Kerry, në Athinë: SHBA iu mbështesin për refugjatët dhe zhvillimin ekonomik

December 4, 2015 18:05

Kerry, në Athinë: SHBA iu mbështesin për refugjatët dhe zhvillimin ekonomik

Duke folur në greqisht dhe duke theksuar se “SHBA-të mbështesin Greqinë”, ka përfunduar konferencën e përbashkët me homologun e tij grek, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, që ka zhvilluar një vizitë disaorëshe në kryeqytetin grek, Athinë.

Kreu i diplomacisë amerikane, që ka vizituar një qendër për pritjen e emigrantëve, ka theksuar se Uashingtoni do të ndihmojë Athinën në çështjen e krizës së refugjatëve, e cila – sipas tij, – do zgjidhet vetëm me një “tranzicion përfundimtar politik” në Siri.

Në këtë kontekst, qeveria siriane dhe forcat e militantëve mund të bashkëpunojnë kundër Shtetit Islamik, kur Bashar al-Assad të ketë humbur pushtetin, ka deklaruar Kerry.

Edhe më herët, në takimin me kryeministrin grek Aleksis Tsipras, Sekretari amerikan i Shtetit ka theksuar se SHBA-të do të ndihmojnë Greqinë, përveç se në çështjen e përballimit të krizës së refugjatëve, edhe në daljen e saj nga kriza ekonomike.

“Mirësevini në Greqi, në një periudhë shumë të rëndësishme për rajonin tonë në tërësi. Paqëndrueshmëria është në rritje këtu, kështu që është shumë e rëndësishme të përpiqemi për të gjetur mënyra, për të zgjidhur këtë problem. Unë dua t’iu siguroj se Greqia mbetet një shtyllë e qëndrueshmërisë në rajon”, tha kryeministri grek, Aleksis Tsipras.

“Unë e vlerësoj mënyrën, me të cilën ju po përpiqeni të kryeni reformat ekonomike dhe të përballoni sfidat e borxhit dhe ristrukturimin. Kjo nuk është e lehtë, ndaj dhe ne duam të përpiqemi të jemi sa më shumë të dobishëm, në mënyrë që të shohim Greqinë të dalë nga kjo krizë, ashtu siç duan dhe shpresojnë edhe qytetarët tuaj”, tha John Kerry, Sekretar amerikan i Shtetit.

Në një problem si ai i krizës së refugjatëve, i cili nuk është as i Greqisë dhe as i Turqisë, por iu përket të gjithëve – ka thënë funksionari i lartë amerikan, – SHBA-të i japin Athinës edhe 24 milionë dollarë për krijimin e qendrave të pritjes së tyre në Greqi.

Ndërsa, përsa i përket ndihmës ekonomike, Kerry ka theksuar se Uashingtoni mbështet projektet energjetike të TAP-it dhe të IGB-së (gazsjellësit midis Greqisë dhe Bullgarisë). Sekretari amerikan i Shtetit ka biseduar me kryeministrin grek edhe për një sërë çështjesh të tjera të politikës rajonale, të luftës kundër terrorizmit, si dhe për çështjen e reduktimit të borxhit grek.

December 4, 2015 18:05
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*