Kistet në vezore, shenjat dhe trajtimet që duhet të ndiqni

March 20, 2017 12:18

Kistet në vezore, shenjat dhe trajtimet që duhet të ndiqni

Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili, thekson se duhet të tregojmë kujdes të veçantë në rastet kur  dhimbjet e barkut janë të forta dhe vijnë papritur, nëse keni marrje mendsh, frymëmarrje të shpejtë, si edhe dhimbje barku që ndodhin me të vjella dhe ethe

Pranvera Kola – DITA

Formimi i kisteve në vezore është një ndër gjendjet e shpeshta me të cilat përballet çdo femër gjatë jetës së saj.

Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili. ndalet në identifikimin e faktorëve që ndikojnë në formimin e kisteve, si dhe këshillat që mund të ndiqen për trajtimin e tyre në rastet kur shkaktojnë problematika serioze në shëndetin e gruas. Sipas saj, vezoret janë organet riprodhuese te femrat dhe janë të vendosura në pjesën e bacinit (legenit) në të dyja anët e uterusit (mitrës).

Ato kanë formën dhe madhësinë e një arre dhe janë përgjegjëse për prodhimin e hormoneve femërore, si: estrogjeni dhe progresteroni. Vezoret janë burimi kryesor i hormoneve femërore që kontrollojnë zhvillimin seksual, duke përfshirë formën e trupit, si edhe zonën me flokë të tij. Po ashtu vezoret prodhojnë vezët, të cilat kanë të bëjnë me riprodhimin.

Çdo muaj, si pjesë e ciklit menstrual të gruas vezoret çlirojnë nga një vezë, një herë nga njëra dhe një herë nga tjetra vezore. Kjo ndodh pikërisht në ditën që quhet ovulacion.

Ovulacioni është i kontrolluar nga një seri reaksionesh kimike dhe hormonale, të cilat e marrin komandën në radhë të parë nga hipotalamusi i trurit. Ovulacioni ndodh zakonisht në ditën e 10 deri të 14 pas ditës së parë të ciklit menstrual.

Po kistet e ovarit çfarë janë?

Janë qese, apo struktura të mbushura me lëng që rriten dhe zhvillohen brenda, apo pranë ovarit (vezores). Kjo mund të ndodhë në një, apo të dyja vezoret njëkohësisht. Përgjithësisht kistet ovariale janë pa simptoma klinike, por jo rrallë, ato shkaktojnë probleme.

Cilat janë shkaqet më të shpeshta të tyre?

Ndonjëherë mund të ndodhë që vezorja mund të mos e çlirojë vezën gjatë ovulacionit dhe ajo vazhdon të mbushet me lëngun brenda vezores. Ky quhet “kist folikular”. Por, mund të ndodhë që ovari e çliron vezën, por qesja e mbetur bosh vazhdon të mbushet me lëng ose gjak në vend që të absorbohet. Kjo njihet me termin “korpus luteum cist”.

Të dyja këto raste janë lloje funksionale të kisteve ovariale dhe përbëjnë llojin më të zakonshëm të tyre. Faktorët kryesorë të rrezikut që i predispozojnë femrat janë histori familjare, cikle menstruale të çrregullta, trashja e mukozës së brendshme të uterusit, fillimi i menstruacioneve para moshës 10 vjeç, hypertiroidizmi (funksioni i shtuar i gjëndrës tiroide), apo edhe terapi të ndryshme siç janë ato të sëmundjeve malinje. Përveç kisteve ovariale funksionale, të cilat nuk shkaktojnë simptoma dhe nuk janë të rrezikshme, kemi edhe kistet ovariale komplekse.

Kiste të tilla mund të zhvillohen kur indet e mitrës rriten nga jashtë saj në drejtim të vezoreve. Këto janë rritje jo- kanceroze të njohura si kistadenoma. Kistet ovariale funksionale mund të ndodhin gjithashtu edhe gjatë tre mujorit të parë të shtatzanisë. Këto lloj kistesh kanë tendencë të zgjidhen vetë pas lindjes.

Cilat janë simptomat klinike të kisteve ovariale?

Siç e theksuam edhe më lart, në shumicën e rasteve nuk kemi simptomatologji klinike, por në rastin kur ndodh, shenjat kryesore përfshijnë:

Të përziera, të vjella, shtim në peshë, dhimbje gjatë menstruacione, apo raportit seksual, paaftësia për të zbrazur fshikëzën e urinës plotësisht, dhimbje të gjirit, apo dhimbje në rajonin e legenit në zonën e të ndenjurave, ose të kofshëve. Kujdes të veçantë duhet të tregojmë në rastin kur dhimbjet e barkut janë të forta dhe vijnë papritur, kur kemi marrje mendsh, frymëmarrje të shpejtë, si edhe dhimbje barku që ndodhin  me të vjella dhe ethe.

Si vendoset diagnoza?

Diagnoza bazohet në radhë të parë në situatën klinike dhe konfirmohet me një “Eko” të barkut, e cila nëpërmjet ultratingujve dallon kistet ovariale.

Po ashtu një “Eko” transvaginale (nëpërmjet futjes së sondës së posaçme në vaginë) shqyrtohet struktura e mitrës dhe e vezoreve. Në shumë raste është e domosdoshme kirurgjia laparoskopike, e cila nënkupton prerje të vogla nëpërmjet barkut për të identifikuar kistin, por edhe për të marrë biopsinë, apo për ta hequr të gjithin.

Po ashtu rekomandohen ekzaminime të gjakut, të cilat ndihmojnë në përjashtimin e mundësisë e sëmundjeve tumorale siç është për shembull kanceri i ovarit.

Si trajtohen këto lloj kistesh?

Shumë kiste ovariale funksionale nuk kërkojnë ndonjë trajtim të veçantë, pasi ata shpesh zgjidhen vetë si rezultat i ndryshimeve hormonale që ndodhin gjatë cikleve menstruale. Natyrisht këto kiste mbahen në kontroll nëpërmjet ekzaminimit ekografik çdo tre muaj.

Nëse kisti është zhdukur, ose nuk ka asnjë ndryshim në formë dhe përmasa nuk ka trajtim të veçantë. Medikamentet mund të përdoren për qetësimin e dhimbjeve në zonën e legenit, siç janë antiinflamatorët (ibuprofeni). Këto medikamente nuk ndihmojnë në shpërbërjen e kistit ovarial. Ato lehtësojnë vetëm simptomat klinike.

Nëse një grua ka kiste ovariale të shpeshta mjeku mund të rekomandojë terapinë hormonale për të parandaluar ovulacionin dhe për të ulur rrezikun e formimit të kisteve të reja. Kirurgjia mund të jetë e nevojshme në rast se kistet ovariale rupturohen (çahen, shpërthejnë), nëse ka gjakderdhje të brendshme, ose duke parë mundësinë e kancerit. Kirurgjia mund të rekomandohet më shpesh për gratë që janë në periudhën e postmenopauzës pasi me rritjen e moshës rritet edhe rreziku u kancerit ovarial.

Cila është ecuria e trajtimit të tyre?

Prognoza e kisteve ovariale funksionale ,sidomos gratë që janë në premenomauzë është përgjithësisht e mirë. Shumica e kisteve zgjidhen vetë brenda disa muajve pa trajtim. Prognoza e llojeve të tjera të kisteve ovariale varet nga një sërë faktorësh.

Në radhë të parë nga mosha. Një grua që është ende me menstruacione dhe prodhim të estrogenit ka një shans më të madh të zhvillimit të cisteve ovariale se sa gratë e periudhës postmenopauzale, pasi këto të fundit nuk kanë më ovulacion, pra nuk kanë më sasira të mëdha hormonesh femërore, pasojë e ndryshimit të niveleve të tyre janë kistet ovariale.

Madhësia e kistit ndikon gjithashtu në zgjidhjen, apo jo pa ndërhyrje. Kistet që janë më të mëdha se 4 centimetra zakonisht kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.

A mund të parandalohen kistet e ovarit?

Edhe pse kistet ovariale nuk mund të parandalohen, kontrollet e rregullta mund të ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të tyre dhe në mënyrë të veçantë të anomalive të vezoreve.

Nëse një grua është në periudhën premenopauzale dhe ka kiste të shpeshta ovariale funksionale, terapia hormonale (pilulat kontraceptive) mund të ndihmojnë në parandalimin e formimit të kisteve të reja.

Siç e theksuam edhe më lart, kistet ovariale në shumicën e rasteve zgjidhen vetë, pa trajtim dhe nuk janë të rrezikshme.

 

March 20, 2017 12:18
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*