“Prindërit shqiptarë, të parët në Europë për sakrificën që bëjnë për shkollimin e fëmijëve të tyre”(INTERVISTA)

Entela Resuli August 19, 2015 10:58

“Prindërit shqiptarë, të parët në Europë për sakrificën që bëjnë për shkollimin e fëmijëve të tyre”(INTERVISTA)

Nora Malaj gjendet në zyrë paçka se është muaji gusht. Arsimi, pavarësisht se e ka dalë nami që në verë pushon, duket sikur në këtë kohë ka më shumë punë se çdo institucion tjetër e këtë na e konfirmon edhe zëvendësministrja.

Ne shkuam për të bërë një bisedë me të lidhur me përgatitjet për vitin e ri shkollor, i cili fillon për më pak se një muaj. Ministria e Arsimit garanton se të gjitha ankesat që kanë shoqëruar tekstet nga klasa e parë deri në të 12-n do të reflektohen në librat që do të kenë në duar nxënësit në vitin e ri shkollor 2015-2016.

Gjatë bisedës me zëvendësministren u ndalëm gjithashtu te zhurma e madhe që shkaktoi ligji për Arsimin e Lartë. Zonja Malaj duket se i ka idetë e qarta dhe e di, madje e pranon që çdo reformë ka nevojë për kohën dhe diskutimin e vet. Ajo nuk është fare e shqetësuar që Presidenti e ktheu ligjin. Madje sipas saj, kjo nuk është praktika e parë që Presidenti në pozicionin e tij dhe në detyrën kushtetuese që realizon, ndjek këtë rrugë.

Rasti i motrave Kajtazi është një tjetër temë e nxehtë që ka shokuar opinionin gjatë këtyre ditëve, ndaj nuk mund ta linim pa prekur gjatë bisedës tonë me zëvendësministren. Ajo e njeh mirë psikologjinë e adoleshentit pasi për vite me radhë ka punuar si mësuese gjimnazi në kryeqytet.

 

Zonja Malaj, një muaj na ndan nga fillimi i vitit të ri shkollor, ndërkohë që nga viti 2013 kur kjo qeveri ka ardhur në pushtet, besojmë se ka patur kohën e mjaftueshme për të pastruar sistemin arsimor nga gjithçka që nuk shkonte? Apo nuk është kështu?

Fillimi i vitit të ri shkollor 2015-2016, përkon me një sërë reformash që po realizohen në sistemin e arsimit parauniversitar. Hartimi i strategjisë së sistemit parauniversitar 2014-2020, ndryshimet e fundit që u bënë në ligjin e sistemit parauniversitar, si dhe një sërë udhëzimesh për fillimin sa më mirë të vitit shkollor, tregon se MAS është shumë e vendosur në realizimin e plotë dhe të thellë të reformës me të cilën qeveria ka bërë të qartë për t’i dhënë çdo nxënësi dhe çdo familjeje shqiptare një arsim cilësor, me mësues të kualifikuar.

Megjithatë, reforma për të cilën ju po flisni ka shkaktuar debate ku palët kundërshtare e shohin si një kthim mbrapa. Çfarë të mirash sjellë ky ligj?

Reforma e Arsimit të Lartë, është një nga prioritetet e qeverisë, e cila realizohet në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Vetë ndryshimet që po ndodhin me një shpejtësi marramendëse në zhvillimet globale, kërkojnë domosdoshmërisht një sistem arsimor tërësisht të menaxhuar me një filozofi tjetër, që në fund të ditës do të përkthehet në diploma të merituara, jo të blera që ju krijojnë mundësi të rinjve të garojnë suksesshëm në tregun e punës. Mendoj që debati që ka shoqëruar këtë periudhë ligjin e arsimit të lartë, është mëse i suksesshëm. Pasi së pari në një shoqëri demokratike çdo diskutim apo debat konstruktiv, i bërë nga cilido grup interesi është në interes dhe të të gjithëve, së dyti nga studimet e mia sociologjike në këtë fushë më ka rezultuar që popullata shqiptare dhe prindërit shqiptarë zënë vendin e parë në Europë për sakrificën që bëjnë për shkollimin e fëmijëve të tyre, ndaj e gjej me shumë vend këtë reagim. Së treti, mendoj që sa më shumë frymë debati konstruktiv të ketë një ligj që ndërtohet jo vetëm për të shtruar një autostradë të garantuar me shumë korsi në rrugëtimin cilësor të arsimit të lartë, por që do të ketë një ndikim dhe impakt të drejtpërdrejtë dhe në stabilitetin e ekonomisë së vendit tonë dhe në zhvillimin strategjik të saj, për hapjen e vendeve të reja të punës; aq më shumë besoj që secila nga grupet e shikon këtë çështje si prioritare.

Ju duhet t’i keni ndjekur edhe argumentet e palës tjetër, a ka ndonjë pikë në ligj e cila edhe mund të ishte shmangur?

Nga këndvështrimi im nuk më rezulton qasje negative, po thjesht mendoj që grupet e interesit kanë nevojë që të kenë pak më shumë kohë për të diskutuar mes tyre, për dritëhijet që ende ato shfaqin në diskutimet e tyre. Kjo është dhe një e drejtë kushtetuese, që duhet kuptuar nga të gjithë që është në të mirë të ligjit, jo si qasje negative. Duhet parë si diçka e shëndetshme dhe mjaft konstruktive, pasi të gjitha palët tregojnë përgjegjësinë më të plotë në punën e tyre, dhe të gjithë bëhen pjesë e procesit dhe nuk ndjehen të përjashtuar. Ky është një proces shumë i bukur, që duhet vlerësuar dhe jo paragjykuar.

Nora Malaj

Nora Malaj

Po nga ana tjetër përpara pak ditësh Presidenti i vendit Bujar Nishani e ktheu mbrapsht ligjin. Çfarë do të ndodhë tani?

Kjo nuk është praktika e parë e Presidentit në pozicionin e tij dhe në detyrën kushtetuese. Sigurisht kthimi pas është argumentuar edhe me një material shtesë nga ana e Presidentit. Tani është detyra e Parlamentit që në mbledhjen më të afërt të radhës, kur Kuvendi të mblidhet, të diskutojë ato nene për të cilat Presidenti është shprehur negativisht, dhe më pas deputetët në seancë parlamentare do ta diskutojmë dhe nëse është e nevojshme do të bëjnë rregullimet e duhura, në të kundërt, nëse nuk binden me argumentet që paraqet Presidenti, do të votojnë varantin që është më i drejtë.

Sa e vërtetë është akuza se do të shtrenjtohen tarifat për studentët?

Për këtë vit shkollor nuk kemi asnjë tarifë të ndryshuar dhe asnjë shtesë tjetër. Studentët do të paguajnë aq sa kanë paguar edhe paraardhësin.

Vitin e fundit është hapur një debat i madh për sa u përket problemeve dhe gabimeve në tekstet shkollore. Çfarë është bërë gjatë këtyre muajve për korrigjimin dhe pastrimin e tyre?

Një nga evolucionet në sistemin e arsimit parauniversitar është pikërisht krehja dhe paraqitja në një standard tjetër në këtë vit e teksteve shkollore. Dua të bëj një historik, në 2014, në partneritet me shtëpitë botuese u hoqën 112 tituj tekstesh të cilat ishin me shumë problematika, në 2015 u hoqën 425 tituj tekstesh, prapë në partneritet me botuesit dhe në njëfarë mënyre bëmë pastrimin e terrenit, për të bërë më pas ndryshimin në ligj ku nga një mori tekstesh të pakufizuara, të cilat kishin një sërë problematikash të rënda, të shkojmë vetëm në 3 alternativa, të cilat nëpërmjet respektimit të ligjit janë përzgjedhur me shumë transparencë.

A do të kenë nxënësit e klasave fillore por edhe 9-vjeçare, libra cilësorë këtë vit?

Natyrisht, që jo vetëm do të kenë libra cilësorë, po këtë vit shkollor për herë të parë kemi pjesëmarrjen edhe të shtëpive botuese shumë prestigjioze të botës, i Oksfordit, Pirsonit dhe Kembrixhit, që kanë qenë pjesë e teksteve në garë të librave të klasë së parë dhe të gjashtë. Dhe komisioni i vlerësimit përherë të parë drejtohej nga nivele profesorati dhe pjesë teknike dhe jo politike, me tituj dhe profesionistët më të mirë të fushave.

Ka patur një grup pune për korrigjimin e tyre dhe sa është punuar me shtëpitë botuese në këtë drejtim?

Partneriteti me shtëpitë botuese ka qenë shumë korrekt dhe mjaft bashkëpunues. Deri më tash ende nuk kemi raste ankimi nga ndonjë shtëpi botuese.

A do munden që këta libra të vijnë në kohë në duart e nxënësve?

Natyrisht që po. Të gjithë vogëlushët dhe nxënësit do të pajisen me libra në këtë vit shkollor. Shtëpitë botuese janë në fazën përfundimtare dhe nga data 1 shtator do të filloj shpërndarja e librave, nëpër shkolla.

Zonja Malaj, ju keni vite që punoni me nxënësit dhe studentët, jeni marrë drejtpërdrejt me ta për shumë kohë, çfarë ju ka dhënë eksperienca si mësuese dhe pedagoge?

Për mua arsimi nuk është vetëm profesion, por është mision dhe pasion. Ti je një lider që do të mprehësh mendjen dhe do të lëmosh shpirtin e fëmijëve dhe të rinjve. Kjo bëhet me dashuri, përkushtim e mirësi. Një gjë e di shumë mirë, në këtë mision si mësuese dhe më pas si pedagoge nuk kam dështuar, po kam qenë dhe vazhdoj të jem e suksesshme.

Nuk ka kënaqësi më të madhe që t’i të kesh në krahun tënd si zv/ministra ish-nxënësit dhe studentët e tu. Kjo do të thotë që ti si person të kesh realizuar misionin tënd. Kjo është dhurata më e madhe që kam marr dhe vazhdoj të marr në jetë nga ish-nxënësit dhe studentët e mi.

Duket se vitet e fundit të rrisësh një fëmijë është kthyer në një sfidë ku shpesh herë prindërit dalin të humbur. Cilat janë problematikat e të rinjve sot?

Të rinjtë e sotëm janë pjesë e realitetit ku ata jetojnë. Kanë probleme të shumta, që nga afirmimi i identitetit të tyre, te kontradiktat e rritjes që i shoqërojnë, te modeli që duan të ndjekin, te nevoja për argëtim, te dëshira për t’u ndjerë të dobishëm, po problemi i tyre më i madh është te hapësira boshe, atëherë kur nuk kanë motiv të fortë dhe kur nuk prodhojnë atë adrenalinë që u duhet. E gjithë shoqëria ka detyrime, që të rinjtë t’i bëjë të ndjehen të motivuar dhe përtej sloganeve moraliste, të besojë te ta. Pasi një gjë është shumë e sigurt, të rinjtë e sotëm janë më të mirë se ata të djeshmit, pasi “raca vjen duke u përmirësuar” dhe misioni i brezave ndryshon në kohë. Le të besojmë te ta dhe të bëhemi edhe ne pjesë e ndryshimit së bashku me ta. Duhet të mbjellim besimin te ta pasi kështu ndërtojmë një shoqëri më të mbrojtur nga veset dhe nga problemet. Detyra jonë është t’i ndihmojë dhe jo t’i paragjykojmë.

Zonja Malaj, besoj e keni ndjekur rastin e motrave Kajtazi, çfarë mund të na thoni?

Rasti i motrave Kajtazi, mendoj se lidhet me një sërë problematikash që po kalojnë të rinjtë shqiptarë. Duke mos marrë shërbimet e nevojshme që lidhet me qendrat e këshillimit kur të rinjtë nuk ndjehen të motivuar nga prindërit apo në trysninë e shoqërisë, situata bëhet dramatike dhe përfundon edhe në vepër penale. Ajo që ndikon shumë fort te formimi i fëmijës është periudha e fëmijërisë së hershme. Ky rast duhet të shihet me shumë vëmendje nga të gjithë ne. Kemi të bëjmë me një vajzë në moshën e adoleshencës dhe me vajzën tjetër që sapo ka kapërcyer këtë moshë. Një histori që brenda mbart shumë të panjohura, po që duhet parë me shumë kujdes dhe me shumë vëmendje. Sot kur shohim dhe dëgjojmë lajmet kuptojmë se na janë lëvizur themelet e familjes. Fëmijët duan të rebelohen dhe pasi kanë parë modelet e filmave, veprojnë si ata për të tërhequr vëmendjen, bëjnë veprime që më pas janë shumë të kushtueshme për jetën e tyre. Ky rast mendoj se duhet t’i bëjë prindërit më të përgjegjshëm për rolin që kanë në edukimin e tyre dhe është një kambanë alarmi për të gjithë shoqërinë tonë dhe institucionet e edukimit dhe ato të këshillimit. Kjo është detyrë edhe e medias që të kenë më shumë rubrika sesi të ndihmojnë prindërimin e kujdesshëm dhe mirërritjen e fëmijëve.

Entela Resuli August 19, 2015 10:58
Komento

3 Komente

  1. Edi August 19, 12:02

    Pordhe me rigon. Asgje me permbajtje ske thene. Teori librash. Jetoke ne nje bote ti moj moter, plot me lule. Dava zv/ministre, kokrra budalles.

    Reply to this comment
  2. Zaho Puci August 19, 16:56

    Nje zonje grua jo vetem nga inteligjenca dhe bukuria perrallore, por nje bletushke punetore e mbi te gjitha mbretereshe e ekranit ( norma mesatare tete intervista ne dite ne televizionet me prestigjioze te vendit dhe te botes : CNN, BBC, VOA, RAI : 1,2,3,4,5, etj, etj. ).Me nder Jush na e ka zbardhur b… kudo qe ka dale. Jo me kot e ka rikonstruktuar makinen e punes ne garderobe dhe parukeri. Domosdo nuk ka kohe se duhet te vrapoje nga studio ne studio, nga nje parti ne tjatren. Mjeku e ka keshilluar te mos dale ne plazh veres sepse do t’i duken format e saj te beshme trupore dhe plazhistet dhe sidomos studentet e ” mahnitur ” nga pesha e saj trupore ( te cilen e ka fituar fale punes kafsherore ), do te ikin me vrap nga plazhi dhe keshtu bie nje perqindje e madhe e GDP – se nga turizmi. Keshtu ka rene dakord dhe me eleganten e turizmit Eglantina Vito Kapo Gjermeni.

    Reply to this comment
  3. radiokashari August 20, 07:31

    Zonja Malaj ……….Ti ke deshtuar …qe ne momentin qe thua ..Nga duart etua kan kaluar nxenes qe sot jane ministra “OOOOOOOOOOOOOOh ..kjo megalomania shqiptare vret breza ..Fenomeni me negativ qe po lulezon ne cdo hap te jetes ..Njerez pa kurfare bagazhi,njerez qe nuk kan asgje me shume se nje njeri normal ..kerkojne te quhen “Te medhenj ,dhe te sukseshem ” Do te ishte e vlefshme te thuash shkurt “kam nxjer njerez ” ..Ata qe perballen cdo dite me egersine eketij sistemi ..ata qe nuk i kan humbur vlerat dhe jane kthyer ne sahanlepires …………Gjithsesi ky eshte niveli …Asnje profesion nuk ka vlere po nuk ishe njeri …….te tjeret flisni sa te doni ………..Tung !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*