Klosi takon drejtorët e bankave: Pensionet në sistemin bankar, cilësi më e lartë shërbimi

December 11, 2015 14:22

Klosi takon drejtorët e bankave: Pensionet në sistemin bankar, cilësi më e lartë shërbimi

Shumë shpejt të gjithë pensionistëve do u ofrohet mundësia që pensionin e tyre të mund ta marrin nëpërmjet sistemit bankar, pa një kosto shtesë dhe duke shmangur kështu dhe radhët e gjata dhe cilësinë e dobët të shërbimit që ofron sistemi aktual.

Për të bërë të mundur këtë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi zhvilloi sot një takim me drejtuesit e të gjitha bankave të nivelit të dytë në vend, të cilëve u kërkoi bashkëpunim për të bërë të mundur që brenda një kohe sa më të shkurtër, shumica e pensionistëve të mund ta tërheqin pensionin e tyre në sportelet e bankës ose në bankomatet e tyre. Në takim ishte e pranishme edhe drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, si dhe ekspertë të fushës.

Në fjalën e tij, ministri Klosi theksoi se aktualisht, vetëm 3.4 për qind e numrit të përgjithshëm të pensionistëve e kanë të mundur të marrin pagesën përmjet bankës, ndërkohë që pjesa tjetër vazhdon të qëndrojë në radhë dhe jashtë çdo cilësie shërbimi në pikat e shpërndarjes së pensioneve.

“Jemi para domosdoshmërisë tjetër të kohës, për të bërë shumë hapa përpara. Aktualisht, shërbimi i pagesave të përfitimeve nga sistemi i Sigurimeve Shoqërore realizohet në 687 qendra pagese, nga të cilat 503 janë Zyra Postare në vartësi të filialeve të Postës Shqiptare, dhe 184 degë dhe zyra në vartësi të 13 bankave të nivelit të dytë. Numri mesatar i pagesave të gjeneruara dhe autorizuara për pagesë çdo muaj, mesatarisht përllogaritet në mbi 625 mijë, nga të cilat, vetëm rreth 3 % e tyre kryhen në degët e bankave të nivelit të dytë. Ndërsa fondi mesatar mujor për pagesat e pensioneve arin në mbi 8.700 milionë lekë në muaj, vetëm rreth 3,4 % e tij shpërndahet nëpërmjet bankave”, tha ministri Klosi.

Më tej ai bëri të ditur se kjo nismë ka për qëllim që të ofrojë lehtësira e shërbim më cilësor dhe kalimi i tyre në sistemin bankar do jetë i lirë, pra jo detyrues. “Duhet të kemi të qartë që ky sistem përsëri do jetë vullnetar, ku çdo pensionisti do t’i ofrohet me vullnetarizëm, që nëse do të kalojë në bankë, të shkojë në bankë, por nëse do dojë të qëndrojë me postën, mund të jetë dhe ky një opsion”, u shpreh Klosi.

Duke folur për avantazhet e këtij sistemi, ai përmendi ndër të tjera, morinë e shërbimeve shtesë që u ofrohet pensionistëve nëpërmjet bankës, marrja e pensionit ku do ku ofrohet shërbim bankar dhe në çdo kohë.

“Edhe më përpara, por sidomos aktualisht, lëvizja e lirë e pensionistëve, ndërrimi i vend banimit nga ana e tyre, lëvizja jashtë shtetit dhe sidomos e drejta dhe kërkesa e tyre, për marrjen e pensioneve sa më pranë vendbanimit, si dhe garantimi i një shërbimi me kushte sa më optimal, kanë shtruar domosdoshmërinë e marrjes së masave për diversifikimin e shërbimit të pagesave të pensioneve”, tha Klosi.

Për këtë qëllim, ai kërkoi prej përfaqësuesve të bankave të përfundojnë brenda vitit marrëveshjet e dakordësuara me ISSH-në, të rritin publicitetin në bazë territori, në mënyrë që të nxisin pensionistët të hapin llogarinë bankare për pagesën e pensionit. Për çdo llogari bankare të hapur për këtë qëllim, banka të njoftojë ISSH-në, e cila nga ana e saj, brenda 10 ditëve bën procedurën e transferimit të pagesës dhe njofton bankën.

“Ajo që presim nga bankat është: të instruktojnë degët, zyrat, stafet e tyre për të qenë proaktive për këtë shërbim, t’i japin rëndësinë e duhur publicitetit për një marrëdhënie direkte me klientin pensionist, të mos ngarkohet pensionisti me komision shërbimi, por si komision të pranohet komisioni që paguan ISSH-ja, sipas marrëveshjes”, tha Klosi. /Dita/

 

December 11, 2015 14:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*