Katër pamjet e ujit në fshatin N (ose një kronikë mosqeverisjeje)

Nga Kosta Barjaba September 3, 2014 07:53

Katër pamjet e ujit në fshatin N (ose një kronikë mosqeverisjeje)

Fshati N është një fshat i zakonshëm. Historia e mëposhtme është një ngjarje reale, e shtrirë në 25 vjetët e fundit. Me këtë fshat ndodh si me shumicën e fshatrave shqiptarë, të cilët Perëndia i ka bekuar dhe natyra është treguar bujare, por njerëzit dhe qeveritë jo. Fshati, si shumica e fshatrave të tjerë, shtrihet në disa kodrina të buta dhe prej çdo shtëpie të tij shfaqet një panoramë piktoreske. Por bukuria ndalet këtu.

Në fund të viteve 80-të, pas një sage thuajse shekullore, në fshatin N u ndërtua ujësjellësi. Ishte një vepër publike modeste, por fshatarëve u bëri shumë punë. Atyre nuk do t’u duhej të mbartnin më ujë të pijshëm nga periferitë e fshatit sepse tani rubinetat i kishin pranë dyerve të shtëpive. Pushteti i kohës, më në fund dëgjoi ankesat disavjeçare të banorëve dhe i dha fund bërjes së veshit të shurdhër. Disa e quajtën këtë vepër një manovër të qeverisë për të mbajtur fshatarët të lidhur pas saj, për shkak të ndryshimeve politike që ishin shfaqur në horizont. Disa të tjerë e quajtën thjesht një plotësim nevoje. Megjithatë, të gjithë e mirëpritën. Gjithsesi, ndërtimi i ujësjellësit nuk i pengoi fsharët e N të mbështesnin ndryshimet demokratike në Shqipëri dhe t’i vinin në vështirësi qeveritarët lokalë, pengues të këtyre ndryshimeve.

Pas pak vitesh, në Shqipëri ia behën ndryshimet demokratike. Ato erdhën edhe në N dhe të gjithë fshatarët i mbështetën, pa hezitim. Gjatë atyre kohëve të stuhishme, fshatin e vizituan mjaft oratorë politikë, të cilët stigmatizuan mjaft gjëra me të cilat banorët e N ishin familjarizuar prej dekadash: Kooperativat, stallat e bagëtive, shtëpinë e kulturës, të cilën banorët e N, sipas traditës së pasluftës, e quanin ende “sallë leximi”. Në këtë gjullurdi politike, sociale dhe psikologjike banorët e N bënë edhe një gabim: Duke qenë se ujësjellësi nuk funksiononte më, për shkak të pompës së prishur, disa prej tyre iu vërsulën tubave të ujësjellësit, një pjesë e të cilëve gjarpëronin të zbuluar nëpër djerrinat e fshatit, i shkëputën nga toka dhe i shpunë nëpër shtëpitë e tyre. Këtu na bëjnë më shumë punë, mendoi secili, sepse për pompën s’ka për t’u kujtuar më njeri. Dhe kështu ndodhi. Për pompën që furnizonte me ujë N nuk u kujtua më njeri. Depozita e ujit u kthye në një gërmadhë të braktisur.

Pas kësaj, në fshat pati ndodhi edhe më interesante: Fushata elektorale, vizita politikanësh, takime kandidatësh, premtime fantazmagorike. Por banorët e N, duke mos kapërdirë gabimin që kishin bërë me marrjen e pompave të ujit, në fillim hezituan të kërkonin rindërtimin e sistemit të shpërndarjes së ujit dhe riparimin e pompës. Pas disa vitesh e kapërdinë turpin me bukë dhe guxuan ta kërkojnë. Por ndërkohë, me ujësjellësin kishin ndodhur gjëra edhe më të rënda. Të frymëzuar nga vetë banorët e N që kishin marrë nëpër shtëpi tubat e shpërndarjes brenda fshatit, banorët e fshatrave fqinjë kishin grabitur të gjithë linjën prej disa kilometrash që sillte ujin nga burimi matanë malit në fshat. Kjo e vështirësonte punën e furnizimit me ujë, por banorët vazhduan të kërkonin dhe ligjëruesit vazhduan të premtonin. Prej asaj kohe, banorët e N kanë marrë pjesë në trembëdhjetë palë zgjedhje, lokale dhe parlamentare, para tyre kanë parakaluar disa dhjetra kandidatë. Gjithmonë banorët kanë kërkuar ndërtimin e ujësjellësit dhe të gjithë kandidatët e kanë premtuar atë. Por uji s’e gjeti që s’e gjeti më rrugën për në N.

Të bindur se askush nuk kishte ndër mend të merrej me ujin e tyre, dikur aty nga koha kur trokisnin zgjedhjet e dhjeta, banorët e N hoqën dorë nga kërkesat për ujësjellësin. Edhe oratorët bënë të njëjtën gjë: Ngaqë banorët nuk po e përmendnin si kërkesë, hoqën dorë edhe ata nga ky premtim. Ndërkohë, banorët e N gjetën një zgjidhje tjetër: Filluan shpimin e puseve për të nxjerrë ujë nga nëntoka. Kishin parandjenjën se Zoti do të ishte treguar bujar me nëntokën e N, por kjo parandjenjë disave u doli dhe disave jo. Fatlumët e gjetën ujin që në metrin e njëzetë, të pafatëve u duhej të shponin edhe 100 metra thellësi. Gjithsesi, duke qenë se edhe në fshatrat fqinjë qe krijuar tregu i pajisjeve të shpimit të puseve të ujit, ata përfituan dhe filluan të mendojnë secili për vete. Për më pak se dhjetë vjet, pothuajse çdo shtëpi ka shpuar pusin e saj dhe siguron ujin vetë. Ato pak familje që nuk kanë mundur ose nuk kanë dashur ta bëjnë këtë, blejnë ujë nga fqinjët e tyre. Dhe të gjithë duket se janë pajtuar me këtë zgjidhje. Por një ditë prej ditësh, kur u ulën të bëjnë llogaritë e zgjidhjes që gjetën vetë, banorët mbetën të zhgënjyer. Kostoja totale e puseve që kanë hapur secila prej familjeve e kalon disafish koston e ndërtimit të ujësjellësit. Një pjesë e mirë e parave të dërguar nga fëmijët e tyre emigrantë, përfunduan si investim për hapjen e këtyre puseve. Kjo i bëri të mendohen dhe të gjykojnë vetveten. Si nuk bëmë dot këto llagari, xhanëm? Mirë ne, gërxhot e pashkolluar, por tërë këta djem e vajza të mësuar që ka nxjerrë fshati? Si nuk doli njeri të na thoshte: O njerëz, ejani në vete, bëni llogaritë?

Epilog

Përfundimisht, përballë shurdhërisë së qeverive dhe pushteteve që kanë kaluar në fshat, banorët e N gjetën një zgjidhje. Por ajo nuk ishte më efiçientja, madje ishte më e kushtueshmja. Ata nuk mundën. Aq ditën, aq bënë. Por edhe ne nuk mund t’i gjykojmë rëndë në pamundësinë e tyre. Të gjykuarit dhe fajtorët janë, në rradhë të parë, ata që kanë qeverisur. Ishte edhe detyrë e tyre, që krahas hartimit të dhjetra strategjive të bujshme të zhvillimit qëndror dhe lokal, të sugjeronin një zgjidhje efiçiente edhe për ujësjellësin e N. Me siguri që banorët e N do të kishin pranuar bashkëndarjen e përgjegjësive financiare për një zgjidhje të leverdishme edhe për shtetin, edhe për ata vetë. Por qeveritarët qëndrorë dhe lokalë munguan. Mungesa e tyre i detyroi banorët të gjenin një zgjidhje të kushtueshme dhe jo aq të mënçur, sa janë ata vetë. Por banorët e N nuk qenë të vetëm në këtë kronikë keqqeverisjeje. Sa e sa fshatra e fshatarë kanë pasur të njëjtin fat? Sepse qeverisësit e kanë për detyrë që përveç punëve të tjera të mëdha që bëjnë, të venë në lëvizje edhe mënçurinë e të qeverisurve dhe t’i orientojnë ata drejt zgjidhjeve efiçiente dhe produktive. Për ndryshe, kronikat e qeverisjes katandisen në kronika mosqeverisjeje. Githashtu, gjatë njëzetë vjetëve të fundit, N ka nxjerrë dy deputetë, një zëvëndësministër, trembëdhjetë drejtorë qëndrorë dhe lokalë, dy akademikë, tre diplomatë, dymbëdhjetë inxhinierë. Por askush prej tyre nuk kontriboi që bashkëfshatarët të bënin një investim më inteligjent për furnizmin me ujë të vendlindjes së tyre. U kujtuan për këtë vitet e fundit, kur disa prej tyre kërkojnë të ndërtojnë shtëpi verore në N

Nga Kosta Barjaba September 3, 2014 07:53
Komento

3 Komente

  1. Albi September 3, 12:38

    i bukur tregimi, e trishtuar historia, por mjaft vazhduat t’i trajtoni politikanet sikur jane qenie qe nuk kane te bejne me ne, por na kane ardhur nga kozmosi. ata politikane jane pjelle e ketij populli, e po te mos ishin ata, do ishin ca te tjere identike si puna e tyre

    Reply to this comment
  2. illo September 3, 13:37

    Tregim I goditur , per nje nga pasurite me te medha te kombit : Ujin . Ka nje tjeter ngjarje me ujin , me te shemtuar se kjo . Ne ish fermen Lukove , u ndertua ujsllesi , qe sillte ujin nga Tatzati , per te ujitur plantacjonet e Lukoves dhe do te shkonte dhe ne Ksamil . Ka kushtuar dhjetra million $ , duke marre parasysh , qe u ca mali tejpertej . Ishte nje nga investimet ujore me madheshtore , qe ka njohur historia e kombit . Mbas 1990 , si u braktisen plantacionet dhe u kthyen ne ferrishte , u braktis dhe ujsjellsi . Me von , poshtersia u thellua . Uji I ujsjellsit u devijua , drejt nje rrepire , per te ndertuar nje mikrohidrocentral dhe derdhet ne det , pa kryer asnje funksion . Ky investim gjigant u vu ne sherbim te nje privati . Uji ka vlere baraz me naften , por ka 23 vite , qe trajtohet me pak se mbeturine .Nje studim teresor I ujrave te vendit , do te befasoi dhe reptile . I. Foto

    Reply to this comment
  3. Plaku i mocem September 4, 09:14

    ‘Me siguri që banorët e N do të kishin pranuar bashkëndarjen e përgjegjësive financiare për një zgjidhje të leverdishme edhe për shtetin, edhe për ata vetë”
    Z.Kosta,vetem ketu e ke prishur.A thua do te pranonin fshataret bashkendarje financiare?Mezallah!Une di se c’kam hequr per ti bere bashke keshilltaret e nje komune per rikonstruksionin e ujsejellsit te tyre me fonde dhurate nga nje fondacion i huaj.Ata akuzonin njeri tjetrin se kush e prishi ujsjellsin ne 97-en.Dhe duke akuzuar njeri tjetrin per pak e dogjen fondin.Mirop ka akoma!Sa filloi puna u vursulen kush e kush te vidhnin,ku kryesori ishte kryetari I keshillit te rrethiu futen dhe fshateret…perseri mbeten pa uje.Kishin qejf qe ujin ta merrnin ujin me gomar apo ne kurriz ne nje malore nja 300 metra.
    I nderuar Kosta! E bujura e shkrimit tuaj eshte emri qe i keni vene fshatit,pra fshati “N”,nje gjetje e bukur dhe shume kuptimshe.Kur te vij ne Tirane do ta pijme nje kafe per te ta treguar te gjith historine qe sapo e ceka me siper.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*