KLSH kallzon penalisht ish-zv/Drejtorin e ARSH

November 12, 2014 13:58

KLSH kallzon penalisht ish-zv/Drejtorin e ARSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzim penal ndaj ish- Drejtorit të Njësisë së Zbatimit të Projektit për ndërtimin e tunelit të Krrabës, i cili në mospërmbushje të detyrës së tij funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore ka favorizuar haptazi subjekte të caktuara në dëm të operatorëve të tjerë ekonomik, duke konsumuar kështu elementët e figurës së veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal.

“Ky kallëzim penal vjen në vazhdën e shkeljeve të tjera të konstatuara nga KLSH në auditimin e mëparshëm të ushtruar në ARSH, në bazë të programit të auditimit, në përfundim të të cilit, KLSH depozitoi në Prokurori dy kallëzime penale ndaj ish-Drejtorit të Pergjithshëm te Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe ndaj ish- Zv/Drejtorit  të Përgjithshëm të ARSH, përkatësisht me nr. 246/18, datë 03.09.2014 dhe nr. 246/17 datë 03.09.2014”, thuhet në një njoftim për mediat nga KLSH.

Sipas KLSH, ndërtimi i segmentit rrugor Tiranë-Elbasan është ndarë në tre kontrata (segmenti Sauk-Tunel i Krrabës, ndërtimi i tunelit të Krrabës dhe segmenti Tunel i Krrabës-Elbasan.

KLSH konkludon se buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën e mbi 1.24 milion USD.

“Nga auditimi, rezultuan një sërë shkeljesh të disiplinës financiare dhe ligjore, ku ndër më kryesoret janë::

Bazuar në dokumentacionin e vënë në dispozicion, rezultoi se ish-Drejtori i Njësisë së Zbatimit të Projektit, më parë, ish-Zv/Drejtor i ARSH, ka nënshkruar, në kundërshtim me dispozitat përkatëse ligjore e nënligjore, ndryshimin e kontratës së lidhur më datë 27.04.2011 për ndërtimin e tunelit të Krrabës, duke i dhënë operatorit ekonomik të përzgjedhur për ndërtimin e tunelit edhe mirëmbajtjen e këtij tuneli për një periudhë një vjeçare. Kontrata e re për mirëmbajtjen e tunelit, me vlerë 165 milionë lekë, është nënshkruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pa realizuar paraprakisht procedurat përkatëse të prokurimit.

Nga auditimi, rezultoi po ashtu se Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARSH) nuk ka patur asnjë justifikim ligjor në nënshkrimin e kontratës së mirëmbajtjes me operatorin ekonomik fitues të tenderit të ndërtimit të tunelit. Procedura e ndjekur nga ana e ARSH-së për nënshkrimin e një kontrate mirëmbajtje, pa iu nënshtruar paraprakisht procedurave standarde të prokurimit, ka shkaktuar pamundësinë e marrjes pjesë të operatorëve të tjerë ekonomik në këto procedura prokurimi duke shmangur kështu qëllimisht konkurencën ndërmjet operatorëve dhe favorizuar jashtë procedurave ligjore të njëjtin operator ekonomik më të cilin ishte nënshkruar edhe kontrata e ndërtimit të tunelit të Krrabës.

Nënshkrimi i kësaj kontrate nga S.Ç, ish-Zv/Drejtor i ARSH nëpërmjet një urdhër ndryshimi, nuk parashikohet në asnjë nen të kontratës bazë të datës 27.04.2011, për më tepër që punimet e ndërtimit janë shumë të ndryshme nga ato të mirëmbajtjes dhe shërbimi i mirëmbajtjes nuk mund të konsiderohet si zgjatje e kontratës së mëparshme, pasi ky shërbim nuk është i njëjtë me atë të ndërtimit të parashikuar në kontratën e datës 27.04.2011.

Nga verifikimi i punimeve për segmentin rrugor Sauk-Tuneli i Krrabës dhe Tuneli i Krrabës-Elbasan, rezulton se, sasia e punimeve të çertifikuara nuk është në përputhje me realizimin në fakt, kryesisht në realizimin e mureve prej gabioni dhe vendosjes së rrethimeve anësore (guardrails). Po ashtu, nuk janë respektuar specifikimet teknike të parashikuara në kontratë, për vendosjen e rrjetave prej gabioni. Nga ana e kontraktorit nuk është realizuar sigurimi i palëve të treta dhe dëmeve të mundshme, për një periudhë 2-mujore, duke shkaktuar një dëm ekonomik me vlerë 785,732.37 USD.

U konstatua se kontratës së ndërtimit të tunelit i janë realizuar disa ndryshime. Në kundërshtim me përcaktimet e kontratës është miratuar ndërtimi i rrugëve të hyrjes për në portalet e tunelit, duke shkaktuar dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit me vlerë 12,233,970 lekë.

Nga auditimi i kontratës së ndërtimit të tunelit kanë rezultuar edhe punime të likuiduara por të pa realizuara, si për ndërtimin e linjave të furnizimit me energji elektrike të tunelit, ashtu edhe sa i takon realizimit të sinjalistikës horizontale, duke shkaktuar dëm ekonomik me vlerë 4,647,798.7 lekë.

Për kontratat e ndërtimit të segmenteve rrugore Sauk-Tunel dhe Tunel-Elbasan, ishte parashikuar blerja e 10 automjeteve nga Kontraktori, për t’i vënë në dispozicion të mbikëqyrësit të punimeve. Nga auditimi rezultoi se pagesa e kryer për automjete është bërë pa asnjë dokument justifikues të shpenzimit të kryer si dhe pa konstatuar që automjetet e siguruar janë të reja dhe sipas specifikimeve teknike të parashikuara në kontratë, duke shkaktuar dëm ekonomik me vlerë 264.126,4 USD.

Po nga auditimi i kontratave të ndërtimit të segmenteve rrugorë Sauk-Tunel dhe Tunel-Elbasan, rezultoi se janë kryer pagesa për shpenzimet e udhëtimit të stafit të mbikëqyrësit të punimeve pa dokumetacion justifikues përkatës. Në disa raste, pagesat nuk i janë referuar faturave të paraqitura, por vlerave të parashikuara, në kundërshtim me kontratën, duke shkaktuar dëm ekonomik me vlerë 11,633 USD.

Po ashtu, janë kryer pagesa për shpenzimet e udhëtimit dhe qira për mbikëqyrësin e punimeve pa dokumentacion justifikues pa u vlerësuar që përbejnë shpenzim aktual dhe të arsyeshëm, duke shkaktuar dëm ekonomik me vlerë 23,000 USD.

Plani i financimi të projektit është ndryshuar dhe është vepruar me këtë plan pa marrë miratimin nga Ministria e Financave, duke përdorur fondet e kredisë në kundërshtim me ligjin 10419, datë 26.05.2011, per Ratifikimin e Marreveshjes per Ndertimin e Rruges Tirane-Elbasan.

Sipas kontratës nr. 1 (Ndërtimi i segmentit rrugor Sauk-Tuneli i Krrabës), punimet po realizohen në segmente të shkëputura nga njëri tjetri. Në disa seksione, qarkullimi i automjeteve bëhet në segmentin rrugor ekzistues. Nga verifikimi në vend, rezultoi se nuk janë marrë masa të kënaqshme për parandalimin e aksidenteve, kryesisht në këtë segment rrugor”.

November 12, 2014 13:58
Komento

4 Komente

  1. Sulejman November 12, 14:06

    Shume te madhe e paskan bere kete tullumbace,keta te klsh.
    I lutem Dites te mos merret me ta….

    Reply to this comment
  2. . November 12, 16:58

    Rrrrrr-uuuu-ggggg-eeeee …

    dhe kurre s’pame ndonje te perfunduar …

    sepse parat shkonin ne xhepat e familje Berisha me shoke.

    Reply to this comment
  3. dudushi November 12, 20:49

    Ore qe drejtori qota ka abuzuar kjo nuk ka dyshim se ka qene kamikaz i saliut , nuk prekej me llulle,ne cdo kontrate po te germoni do te gjeni gjevaire. hajdut me qizme nje idiot nga librazhdi pam pike yndyre.

    Reply to this comment
  4. Pëllumb zaimi November 12, 21:04

    Në çdo kilometër rrugë të saliut,-një hajdut!? Eshtë e pamundur të jetë e kundërta!? Tung!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*