Këshillat ndaj valës së të nxehtit për kategoritë e rriskuara

August 1, 2015 09:28

Këshillat ndaj valës së të nxehtit për kategoritë e rriskuara

Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT ka apeluar gjatë ditës së djeshme për më shumë kujdes ndaj valës së të nxehtit që ka mbërthyer vendin. Gjatë këtyre ditëve është shtuar fluksi i numrit të pacientëve që kanë manifestuar ndërlikime të shumta shëndetësore, si shkak i ekspozimeve të tepruara nën rrezet e diellit.

“Këtë verë ndryshe nga vitet e tjera temperaturat janë edhe më të larta, madje mbi 40 gradë celsius, të cilat vështirësojnë jo vetëm ambientimin por dhe funksionimin normal të organizmit të njeriut, ku më e vështirë situata e ambientimit me temperaturat e larta vërehet tek fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, sidomos të pacientëve me sëmundje kardiovaskulare, pulmonare dhe të sistemit nervor qendror”, bëjnë me dije bluzat e bardha të këtij shërbimi. Sipas tyre, pothuajse të gjithë personat me sëmundjet kronike paraqesin një rrezik për përkeqësim të sëmundjes kronike apo për vdekje për shkak të nxehtësisë.

Sëmundjet që paraqesin më shumë rrezik janë hipertensioni, sëmundje të zemrës; astma bronkiale, bronkiti kronik, pneumopatia obstruktive kronike, diabeti, insuficienca e veshkave, çrregullimet psikiatrike, si skizofrenia, depresioni, demenca, gjendjet febrile, etj. Kujdes duhet të bëjnë edhe personat që janë përdorues të rregullt të medikamenteve të ndryshme mjekësore. Kjo pasi shumë ilaçe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mekanizmat qendrore e periferike të termorregullimit, duke ndikuar në djersitje, në zgjerimin e enëve të gjakut të lëkurës, në rritjen e punës së zemrës dhe eliminimin e nxehtësisë, çka çon më pas në shfaqjen e problemeve të rënda.

Për pacientët me sëmundje kronike këshillohet që para se të ekspozohen në diell, apo vajtjes në plazh të konsultohen me mjekun e familjes në lidhje me dozën e ilaçeve që duhet të përdorin për patologjinë që kanë. Në vijim gjeni të plota rekomandimet e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT, për t’i shpëtuar ndërlikimeve të të nxehtit, veçanërisht  fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.

 

 

Mjekët rekomandojnë:

Të mos ekspozoheni në diell në pikun e tij, nga ora 10.00 deri në 16.00.

Për kategoritë e rriskuara, edhe qëndrimi nën çadër pa masa mbrojtëse nuk rekomandohet, pasi ajri është tejet i thatë, i nxehtë dhe rrezet x të diellit e depërtojnë atë.

Të konsumohen sasi të bollshme uji gjatë gjithë ditës, sa herë të kemi ndjenjën e etjes.

Të përdoren kremra hidratues dhe mbrojtës me faktorë të lartë për lëkurën.

Kujdes me nishanet, ato duhet të mos ekspozohen në diell, të mbrohen me kremra me faktorë të lartë mbrojtës 40-50, ose me mbrojtës të veçantë për diellin që ofrohen në farmaci.

Sa herë që dalim në diell të vendosim kapele dhe syze dielli.

Pas orës 10 mundësisht të veshim bluza të holla, të lehta, të bardha ose me ngjyra të çelëta.

Kujdes me ushqimin, ai duhet te jetë gjithnjë i gatuar dhe konsumuar i freskët ose i ruajtur ne frigorifer, por gjithnjë të konsumohet Brenda ditës.

Kujdes me frutat dhe zarzavatet, ato duhet të jenë të freskëta dhe të lara mirë me ujë të rrjedhshëm.

Kujdes, me higjienën e duarve, lajini sa me shpesh ato gjatë ditës me ujë dhe sapun.

Kujdes kur hyni në ujë, kontakti me ujin duhet të jetë gradual, sado i ngrohtë t’ju duket uji i detit apo liqenit.

Të sëmurët kronikë para se të vendosin të shkojnë me pushime duhet të kontaktojnë mjekun e tyre, të sigurohen që i kanë medikamentet e nevojshme me vete, të këshillohen për dozat dhe kohë zgjatjen e mjekimit.

Mos harroni, mjeku juaj është një telefonatë larg jush dhe qendra shëndetësorë disa hapa larg.

 

August 1, 2015 09:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim