KËTA TË VRASIN EDHE ATDHEUN!

Nga Sokrat HABILAJ August 19, 2013 09:29

KËTA TË VRASIN EDHE ATDHEUN!

Të merresh gjithë kohën me poezi dhe në një moment të caktuar të shkosh diku tjetër e të rrokësh kordhën e politikës, ky është mësimi më i keq që mund t’i japësh vetes dhe atyre që i janë përkushtuar poezisë. Arsyet e një veprimi të tillë, mund të jenë të ndryshme. Sidoqoftë vetëm një hall i madh të shtyn të vraposh nga lëndinat me lot trishtimi, drejt bokërimave të politikës, ndërsa ikja ime është më e thjeshtë se kaq. Si çdo rob i gjallë i kësaj bote, i kisha venë vetes disa baste, të cilat me sa duket i humba të gjitha.

Së pari, i kisha venë vetes bast që nuk do të lejoja asnjë që ta donte Atdheun më shumë se unë. Shkurt do ta doja më shumë se të gjithë. Nëse do dalloja që qoftë edhe një i vetëm e donte atë më shumë, sinqerisht do të ndihesha në pozitë të vështirë dhe do më të brente xhelozia. Që në fillim ju them se ky ishte basti që e konsiderova më të lehtin, por që e humba edhe më lehtë gjithashtu. Ata që e donin Atdheun më shumë se unë ishin pa fund. Fillimisht dallova se më shumë se unë e donte kryeministri, por këtë e neglizhova, duke menduar se duhet të ndodhte kështu. Nëse do të ishte ndryshe, si mund t’i mbante Atdheu mbi shpatullat e veta, të ndenjurat e kryeministrit për një kohë kaq të gjatë!? Por më vonë pash se Atdheun e donin më shumë se unë, ministra, deputetë, drejtorë dhe sërish e pranova se edhe ata mund ta donin më shumë, ndryshe si mund t’i duronte Atdheu përplasjet e hapave të tyre të harbuara mbi kurrizin e tij kockëdalë!? Më tej akoma, dashurinë time ndaj Atdheut “e parakaluan” vrullshëm lloj-lloj shefash, doganierësh, prostitutash, policësh, sekserësh, hajdutësh, gjykatësish, drogmenësh, analistësh, servilësh, lypsarësh, lëpirës kockash dhe vetes sime i thash, stop! Basti im që ta doja Atdheun nëpërmjet poezisë, më shumë se të tjerët, kishte humbur. Kjo turmë e pafund grykësish, kishte një mënyrë shumë praktike dhe mbresëlënëse për ta dashur Atdheun që nuk dija unë.

Së dyti, basti im ka qenë të mos i shkaktoj asnjë plagë vendit tim, madje brenda vetes thosha se kisha një Atdhe që ishte vetëm imi dhe unë e ruaja nga e keqja, e ruaja nga plagosjet, duke menduar se Atdheu nuk është thjesht tërësia e maleve, luginave, udhëve, përrenjve, etj, por së pari ai është tërësia e ëndrrave dhe shpirtrave që jetojnë për të. Kështu mendova deri pak kohë më parë, kur pash se kryeministri kishte Atdheun e tij, ministri Atdheun e tij, shefi po Atdheun e tij. E kështu me radhë, drogmeni, gjykatësi, polici, të gjithë pra kishin Atdheun e tyre, të cilin e kamxhikonin pa mëshirë. I vetmi i mbeturi pa Atdhe, isha unë. Duke qenë pronarë Atdheu, ata kishin rrahur jo vetëm “Atdhetë” e tyre, por pak nga pak, kishin vrarë edhe Atdheun që unë mendoja se e ruaja brenda vetes sime, duke e parë një ditë veten, me Atdhe të vrarë.

Së treti, isha betuar se mundet edhe të më shkëputej mua ndonjë pjesë trupi, por kurrë nuk do të ndodhte të shkëputej ndonjë milimetër nga Atdheu që ruaja unë. Ky ishte basti më idealist. Ndërsa i thurja vargje paprekshmërisë së Atdheut që ruaja brenda vetes, në tregun gjithë shamatë, me xhambazë, kryeministra, ministra, deputetë, servilë, zyrtarë, shefa, të droguar, mashtruesish ordinerë, etj, etj, dëgjoheshin klithma që ofronin falas, apo me këmbim, pjesë nga Atdheu. Ndërsa unë në botën time, doja të tjera gjëra, copëza Atdheu të shqyera, me fabrika, ara, male, përrenj, dhimbje, kodra, det, udhë, poste, ofiqe, gjerdhe, mure, lot, lugina e pyje, kalonin sa në një dorë matrapazi tjetrën. E në këto kushte, për çfarë duhej basti im!? Ku ishte Atdheu që unë ruaja!?

Së katërti, çfarë do që të ndodhte, edhe pas një Atdheu kaq keq të vrarë e të shqyer, kisha vënë bast se do të mbetej një copë lëndine, a përroi, ku unë do të kapesha fort. Edhe ky rezultoi një bast utopik. Unë që vazhdoja ta kisha brenda muzës sime atë luginë, a përrua, nuk do ta mendoja kurrë se nga zyra e kryeministrit, a më poshtë tij, deri sa të arrinte shkallë-shkallë tek unë, do të dilte një “ferman” në të cilin do të thuhej, se brenda një dite duhet të largohesha nga zyra, nga udha, nga lëndina, nga përroi, nga buka. Duhet të largohesha, tutje në humbje, në një udhë pa kthim, si dikur “pllajave të Anadollit”, a pllajave të Anadollëve të tjerë, ndërsa një ish aktore, e ish deputete, tani e kthyer në një pirëse kafeje si unë, do të më mërmëriste nëpër buzë, me trishtim a tallje, nuk mund ta di: “Krre bejtje, të krrefsha sytë. Ky Atdhe, s’është më vendi yt!” Ku e kisha Atdheu tim që unë të mbaja bastin? A nuk dukej gjëkundi.! Kurrë nuk e kisha menduar se një ditë ta shikoja veten time pa Atdhe!

Së pesti, njëzetë e ca vite më parë, kisha vënë bast se pas viteve të errëta, ky Atdhe do të kishte një fytyrë më të lumtur dhe më njerëzore, madje dhe u binda për këtë, por natyrisht kisha gabuar. Ndërsa u ngazëlleva me fytyrat e reja, idealist së të gjithë poetët, unë harrova që pas fytyrës së presidentit, a kryeministrit ish mjek, të shikoja ish komunistin. Harrova që pas ministrit të shikoja fytyrën e ndonjë ish sigurimsi, që pas fytyrës së një gazetari, të shikoja edhe një shpirt shitur. Sa shumë gjëra harrova, duke ikur tek ishulli im poetik, ku mendoja se unë isha pronar! Gjithçka ishte gjepur. Gjepur ishte besimi im, gjepur ishte edhe krijimi i ishullit tim poetik. Jo thjesht se ata, zotat e Atdheut real, prishnin çdo ishull shpirti, si një ndërtim pa leje, por edhe për faktin se edhe poeti ka nevojë të qeshë, të qajë, të rritë fëmijët, ka nevojë për bukë, për ujë, për ajër, për dritë dhe të gjitha këto, i kanë në dorë, jo ai, por ata që janë pronarë të Atdheut. A mund ta mbaja unë këtë bast? Padyshim jo!

Së gjashti, duke braktisur poezinë dhe duke vrapuar pas politikës, nisur nga fakti i humbjes së shumë “basteve”, ndoshta do të mendohet se edhe ky bast është i humbur që në nisje. Por mund të mos jetë edhe kështu. Që ta humbas këtë bast, duhet që më parë të mendoj se kryeministri, ministrat, deputetët, drejtorët shefat, doganierët, prostitutat, policët, sekserët, hajdutët, gjykatësit, drogmenët, analistët, servilët e lypsarët, e duan këtë Atdhe më shumë se unë. Kjo ka pak gjasa të ndodhë! Ky është basti më i hidhur që ndoshta jam i detyruar ta fitoj.

Nga Sokrat HABILAJ August 19, 2013 09:29
Komento

8 Komente

  1. Florinda August 19, 13:42

    Po i dashur poet.
    Nje shpirt i vrare , nje mendje e trazuar nga banditet qe na drejtuan, thelle diku ne skuten me te erret, ruan nje shprese.
    Dhe shpresa vdes e fundit thote populli.
    Dhe besoj se kjo shprese do te zgjohet shpejt me RILINDJEN.
    Ndoshta pak e drobitur, por me siguri do na e kthej shpejt kohen per te vendosur baste te reja.
    Per te patur sejcili nga ne nje atdhe ashtu sic e meritojme.
    RILINDJE.

    Reply to this comment
  2. pelivan August 19, 16:07

    Kam kohe qe s’jam ndjere kaq komod,ja thenur ndryshe,kaq i kenaqur se sa sot, mbasi mbarova se lexuari SOKRATIN ! Po mor po,Sokratin… Nuk ish me brire vetem Ai i Mirush Kabashit!…Te faleminderit o i Habilash, o vatra e sofres se poezis,se Asllan Aliut , ne Vajzen e Vlores….

    Deteve ngjyruar,
    puthur valesh, rrahur dallgesh
    Vlore o flamur flakeruar,
    Vlore flakeruar flakesh…

    Vlore mengjezeve zgjuar,
    sa e ndritur,aq e ditur!
    Vlore o zonje e burreruar,
    ballin lar,me ar te situr!

    Flas me vete i menduar,
    Sa here Henen shof te ngrene :
    – Mos vall Vlora e bekuar,
    esht’ copza nga Hena rene ?!…

    Se dhe Hena,por dhe Vlora
    Shqiperi pa drit ‘ s’e lene!
    Njera bardheron,si bora,
    sa here tjetren ret ‘ e zene….

    Reply to this comment
  3. nick August 19, 16:14

    Ne atdheun tim…
    I.
    Ne atdheun tim sundojne satrapet
    nder me te prapit ata me te prapet,
    qe bejne pazar me toka e dete,
    shesin per ne dhe blejne per vete.

    Ne atdheun tim s’kane zot dhe fytyrë
    satrapet, qe n’a zhvatin me pëllëmbët yndyrë
    n’a shtyjne e bertasin si tufa delesh,
    n’a”nxijne si kpuca”,n’a”shklyjne per zhelesh”…

    Despotet, satrapet,te prapet e atdheut,
    qe nxijne e perqeshin te”Bukrën e Dheut”,
    qe mbushin ekranet me dhembet rruaze
    e kafshohen pazaresh te paret xhambaze,

    atdheun tim po e vdesin urie,
    po e djegin ne diell,po e mbytin ne hije,
    po e shtypin,rrezojne,po e shkelin me kembe;
    çfare dora nuk mundet,po e shqyejne me dhembe.

    II.
    Sundojne satrapet,bajlozet e zinj,
    qe portretet ua ndezshim nje dite per qirinj,
    sundojne porsi mbreter,si zotër hyjnorë,
    që te vrasin urie, me bukën në dorë.

    ————-vijon————–

    Reply to this comment
  4. pelivan August 19, 17:43

    E bukur nick! shume e bukur,bravo…

    Reply to this comment
  5. ARUSHA August 19, 23:48

    NJE ELEGJI PER SHQIPERINE E KETYRE 24 VITEVE PER HUMBJEN MORALE DHE MATERIALE TE SHQIPTARIT DHE TE SHQIPERISE !

    NE SHQIPERI KA MBETUR KUJA NE DERE !

    Reply to this comment
  6. nono August 20, 02:24

    A KE VOTUAR NE 1991 PER PD?
    A KE QENE DYGISHTOK?
    KETU TE SHPIE DYGISHTOKIZMI I SALES,TE JESH PA ATDHE.

    Reply to this comment
  7. Atdheu eshte... August 20, 18:13

    Njatjeta Sokrat Habilaj…

    Ke shkelqyer ne kete proze poetike shpirterore, nderuar qofsh per nderimin qe i ke bere Fjales si kumt njerezor, qytetar, pse jo, memedhetar.
    Jemi takuar vetem nje here bashke, ndonse jemi patriot, sic quhen ne anet tona, a i vrare!

    Ashtu ndodhi, me baste te humbura si te tuat, e lash Atdheun, u bene vite…
    Por nuk ua lashe atyre qe kerkojne te fitojne bastet me ty, mik i respektuar…
    As atyre qe mund te ri-mashtrojne po ato baste/endrra te tuat apo te gjithkujt tjeter aty. (Se, nuk besoj se je gati te besosh me te gjitha se ajo shoqeri, e sunduar prej frymes se atyre qe vetem per beteja materiale rrojne!)

    Ajo qe me joshi per kete urim ishte majaja e fjales tende te paster ne deshire te mire per memedheun, qe eshte e do jete, duan s’duan ata qe ndodh te ngjiten mbi shpinat e enderrave tona…

    Mbetsh ai qe u shfaqe ne kete proze te mbrujtur me shpirt, qofte edhe duke humbur serish!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*