Kauza e fshatit dhe vota e 21 qershorit

Illo Foto June 11, 2015 11:18

Kauza e fshatit dhe vota e 21 qershorit

Vota fshatare ka qenë dhe mbetet vendimtare për çdo mazhorancë që qeveris në Shqipëri. Në fshatin ballkanas, shqiptarët nuk janë shquar si të përparuar dhe nuk mund të ishte ndryshe, deri sa shteti fitoi i fundit pavarësinë. Me prapambetjen fshatare është abuzuar. Ajo ka mbetur shtresa më e pa shkolluar dhe më e varfër, megjithëse shumica dërrmuese e drejtuesve politikë dhe e dijetarëve janë me origjinë fshatare, siç është dhe vetë fshati, origjina e qytetit. Prapambetja e fshatit ka ndodhur nga mungesa e infrastrukturës, mjetet e komunikimit dhe varfëria.

Prapambetja e një vendi është përcaktuar dhe vijon të përcaktohet nga % e popullsisë që banon dhe punon në fshat. Kjo përqindje, në vendin tonë ka lëvizur nga 80%, deri 40%, që besohet të jetë sot (censusi e përcaktoi 47%, por disa e bojkotuan censusin. Hulumtimet të çojnë te 40 përqindshi). Në vendet me bujqësi të zhvilluar kjo përqindje ka zbritur 10-2% të popullsisë banuese.

Bujqësia dhe fshati, kanë nevojë të përhershme për ndihmën direkte të shtetit, për të rregulluar infrastrukturën jetësore dhe bujqësore. Cila është infrastruktura bujqësore? Janë një sërë veprash dhe operacionesh, që mund të përmblidhen: Kullimi, ujitja, rrugët, depot, shkenca, subvencionet, tregjet, balancimet e bashkëpunimit tregtar etj. A i ka kryer shteti shqiptar i tranzicionit këto detyra ndaj fshatit? Në shumicën e rasteve, Jo!

Në këto 25 vjet bujqësia shqiptare nuk ka mundur të shërojë plagët e shkaktuara nga furia shkatërruese infrastrukturore e ndërrimit të sistemeve. Nuk bëhet fjalë për asnjë progres, deri sa nuk realizohet alfa e alfabetit bujqësor: mbjellja e tokës. Mbi 200 mijë ha tokë vijojnë të mbeten djerrë. Këtë plagë nuk e ka shëruar, as i është afruar asnjë nga qeveritë e tranzicionit. Problemi vijon të mahiset. Ndaj këtij problemi kanë protestuar me metoda të ndryshme, fshatare, specialistë, shkencëtarë, që arriti kulmin kur profesorët dhe doktorët e shkencave dogjën diplomat përpara Ministrisë kur ministronte Genc Ruli.

Qeveria paraardhëse nuk u merakos kurrë pse nuk mbillet e gjithë toka. Besohej se fshatarësia do të përgjigjej me votë. Kjo ndodhi. Fshatarësia, me votën e saj e largoi nga qeverisja të ashtuquajturën të djathtën koalicioni i majtë, e meritoi votën fshatare të 23 Qershorit. U ndëshkuan qeveritë e të dy krahëve, për braktisjen e fshatit dhe të bujqësisë, për një çerekshekulli. Fshatari u ndërgjegjësua për vlerën dhe peshën e votës së tij. Pesha e ekonomisë fshatare në tërësi dhe forca transformuese e votës fshatare, janë të mirënjohura. Këtë realitet e njeh çdo politikan dhe çdo sharlatan në botë, por qasja është e ndryshme, deri në tragjike.

Premtimet e partive politike të pas vitit 1990 për “lulëzimin e fshatit”, mbetën zgjatime të politikës bolshevike të “fshatit kolektiv” dhe aktualisht, kemi një fshatarësi që nuk ka aftësi as të punojë tokën dhe as të mbajë veten, por kërcënohet nga varfëria, qe në jo pak raste, është e tejskajshme.

Politikat bujqësore post komuniste kanë qenë dhe mbeten inekzistente. Shkatërrimi i ekonomisë fshatare besohet të jetë vijim i porosive të Katovicës në bujqësinë shqiptare. Ky skenar e dha efektin.

Këto dy vite të qeverisjes së majtë, vihet re se për mjedisin po bëhet gjëja e duhur. Është evidentuar saktë gjendja e trashëguar dhe po punohet për shëndoshjen e mjedisit me të tëra mënyrat e mundshme. Një ndër masat më të efektshme ishte dhe ndalimi i gjuetisë dhe shumë masa të tjera, që premtojnë se gjendja do të ndryshojë në sensin e duhur. Kohët e fundit Ministria e Mjedisit kërkoi zyrtarisht kompensimin e tokës mjedisore që kanë zënë HEC-et e dhëna me koncesion. Më bëri përshtypje fakti që tokën e kërkojnë në natyrë, për të krijuar pyll dhe kullotë, siç ka qenë, jo kompensim. Janë këto veprimtari praktike që këtë Ministri, e konsideroj me këmbë në tokë.

Me bujqësinë, çështja është krejt ndryshe. Jo vetëm që askush nuk di saktë cila ishte gjendja e bujqësisë, në momentin kur e mori pushtetin kjo mazhorancë, por s’ka dhe nuk mund të ketë një plan rehabilitimi të rrjetit ujor sipërfaqësor, me studim të hollësishëm. Ruhet me fanatizëm statuskuoja e tokës së papunuar. Çdo vit, pa u shqetësuar askush, mbi 200 mijë ha tokë e kadastruar nuk po mbillet dhe kjo situatë quhet normale. Bujqësia ka mbetur ajo që la Lufter Xhuveli, jo vetëm si veprimtari, por dhe si metodë.

Ish-komunat imituan në formë ish-kooperativat bujqësore. E ashtuquajtura autonomi pushteti, krijoi kushtet për një lloj korrupsioni të ligjëruar. Ato pak fonde, kanalizoheshin me tendera korruptive në rrethin e ngushtë miqësor të ish-kryetarit. Ish-komunat u zhvilluan si forma piramidale të pushtetit në fshat. Aktualisht nuk gjen një ish-kryetar komune dhe rrethin e tij të ngushtë të vuajë jo nga varfëria, por as të jetë në gjendje të krahasueshme me fermerët e pasur. Është krijuar një shtresë e pasur fshatare, ndoshta 3%, me prejardhje nga nëpunësit e administratës publike. Pjesa më e guximshme e kësaj shtrese e kundërshtuan hapur reformën territoriale, duke u mbështetur në faktin e stisur se largohet pushteti nga baza.

Zhvillimi i qyteteve, herë për mirë, herë për keq, ka njohur një progres. Ka krijuar një traditë. Zhvillimi i fshatit ka qenë dhe mbeti traumatik. Një bashki e madhe ka mundësi financiare më shumë për investime, si dhe fuqi menaxhuese dhe kontrolluese. Fshatari nuk kërkon që Kryebashkiaku të bjeri në nivelin e fermerit, por puna e tij t’i paraprijë bujqësisë së bashkisë me politika progresive dhe investime. Në këtë vështrim, kam besim se ndarja e re administrative do të jetë me efektive, për zhvillimin e fshatit dhe të bujqësisë.

Kam një sugjerim për kryebashkiakët që do të zgjidhen. Të mos mbeten rob të trotuareve, lulishteve dhe tregjeve të qyteteve. Këto janë punë që i bëjnë më mirë specialistët përkatës. Preokupimi i një kryebashkiaku, lipset të jetë mbarëvajtja e bujqësisë dhe bujqësia fillon nga toka, dhe selitja e saj. Të tjerat janë derivat i tokës së punuar ose mos punuar. Mos ndiqni shembullin e ministrave të bujqësisë që nuk janë marrë me tokën, për çerek shekulli.

Në pamje të parë ndjekja e problemeve bujqësore nga kryebashkiakë që nuk njohin bujqësinë, duket e frikshme, por nuk është fare kështu. Titullari bashkiak duhet të ndjekë evidencat në dy drejtime: Sa tokë nuk mbillet dhe pse dhe sa nga toka e lënë për foragjere nuk ka numrin e bimëve për hektar. Problemet e tjera të rutinës janë me qindra, por ato i zgjidhin më mirë specialistët dhe fermerët, se sa kryebashkiaku, që e ka kohën të kufizuar. Nëpërmjet këtyre shifrave ndërtohet historia bujqësore e bashkisë. Natyrisht kryebashkiaku nuk është i deleguar. Ai merr përgjegjësinë kryesore të mos mbarëvajtjeve të punës, që fillojnë nga mos shfrytëzimi i tokës bujqësore.

Toka edhe me lule të mbillet i shërben njerëzimit, kur nuk mbillet, nuk dihet kuja i shërben.

Tregu është spontan, jo bujqësia. Bujqësia kërkon politika zhvillimore të sakta, që vijojnë t’i mungojnë Ministrisë aktuale të Bujqësisë.

Vota fshatare duhet të shkojë te kryebashkiaku, që pretendon se do të ngrejë bujqësinë në stadin që i kërkon koha. Jeta ka vërtetuar se vota fshatare ka qenë pak e orientuar dhe është përdorur edhe për manipulime. Kjo situatë nuk është në interes të bujqësisë dhe të vetë fshatarit që voton. Nuk i lejohet fshatarësisë të vendosin me votën e tyre në karriget e pushtetit vendor njerëz parazitë dhe të prirur drejt injorimit të bujqësisë, që në këto vite të tranzicionit, kanë qenë shumica e pushtetarëve dhe administratorëve.

Votuesit janë subjekt dhe objekt i varfërisë. Me një fshat të rrënuar, varfëria do të vijë duke u thelluar. Kushtetuta ju ka dhënë mundësi fshatarëve ta marrin në dorë fatin e tyre të jetesës. Të njëjtën mundësi u jep dhe kryebashkiakëve. Për të mundësuar rikandidimin, lipset të mbështeten te bizneset prodhuese, që udhëhiqen nga bujqësia. Mos u vononi të shporrni nga kolltukët e pushtetit njerëzit që nuk kryejnë detyrën me cilësi dhe ndershmërisht. Shkulni ata me votë, ose me protesta demokratike. Pushteti është i votuesve!

 

Illo Foto June 11, 2015 11:18
Komento

2 Komente

  1. niazi June 11, 13:58

    Illo,
    Per fat te keq Ministria e Bujqesise eshte kthyer ne nje vend ku militojne njerez te paafte !Dhe me i paafte eshte ministri i Bujqesise qe ka marre persiper per ta menaxhuar dhe mireqeverisur kete ministri kaq te rendesishme !Por , Gjerat “me te mira” qe beri ky minister jane ato qe na tregoi se si zbulohet djathi i fallsifikuar apo se si qumeshti yne “nuk kishte ” aflatoksina” si dhe na mbushi mendjen se domatet dhe trangujt nuk behen me me Hormone ! Keto vertetohen fare lehte po dole sot ne treg ku do gjesh plot djathe me nisheshte , domate me hormone dhe qumesht direkt nga stalla !
    Sinqerisht kjo ministri eshte bere sot per te qare por edhe per te qeshur ! Ka me shume se 11 vjet qe eshte nen monitorimin e BE per te hapur eksportin e mishit, vezeve dhe midhjeve pas kerkeses se bere ne vitin 2004 nga ish ministri Agron Duka ! Ku jemi ? Pasi PD shkaterroi zemren e kesaj ministrie : Sherbimin Veterinar ! E keqja eshte se akoma sot e kesaj dite askush nuk mund te thote se cfare u be me ato projekte miliona euro qe BE i dha Shqiperise per te ngritur sistemin e mbikqyrjes dhe per ta bere ate funksional , pra identifikimin , matrikullimin dhe rregjistrimin e kafsheve – lope dhe te imta ?
    Por me e bukura zoti Illo ka ndodhur kete vit : Per kafshet e majmerise eshte hequr TVSH-ja dhe kafshet e rraces e kane ? Nje qoke per kliente te Panaritit ? kush e di …Po AKU ? Ne krye nje ushtarak qe i mesoi specialistet te zberthenin “kallashin ” dhe qe na mbron shendetin…

    Reply to this comment
  2. Ardenica June 11, 19:09

    URIME PWR SHKRIMN ZOTI ILLO. SAKTW DHE NDJESHWM.
    BUJQWSIA SHQIPTARE, TURP I GJITHW QEVERIVE POS KOMUNISTE.
    SHQIPWRIA SABOTOHET PIKWRISHT PWRMES BUJQWSISW E CILA REALIZON MBIJJETESWN E PJESWS DERMUESE TW POPULLIT.

    MILITANTIZMI DHE AMATORIZMI-SHKATWRRUAN GJITHCKA
    . MINISTRAT E BUJQWSISW DHE ZEVENDWSIT E TYRE MILITANTW NGA VERIU A THUA SE DREJTOJNW NDWRMARRJEN E VJELJES SW GWSHTENJAVE…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim