Klejdi Mehmetaj: Shqipërinë mund ta mësosh prej të rinjve

Intervistë nga Ahmet Dursun May 14, 2013 09:34

Klejdi Mehmetaj: Shqipërinë mund ta mësosh prej të rinjve

Ka lindur në Tiranë. Ka ndjekur studimet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Petro Nini Lurasi” dhe aktualisht ndjek studimet në Universitetin Politeknik të Tiranës, në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Prej vitit 2008, është anëtare e Kryesisë së Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI) dhe prej vitit 2012, është zgjedhur Nënkryetare e LRI dhe anëtare e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Si e kujton një vajzë e re, periudhën e shkollës së mesme?

Unë kam 2 vite që kam mbaruar “Petro Ninin” dhe natyrisht kujtimet e mia janë ende të freskëta. Pavarësisht se ishte e rikonstruktuar, kushtet e mësimdhënies linin për të dëshiruar, por megjithatë mësuesit tanë janë përpjekur të na japin më të mirën për ne.
Shumë vite më parë rastësisht u ndodha në shkollën “Petro Nini” dhe higjena të kujtonte mesjetën. Ti çfarë mendon, për higjenën nëpër shkolla?

Edhe pas rikonstruksionit kemi patur disa probleme, madje i kemi bërë edhe mediatike. Mendoj se duhet t’i jipet një rëndësi më e madhe higjenës, sepse ajo është alfa e shëndetit.
Kejdi, kur mamatë e brezit tënd fusin celularin tuaj në lavatriçe, si reagojnë vajzat?

Reagimi i parë është një e bërtitur, pastaj fillojnë shpjegimet dhe të dyja palët e kuptojnë se nuk është fundi i botës. Përveç kësaj, edhe ne një ditë do të bëhemi nëna, dhe do të bëjmë të njëjtat gabime me fëmijët tanë…
Po nuseve shqiptare, a i vjen ndonjëherë ta fusin vjehrrën e tyre në lavatriçe?
Duke u nisur nga familjarët e mi mendoj se jo, por them se kjo pyetje duhet të më bëhet kur unë të kem një përvojë të tillë.
Në fëmijërinë time, shfaqej një film serial që quhej “Kunta Kinte”, i cili ishte një skllav afrikan dhe tregonte vuajtjet e tij në Amerikë. Ne shpesh herë e lyenim fytyrën me pluhur qymyri dhe imitonim fragmente të atij filmi. Kjo, është një nga arsyet më të forta, që mes brezit tim në Turqi ka shumë pak racistë. Të rinjtë shqiptarë, a janë racistë?

Të rinjtë shqiptarë kurrsesi nuk janë, madje ata janë më të hapur ndaj çdo race, më shumë se prindërit e tyre. Por në Shqipëri, në tekstet shkollore ka diskriminim ndaj vajzave. Qoftë emrat që përdoren, qoftë trajtimi që i bëhet gjithnjë si mama dhe jo si profesioniste. Psh. mësuesia është plot me vajza dhe gra, ndërsa politika quhet një mjedis burrëror. Mbase, edhe në histori, roli i gruas ka qenë pak i spikatur.

Atëherë, ”Kunta Kinte” në Shqipëri, qenkan gratë?

Disi po, gjithashtu jemi duke bërë gjithçka që vajzat mos të jenë të tilla.

A ka njerëz të mirë në botë? Si janë ata ?

Patjeter që ka, pasi nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Ata që falin, ata që besojnë te aftësitë e tua dhe nuk të kursejnë mbështetjen pa interes, i konsideroj njerëz të mirë.

Sikur të shpikej një kokërr, të cilën nëse e pi para se të të zerë gjumi, të bën të shohësh ëndrrën që ti ke dëshirë, të rinjtë shqiptarë, me këtë kokërr, çfarë ëndrre duan të shohin ?

Të rinjtë shqiptarë, ende nuk kanë një orientim të qartë për veten e tyre. Shpesh mbushin kohën… Por e përbashkëta është, se të rinjtë duan një jetë më të mirë. Jemi ende larg nga jeta që bëjnë bashkëmoshatarët tanë në Evropë apo diku gjetkë.
A ka qenë, ëndrra e mamasë tënde, që të hyje në politikë?

Në periudhën e ndryshimeve lindi vëllai im dhe më pas linda unë. Prandaj, shumë gjëra që ajo mund të donte për vetën e saj, ndryshuan pasi ne u bëmë prioritetet e saj. Pluralizmi nuk ishte aq i bukur sa e kishin ëndërruar, dhe sot ajo më përkrah maksimalisht. Nuk e di nëse ka qenë ëndrra e saj politika, por ajo ka dashur të jem njeri i mirë dhe i arritur.

A është gjë e mirë, që çdokush të merret me politikë?

Mendoj se po. Të jesh e interesuar për atë çfarë vendosin për ty apo çfarë ndodh me ty, me qeverisjen pavarësisht se ke votuar apo jo atë, të bën të zgjedhësh më drejt atë që ti do në të vërtetë.

 

A të vjen keq për njerëzit që janë 50 apo 60 vjeç dhe nuk reagojnë për asgjë?

Ata kaluan vështirësi të mëdha, pasi në rininë e tyre ishin në komunizëm, pastaj përballuan pluralizmin me vështirësi të mëdha si në ekonomi, në arsim, në lëvizjet jashtë vendit. Kjo natyrshëm sjell edhe lodhje, por nuk mendoj se nuk reagojnë, ata reagojnë kush më shumë e kush më pak për të gjitha gjërat.
Kush është shpikja më e padobishme për vajzat e reja?
Them se kafet dhe kafenetë, pasi facebook-u apo interneti gjithsesi të jep diçka, ndërsa të rinjtë sot, harxhojnë të paktën një orë kohë pas shkolle nëpër kafe. Pse jo dhe klubet natën vonë. Kjo mendoj se është diçka, që nuk i shërben të rinjve.
Rinia shqiptare, cilën pasuri publike, nuk do të donte të shitej?

Duke qenë pjesë e politikës më është dashur të thellohem më tej, pse dhe si pasuritë publike kthehen në private, por shumica e të rinjve mendojnë se çdo gjë e bukur duhet të mbetet publike: malet, liqenet, lumenjt dhe patjetër monumentet e kulturës duhen mbajtur si një pasuri edhe për brezat e ardhshëm.
Thuhet se “Rusia mund të mësohet veçse nga Lenini”. Shqipëria nga kush mund të mësohet më së miri?

Pa dyshim nga të rinjtë shqiptarë, sepse ne nuk e shohim Shqipërinë nëpërmjet vuajtjeve…
Nëse do të ekzistonte një nismë pas zgjedhjeve, për t’u mbledhur periodikisht me të rinjtë e të gjitha partive për të diskutuar me gazetarë, historianë apo shkrimtarë, ju a do të ishit pjesë?

Ne këtë e kemi bërë, madje me të gjithë forumet e të rinjve mbarë shqiptarë, sepse synojmë t’i japim zgjidhje pritshmërisë dhe shpresës së të rinjve. Fundja, edhe vetë partitë, janë grupime të ndryshme njerëzish që qeverisjen më të mirë e shikojnë në forma të ndryshme, ekonominë po ashtu. Por në fund të ditës, çdo parti dëshiron më të mirën për shqiptarët.
Ata të rinj që janë në politikë, e sidomos në fushatë, a kanë kohë të mësojnë për provime?

Të rinjtë duhet të japin kontributin e tyre, jo vetëm në partitë politike, por edhe në organizata apo grupime vullnetare. Për këtë, atë kohë që shpenzojmë nëpër kafe apo me gjëra të padobishme, mund ta menaxhojmë dhe ditën ta bëjmë jo 24, por 26 orë. Edhe kjo eksperiencë, do të na vlejë në të ardhmen.

Intervistë nga Ahmet Dursun May 14, 2013 09:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*