Durrës, këneta kthehet si dikur: një bombë ekologjike

Mark Brunga May 18, 2014 08:41

Durrës, këneta kthehet si dikur: një bombë ekologjike

Këto ditë që problem i ndotjes së liqenit të Fierzës është në qendër të vëmendjes mediatike dhe shtetërore, kur udhëton nëpër periferinë e Durrësit, vëren se problematika e ndotjes së Fierzës është mjaft aktuale edhe për qytetin bregdetar. Atje vëren se kallamishtet kanë rikthyer Kënetën e dikurshme, ndërsa mes zonave të gjelbra shfaqen ishujt e mbeturinave plastike dhe inerteve. Era e pakëndshme të bezdis tashmë, pasi ka filluar të nxehet edhe koha. Po megjithëse koha ka qenë e thatë, kanalet janë të tejmbushura me ujë. Në 3 raste konstatojmë se ujërat kanë dalë nga kanalet dhe kanë mbushur rrugët, ndonjëra prej të cilave ka qenë dikur edhe e asfaltuar dhe tashmë është kthyer në kanal nga më të zakonshmit.

 

Ish-Këneta kthehet kënetë

Nikolle Prenga

Nikolle Prenga

Në të gjithë territorin informal të zonës së ish-Kënetës së Durrësit dhe rrethinat deri në Spitallë, jeton një komunitet i madh prej afërsisht 108 mijë banorësh të ardhur nga zona të ndryshme të vendit. Ndërsa vetëm në ish-Kënetë popullsia përbëhet në rreth 60 mijë banorë. Në infrastrukturën e zonës shikohet me sy të lirë se megjithë investimet e bëra, shumë prej tyre kanë rezultuar pa efektivitet. Dhe kjo e ka rënduar gjendjen çdo ditë e më shumë. Fillimisht menduam se një nga zonat më skandaloze është rruga “Mynyr Dobi”, në qendër të këtij komuniteti, e cila nga rrugë e projektuar, që përbën një investim të dështuar, është kthyer në një kanal ujërash të zeza, në të cilën kalojnë edhe tubacionet e Ujësjellësit, duke rrezikuar shëndetin e popullsisë. Nikollë Prenga, drejtori Ekzekutiv i Shoqatës “Jeta e Re”, që operon në këtë zonë, thekson se në ketë gjendje janë rreth 137 km rrugë të brendshme që bashkëshoqërohen me kanalet e ndotura. Po në një situatë të rënduar janë kryesisht rreth 70 km kanalizime, të cilat janë realisht të tejmbushura me ujëra të zeza që qarkullojnë në natyrë. Ujërat kanë mbushur kanalet dhe nuk lëvizin. Disa banorë thanë se kanalet ka ndodhur që janë bllokuar për shkak të tubacioneve tek urat që janë me diametër të ngushtë, dëme të shkaktuara nga ndërhyrjet jo profesionale të banorëve, që tregon dhe anarkinë e zhvillimit.

 

Sëmundjet prekin banorët

“Duke qenë ujërat nën efektet e ndotjes së vazhdueshme, rreth 65 % e popullsisë së zonë së Kënetës ka frekuentuar spitalin”, thotë Nikollë Prenga. Ai tregon me duar disa rrugë, të cilat vërehen me sy të lirë se kanë filluar të humbasin asfaltin dhe gropat e reja kanë filluar që të jenë kërcënim për gomat e mjeteve që kalojnë nëpër to. Madje ka shumë rrugë që nuk kanë as asfalt dhe që të sjellin në vëmendje rrugët e dikurshme të kooperativave bujqësore, mbi të cilat kalonin çdo ditë traktorët me zinxhirë. Rreth 87 për qind e rrugëve të komunitetit janë të pashtruara, thotë një studim i vitit të shkuar i kësaj shoqate jofitimprurëse. Nëpërmes zonave shfaqen kanalet e famshme të mbushura me ujëra të të gjitha llojeve, duke filluar nga ujërat e bardha dhe të zeza dhe mbi to pluskojnë si për të mbuluar pamjen, ngjyrat e detergjenteve të përdorura për larjet në lavatriçe. Kur ka fluks ujërash mbushen dhe pusetat e ujërave të zeza, ose të gropave septike dhe atëherë mbushen kanalet. Më pas ujërat e kanaleve derdhen nëpër oborre dhe deri në banesa, duke rikthyer në to edhe ujërat e zeza. Në këto kanale shihen me sy të lirë edhe tubacionet prej plastike nga ku furnizohen me ujë të pijshëm banorët. Merret me mend lehtë se si janë kushtet higjienike.

 

Banorët apelojnë

Ibrahim Selmani, banor prej shumë vitesh në këtë zonë, thotë se ai nuk arrin që të kuptojë se çfarë turizmi promovohet në këtë zonë, kur nuk ka investime serioze në rrugë, pasi sapo mbarojnë fushatat elektorale, asfalti fillon e shqyhet dhe gropat septike që në dimër mbushin oborret nga ujërat, që në verë lëshojnë një aromë mjaft të rëndë, e cila nga era shkon edhe drejt plazhit. “Ne banojmë këtu, por edhe kur na vijnë miqtë e ndjejnë fëlliqësinë e shpërndarë në ajër. E ç’mund të kërkojë një turist në këtë atmosferë të ndotur që është e gjitha vetëm sëmundje?”, thotë ai. Përqendrimi i ndotjeve me këtë densitet të lartë që ka në këtë zonë,  zakonisht vetëm epidemi mund të shpërndajë në mes të banorëve dhe të ardhurve, qoftë dhe për pak kohë. Sipas Nikollë Prengës, nëse kalon një rrugë e asfaltuar mespërmes rajonit, rrugët lidhëse me këtë lagje janë të gjitha pa asfalt dhe plot baltë, kurse në ditët e nxehta nuk ka kullim ujërash. “Në këtë zonë sëmundjet janë shtuar. Për këtë mjafton që të theksohet se ndotjet mikro-biologjike, substancat e marra nga tubacionet e ujërave prej plastike dhe gome, kanë bërë që të prevalojnë sëmundje të shumta dhe sot rreth 65 % e të shtruarve në Spitalin Rajonal të Durrësit janë nga zonat informale, numri i banorëve të të cilave ka arritur në 108000”, thotë Prenga.

 

Rrezikohen fëmijët

Në të njëjtën valë shpreh shqetësimin edhe një grua, Life Cakurti. Ajo thotë se situata është e rëndë, sidomos për fëmijët e vegjël që rriten në këtë ambient të ndotur. Fëmijët janë të shumtë, rreth 14600 fëmijë. Ndërkohë rendit dhe shqetësimet sociale të zonës, ku varfëria është e madhe në komunitet. “Përveç të sëmurëve, këtu ndodhen edhe rreth 296 persona me aftësi të kufizuar. Janë 197 fëmijë jetimë, 230 fëmijë janë me prindër të divorcuar, ndërsa nëna kryefamiljare me jetimë janë rreth 185”, thotë Cakurti. Ajo jep dhe një të dhënë interesante, ku ndërthuret varfëria me problemet sociale të tjera, si analfabetizmi. Mbi 3% e banorëve janë analfabetë dhe kjo shifër ka tendencë rritjeje, 50% janë me 8-vjeçare, 38% me të mesme dhe vetëm 0,9% me arsim të lartë. Pra banorët sipas saj janë mes varfërisë, mizerjes ekologjike që degradon sëmundje çdo ditë, pasi përveçse 65 % e të sëmurëve që kurohen në spitalin e Durrësit nga zona, ky numër është më i lartë, pasi ka dhe të tjerë që kurohen në Tiranë dhe vende të ndryshme, e që nuk përfshihen në statistikën e parë. Dhe kjo situatë në dukje e rëndë sipas banorëve, kërkon ndërhyrje urgjente dhe jo deklarata…

 

 

Mark Brunga May 18, 2014 08:41
Komento

5 Komente

  1. arben May 18, 09:22

    ish keneta asht kenete or ti, enveri nuk ka kene i marre me leju ndertime ne at zone. ju na dolet ma te meçem e tash pretendoni.

    Reply to this comment
  2. shqiptari May 18, 09:23

    po kjo eshte realiteti dhe tregojni ju o gazetare te ditese dhe ne emisijne dhe poshterojini ata qe shajne kohene e pune ne komunizeme qe u roptuam ne dhe nuk fitume gje vesc varferis dhe erdhi kjo kohe e poshtere e injorances qe ka pere lavdi injorantin sali qe shane komunizmin qe zhduku kenetea dhe mbrone kete gjoja demokraci qe na i solli prape dhe kushe do i beje apo do veme prape ne komunizemqe ne te punojme prape pa leke me kontriibute vullnetare dhe sala me familje te bejne tendea dhe leket ti fusin ne xhep dhe ne te punojme prap pa leke

    Reply to this comment
  3. shqiptar May 18, 10:40

    le te kthehen ne origjine andej nga kane ardhur.Token me 7501 e R.Alise e kane ,erdhi koha qe te kthehen dhe te fillojne ta punojne.

    Reply to this comment
  4. shqiptar May 18, 10:42

    po pse te paret tane gjithnje ndertonin rreze kodrave ku nuk permbytej,keta dolen me te mencur.hahahahahah

    Reply to this comment
  5. Kanan May 18, 10:51

    Injoranca ska brire, kane braktise ajrin e paster, ujine ftohe te bjeshkeve, ,vezet, mishin e shjshem te bagtive qe ushqehen me trendeline, dhe kane ardhur me mes te mutit le ta hane se vete e kerkuan.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*