Kërcitja e kokoshkave

November 5, 2017 03:58

Kërcitja e kokoshkave

Përshëndetje z.Thano

Më mori me vete e më coi në Vlorë aktori humorist V. V.

Ishte prag vjeshte, nata e fundit e Festivalit Mbarkombëtar të Monodramës.

Aty, te kafja e madhe, përkrah monumentit të Avni Rustemit, mes shëtitjeve të ngathta të pushuesve të ditëve të fundit të verës dhe shushurimave të pandjera të dallgëve të detit, përtej pallateve dhe vilave të qytetit, është dhe gjallon teatri “Petro Marko”.

Aty isha edhe unë.

Në sallën e vjetër, me ndricim dhe foni të varfër, para një spektatori të vakët, po jepej shfaqja e fundit e festivalit të monodramës, “Kënga e Mjellmës”.

Muzika e Cajkovskit më solli në mend një poezi të rëndë të së shumëvuajturës poete ruse, Ana Ahmatova, ku kërkonte të ngushëllohej me mendimin se “parajsa nuk e pret mëkatarin” ndaj edhe njeriu mund ta gjejë ngushëllimin me mencurinë e të pranuarit të një realiteti që nuk varet nga ai…

Po, të qenit mëkatarë në këtë botë, nga kush përcaktohet?

Nga vetë njeriu apo bota me te cilën dhe në të cilën jeton?

Aktori i mirë vlonjat Lilo, interpretonte me fjalët e të dhëmshurit Anton Cehov dhe mua m’u kujtua piktori i shquar Isak Levitani, këngëtari i trishtuar i natyrës ruse…

Ishte muzika dhe fjalët që zbrisnin nga skena apo hijet që regëtinin pas kuintave që të përqasnin imazhe të ditëve të largëta? Ndricimi i zbehtë që pikonte nga lart, si drita e mekur e një hëne në një fushë të shkretë, zbulonte dekorin e jetës së personazhit fatkeq dhe zbriste poshtë me përtesë. Në boshllëkun mes skenës dhe sallës me spektatorë binte në sy një cunak i lëvizshëm që hidhtte në gojë e përtyptte me kërcitje të forta kokoshka të ftohta. E gjitha kjo, nën tingujt e trishtuar të violinës me një kreshendo që fashitej para se të arrinte kulmin, ishte për mua si një kthim në kohë të dikurshme, atëhere kur ditët e mia i përkisnin rinisë së ikur…

Po përse përjetoja ato ditë të asaj moshe kur edhe muzgu duket i përmbytur nga drita, edhe drita e diellit duket sikur ekziston sepse jemi ne në të?!

Violina psherëtinte…

Requiem?!

Para nesh Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti diskutonin për fjetjen, jo për keq, as për mirë por…

Ato nuk kishin fjetur rehat.

Këtu po bëhej art dhe unë, përpos mendimeve të trishtuara, duhej të kërkoja edhe bukurinë e tij kur i duhej qarë halli edhe artisteve me emër…

Po, por kisha të ftohtë nga shpatulla. Biseda pëshpëritëse e aktoreve të nderuara, të vjetra në moshë, sado të dëgjuara në rolet e tyre të shumta, po bëhej për më të rëndomtën pjesë të jetës së përditshme të njeriut; të mendosh pastaj qe cunaku kërciste kokoshkat në gojë fare pranë nesh!

Ndjehesha keq. Po kush e kishte fajin?!

U përpoqa t’i buzëqeshja çunakut, si prelud i një lutjeje për të pushuar së mbllacituri. Ai më zgjati menjëherë dorën e tij të vogël me kokoshka! Unë ia përcolla humoristit V.V, e ai nisi të përtypej! U ktheva të mbroja shpatullën nga të ftohtët e kondicionerit dhe aktori Todi Llupi i Fierit më hodhi në supe një jelek…

Këtu më duket se muzika heshti. Në skenë u ngjitën katër a pesë njërëz që, me sa dukej, prisnin të flisnin para mikrofonit. Duartrokitjet pushuan, iku pas përshëndetjes aktori i mirë Lilo. Në skenë u ngjitë Miho Gjini që, me sa dija, ishte kryetari i jurisë së këtij festivali. Unë mbeta duke parë qoshen që nga ku doli nga skena aktori me ndjenjën e keqardhjes që më ngjallte mendimi se tashmë që kishte dalë nga roli, do të binte në rutinën e përditshme, në pritje të ardhjes së një tjetër rasti fatlum të realizimit të një personazhi tjetër…

Miho Gjini, pasi iu gërmuq nja dy herë të shkurtëra mikrofonit që bënte naze, mori e tha se… Ajo që më kujtohet se tha, kishte të bënte me kryetarin e bashkisë që paskej dhënë para për organizimin e këtij festivali. Autori i “mocëm” i shkrimeve për teatrin, tha shumë e shumë fjalë të mira, madje edhe shumë të mira “për gjestin fisnik” të atij kryetari që mundësoi…

Po, ku i gjente paratë kryetari?

Pashë nga V.V. Ai përtyptte me kujdes kokoshkat sikur “shshëët”, të porosistte veten “pa zhurmë”!

Pastaj, mirë, madje shumë mirë, foli për organizatorët e festivalit Margarita Xhepa. Falënderoi me shumë delikatesë kryetarin…Prapë kryetari u falënderua. U përmend edhe aktori fitues për “lojën e bukur” që qe “mundësuar të shfaqej në saj të ndihmës së…Kryetari kishte kontribuar” dhe “duhej vlerësuar”!

Keshtu kishte folur pak a shumë edhe Miho Gjini.

Pastaj doli Zonja T. e Shkodrës, (artistja e ëmbël që edhe kur luante role negative nuk ishte e mundur t’i mbaje mëri) që tha se “duhet me falneru së pari Kritarin e bashkisë e të tjerë dashamirë, ministra, kriministra a ku po di me thanë që, edhe ata, të tanë, me meritu falnerimet e artistave!”). “Ikim”, me ra me bërryl V. V. A thua ishte mërzitur duke frenuar përtypjen e kokoshkave të forta?

Ne dolëm duke lënë aty fierakun Todi Llupi që, paksa gojhapur, ndiqte i përqëndruar ceremoninë e falënderimeve për organizatorët e festivalit, në mbyllje të këtij fest… një “eveniment i rëndësishëm për evidentimin e vlerave qytetare të bujarisë së…Më falni, të aktivitetit të bukur artistik që…. (!)

Jashtë, në ajrin e freskët, më hipi një e qeshur koti… Po vinte drejt nesh regjisori i shfaqjes fituese, Jorgaq Tushe. Ai nuk e mori vesh se unë nuk i buzëqeshja atij teksa e uroja për suksesin. Përpiqesha të mbaja të qeshurën e hidhur që më dha përjetimi i ca casteve më parë kur, ky, Jorgaqi i regjisë, shikonte si i shastisur folësit që pasonin njeri-tjetrin përpara mikrofonit, tamam sikur t’u thoshte: “Ore, po për mua…asnjë fjalë?!”

Në të vërtetë, më shkoi nëpër mend se Z. Miho Gjini nuk ishte as autor, as kompozitor, as skenograf e as regjisor. Regjisor i asaj shfaqje ishte Jorgaq Tushe!…Po, por jo sponsorizues që të falënderohej ca… Po ky dreq V. V përse vazhdonte të përtypej me drojtje!

Zonja fisnike e zotërinjë “goxha burra” kishin nderuar me pjesëmarrjen dhe fjalën e tyre ata që kishin dhënë para nga bashkia për festivalin e artistëve…Po, si, “nga bashkia”?!…Të kujt ishin ato para?! Nga xhami paksa i ulur i makinës së V.V. fishkëllente ajri i hazdisur. Përtej, në të majtë, ujrat e gjirit të Nartës a Gjolit të Kripores, dukej sikur ngrinin dallgë të serta. Më bëhej se shihja portretet e njerëzve, artistë dhe spektatorë në sallën e teatrit. Ata shfaqeshin të sikletosur në gjithë atë përpjekje për t’i rezistuar shtrëngatës, (si V. V për t’i bërë ballë tundimit të përtypjes së shpenguar të kokoshkave), por, për cudi, përpara dritave të makinës së tij buzëqeshnin të qetë e sec thoshnin me përkulje të lehta, sikur të falënderonin humoristin që po i conte atje ku donin të vinin. Pastaj, përtej masivit të ullinjve, ku ishte mbledhur errësira e natës, ata përsëri i largoheshin udhës për tek ujrat ku ravijëzoheshin trajtat e ca hijeve misterioze që vetëm pena e Cehovit dhe peneli i Levitanit mund t’i tregonte sic duhej…

Isha nën efektin e muzikës së pashoqe të Cajkovskit, trishtimit të Levitanit e dhimbjes së Cehovit…

“Për varrin një vend të qetë kam kërkuar”, thoshte Ahmatova.“E di ku ka dritë më shumë?/ Lugina është e trishtuar/ bregdeti me zhurmë e me shkumë…”

E ndjeva se nuk isha dakord me poezinë e Ahmatovës. Atje është bukur ta kesh varrin, atje ku ka gjithnjë gurë, zhurmë edhe shkumë inatcore e jo të harrohesh në një cep të heshtjes së trishtuar pas një jete të tërë, kur ke lënë pas jo veprën tënde të fuqishme, por emrat e sponsorizuesve me paratë e të gjithëve që, paskëtaj, kishin zhvatur lavdinë për vete!…

Më dukej sikur dëgjoja akoma mbllacitjet e kokoshkave nga cunaku, (V.V i kishte mbaruar), poshtë skenës së teatrit, por, këtë herë, në një kreshendo të hatashme, mbushnin fjalët që dilnin nga mikrofoni i “falenderuesve”. Befas pata ndjesinë sikur po më kërcisnin edhe mua ndër dhëmbë ato kokrra të ftohta, të forta të misrit! Dhe atëherë, për cudi, kjo sikur ma hoqi sëkëlldinë e ndjesisë së qetësisë duke ma qartësuar mendimin për “pagjumësinë fisnike” të artistëve që, para se të provojnë vuajtjet e krijimit, shtrëngojnë dhëmbët të durojnë fyerjen e harrimit…

Andrea Prifti

November 5, 2017 03:58
Komento

3 Komente

  1. ´(`!´)` November 5, 11:38

    kte maskarade (demokratike),kte Tragjedi apo Drame Shqiptare mundet te definojme edhe ndryshe ;

    Kokoshka e “krimit” mbi gjoksin nudo te Shqiperise

    Reply to this comment
  2. kapllani ca November 5, 14:24

    i dashur adi jam ish-kolegu juaj Perparimi ju shkruaj nga Toronto.

    Kemi punuar bashke ne ekipin hetimor per Lulzim Bashen ne ciklin e shkrimeve botuar nga Shekulli.

    Kerkoj ne google dhe arkiven e Shekullit por rezultojne te zhdukura te gjitha ato artikuj me vlere te madhe informative sepse ishin bazuar ne fakte dhe dokumente jo ne opinione sic ndodh rendom sot.

    Gjeta vetem kete shkrim qe lishet me ate pune kolosale
    http://www.gazetadita.al/kryeprokurori-i-ri-zyrtari-qe-mbuloi-skandalin-basha-ne-fushaten-e-majit-2011/

    Doja tju pyesja: Eshte e mundur te rikuperohen ato shkrime per te qene ne arkiven e google se paku?

    Reply to this comment
  3. nano November 6, 13:19

    Ne Shqiperi, cunaket nuk mbllacisin kokoshka por fara lule dielli.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*