Kequshqyerja, vuajnë 27 % e fëmijëve nën 6 vjeç

Pranvera Kola December 19, 2014 11:11

Kequshqyerja, vuajnë 27 %  e fëmijëve nën 6 vjeç

Kequshqyerja tek fëmijët mbetet në nivele shqetësuese. Kjo problematikë shfaqet më e theksuar tek fëmijët nën moshën 6 vjeç. Të dhënat e raportuara nga studimi më i fundit i “Save the Chlidren”, tregon se deri tani, grupmosha nën 6 vjeç ka normat më të larta të kequshqyerjes. Konkretisht, rreth 27 për qind e këtyre fëmijëve vuajnë nga kequshqyerja, e për pasojë edhe nga probleme të shumta shëndetësore, të cilat vonojnë zhvillimin e tyre fizik dhe mendor. “Përqindja e lartë e kequshqyerjes për fëmijët nën moshën 6 vjeç është e lidhur me norma më të larta të varfërisë dhe vulnerabilitetit ndaj varfërisë së familjeve me fëmijë të vegjël. Gjithashtu është vërejtur se fëmijët më të rritur mund të kenë më shumë mundësi për t’u ushqyer jashtë familjes, kjo si pasojë dhe e angazhimit të tyre në tregun e punës. Kequshqyerja e fëmijëve duhet të merret seriozisht, pasi ndikon në performancën e tyre arsimore, si dhe ndikon negativisht në shëndetin e tyre”, theksohet në raport. Përballë kësaj situate shqetësuese, autoritetet e “Save the Chlidren”, vënë në dukje se edhe buxheti i shtetit gjithnjë e më shumë po redukton shpenzimet për fëmijët. Duke u ndalur tek shifrat konkrete për vitin 2015 konstatohet se janë parashikuar më pak fonde për arsimimin e tyre, në mbrojtjen sociale, por edhe në kujdesin shëndetësor, parësor e sekondar, ku ky i fundit luan një rol jo të vogël në reduktimin e problemeve që kanë sot fëmijët, veçanërisht me kequshqyerjen. “Çështja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore veçanërisht në zonat rurale dhe ato të thella është një nevojë e ngutshme që duhet të marrë përparësi. Studimi tregon një reduktim të madh në shpenzimet kapitale, veçanërisht në programet e kujdesit shëndetësor parësor dhe sekondar. Ndërkohë që programet e kujdesit shëndetësor parësor, janë ato që i bëjnë fëmijët më të ndjeshëm. Më tej, në sektorin e arsimit vërehet se shpenzimet janë rritur në terma nominalë, por cilësia e arsimit, veçanërisht në zonat rurale dhe ato të largëta mbetet një çështje kritike dhe e ngutshme për t’u adresuar”, ka deklaruar gjatë prezantimit të këtij studimi, Anila Meço, e “Save the Children”. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka deklaruar se do të ketë ndërhyjë për përmirësimin e kësaj situate, me programe që do të reduktojnë kequshqyerjen, pakësimin e sëmundjeve kryesore të fëmijërisë, rritjen e mbulesës vaksinale, shmangien e përdorimit të alkoolit, duhanit dhe drogave. Me vëzhgimet e kryera në terren, studimi i “Save the children” ka arritur në përfundimin se niveli varfërisë për familjet ulet me rritjen e moshës së fëmijëve. Familjet me fëmijë mes moshave nga 0-5 vjeç kanë nivelet më të larta të varfërisë, krahasuar me ato që kanë fëmijë mes moshës 15-17 vjeç.

Vizitat e kufizuara

Sipas studimit, rezulton se kujdesi shëndetësor është i kufizuar për këtë kategori. Vizitat mjekësore në kujdesin parësor shëndetësor janë ende të ulëta, 10-11 vizita në ditë për mjek, çka tregon efikasitetin e reduktuar të shërbimit shëndetësor parësor, si dhe rrit barrën e vizitave të kujdesit shëndetësor tek mjeku specialist, duke shtuar edhe kostot financiare për familjet. Në Shqipëri në 2014 janë evidentuar në total 1592 mjekë të përgjithshëm, 214 mjekë të specializuar në praktikat e përgjithshme të fëmijëve. Por, shpërndarja e mjekëve është problematike. Shpërndarja e mjekëve të përgjithshëm ndryshon nga rajoni në rajon në përputhje me popullsinë, në rajonin e Tiranës vërehet edhe numri më i madh i mjekëve. Zonat më të largëta raportojnë të kenë mungesat më të theksuara sa i takon mjekëve specialistë dhe kujdesit të ofruar për fëmijët. Rajoni i Tropojës është i pambuluar nga shërbimi, së bashku me disa komuna në zonat e thella të Kukësit.

Si ofrohet kujdesi shëndetësor parësor (poliklinikat)

Programi më i rëndësishëm për fëmijët është kujdesi shëndetësor parësor, i cili mbulon objektet parësore të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin dhe shërbimin e mjekut të familjes. Shërbimet e kujdesit shëndetësor në Shqipëri bashkëfinancohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH), nëpërmjet fondit të sigurimeve shëndetësore që mbledh kontribute nga e gjithë popullsia aktive dhe Ministria e Shëndetësisë. Shërbimet e kujdesit shëndetësor janë pa pagesë për disa kategori të popullsisë, përfshirë përfituesit e programit të Ndihmës Ekonomike, veteranët e luftës, invalidët e luftës, fëmijët e moshës 0-1 vjet dhe jetimët, si dhe njerëz me kushte të veçanta mjekësore. Fëmijët mbi 1 vjeç dhe gratë shtatzëna në leje lindje pranohen në sistemin e kujdesit shëndetësor me bashkë-pagesë (sigurimi shëndetësor).

Shërbimet e kufizuara sociale

Shërbimet e kujdesit social për fëmijët janë shumë të kufizuara. Aktualisht rezultojnë vetëm 14 qendra publike të shërbimeve sociale që ofrojnë shërbime për rreth 511 fëmijë. Shumica e tyre përfshijnë shërbimet rezidenciale për fëmijët pa kujdes prindëror, ose të fëmijëve me aftësi të kufizuara, por ka edhe disa shërbime të kujdesit ditor. Studimi tregon se kapaciteti i këtyre qendrave është jashtëzakonisht i kufizuar, pasi numri i përgjithshëm i fëmijëve që marrin shërbime është më pak se 3 për qind e fëmijëve me lloje të ndryshme të aftësisë së kufizuar. Çerdhet për fëmijët e moshës 0-3 janë të disponueshme vetëm në qytete, me kapacitet të kufizuar dhe nuk ka shërbime mbështetëse për kujdesin ndaj fëmijëve në zonat rurale. Për më tepër, programet e përfshirjes sociale për fëmijët nga familjet më pak të pasura janë të përqendruara në kompensim të drejtpërdrejtë të shpenzimeve të lidhura me arsimin (për shembull kostot e transportit dhe kompensimit të teksteve shkollore), ndërsa qeveria ka miratuar rregullore të re për të siguruar që fëmijët nga familjet në programin e ndihmës sociale të ndjekin shkollën dhe të marrin pjesë në programin e vaksinimit të detyrueshëm.

Aftësia e kufizuar në rrethe pa asnjë lloj shërbimi

Studimi tregon se përgjatë këtij viti janë identifikuar 17,698 fëmijë me lloje të ndryshme të aftësisë së kufizuar në Shqipëri, nga të cilët 28 për qind (5018 fëmijë) janë të moshës nga 0-5 vjeç, 48 për qind (8573 fëmijë) të moshës 6-15 vjeç dhe 23 për qind (4107), të moshës ndërmjet 15 dhe 18 vjeç. Më shumë se gjysma e fëmijëve me aftësi të kufizuara jetojnë në zonat urbane (bashkitë), ku dhe arrijnë të marrin një lloj shërbimi. Ndërsa 48 për qind (8479 fëmijë) jetojnë në zonat rurale. Shërbimet sociale në zonat rurale janë shumë të kufizuara, për të mos thënë jo-ekzistente.

 

Pranvera Kola December 19, 2014 11:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*