Kauza e munguar e një “revolucioni”

February 16, 2019 16:58

Kauza e munguar e një “revolucioni”

Nga Leonard Veizi 

A ka ardhur koha për revolucion? A mund të jetë një protestë “madhështore” prologu i një lëvizjeje Çartiste apo si ajo e marrjes së Bastijes”…?

Jo, or jo. Nuk ka vend për aludime të këtij karakteri superior. Se nuk para thithim nga ajo anë.

Ne si popull mund të luftojmë kaçakëshe, por jo të bëjmë revolucione ku të merret Kryeministria si dikur Bastija.

“Do hosten bualli, po pickime pleshti”.

Kjo batutë filmi m’u kujtua teksa po ndiqja qetësisht në ditën e parë të fundjavës, një protestë popullore në bulevardin e madh të Tiranës, pikërisht atje ku prej 77 vitesh qëndron godina e Këshillit të Ministrave, ngritur dhe përuruar prej pushtuesve italianë në Luftën e Dytë Botërore.

“Po me urën ç’patën, xhanëm”?

Kjo është batuta e dytë filmi që më vinte ndër mend, kur shihja nga ekrani 42-polësh HD e me dekoder, ca rob që po kacavirreshin për ta bërë godinën ku ministrat marrin vendimet e rëndësishme për popullin, në mos pluhur e hi, të paktën të arrinin t’i shkulnin ndonjë pllakë mermeri.

Epo kur të erren sytë nuk pyet për mure e për tulla. Yxhym përpara.

Që te jem realist deri në fund, as që kisha ndërmend ta ndiqja zhvillimin e protestës as në televizor e as në radio, por nuk e di se si një kanal informativ, kur e lëviz pultin më shumë se sa duhet, m’u fanit para sysh e mbeti aty.

Tani do të ngrihen ca e ca e do thonë se nuk paskam frymën e revoltës dhe as të bashkëpunimit.

E pranoj, jam ca indiferent.

Ç’është e vërteta, unë nuk është se mbahem për pjesëmarrje në protesta me hu në dorë, për përleshje trup më trup  në “taekwondo”, apo për rrahje të policëve të paarmatosur me rripin e pantallonave.

Nga një analizë e shkurtër dhe e pa thelluar, duke i thirrur kujtesës dhe për gjithfarë lajmesh kanë qarkulluar prej kohësh, arrita në përfundimin që mund ta them me fare pak fjalë: protesta nuk kishte KAUZË. Domethënë… për ta sqaruar më mirë: nuk kishte KAUZË. Nuk e di në më kuptuat, por nuk arrij ta sqaroj dot më mirë se kaq. Shkurt, mungonte gjëja më kryesore: KAUZA.

Që të mos futemi në qorrsokak; KAUZA, nuk është emër njeriu.

Dhe si e tillë, – pra në mungesë të kauzës – protesta “madhështore” ishte e destinuar të dështonte që para se më trimat e turmës të prishnin një instilacion përrallash apo të hipnin mbi platformën elektronikë të dritave që Rama ka vendosur për qejf të vet në hyrje të Kryeministrisë.

Kur them nuk kishte KAUZË, nuk besoj se ndonjë komentues anonim do të më mbushë mendjen për të kundërtën. Sepse, edhe pse qeveria është e zhytur në korrupsion, nuk besoj se besoni që protesta bëhej vërtet në përpjekjen e pazakontë për ta zhdukur këtë korrupsion, nga ata që ishin po aq të korruptuar kur ishin vet në pushtet. Se kësaj i thonë që hajduti thërret: kapeni hajdutin! Dhe këtë modë e njohin mirë politikanët tanë, herë qeveritarë e herë në opozitë, sipas rastit.

Tani, më mirë se ne, drejtuesit e protestës e dinë qëllimin e vërtetë se përse zhvillohej kjo protestë, për të cilën angazhuan shumë shqiptarë, që ta bënin punë ditën e pushimit. Ka dhe plot nga ne të tjerët që bëjmë sikur e dimë, mbase jo aq mirë, por i afrohemi disi, motiveve të vërteta të zhvillimit të “protestës madhështore”.

Dhe në dukje të saj, në këtë protestë, protestuesit as që e dinin se çfarë duhet të bënin, të sulmonin me krahëmarrje, apo në “formë pyke”.

Sepse, kush nuk e di ta mësojë, se kauzat e vërteta kthehen në revolucion. Dhe revolucioni e merr mbarë kryeministrinë me themel dhe të gjitha godinat e tjera qeveritare. Ndërsa “protesta madhështore” e opozitës nisi me zbrazje fishekzjarrësh e thyerje xhamash dhe përfundoi tek pjata e fasuleve në tryezën e varfër, ku secili protestues u ul të hante një çapë buke pas qëndrimit 5-6 orë në këmbë te bulevardi.

Për më tepër, një “protestë madhështore” me pjesëmarrjen e të papunëve, muratorëve, karpentierëve, e teknikëve të lavatriçeve, nuk arrinte të merrte vlerën e duhur nga kundërvënia që i bëhej ca më tutje prej një “mitingu madhështor” me pjesëmarrjen e zgjeruar të nëpunësve të shtetit, drejtorëve e shefave të departamenteve si dhe asistenteve të tyre.

Kjo performancë, – e protestës dhe e mitingut bashkë – hyn tek estradat, madje afrohet më shumë si një “kabare show”, badjava.

Dhe është krejtësisht qesharake kur doktori e doktoresha deklarojnë se janë të mërzitur me qeverisjen e Ramës, vetë shefi i qeverisë pëllet me megafon nga 150 kilometra larg, ndërsa kreu i shtetit prej dritares së Presidencës bën thirrje për qetësi.

Protesta “madhështore” e opozitës, që angazhoi jo pak shqiptarë vërtet të mërzitur nga qeverisja e Rilindjes, doli si një flluskë sapuni. U thyen ca xhama dhe u prish një “kërpudhë”, që na i pat dhuruar një artist më famë ndërkombëtare.

Dhe kaq…

…takohemi të enjten…

 

v.l. Dita

February 16, 2019 16:58
Komento

3 Komente

  1. Tartufi February 16, 16:47

    Me vjen mire ,qe dhe te kjo gazete [ pacaure e djeshme ]
    ka ngecur keq ,per te thene ate qe duhet te thuhet tamam . Nga nje kalbesire e madhe e te djeshmes komuniste , me ndergjegje te kalbezuar ,nuk mund te dalin filiza te nje peme te shendoshe e gjithe kokra .

    Reply to this comment
  2. Toni February 16, 17:14

    Super

    Reply to this comment
  3. Zgalem February 16, 18:54

    Proteste e denatyruar
    Protestat e shendoshin demokracine , por vetem kur jane natyrale . Natyrale quhet protesta , kur behet e pa lajmeruar , me date , me skenar , me transporte te shtrenjta falas .Protesta reale , e ka programin , brenda shpirtit, pa patur nevoje , per shtabe dhe fjalime .
    Protestat me lajmerime , jane te zakonshme , vetem ne shqiperi . Kjo eshte shume e kushtushme dhe s’ka si te jete e fryteshme . E ndoqa te tere procesin “revolucionar “ nen drejtimin e opozites se bashkuar , sic dekllamohej ne disa parrulla, qe mbaniun protestusit . Me then e te drejten , Albin Kurtin nuk e pashe . Ka preferuar rolin e suflerit .
    Pjesmarria tregonte , se ka disa te pa kenaqur ne Shqiperi dhe kjo pakenaqesi , mund te permblidhet , ndoshta ne 50 mije veta , qe besoj une se ishte pjesmarria . Po thuaj te tere imitonin Lulzimin , dhe mbanin dy gishtat lart , si gershere . Mu kujtuan tubimet , qe organizonte Azem Hajdari .Kyj parafytyrim , mu perforcua , kur filluan vandalizmat ndaj godines se Kryeministrise , shkaterrimi i bulevardit , lulishtes , gjithcka , qe u delte perpara .
    Te pa kenaqur ka pasur dhe do te kete , disa me arsye , disa pa arsye , por thjesht per hobi . Reformat kane krijuar pakenaqesi , sepse reforma eshte dhembje shoqerore . Te pa kenaqur krijoi reforma e universiteteve fantazme , e energjise , territoriele , ndertusit e pa ligjshem . Me beri pershtypje , qe grupi i zjarrit , qe qellonte me gure dhe mjete te forta ishte i perber nga te rinj , besoj 15- 20 vjec . Me siguri do te jene kontigjenti i analfabeteve , qe krijoi tranzicioni . Pune per keta ka boll , por nuk e njofin kete emer , preferojne te behen kengetare .
    Shtabi operativ ishte i perbere nga Luli , Mediu , Gazmendi dhe Paloka . Dera e kryeministrise ishte objekti i goditjes . Mbase kishte dhe kuptimin sinjifikativ , se dera duhej te hapej solemnisht dhe te shugurohej Kryeministri i endrrave , Lulzimi . Kjo opozite , nuk e njef as punen , as Shqiperine , sepse e ka permbysur 3 here nga themeli . Nuk ka si te njifet nje vend I permbysur .
    Policia , qe kemi pare , ka paraqitje perendimore , ne kuptimin e plote te fjales , por u tregua me e bute sa duhet. U lejuan protestusi te shkaterronin , ne vend , qe te ishin ne burg , sa te dallohej se vinin doren mbi pasuri . Te isha polic do perleshesha me ata dhunus mercenare .
    Luli paska urdheruar te mblidhen te enjten analfbetet e rinj , qe turperojne , jo Shqiperine , por Ballkanin . Luli , sido qofte , Hollanden e ka te siguruar . Shqiperia eshte e shqiptarve . Genjeshtrat dhe trillimet kane nje kufi , qe eshte tejkaluar edhe sot , me protesten marionete te programuar ne SHQUP. Metoda te tjera , per te synuar pushtetin , jane institucionale . Zgalem

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim