjeserisht te besueshme sapo raportuan per Gojet e Liga, se e kishin kapur ne flagrance Bedriun e Partise duke nxjerre prej sendukut opingat, xhamadanin vija-vija, benevreket dhe qeleshen. Kur e pyeten per shkakun, Bedriu u shpreh se kishte ndermend te kerkonte azil politik ne Kosove.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin