“Na duhet një kryeplak për krizat dhe figura të reja në politikë”

March 28, 2019 11:43

“Na duhet një kryeplak për krizat dhe figura të reja në politikë”

Xhevdet Shehu

Alfred Moisiu është një nga presidentët e respektuar të Shqipërisë së 30 viteve të fundit. Ky respekt buron nga integriteti që ai manifestoi si kryetar shteti, por edhe për qëndrimet  që ka mbajtur para se të zgjidhej President dhe pasi e la këtë detyrë.

Karriera e zotit Moisiu  është e pangjashme: e shtrirë në dy shekuj, e në dy regjime-, ajo nis me fundin e Luftës së Dytë Botërore më 1945 dhe rilind me përfundimin e Luftës së Ftohtë në 1990.

Gjenerali ka dalë tre herë në pension, ka qenë zv/ministër i Mbrojtjes në dy sisteme, dhe është i vetmi nga 6 Presidentët e tranzicionit i zgjedhur me pëlqimin e qeverisë dhe opozitës së kohës.

90 vjeçari Moisiu, vijon të jetë aktiv në jetën politike sa herë që politika me trillet e saj gjendet në ngërç, por edhe kur kërkohet mendimi për probleme që kanë lidhje me refomat e mëdha në vend apo zhvillime të rëndësishme në rajon.

Për reformën në drejtësi thotë se “rakisë po i hidhet ujë”. Për Kosovën ka thënë: “është krahinë e Shqipërisë’

Zoti Moisiu mendon se vendit i duhet një kryeplak “për të ndarë davanë” dhe këtë rol duhet ta luajë kryetari i shtetit.  Por për ta luajtur siç duhet, dhe siç e kërkon vendi, ai prej kohësh ka propozuar që Presidenti duhet të zgjidhet nga populli.

Shqipëria është gjendur rregullisht në krizë politike. Në 2007 “kryeplaku” Moisiu i dha zgjidhje krizës duke mbajtur përfaqësuesit politikë në Presidencë për 48 orë derisa u gjet një zgjidhje.  Çdo krizë ka minuar jo vetëm stabilitetin politik, por edhe rrugën e vendit drejt BE-së.

Kjo intervistë që po botojmë në DITA është transmetuar disa ditë më parë në TVSH.

– Ju keni thënë se “për  zgjidhjen e krizës politike nuk duhen drejtuar sytë nga ndërkombëtarët”. Nga t’i drejtojmë….?

– Më vjen ndërmend një fjalë e vjetër që thotë: “mikun nderoje, por qoshen mos e lësho”. Pra, në këto raste qoshen duhet ta mbajë i zoti i shtëpisë. Duhet ta mbajmë ne shqiptarët. Sigurisht me ndihmën e ndërkombëtarëve e cila është e vlefshme veçanërisht për ne si komb që kemi shumë halle historike, por jo në gjithë problemet që kemi nevojë dhe sigurisht që ende kemi, por jo në çdo gjë dhe jo çdo herë. Nuk duhet të sillemi si ai fëmija tekanjoz që duhet të marrë dorën e babait apo të nënës për të ecur në rrugë të drejtë.

Në këtë kuptim unë gjithmonë kam qenë dhe mbetem i mendimit që krizën duhet ta zgjidhim vetë. Siç bën çdo vend xhanëm. Ku kemi parë në Europë, flas për Europën Perëndimore, që të bëhet krizë dhe të vijnë të tjerët ta zgjidhin. Italia, vendi ynë fqinj ju e dini ka patur krizat e dynjasë, Greqia po ashtu vetë i ka zgjidhur. Politikanët duhet ta zgjidhin krizën. Politika për mua është mision. Ai që hyn në politikë duhet të bëj mirë hesapet se në politikë hyhet për t’i shërbyer vendit dhe jo për t’i shërbyer interesave personale.

Për fat të keq, për fat të keq duhet ta përsëris dhe nuk më vjen mirë ta them, por duhet ta them se kështu janë faktet dhe ngjarjet: këtu hyhet në politikë për t’u pasuruar. Të hysh në politikë për t’u pasuruar? Kjo nuk është politikë, kjo është abuzim. Ose ta themi më shqip: vjedhje se kështu po ndodh.Pra, ata duhet ta gjejnë fjalën, politikanët tanë.

– Ju keni thënë: “Ne duhet të kemi “kryeplak” i cili ndan davanë dhe për fat të keq ky duhet të jetë kryetari i shtetit”

– Normal. Kushtetuta e obligon kryetarin e shtetit se është përfaqësues i unitetit të popullit. Pra derisa je i ngarkuar me detyrën dhe ke pranuar ta marrësh përsipër këtë detyrë, duhet edhe ta kryesh atë. Kjo është. Nuk do shumë filozofi për ta gjetur atë. Nuk është se po e them unë. E thotë Kushtetuta. Ju e përmendët me shumë të drejtë rastin e 2007, ka qenë pak a shumë si i tanishmi….

– Çikërrrima kanë qenë nëse e shohim nga pozicioni sot, jo çertifikata, jo libreza ushtrisë, jo diploma e shkollës së mesme….

– Ee po puna është  që kishte mosbesim. Dhe ky mosbesim ekziston akoma dhe ky për mendimin tim është rrënja e gjithë defekteve dhe të këqijave që kemi ne në politikë: është mosbesimi i politikanëve ndaj njëri-tjetrit dhe mosbesimi i popullit ndaj politikanëve. Vërtet ishin çikërrima problemet e paraqitura, por mungonte besimi për të hyrë në zgjedhje. Atëherë thoshin (për votat) na i vjedhin. Edhe sot jo na i vjedhin jo na i marrin. Jo Ali Hoxha, por Hoxhë Aliu. Eshtë e njëjta gjë.

Kriza e 2007-s e pati zanafillëm që në muajin korrik. Jo hyjmë, jo nuk hyjmë, jo nuk kemi siguri, jo nuk kemi karta identiteti – këto problematika me një fjalë përmblidhen në mosbesim. Më kujtohet shumë mirë në atë kohë përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë, më erdhi dhe më tha: zoti President, po e zgjidh këtë punë. Faleminderit- i thashë. Në fakt asgjë nuk u zgjidh. Në atë kohë në opozitë ishte PS dhe PD ishte në pushtet. Data e zgjedhjeve ishte caktuar në janar të 2007. Zgjedhjet ishin çështje ditësh. Atëherë u bëra ftesë gjithë forca politike- partive parlamentare. E kemi edhe një foto që bëmë pasi u zgjidh problemi…

Por kur i mblodha u thashë: zotërinj kështu nuk mund të vazhdojmë. Jemi shtet demokratik. Një shtet që nuk është në gjendje të bëj zgjedhje nuk është më shtet. Jo se e them unë, po kështu është. U thashë përgjegjësia juaj është që të kemi zgjidhje. U thashë se do të përdorim metodën e Vatikanit kur zgjedh Papën: merren fletet e votimit dhe digjen dhe në momentin që del tym i bardhë nga oxhaku të gjithë e marrin vesh që është zgjedhur Papa. Këtë e thashë në formë figurative. Ata qeshën. Edhe unë qesha me ta, por unë ama e kisha megjithë mend.

– U the që askush nuk do të largohet nga këtu pa zgjidhje?

– Fakti që pati më vonë disa përpjekje për t’u larguar, tregon se në fillim nuk e kishin megjithë mend, pastaj e kuptuan. T’i vija të gjithë bashkë për të folur ishte humbje kohe se do të nisnin sherret. Nuk donim sherre. Donim zgjidhje. Morëm 8-9 çështje që nuk binin dakord. I ndava në dy grupe dhe me këshilltarët e mi, Afrim Krasniqi dhe Artur Metani, komunikonin mes dy grupeve.

Natën e parë në orën 2:30 të mëngjesit vjen një nga ata, që tani nuk dua t’i përmend emrin- e kuptova se erdhi për të parë a isha unë në zyrë. Unë e kisha ndarë mendjen dhe nuk mund të shmangesha. Për fat të mirë u arrit marrëveshja. U rakorduan gjithë çështjet. U bë një deklaratë që u nënshkrua nga të gjithë. U bë dhe fotoja e famshme.

Por kjo marrëveshje më detyroi të shtyja zgjedhjet. Anullova dekretin e parë dhe nxorra një dekret të dytë. Nuk është shumë normale veçanërisht në praktikën e punës time. Nuk tërhiqem kollaj, por u binda se duhej ndryshe nuk arrinim qëllimin për të cilin ishim mbledhur. Sigurisht sot është më ndryshe. Situatat nuk ngjajnë dhe secila ngjarje ka specifikat e veta.

– Tani ju si e shikoni ka më shumë tym të zi sot se në 2007?

– Në radhë të parë unë them që tymin e zi dhe tymin e bardhë e bën vullneti politik. Këtu mund të vij kushdo, edhe Trumpi të vij po nuk pati vullnet politik nuk ka zgjidhje. Politika është mision. Eshtë njëlloj si të shkosh në luftë. Në luftë shkohet, por asnjë nuk e di a kthehet. Edhe në politikë hyhet, por jo gjithmonë do të dalësh me sukses.

– Me dallimin e vetëm siç thoshte Çurçill që në luftë vritesh njëherë, në politikë ke rast të vritesh disa herë.  A besoni që Presidenti mund ta luajë rolin e personit që ndërmjetëson mes palëve?

– Më ke bërë një pyetje dhe më ke vënë në siklet. Nuk e kam zakon as të kritikoj as të mësoj qoftë paraardhësit apo pasardhësit e mi, sepse ai që është atje, ai e ka barrën në kurriz dhe ai e di çfarë peshe ka thesi që ka në kurriz. Ne nga jashtë e shohim, por nuk dimë sa është pesha e tij.

Gjykoj se Presidenti duhet të bëj çmos për ta zgjidhur krizën, ndryshe nuk po kryen detyrën e tij kushtetuese. Sigurisht duhet bërë kujdes, sepse njeriu ka edhe emocione. Presidenti njeri është, nuk është se ka rënë nga qielli. Por kur ngre pretendime dhe bën deklarata duhet të bëj kujdes se çdo shprehje e tij duhet të krijojë një atmosferë sinqeriteti, një atmosferë sigurie te njerëzit poshtë dhe një atmosferë që bën të mundur zgjidhjen e problemit.

– Ju keni thënë që politika shqiptare nuk i do Presidentët dhe fakt është se askush nuk ka arritur të ushtrojë detyrën e Presidentit në dy mandate, por për z. Meta ju keni thënë se mund të ushtrojë detyrën e kryetarit të shtetit për 10 vite, për dy mandate. Çfarë keni patur parasysh?

– Eshtë e vërtetë. E kam bërë këtë deklaratë edhe duke gjykuar urtësinë e Metës, pavarësisht nga mosha, jo se është i ri, por për mendimin tim Presidenti duhet të jetë në një moshë goxha më të madhe, kam gjykuar edhe mënyrën se si ai ka arsyetur në mjaft raste. Duke patur parasysh se ai i njeh mirë të dy palët, komunikon me dy palët dhe nuk e ka problem- dhe kjo është gjë pozitive për mendimin tim. Në këto kushte kam menduar se do ta kishte shumë më të lehtë që në këtë atmosferë mosbesimi të krijonte një klimë të balancuar mes forcave politike për të ecur përpara. Mirëpo nga e thënë në të bërë është në mes një det i tërë…

– Sa mendoni se do të zgjasë ky konflikt, në kushtet kur opozita ka dalë nga Parlamenti dhe distanca mes palëve është më e largët se kurrë?

– Të them të drejtën këtë “djegien e mandateve” që sapo përmendët unë e kam dëgjuar prej kohësh, që në 2017, por nuk më shkonte mendja kurrë se do të arrihej deri këtu. Nuk më shkonte mendja se ne kemi një klasë politike me përvojë. Nuk mund të themi se është pa përvojë. Madje ka aq përvojë sa nuk duhet të rrinte më dhe t’i hapte rrugë të tjerëve.

– Duhet të dilte në pension?

– Po. Por nganjëherë duket se përvoja e tepërt e derdh kupën. Mendoj se kjo krizë është shumë e vështirë që të parashikosh se kur do të zgjidhet. Që do të zgjidhet do të zgjidhet se nuk ka gjë pa zgjidhur. Kjo vetkuptohet. Por unë nuk kuptoj ca gazeta që flasin për përplajse, për luftë civile. Si ka mundësi që një organ shtypi të thotë: “o burra rrëmbeni armët? Do të kemi përplasje?!” Gjakrat duhen ftohur dhe jo të nxehen më shumë. Kriza mund të zgjidhet shpejt, sikundër mund të zgjasë shumë. Por, kjo krizë nuk e di sa kam të drejtë mund të ndihmojë edhe në pastrimin e klasës politike.

 Si?

– Sepse u tërhoqën nga politika. Faktikisht tërheqja nga Parlamenti është tërheqje nga politika. Politika në Parlament bëhet. Politikën e bëjnë të gjithë shqiptarët se e kemi qef këtë punë, por nuk mund të quhen të gjithë politikanë. Politikanë janë ata që janë në Parlament dhe merren me detyrat e tyre në vijimësi. Kjo një pjesë të politikës mund ta nxjerrë në pension dhe ta rehatojë sepse mesa duket ka nevojë. Disa ekstremizma janë shumë bajate dhe demode dhe jo vetëm që nuk i përgjigjen frymës së politikës europiane, por nuk i përgjigjen as Ballkanit.

Po të shohësh Ballkanin klasa politike ka ndryshuar kudo. Në Maqedoninë Veriore erdhi kryeministër Zaev. As e njihte njeri më parë. Eshtë nga Strumica, afër Bullgarisë. Ishte kryetar bashkie. U zgjodh dhe fakti është se pati sukses për një problem shumë të madh me Greqinë. Kjo ishte një plagë për Balllanin, kemi edhe plagë të tjera në Ballkan, por kjo ishte një plagë e vjetër që u zgjidh përfundimisht dhe ishte një hap shumë pozitiv. Pra sjellja në skenën politike të figurave të reja ka elementë pozitivë sepse ata nuk janë bartës…

– Ju mendoni se kjo krizë është moment i mirë për të nxjerrë figura të reja, forca të reja, lëvizje të reja…

– Them se po. Kjo është e vetmja rrugëzgjidhje.

– Nuk e shihni zgjidhjen që këta që janë të merren vesh me njëri -tjetrin?

– Këta që janë e kanë të vështirë se kanë kaluar në aktin ekstrem. Djegia e mandatit është një vetëvrasje politike. Derisa kalon në vetëvrasje çfarë do të zgjidhësh?! Nuk u la një shteg hapur. Si mund të zgjidhet? Unë nuk e përfytyroj dot që mund të zgjidhet në këtë situatë me këta politikanë që u larguan nga Parlamenti me këtë metodë. Çdo gjë ndodh. Asgjë nuk na habit më. Edhe fakti që ndërkombëtarët janë të tërhequr.

– Pse mendoni se janë të tërhequr?

– Janë edhe për arsyet politike në Europë. Tani jemi në prag të zgjedhjeve që po bëhen për Parlamentin Europian. Por në shumë vende ka situata të ndezura, Francë, Gjermani, Itali, kanë hallet e veta, shkurt muhabeti. Ata e ndjejnë shqetësimin për Shqipërinë se Shqipëria është një faktor shumë i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Eshtë një situatë që duket qartazi që forca të tjera, shtete të tjera duan të fusin hundët në Ballkan. Kjo situatë ua lehtëson atyre detyrën. Nuk është në interes as të Ballkanit, as të zhvillimeve të tanishme as të demokracisë as të Perëndimit.

Unë mendoj se i vetmi shtet që mund të ketë ndikim serioz janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po e vlerësuan që duan të venë dorë dhe them se duhet ta vlerësojnë, ata po, ata mund t’i japin drejtim, por këta që dolën nga Parlamenti nuk e di se si…

– ..do të kthehen?

– Ata nuk kthehen dihet kjo punë. PD, sigurisht është një forcë e madhe politike, por ne kemi shembuj të forcave të tjera të mëdha politike, parti që janë larguar nga terreni politik. Psh Partia Demokristiane në Itali ka qenë forca kryesore që nga viti 1946. Nuk e ke më tani. Nuk merret vesh ku është. Ekziston, por është në miniaturë.

Ka edhe shembuj të tjerë që mund të sjellim. Mendoj se politikanët që u tërhoqën kanë detyrë për hir të kontributeve që kanë dhënë, se me thënë të drejtën nuk janë pa kontribut, për hir të detyrimit që kanë ndaj popullit, për hir të detyrimit që kanë për një qëndrim kaq të gjatë në politikë, të paktën duhet tani të ndihmojnë për të krijuar një klimë mirëbesimi mes politikanëve që kanë mbetur në skenë.

– Pas 3 muajsh janë zgjedhjet lokale. Në 2007 ju i shtytë zgjedhjet. Shikoni mundësi që opozita të futet në këto zgjedhje? Do të kërkojë më shumë kohë  opozita apo do të zhvillohen zgjedhje pa pjesëmarrjen e PD dhe LSI.

– Unë them se kjo situatë nuk është e ngjashme me atë të 2007-s. Atëherë u arrit mirëkuptimi dhe kërkohej kohë për të realizuar çfarë u vendos, prandaj u bë edhe shtyrja. Kemi 3 muaj deri në zgjedhje. Nuk shoh arsye pse duhen shtyrë zgjedhjet. Unë them se opozita nëse nuk merr pjesë në zgjedhjet vendore atëherë merr fund fare përfundimisht. Pra flas për partitë që përbëjnë opozitën. Nuk e kuptoj se ku do të shkojnë. Disa ditë më parë në një komunikim me median hodha një mendim dhe po e përsëris: rezultatet e zgjedhjeve vendore do të tregojnë se sa të drejtë ka njëra apo tjetra palë. Nëse në këto zgjedhje mazhoranca humbet atëherë detyrimisht duhet të kalohet në zgjedhje të parakohshme…sepse ka rënë pesha e saj politike.

– Para se të shkojmë në zgjedhje. Thelbi i krizës është ajo që ju thoni: mosbesimi që lidhet me zgjedhjet. Ai dyshim i 2007-tës që kishte opozita në atë kohë është rikthyer në një formë tjetër nga opozita e sotme…

– Ju e thatë në hyrje që kam një stazh të gjatë…

– Vetë jeta juaj tregon se në çdo situatë  ka një rrugëdalje.

– Po. Unë po ju them: në mars të 1992 unë kam qenë ministër i Mbrojtes së qeverisë teknike. Për faktin që shteti ishte disintegruar, nuk punonte asgjë, nuk punonin telefonat, ushtria ishte në rregull. Ushtria në atë kohë, ndërlidhja e ushtrisë ka ndihmuar për të dhënë të dhënat për votimet. Unë dhashë një urdhër të veçantë për këtë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm e ndoqi. Kanë qenë 2000 e ca pika hapje me telefon kudo në çdo fshat. Mbledhjen e të dhënave ushtria e kishte shumë të lehtë për ta bërë. Shumë më lehtë se Telekomi se telekomi nuk ekzistonte në atë kohë ishte shpartalluar. Pra u bënë zgjedhjet vërtet shumë të mira. Nuk pati asnjë problem. As në votime as në sulme ndaj kutive të votimit- më vonë i kemi dëgjuar këto historira.

Dhe në atë kohë pati gjëra serioze. Ish presidenti asaj kohe Ramiz Alia humbi në Tiranë përballë një inxhinjeri, Franko Kroqi që është bërë për ndjesë pastë – dhe Presidenti asaj kohe humbi në një zonë që konsiderohej si kështjellë e Partisë së Punës së asaj kohe. Atëherë pata edhe një shqetësim. Në Tiranë ishin katër brigada tankesh dhe nuk ishin pak. I mora komandatët e brigadave në telefon dhe u thashë: mbani vesh zërin tim. Vetëm po t’u marr unë në telefon do të lëvizni…

Vijon…

March 28, 2019 11:43
Komento

4 Komente

  1. Daja March 28, 13:04

    Presidenti me i mre shqiptare nuk i ka Dale asnje fjale per korrupsion

    Reply to this comment
  2. Bogonica March 28, 13:18

    Politikane !Lexojeni kete interviste ,te plakut te fundit shqiptar ,mbajeni si medaljon ne qafe.Ky plak e nisi me buke thate ne Myzeqe,kaloi luften e dyte botrore,degjoi te jatin plak shqiptar burre fisnik,studioji jashte,beri pune ne ushtri,takoi ushtare nga gjithe vendi te cilet e pasuruan me xhevairet e pleqve e gjysherve te tyre,kendoi e piu raki me ‘ta.Cfare nuk beri,dhe cfare nuk pa ne jete deri sa humbi edhe djalin e perseri ky burre nuk u thye. duke ruajtur tere jeten:Dashurine per popullin dhe vendin e tij.Prandaj thashe degjojeni plakun e fundit shqiptar !

    Reply to this comment
  3. Koken lart or trim March 28, 14:39

    Por fatkeqsisht ata te jagos e injoruan urdhrin dhe levizen…

    Ku je perendi, ku je kryeplak, ku je z.Moisi.

    Reply to this comment
  4. Kosovari March 28, 14:50

    I vetmi me vlera shpirteror e e materiale per shtetin,kombin, kohen dhe ngjarjet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim