Kësti i Bankers “shpëton” planin e tatimeve në dhjetor

January 7, 2016 09:51

Kësti i Bankers “shpëton” planin e tatimeve në dhjetor

Të ardhurat nga tatimet në muajin dhjetor (1-30 dhjetor) ishin 16.6 miliardë lekë, rreth 430 milionë lekë më shumë se plani i këtij muaji dhe me rritje prej 8.2% (1.3 miliardë lekë më shumë) se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Sipas të dhënave të detajuara paraprake, ka qenë rritja e ndjeshme e të ardhurave nga tatim fitimi që ka ndikuar në shtimin e të ardhurave dhe realizimin e planit, ndërkohë që TVSH, Të ardhurat Personale; taksa nacionale, taksa e qarkullimit dhe lojërat e fatit janë të gjitha me mosrealizim plani dhe disa prej tyre edhe në nivele më të ulëta se dhjetori i 2014-s.

Të ardhurat nga tatim fitimi ishin 2.9 miliardë lekë në dhjetor 2015, duke qenë 70% mbi planin prej 1.7 miliardë lekësh. Në fillim të dhjetorit kompania e prodhimit të naftës Bankers Petroleum njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me tatimet, për ta paguar detyrimin tatimor prej 57 milionë dollarësh, të cilin qeveria pretendon se është shmangur nga kompania në vitin 2011. Në bazë të skemës, Bankers do të paguante menjëherë 10 për qind të kësaj shume dhe pastaj nga 4.2 milionë dollarë çdo muaj deri në shlyerjen e plotë të detyrimit. Pikërisht, pagesa e Bankers ka rritur ndjeshëm të ardhurat nga tatim fitimi. Gjithsesi, nëse Arbitrazhi do të vendosë në favor të “Bankers”, atëherë këto para do t’i kthehen mbrapsht kësaj kompanie.

Të ardhurat nga TVSH ishin 15% më poshtë se plani dhe 3.7% më shumë se dhjetori 2014.

Të hyrat nga të ardhurat personale ishin 2.6 miliardë lekë, 19% më poshtë se plani, ndërkohë që kanë shënuar një rënie të ndjeshme prej 36% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në rënie me vitin e kaluar janë dhe taksat nacionale e të tjera dhe sidomos të ardhurat nga lojërat e fatit, që kanë realizuar vetëm 67% të planit dhe kanë rënë 11.3% në raport me faktin e dhjetorin 2014.

Të ardhurat nga taksa e qarkullimit, që u rrit me 10 lekë për litër nga 1 janari 2015 (apo rreth 37% nga 17 në 27 lekë për litër) janë rritur vetëm me 1.7% në raport me dhjetorin 2014.

Të ardhurat nga kontributet ishin 5.5 miliardë lekë, duke tejkaluar planin dhe duke qenë 9.1% më të larta se dhjetori 2014.

January 7, 2016 09:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*