Katharine Hepburn, aktorja e parë me pantallona

July 1, 2013 09:02

Katharine Hepburn, aktorja e parë me pantallona

Më 29 qershor të dhjetë viteve më parë, të gjitha dritat e “Broadway”-t u fikën për një orë: atë ditë kishte ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare, Katharine Hepburn, aktorja rebele, antikonformiste, ndoshta diva më e madhe e kohëve të arta të kinematografisë amerikane, popullariteti i së cilës nuk ishte i lidhur me idealin e bukurisë kanonike

E gjithanshme e me një zë të pangatërrueshëm, Katharine Hepburn mbetet aktorja që ka fituar numrin më të madh të çmimeve “Oscar” në historinë e filmit: 4 nga 12 nominime të tilla, duke hyrë në imagjinatën e publikut si gruaja e pavarur dhe rebele në art njësoj si në jetë. Sakrifikoi për të arritur suksesin në një epokë kur në kinema, ashtu si dhe në shoqëri, gratë ishin thellësisht të nënshtruara ndaj burrave dhe rolet që iu jepeshin përfaqësonin statusin e tyre. Në një nga intervistat e pakta që dha gjatë karrierës së saj (në vitin 1991 për “ABC”) rrëfeu se kishte sakrifikuar jetën private “duke jetuar si burrë”.

Lindi në Hartford (12 maj 1907), në një shtëpi ku diskutohej mbi çështje që në atë epokë konsideroheshin skandaloze: babai i saj urolog, ishte një mbështetës i bindur i kontrollit të lindjeve dhe nevojës për të informuar njerëzit mbi sëmundjet seksuale, ndërsa e ëma një feministe e flaktë. Katharine ishte mashkullore dhe sigurisht jo bukuroshja klasike amerikane: kur mbërriti në Hollywood në vitin 1932, drejtuesit e kompanisë së filmave “RKO” e përshkruan si një “hibrid midis kalit dhe majmunit”, por në të

_04njëjtin vit i dhanë rolin përkrah George Cukor, në filmin “Ethe për të jetuar” (i pari i karrierës së saj). Imcake, e gjatë, joshëse sipas mënyrës së saj: vishte gjithnjë pantallona; e paparashikueshme dhe e padurueshme,  në vitet ’30 etiketohej si “arrogantja Katharine”.

Ndonëse filmat e saj nuk fitonin mjaftueshëm, në vitin 1933 ajo arriti të fitojë “Oscar”-in e parë me filmin e tretë të karrierës së saj, “Lavdia e mëngjesit”, dhe në vitin 1938 interpretoi në një nga komeditë më të bukura të historisë “Susanna” bashkë me të madhin Cary Grant. Në vitet ’40, kur roli i gruas filloi të njihej në shoqërinë amerikane, Hepburn imponoi modelin e saj, duke u shfaqur hapur kundër “gjuetisë së shtrigave” në botën e kinemasë (e promovuar nga senatorët antikomunistë) dhe duke rrezikuar të procesohej për aktivitet antiamerikan.Pasi “RKO” prishi kontratat me të për shkak të karakterit të papërmbajtshëm, në vitin 1940 ajo arriti suksesin më të madh në rolin e trashëgimtares së llastuar Tracy Lord, në filmin “Skandali”, një interpretim brilant në krah të Cary Grant dhe James Stewart.Dy vite më vonë u njoh me Spencer Tracy në sheshxhirimin e filmit “Gruaja e ditës”. Ai ishte i martuar dhe nuk u divorcua kurrë për arsye fetare, ndërsa ajo pasi ishte divorcuar më 1934-ën kishte vendosur të mos martohej më. Nisën një marrëdhënie të gjatë e të fortë si në jetën personale dhe në punë: bashkëpunuan në 9 filma, midis të cilëve: “Deti prej bari”, “brinja e Adamit” dhe filmi i fundit i cili mbeti në memorien botërore: “Kush vjen për darkë?”. Me këtë film fitoi “Oscar”-in e dytë, ndërsa të tjerët mbërritën në jetën e saj në vitin 1968 me “Luani i dimrit” dhe në vitin 1981 me filmin “Në liqenin e artë”.

“Nuk kam frikë nga vdekja. Duhet të jetë e mrekullueshme, si një ëndërr e gjatë!”, shprehej dikur ikona e skalitur në historinë e kinemasë së ‘900-ës./ Dorina Gjuzi 

Katharine Hepburn e Cary Grant

 

July 1, 2013 09:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*