Kinezët e “Wein Bussines Energy” tërhiqen nga Albpetrol

Edlira Shehu February 19, 2013 09:07

Kinezët e “Wein Bussines Energy” tërhiqen nga Albpetrol

Privatizimi i Albpetrol, ashtu sic gazeta “Dita” e ka lajmëruar kohë pas kohe, po shkon drejt dështimit të plotë. Të paktën kjo qeveri nuk është në gjendje të kryejë një privatizim strategjik të këtij sektori të rëndësishëm. Edhe pse vetëm pak ditë më parë u botua në fletoren zyrtare se kanë nisur rinisur procedurat për privatizimin e tij, i vetmi konfirmim zyrtar mbetet ai që janë mbyllur negociatat me “Vetro Energy”. Nga ana tjetër Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjëtikës, pohoi se kanë nisur negociatat me një kompaninë kineze “Wein Bussines Energy” , që edhe pse me një vlerë shumë më të vogël se propozimi fillestar që erdhi nga Vetro prej 850 milion eurosh, ishte entuziast se mund të bëhej blerja prej tyre. Oferta e kinezëve shkonte në 297 milionë euro, por të gjitha gjasat tregojnë se nuk do të ketë një privatizim prej tyre. Burime nga METE, bëjnë të ditur për gazetën se negociatat me kompaninë kanë dështuar. Në përgjigjen e tyre para pak ditësh, është qartësuar se për momentin nuk janë të interesuar për të investuar në vendin tonë, për vetë klimën e krijuar politike në prag zgjedhjesh. Sipas kësaj shkrese të ardhur prej tyre, qartësohet se po të ishte më herët oferta për blerjen e Albpetrol ata do të ishin të interesuar, por në këtë moment gjykojnë se nuk është klima e përshtatshme. Vec fatkit se dështon privatizimi i një sektori të tillë kaq të rëndësishëm, tërheqja e tyre është një sinjal tjetër negativ për qeverinë, investitorët e huaj nuk janë të interesuar të shohin vendin tonë si një mundësi të mirë për të hedhur kapitalet e tyre në treg. Ata kanë pasiguri në kushtet që afron qeveria jonë.

Por qeverisja aktuale vijon të ecë sipas saj me hapa normalë në këtë sektor, ku jo vetëm deklaron në fletoren zyrtare se ka rihapur procedurat për shitjen e Albpetrol, por deklaron “sukseset” e saj në sektorin e privatizimeve. Pra në të njëjtën kohë kur në fletoren zyrtare flitet “për vijimin e procedurave të privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” SHA, Patos, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7 të ligjit nr. 10 490, datë 15.12.2011 “Për  përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë Albpetrol” sh.a.Patos”, përgjigja negative kishte mbërritur nga kinezët që sipas Haxhinastos ishin të interesuar për ta blerë. Megjithatë asgjë nuk konfirmohet zyrtarisht, por METE zvarrit sa më shumë daljen zyrtare për dështimin e këtij raundi, për ta cuar atë në një hap tjetër negociatash me Bankers Petrolium, për ta cuar atë deri afër zgjedhjeve të përgjithshme dhe për “të mos i dhënë kohë vetes” të merren me këtë privatizim. Për qeveritarët tanë rruga e vetme mbetet anullimi i këtij privatizimi, duke e zvarritur në këtë formë që të mos pranojë dështimin e plotë të saj.

Si dështoi qeveria jonë me privatizimet?

Tre vjet më parë qeveria shqiptare deklaroi me bujë privatizimin e sektorit të shpërndarjes dhe shitjes së energjise elektrike në Shqipëri te konsumatorët. Kompania private çeke e bleu këtë pronë publike për 120 milionë euro. Por tashmë kësja kompanie i ka mbetur e vetmja marrëdhënie me shtetin shqiptar, ajo në gjyq në Gjykatën e Arbitrazhit ndërkombëtar.  Dështimi i dytë është ai i Albpetrol. Oferta e cilësuar e “çmenduar” prej 850 milionë eurosh dështoi sërish, u anullua procesi, e tashmë u kalua në një fazë tjetër që po shkon në një anullim definitiv privatizimi.  Këtyre “privatizimeve” të dështuara ju shtuan dhe 4 HEC-et që me vendim të Këshillit të Ministrave tashmë i janë dhënë Kurum International më një shumë prej 110 milionë eurosh, shumë që nuk mund të ketë impakt në buxhetin e vitit 2013 pasi do të shkojë për likujdimin e borxheve që qeveria u ka biznesit. Sektorë strategjikë dështojnë në privatizim, shkak nxitimi i qeverisë për të marrë ctë marrë prej tyre, pa pyetur sa e nëvojshme dhe sa kohë duhet për të realizuar një privatizim strategjik dhe me impakt pozitiv në ekonominë e vendit.

Edlira Shehu February 19, 2013 09:07
Komento

1 Koment

  1. LORA February 19, 16:09

    Sektoret strategjike te ekonomise, Energjia elektrike dhe Nafta, kurrsesi nuk duhen privatizuar.
    Keta perbejne themelin e sigurise kombetare aq sa prirja per t’i privatizuar duhet te denohet me ligj si antikombetarizem kriminal.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*