KËRKIMI SHKENCOR / Fond 5 mln euro për të zbuluar se cila sëmundje i shtyn shqiptarët të urrejnë PPP-të   

November 9, 2019 03:46

KËRKIMI SHKENCOR / Fond 5 mln euro për të zbuluar se cila sëmundje i shtyn shqiptarët të urrejnë PPP-të    

TIRANË, QSUT, Shkoll e Bashkume – Duke deklaruar me forcë se shteti nuk do kursejë asnjë shumë monetare derisa kjo sëmundje e rëndë që ka pllakosur Shqipërinë të zhduket nga faqja e dheut, Ministrja përkatëse Omerta Manastërkëmbëshi deklaroi dje se është miratuar fondi prej 5 milionë eurosh për të zbuluar se cila sëmundje i shtyn shqiptarët të urrejnë PPP-të.

“Është shumë e trishtuar kur sheh sesa shumë njerëz të thjeshtë dhe pa mbështetje, janë prekur nga ky virus, a epidemi, nuk di çfarë ta quaj. Shteti shqiptar, kryeministri, por edhe unë bashkë me kryeministrin, do bëjmë gjithçka që ky tmerr nga i cili po vuajnë të rinj e të reja, pleq e plaka, të marrë fund,” deklaroi zyrtarja e lartë.

Sipas Manastërkëmbëshit, reagimi i strukturave shtetërore duhej të ishte më i hershëm.

Por siç shpjegoi ajo, PPP-fobia ka një fazë latente shumë të zgjatur në kohë, ndaj dhe simptomat e para vonojnë të shfaqen.

“Zakonisht, acarimi i lëkurës, skuqja e syve, ngjirja e zërit, kruarja e xhepave në kërkim të kotë të ndonjë qindarke, janë shenjat që tregojnë se pacienti vuan nga PPP-fobia,” sqaroi ajo.

Në vijim, pacienti fillon të shajë e mallkojë me zë të lartë qeverinë, dhe në fazë të avancuar kalon në nevrasteni, kërcen e hidhet si peshku pa ujë në kërkim të ndonjë dokumentacioni të huaj për t’u larguar nga vendi.

Zyrtarja deklaroi se sapo të gjendet kura, ajo do t’u administrohet të gjithë shqiptarëve të moshës 5-85 vjeç falas.

“Dhënia e vaksinës, apo e hapeve, apo çfarëdolloj mënyre tjetër që do shihet e përshtatshme, do të bëhet pa pagesë, përmes koncesioneve tashmë ekzistuese në shëndetësi,” tha Omerta Manastërkëmbëshi, “kjo urrejtje patologjike ndaj PPP-ve duhet të marrë fund. Sepse nuk ka arsye, është irracionale. Është njësoj si unë që kisha inat patëllxhanet kur isha e vogël. Por ishte inat pa arsye, se tani nuk kam të ngopur me to.”

Në fund, ministrja premtoi se nëse 5 milionëshi nuk zgjidh punë në gjetjen e ilaçit kundër PPP-ve, qeveria do ta japë këtë proces me koncesion.

*****

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike. Buxheti i shtetit është rubrikë tragjike. 

November 9, 2019 03:46
Komento

2 Komente

  1. Mark .UK November 9, 09:03

    KJO SEMUNDJE E KA EMRIN EDI RAMA.

    Reply to this comment
  2. Omertaja November 10, 17:20

    Sido qe te jete, ti vazhdo me patllixhanet motra, mos iu ndaj

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*