“Kjo është ortakëri kundër LANÇ. Turp për një qeveri “të majtë”

August 13, 2019 02:45

“Kjo është ortakëri kundër LANÇ. Turp për një qeveri “të majtë”

“Ka filluar me Sali Berishën në fillimin e viteve 1990. Rama vetëm se po e vazhdon dhe po e thellon. Akademia ka rënë në kurthin e kësaj ortakërie kundër luftës antifashiste. E pafalshme të ndodhë kjo në 75-vjetorin e çlirimit të atdheut. Pavarësisht se kritikat kundër qeverisë kanë qenë tejet të rrepta, për turpin e saj ajo hesht. Kjo është një strategji politike që qeveria Rama e ka shumë për zemër. Turp! Dhe pretendon të jetë një qeveri e majtë” – thotë në këtë intervistë botuar sot në Dita, historiani i Luftës, Xhelal Gjeçovi.

Reagimi i profesor Gjeçovit për Konferencën e Akademisë së Shkencave për 75-vjetorin e çlirimit ven nga SHBA.

“Antifashizmi nuk mund të trajtohet si një fenomen abstrakt apo spontan, pa substancë, pa faktorët e rrethanat që e diktuan, pa aktorët që e përpunuan e i dhanë jetë, me angazhimin e sakrificat në luftë dhe me dëshmorët e rënë” – thotë ai.

Më poshtë, intervista e botuar sot në Dita. Me z.Gjeçovi bisedoi gazetari Xhevdet Shehu:

– Profesor Gjeçovi, siç mund të jeni në dijeni ka ditë që po zhvillohet një debat i gjerë mbi zhvillimet e fundit në Akademinë e Shkencave, të lidhura dhe me projektin e Akademisë për një Konferencë Shkencore që do të organizohet me rastin e 75 vjetorit te Çlirimit. Juve deri tani nuk ju kemi parë që të shfaqni mendimin tuaj mbi këto zhvillime. Pse?

– Po, keni të drejtë. Unë jashtë natyrës dhe angazhimeve të vazhdueshme mbi Luftën e periudhën pas saj, dy periudhat me të cilat jam marrë gjithë jetën, si pedagog në universitet dhe punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ka ca kohë që jam tërhequr disi, për arsye shëndetësore.

Me gjithë situatën, besoj të përkohshme, që po kaloj, kam ndjekur me vëmendje përpjekjet mafioze për t’i hequr stadiumit emrin “Qemal Stafa”, si dhe problemet që dolën në pah së fundi në Akademinë e Shkencave, me konceptimin e gabuar të Konferencës për 75-vjetorin e çlirimit, por dhe reagimin kurajoz, në kohën e duhur e me argumentet e duhura, të “Ditës”, me informimin e sensibilizimin e opinionit dhe tërheqjen e mendimit të disa penave të njohura në fushën e historisë si Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Fatos Tarifa etj. Kishit edhe një prononcim të legjendës së rezistencës antifashiste heroit Manolis Glezos. Me pak fjalë, ai tha gjithçka: “Mos i shtoni verës ujë. Fashizmi nuk ka vdekur!” Ç’t’u shtosh këtyre fjalëve?

Kam respektin më të madh për ju. Këto zhvillime nxjerrin nevojën e një reformimi të thellë jo vetëm të Akademisë, por dhe të Institutin e Historisë, ku prej një dekade drejton e bën ligjin një grup ballistësh, të përkëdhelur gjithë jetën, e së fundi të inkuadruar pa droje, krejt hapur, në krah të ballistëve në fushatën kundër luftës. E, për çudi, kjo situatë deri tani nuk ka shqetësuar asnjë nga organizmat e shtetit, i cili u mor jo pak, e me të drejtë me Institutin e krimeve  kundër komunizmit, por jo dhe me Institutin e Historisë, edhe ky institucion i financuar nga shteti.

– Cili është mendimi juaj për konferencën shkencore të paralajmëruar nga Akademia?

– Bëtë shumë mirë që e botuat programin e asaj konference dhe qëllimin e saj. Ishte një provokacion i rëndë ndaj antifashizmit shqiptar në këtë vit jubilar. Ndaj, ashtu si shumica e kolegëve të mi, nuk kam për të marrë pjesë në atë konferencë.

Unë kam mendimin tim të palëkundur për atë luftë. Tani që jam më mirë, do të kem nga shtatori besoj një sërë shkrimesh, jo thjesht për zhvillimet në Akademi, nga e cila s’ke ç’kërkon e ç’pret përderisa ka bërë ortakëri në përgatitjet për konferencën, me ballistë të njohur, që e kanë të shkruar në ballë anësinë dhe përkushtimin ndaj kolaboracionistëve të luftës së Dytë Botërore e të sotëm, por për angazhimin në fushatën kundër luftës të historianëve të Institutit të Historisë, të cilëve nuk iu lejohet që të bëjnë propagandë kundër luftës, nëpër gazeta e televizione, përderisa financohen nga shteti, që të paktën formalisht konsiderohet shtet demokratik antifashist.

Ju, besoj e dini se unë kam qenë që nga viti 1979 punonjës shkencor dhe shef i sektorit të Luftës në këtë Institut dhe e njoh mirë përbërjen e aktivitetin e tij, me përjashtim të forcave të reja që janë marrë vitet e fundit.

– Gjatë këtyre viteve janë mënjanuar me marifete, por edhe me pretekste të pashpjegueshme specialistët më të aftë, sikurse po ndodh edhe me këtë konferencë shumë pretencioze të Akademisë. A është normale kjo?

– Aspak normale. Është një paradoks i çuditshëm që është thënë edhe hapur, por avazi vazhdon. Mua më çudit fakti që një studiues brilant, si Pëllumb Xhufi, me kulturë e njohuri jo vetëm për mesjetën por dhe periudhat e tjera të historisë, përfshi dhe ato të reja, Luftën e periudhën pas saj, siç e kemi parë dhe në kumtesat e artikujt shkencorë të referuar e të botuar, lihet jashtë organizimit të një aktiviteti të rëndësishëm siç është kjo konferencë, e nuk harrohet të thërritet Gurakuqi, i njohur si studiues i periudhave të tjera, por jo i luftës, e natyrisht dhe si politikan mjaft i angazhuar pranë Partisë Demokratike, një e drejtë e tij sigurisht.

Pjesëmarrja e Xhufit do t’i bënte mirë jo atij, por organizimit të këtij aktiviteti në parametrat e duhur. Prof. Kristo Frashëri e konsideronte Xhufin një talent, që premton të bëhet një pasardhës i denjë i shkollës së A. Budës. E pikërisht ky lihet jashtë komisionit të ngritur për konferencën, siç lihet dhe jashtë punëve drejtuese në këto institucione. Është ajo qe ka shkruar me kohe I. Kadare, se burokracia e burokratët u frikësohen njerëzve të ditur dhe bëjnë çmos e shpesh ia arrijnë t’i mënjanojnë nga këto punë, për të cilat do të kishin më shumë dobi institucionet se sa vete ata.

Dhe rrjedhojë e këtij mentaliteti është që lufta, njëra nga periudhat më të ndërlikuara, e më të debatuara të bjerë në dorë të punonjësve që s’janë marrë kurrë me të, që lënë punët e periudhat me të cilat janë marrë gjithë jetën për t’u marrë me luftën, pasi kjo u jep mundësi të lidhen me ballistët e së bashku të angazhohen në kryqëzatën kundër luftës antifashiste, duke menduar se kështu bëhen të njohur në opinionin publik.

– Profesor, për të hyrë konkretisht në çështjet e konferencës, në orvatjet e akademisë për të përdorur terma të tillë si Antifashizëm Popullor, që me sa duket synon goditjen e antifashizmit të vërtetë, a mund të thuhet se kemi të bëjmë me një strategji dhe vijë politike për të larguar vëmendjen nga problemet reale të kësaj periudhe, pra të viteve post-komuniste?

– Orvatje të tilla, i nderuar Xhevdet, më kanë deziluzionuar pa masë. Për Akademinë, janë të pa falshme prirjet për ta larguar Konferencën kushtuar 75 vjetorit të çlirimit nga problematikat reale që ka kjo ngjarje, për të mos sjellë mendimin e gjykimin e historianëve të drejtimeve të ndryshme mbi to, nga distanca e treçerek shekullit. Por kjo është një strategji politike dhe qeveritare e vazhduar me konsekuencë edhe nga qeveria Rama.

Nuk është e re kjo strategji. Ka filluar me Sali Berishën në fillimin e viteve 1990. Rama vetëm se po e vazhdon dhe e thellon atë me strategjinë e bunkerëve, me rehabilitimin që i bëri Mit’hat Frashërit vitin e kaluar për të mbërritur te kjo konferencë për të cilën po flasim. Akademia ka rënë në kurthin e kësaj ortakërie ballisto-fashiste kundër luftës antifashiste… E pafalshme të ndodhë kjo në 75-vjetorin e çlirimit të atdheut. Pavarësisht se kritikat kundër qeverisë kanë qenë tejet të rrepta, për turpin e saj ajo hesht.

Prandaj dhe kemi të drejtë jo vetëm të dyshojmë, por të themi me plot gojën se kjo është një strategji politike që qeveria Rama e ka shumë për zemër. Turp! Dhe pretendon të jetë një qeveri e majtë!

Antifashizmi nuk mund të trajtohet si një fenomen abstrakt apo spontan, pa substancë, pa faktorët e rrethanat që e diktuan, pa aktorët që e përpunuan e i dhanë jetë, me angazhimin e sakrificat në luftë dhe me dëshmorët e rënë në betejat me armiq e tradhtarë. Merita në përqafimin e afirmimin e kësaj ideje, nga popujt e forcat përparimtare në të katër anët e globit, ishte në radhë të parë e aleatëve anglo-sovjeto-amerikanë, që dhanë të parët shembullin më të lartë të kuptimit të situatës, të momentit historik që kalonte bota, të rreziqeve reale që kërcënonin njerëzimin, duke hedhur vetë më së pari prapa krahëve mospajtimet ekzistuese, për t’i hapur rrugë bashkimit rreth një kauze të përbashkët.

Kjo ishte detyra numër një e kohës dhe një organizimi të ri, sui generis, të paparë e të panjohur deri atëherë, siç ishte Koalicioni Antifashist, që bashkonte popuj, vende, shtete e forca politike pavarësisht orientimeve ideologjike, që kalonin në plan të dytë, të bindur se vetëm kështu do të mund t’i bëhej ballë makinës luftarake të nazifashizmit dhe të shpëtohej njerëzimi nga katastrofa që e priste.

– Tek ne sapo flitet për luftën antifashiste nacionalçlirimtare, do të përmendet emri i Enver Hoxhës dhe i Partisë Komuniste. Do të tingëllonte si nostalgji për periudhën komuniste. Ja kjo lihet të nënkuptohet se duhet të shmanget me kujdes nga kjo konferencë. Apo jo?

– Po kjo është krejt e lexueshme dhe s’ka nevojë për koment. Por historiani nuk duhet të ketë frikë t’i thotë të vërtetat historike të luftës, dhe meqë flitet për luftën, le të shihet ndaras nga paslufta. Vetëm kështu mund të flitet me përgjegjshmëri sa historike, aq edhe shkencore. Asnjë historian serioz nuk do të guxonte të mos përmendte rolin vendimtar që luajti PKSH dhe Enver Hoxha për organizimin dhe fitimin e asaj luftë.

Jo më kot përmenda pak më sipër aleancën e madhe antifashiste botërore. Ishin aleatët, udhëheqësit e tyre largpamës, Ruzvelt, Stalin dhe Çërçill, që kuptuan se vetëm bashkimi e angazhimi në luftë i potencialeve që dispononin dhe bashkërendimi i veprimeve politike e ushtarake të vendeve, popujve dhe shteteve të Koalicionit Antifashist, do të bënte të mundur që të ndalej furia e agresioneve nazifashiste, të thyhej miti i pathyeshmërisë së ushtrive të tyre dhe të rritej besimi e angazhimi i popujve dhe shteteve në luftë. Ky angazhim e ndërgjegjësim rezultoi shpëtimtar për njerëzimin. Nuk e kuptoj se si mundet që një institucion i lartë shkencor, siç është Akademia e Shkencave, të përpiqet të fshihet e t’i largohet këtij realiteti, duke i ngjitur bishta nga prapa antifashizmit, duke vënë në përdorim termin “Antifashizëm Popullor”, i përpunuar me kohë, në ofiçinat propagandistike të Ballit Kombëtar.

Historia ka provuar, se popujt kurrë nuk mund të arrijnë të realizojnë aspiratat e tyre, sado sakrifica të bëjnë, pa nxjerrë nga gjiri i tyre një forcë të aftë e besnike, që t’i prijë, ta organizojë, orientojë e udhëheqë luftën për realizimin e tyre. Vetëm duke patur në krye një forcë të tillë, ata mund të bëhen të ndërgjegjshëm për misionin e për energjitë transformuese që fshehin në gjirin e tyre, vënia në lëvizje e të cilave do të sillte ndryshimin që ata dëshirojnë. Edhe tek ne, antifashizmi kishte kohë që njihej e debatohej në rrethe intelektuale, që shihnin qartë rreziqet që kërcënonin vendin, nga gjallërimi i tendencave fashiste, nga depërtimi i kapitaleve italiane dhe grabitja e pasurive kombëtare, nga ndikimet e ideologjisë dhe kulturës fashiste, duke përfituar nga miopia, paaftësia dhe korruptimi e komprometimi i ish mbretit dhe i klasës së vjetër politike që e mbështeste.

Por, kjo ide e madhe do të kthehej në një forcë të vetëdijshme transformuese revolucionare, me themelimin e  PK  e  të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Programi i miratuar në Pezë ishte një program kombëtar, që synonte më së pari të zgjidhte çështjen kombëtare, të rivendoste pavarësinë e shpallur në Vlorë më 1912, që ishte shkelur e mohuar nga nazifashistët. Por ai ishte njëherësh antifashist. Kjo përputhje ishte logjike dhe e natyrshme. Masat popullore e kuptuan se, vetëm duke u bashkuar rreth programit të miratuar në Pezë e duke iu përgjigjur thirrjes së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar për t’u angazhuar në luftë, përkrah aleatëve anglo-sovjeto-amerikanë, do të mund të realizonin aspiratat liridashëse e kombëtare. Kjo rrugë do të rezultonte shpëtimtare për vendin e për kombin shqiptar, pasi do t’i shpëtonte nga copëtimi, shkombëtarizimi e asgjësimi.

– Mirëpo me termat “antifashizëm popullor” dhe “antifashizëm pa armë dhe pa uniformë, mos kërkohet edhe një rivlerësim e kontribuuesve të tjerë në atë luftë, që deri më sot më së shumti janë denigruar?

– Edhe kjo është e qartë. Ta themi troç kërkohet rehabilitimi i Ballit Kombëtar e zogistëve, duke i quajtur edhe ata antifashistë. Por kjo nuk është e vërtetë. Organizatat e tjera, që u krijuan e vepruan në periudhën e okupacionit, pavarësisht maskave e premtimeve demagogjike, nuk e arritën këtë shkalle ndërgjegjësimi e organizimi, për të mbetur deri në fund vegla e forca ndihmëse të okupatorit, të papërfillura nga autoritetet e pushtimit, por dhe të urryera nga populli.

Sigurisht edhe në radhët e tyre ka patur elementë apo grupe të caktuara, që dëshironin e u përpoqën që të kapnin trendin e kohës, të përqafonin antifashizmin, por nuk e arritën dot këtë, nuk arritën të formësohen si organizata apo grupe antifashiste, pasi ato u mbytën nga konservatorizmi, megalomania e paaftësia e krerëve, nga vija e disiplina partiake që u imponua prej tyre. Ky realitet nuk mund as të fshihet e as të ndryshohet nga askush. Edhe diskutimi, pas kaq viteve i termave “dëshmorë” ,”martirë” e “viktima” të luftës, është krejt pa vend. Vetëm Akademia e jonë, si Sali Berisha në fillimet e tranzicionit, nuk e paska marrë ende vesh kuptimin e tyre dhe po kërkon që ato të debatohen e të sqarohen në konferencë.

Nuk ka dyshim se një diskutim i tillë u shkon për shtat ballistëve, iu çel atyre shtegun për të goditur dëshmorët e atdheut dhe PKSH e Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, forca politike, në të cilat ata milituan, u edukuan e u angazhuan në luftë kundër agresorëve nazifashistë, duke dhënë jetën e tyre të re për lirinë e pavarësinë e atdheut. Do të ishte e pafalshme nëse konferenca do të merret me gjëra të tilla të njohura dhe nga nxënësit e shkollave të mesme, për t’iu larguar diskutimit të çështjeve reale, thelbësore të kësaj periudhe, për të cilat është debatuar gjatë gjithë këtyre viteve.

Një qasje e tillë do të inkurajonte vazhdimin e sulmeve ndaj luftës e luftëtarëve antifashistë, për të goditur thelbin e antifashizmit, një prirje që nxitet dhe nga zhvillimet e turbullta, në disa vende europiane, me gjallërimin e elementëve dhe tendencave neofashiste. Kujt i druhen organizatoret qe gjerat të thuhen, siç kanë qenë, e jo siç i duan koniunkturat, jashtë kontekstit historik të kohës kur është zhvilluar lufta.

– Çfarë duhet bërë që të ndryshojë kjo situatë aspak e këndshme dhe që ka hapur shumë diskutime?

– Do të ishte mirë që Kryesia e Akademisë, për të dalë nga kjo situatë, të zgjedhë njërën nga dy rrugët ekzistuese, qe konferenca të vihet në shinat e duhura: Ose të ndryshojë përbërjen e komisionit që është treguar i paaftë e i pavendosur për të hartuar e mbrojtur një platformë shkencore që t’i shërbejë diskutimit e sqarimit të problemeve të kësaj periudhe; ose të largojë nga komisioni Shaban Sinanin dhe Maranglen Verlin, që të mos e përlyejnë veten në këtë histori të turpshme e t’i zëvendësojë me Beqir Metën e Ana Lalajn, që e meritojnë.

Kjo do të thotë që problemet dhe zgjidhja e tyre duhet të fillojnë me një operacion në grupin organizator të Konferencës, e pastaj, si derivat i saj, vijnë problemet që lidhen me konceptimin e përmbajtjes së aktivitetit, temat dhe autorët që do të përzgjidhen. Në të gjitha këto dyshoj se do të kemi përzgjedhje selektive politike, për të krijuar përshtypjen se Akademia është reformuar e larguar nga trashëgimia e së kaluarës komuniste e nga bartësit e saj.

Është e njëjta prirje që kemi parë dhe në rastin e nderimit që iu bë Mit’hat Frashërit. E njëjta linjë e i njëjti qëndrim. Një pozitë mjerane që e shkëput dhe e vë politikën përballë shumicës së shqiptarëve që vazhdojnë të çmojnë e nderojnë, si e gjithë bota demokratike luftën, në të gjithë komponentët e saj, e jo siç bën presidenti që për t’i bërë qejfin ballistëve, tërë pompozitet siç e ka zakon, kur mendon se është duke thënë gjëra të rëndësishme, siç bëri para pak kohe, në një intervistë në emisionin Opinion në TV Klan, kur deklaroi në mënyrë të përsëritur, se unë kam nostalgji për luftën, por jo për Enver Hoxhën, pa qenë nevoja dhe pa ia kërkuar kush, veç ndoshta B. Fevziut që kishte përballë.

A mund të kuptohet lufta dhe rezultatet e saj, ndryshimi që ajo solli në plan nacional e social, pa rolin e Komandantit të Përgjithshëm e të bashkëluftëtarëve e bashkëpunëtorëve të tij, si M. Shehu, T. Jakova, H. Kapo, S. Moisiu, H. Lleshi, Sh. Peçi, R. Alia, Rr. Parllaku etj, pa komandantet e komisarët e formacioneve partizane, pa anëtarët e forumeve të LANÇ-it, Këshillit të Përgjithshëm e të Shtabit të Përgjithshëm e në mënyre të veçantë pa dëshmorët dhe heronjtë e lavdishëm të LANÇ-it, si Qemal Stafa, Vasil Shanto, Vojo Kushi, Manush Alimani, Perlat Rexhepi, Mihal Duri, Misto Mame etj, akti i të cilëve frymëzoi të rinj e të reja, në të katër anët e vendit, në fshat e në qytet, që të angazhohen në luftë, pa marrë parasysh sakrificat e rreziqet, për shpëtimin e atdheut, me moton se asnjë sakrificë nuk është e tepërt kur bëhet për një çështje të madhe, siç është liria, pavarësia e demokracia, për të cilat ata dhanë jetën e tyre të re.

 

*****

Botuar sot në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë 

August 13, 2019 02:45

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin