Kisha-shpellë e Sinjës

May 21, 2017 13:02

Kisha-shpellë e Sinjës

 

Periudha e shek. XII-XIII pati një lulëzim të madh të arkitekturës së kishave – shpellë, kjo periudhë shquhet për realizimin e kishave dhe ambienteve përreth në disa raste me volume të vogla duke shfrytëzuar me mjeshtëri gjithë hapësirën e mundshme që jepte shpella natyrore në atë pjesë të formacionit shkëmbor.

E tillë është edhe kisha-shpellë e Shën Mërisë në Sinjë të Beratit. Në fshatin Sinjë të rrethit Berat në një faqe shkëmbore ndodhen dy shpella. Njëra prej shpellave është e madhe, e gjerë dhe e punuar në pjesën e brendshme. Ndërsa shpella tjetër është më e lartë dhe më e ngushtë. Në shpellën e dytë ndodhet kisha heremite e Shën Mërisë. Kjo kishë me përmasa të vogla, qëndron e mbështetur në terrenin shkëmbor të kodrës dhe në faqet e shpellës.

Pamje e përgjithshme e kishës

Faqja e jashtme e kishës është e ndërtuar me gurë gëlqerorë, të vegjël e mesatarë, të punuar dhe të lidhur me llaç. Kati i parë i ndërtesës mbështetet në faqen shkëmbore dhe kryen funksionin e një bazamenti nivelues për ambientet e sipërme të kishës. Gjysma e çatisë është e futur në shpellë kurse pjesa tjetër qëndron jashtë shpellës. Kjo e fundit është ndërtuar me tjegulla dhe faqe të brendshme druri. Kisha është e pajisur me një derë të vogël nga perëndimi. Korridori është formuar nga faqja shkëmbore e shpellës dhe faqja e murit. Ky ambient është i ngushtë 0, 30 – 0, 50 m dhe është i pajisur me disa shkallë të gdhendura në shkëmb që të çojnë në ambientet e kishës, të cilat ndodhen në një nivel më të lartë se hyrja.

Në pjesën perëndimore kisha është e pajisur me tre dritare të përmasave mesatare që shërbejnë për ajrim dhe ndriçim. Një dritare e katërt ndodhet në faqen jugore, ku ndodhet edhe ambienti i parë që shërben si pronaos. Ky ambient i ulët është i pajisur me një dritare dhe me tre shkallë që të çojnë në ambientin e dytë, i cili shërben si vend për altarin. Ky është ambienti më i mbyllur, ku si faqe rrethuese përveç pjesës shkëmbore shërben edhe muri.

Ambienti i tretë, ai veriori, është më i vogël, dhe ka shfrytëzuar tërësisht faqet shkëmbore të shpellës. Në faqet e brendshme të mureve të kishës vihen re mbetje të degraduara të pikturave murale të dikurshme murale . Ndër motivet kryesore dekorative të afreskeve janë ato gjeometrike. Në disa pjesë të mureve dallohen mbetje të mbishkrimeve bizantine.

Ceremonitë e 15 Gushtit

Kisha vazhdon ende të përdoret nga besimtarët e zonës, si për ceremonitë fetare ashtu edhe si vend lutjeje. Gjithashtu kisha dhe ambienti rreth saj shfrytëzohet për festimin e 15 gushtit, që konsiderohet si festa e Shën Mërisë. Në këtë ditë besimtarët mblidhen dhe festojë së bashku (festë kjo që festohet në të gjitha kishat e Shën Mërisë).

Monument Kulture i Kategorisë së Parë

Para pak kohësh,  në bazë të kërkesës së Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare-Berat, Ministria e Kulturës shpalli Monument Kulture të Kategorisë së Parë Kishën e “Shën Marisë” në fshatin Sinjë, duke e çuar në 484 numrin e monumenteve të kulturës në qarkun e Beratit.

May 21, 2017 13:02
Komento

1 Koment

  1. Ilio May 23, 18:06

    Eshte nje mrekulli historia e kesaj zone dhe te rajonit te Beratit! Kudo kulture e shperndare ne te gjithe skajet! Por shume pak te njohur nga brezi i ri!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*