Klosi: Vetëm 20% e të papunëve të regjistruar duan punë!

October 28, 2015 14:33

Klosi: Vetëm 20% e të papunëve të regjistruar duan punë!

Shumica e të rinjve shqiptarë ndjekin studimet universitare, por më pas mbeten pa punë. Ndërkohë, ka rreth 26 mijë vende pune në sektorin profesional, por mungojnë kuadrot në këtë drejtim. Ministria e Mirëqenies Sociale synon zgjerimin e të kualifikuarve në këto sektorë.

Duke folur sot në Takimin e 2-të Ndërkombëtar të Biznesit”, organizuar nga Dhoma Shqiptare e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit (ACITAD), ministri Blendi Klosi ka theksuar se për të mbetet një sfidë që të ndryshojë raportin mes punonjësve aktivë (që janë regjistruar në zyrat e Punës si të papunë dhe që duan të punojnë) dhe atyre pasivë (që janë regjistruar si të papunë dhe që nuk duan të punojnë) në vendin tonë. Sipas tij, nga 150 mijë persona që janë regjistruar si të papunë, vetëm 20 për qind e tyre duan realisht të punojnë, ndërsa pjesa tjetër kërkon që të qëndrojnë në këto lista për të marrë ndihmën ekonomike apo favoret e tjera që rrjedhin nga ky status.

“Ne duhet ta nxjerrim Shqipërinë nga harta e vendeve që ofron vetëm punë të lirë. Ne duhet ta fusim Shqipërinë në hartën e vendeve që formon dhe ofron punonjës të kualifikuar. Kjo është detyra jonë e madhe, të ndryshojmë kryekëput raportin e tregut tonë të punës. Dhe ne mendojmë se ka një zgjidhje dhe ky është arsimi profesional”, tha Klosi.

Kjo, sipas tij mund të arrihet jo vetëm nëpërmjet mekanizmave që e nxjerrin këtë kategori punëkërkuesish që s’duan të punojnë nga kjo gjendje, por më së shumti duke krijuar së pari kushte që ata të kualifikohen për të qenë të gatshëm që t’u përgjigjen kërkesave dhe standardeve të tregut të punës.

“Tashmë kemi gati një ligj shumë të fortë, që ka të bëjë me reduktimin e dembelizmit në Shqipëri. Ne duhet të gjejmë një raport të drejtë për ata që duan të punojnë dhe të jetojnë me punë të denjë, me ata që duan të jetojnë duke marrë ndihmën ekonomike apo asistencën sociale. Nuk mund të vazhdojmë të sponsorizojmë në pafundësi dembelizmin në Shqipëri”, u shpreh Klosi.

Ai ka theksuar se paralelisht me reformën ligjore në sistemin e punësimit në vend, MSR po punon që brenda këtij viti të krijohet një rrjet i shkollave profesionale të ekselencës, të cilat të kenë mundësi që të prodhojnë profesionistë që mund të akreditohen nga sistemi i shkollave profesionale të BE-së, por edhe të jenë konkurrentë të denjë të tregut evropian të punës. /Dita/

 

October 28, 2015 14:33
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim