Këshillat si duhen trajtuar infeksionet virale respiratore!

January 6, 2020 13:28

Këshillat si duhen trajtuar infeksionet virale respiratore!

Pranvera Kola

Gjatë ditëve të fundit urgjencat e spitaleve dhe poliklinikave janë përballur me një fluks në rritje të pacientëve me shqetësime të shkaktuara nga ulja e temperaturave, ku ndër më të shpeshtat janë edhe infeksionet virale të rrugëve të frymëmarrjes, si dhe gjendjet gripale.

Ndonëse të gjitha grupmoshat janë të rrezikuara nga këto infeksione, situata paraqitet më problematike tek pacientët me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.

Mjekja Ilda Xhelili tregon në vijim të shkrimit gjithçka duhet të dini rreth trajtimit të këtyre inefskioneve virale. Mjekja ndalet veçanërisht në kujdesin që duhet të tregojmë në përdorimin e antibiotikëve dhe qetësuesve të tjerë për lehtësimin e simptomave të shkaktuara nga këto infeksione. Kjo pasi në pjesën dërrmuese të rasteve përdorimi i tyre bëhet në mënyrë të gabuar.

Cilat janë problemet më të shpeshta që shfaqen gjatë kësaj stine të ftohtë?

Rënia e temperaturave në stinën e ftohtë të dimrit shton më tepër problemet shëndetësore me rrugët e frymëmarrjes, të cilat përbëjnë edhe problemet më të zakonshme në praktikën tonë të përditshme klinike, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit.

I ftohti luan rol në uljen e rezistencës së përgjithshme të organizmit, duke u bërë kështu më të ndjeshëm ndaj infeksioneve respiratore (të rrugëve të frymëmarrjes), veçanërisht për moshat që përmendëm më sipër.

Cilat kategori janë më të rrezikuara nga këto infeksione virale respiratore?

Në mënyrë të veçantë janë të ndjeshëm ndaj këtyre problemeve të sëmurët kronikë, sidomos ata që vuajnë nga zemra dhe mushkëritë. Diabetikët janë gjithashtu të predispozuar sepse diabeti në vetvete përbën një ulje totale të sistemit imunitar të organizmit.

Përsa i përket bronkopneumonisë, më të prekur janë personat që vuajnë nga problemet kronike të rrugëve të frymëmarrjes. Të sëmurët kronikë duhet të ndiqen rregullisht nga mjekët për të parandaluar komplikacionet.

Çfarë duhet të dimë rreth përhapjes së këtyre infeksioneve?

Infeksionet virale në këtë stinë shtohen, dhe nuk është vetëm gripi, por janë një grup virusesh respiratorë që shkaktojnë infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Nëse është virus i gripit, apo edhe ndonjë lloj virusi tjetër, i takon ekzaminimeve laboratorike ta përcaktojnë me saktësi.

Pra, nuk mund të themi asnjëherë me panik që ka rënë gripi në këtë apo atë masë, pa u analizuar të gjitha rastet dhe pa nxjerrë përfundimin nga laboratorët që janë të autorizuar nga instancat përkatëse.

E përbashkëta e gjithë këtyre infeksioneve virale, përfshirë këtu edhe gripin është një situatë e përgjithshme, gjë që e bën edhe të vështirë nga pikëpamja klinike diferencimin ndërmjet llojeve të ndryshme.

Ku duhet të drejtohemi për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore?

Është mjaft e rëndësishme, veçanërisht për moshat ekstreme dhe të sëmurët kronikë, paraqitja tek mjeku i familjes për të parandaluar rëndimin e problemeve dhe shfaqjen e komplikacioneve.

Në çdo lagje, në çdo njësi bashkiake, apo edhe në nivele më të kufizuara ka qendra shëndetësore dhe Tirana është e mbuluar nga 4 poliklinika specialitetesh që i trajtojnë pacientët pas marrjes së ndihmës së parë nga mjeku i familjes.

Sipas nevojës evidentohen edhe rastet më të vështira që kërkojnë trajtim në nivel më të lartë, apo edhe urgjent që ne kemi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, apo edhe Spitalin Universitar të Mushkërive, i njohur ndryshe edhe si: “Sanatoriumi” në Tiranë.

Cilat janë shenjat klinike më të zakonshme dhe komplikacionet që shfaqen?

Në stinën e ftohtë të dimrit “gjendja e rrufës” është pothuaj gjithmonë e pranishme shoqëruar me dhimbje fyti, ngjirje zëri, kollitje, temperaturë jo shumë të lartë (deri në 38 gradë C ), dobësi të përgjithshme, ulje të oreksit, dhimbje muskujsh dhe kockash.

Pra kjo është një simptomatologji mjaft e përgjithshme pothuaj për të gjitha infeksionet virale të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, përfshirë këtu edhe virusin e gripit.

Për sa kohë vijon zhvillimi i këtyre simptomave dhe kur kemi të bëjmë me rastet më të rënda?

Kjo situatë mund të vazhdojë për 3-4 ditë dhe është karakteristikë për infeksionet e lehta virale. Kur situata nuk dominohet, natyrisht kemi të bëjmë me një komplikacion të infeksioneve primare. Komplikacionet shfaqen fillimisht në rrugët e frymëmarrjes.

Ato janë rezultat qoftë i infeksioneve primare virale, qoftë nga mbivendosjet e infeksioneve bakteriale. Të tilla mund të jenë sinusitet, infeksionet e veshit (otitet e brendshme, ose të jashtme), faringitet dhe duke zbritur më poshtë që e vështirëson edhe më tepër situatën me bronkitet, trakeobronkitet, apo edhe më thellë akoma me pneumonitë dhe bronkopneumonitë.

Bronkopneumonia është një komplikacion goxha i rënduar përsa i përket problemeve të rrugëve të frymëmarrjes. Një bronkopneumoni mund të shkaktohet qoftë nga invazioni primar viral, qoftë edhe një bronkopneumoni sekondare, si rezultat i mbivendosjes bakteriale në terren të sulmit viral primar.

Çfarë rekomandohet në këto raste?

Pini sa më shumë lëngje në formën e lëngjeve të frutave dhe çajrave të ngrohtë. Lëngjet e ngrohta janë këshilla kryesore, por jo të nxehta. Gabimisht përdorim të nxehta që në fakt dëmtojnë mukozën dhe shkaktojnë probleme të tjera shëndetësore.

Duhet të konsumojmë lëngje shpesh dhe në sasi të vogla, në mënyrë që veshka të filtrojë vazhdimisht dhe pa ngarkesë të madhe për të pastruar organizmin nga elementët e panevojshëm. Është gabim kur merren sasi të mëdha dhe në mënyrë të menjëhershme sepse ngarkojmë veshkën, sforcojmë punën e saj dhe ajo nuk kryen dot funksionin e duhur.

Po në lidhje me uljen e temperaturës si duhet të veprojmë?

Kujdes duhet treguar për uljen e temperaturës për të cilën mund të përdoren preparatet antipiretikë,të tilla si: paracetamoli dhe ibuprofeni. Nëse simptomat agravohen dhe me kalimin e ditëve gjendja nuk përmirësohet, por rëndohet dhe temperatura shkon në vlerat 39-40 gradë C, atëherë kjo është një situatë që mund të shoqërohet me komplikacione.

Kjo është një situatë që kërkon patjetër vlerësimin e mjekut dhe jo t’u drejtohemi direkt farmacive. Edhe preparatet antipiretikë duhen përdorur me shumë kujdes dhe jo pa kriter.

Duhet mbajtur parasysh diferenca nga një tabletë tek tjetra minimumi 4 deri 6 orë, sepse edhe ato kanë efektet e tyre anësore. Kujtoj se paracetamoli është ndër preparatet më hepatotoksikë, që do të thotë se dëmton mëlçinë. Për ibuprofenin duhet parasysh efekti në veshka.

Pra, duhet të keni informacion të plotë edhe për këto preparate, që në një farë mënyre janë të lejueshme për çdo familje. Sa i përket preparateve të tjera, janë absolutisht të ndaluara të merren pa rekomandimin e mjekut përkatës.

Nga rastet e paraqitura çfarë keni konstatuar sa i takon përdorimit të antibiotikëve?

Ajo që vihet re më shpesh është përdorimi i antibiotikëve gjatë temperaturës, apo gjendjeve gripale pa pasur rezultate të sakta nëse duhen përdorur ose jo. Jo vetëm tek ne, por edhe në botë është një fenomen shumë shqetësues përdorimi pa kriter i antibiotikëve. Kjo për faktin e rezistencës mikrobike që ato krijojnë.

Duke u përdorur shpesh, mikrobet fitojnë rezistencë deri në atë pikë që nuk i përgjigjen më mjekimit. Në asnjë mënyrë, sidomos në fazat e para nuk rekomandohen antibiotikë në infeksionet virale.

Antibiotikët nuk veprojnë ndaj viruseve. Infeksionet virale mund të krijojnë terren për mbivendosjen e infeksioneve bakteriale, të cilat mund të kërkojnë trajtim me antibiotikë, por kjo përcaktohet nga ekzaminimet laboratorike.

 

January 6, 2020 13:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim