KOHA E PROVËS

January 11, 2017 11:46

KOHA E PROVËS

 

Nga Bedri Islami

Presidenti maqedonas nominoi ish shefin e qeverisw, Guevski, pwr të ndërtuar kabinetin e ri qeveritar. Kjo ishte e pritur. Me 51 deputetët e zgjedhur, si partia me numrin më të madh të anwtarwve të parlamentit të ri, atij i takon të bëjë provën e parë për të qeverisur. Këtë gjë Gruavski e ka marrë seriozisht dhe, e vetmja shpresë e tij është që, të paktën një parti shqiptare, BDI e drejtuar nga Ali Ahmeti, të jetë edhe më tej pjesë e qeverisjes së tij, si ka ndodhur dhe në tri qeverisje të tjera.

Gruevski, nga të gjithë liderët politikë maqedonas është ai që shfaqet i vijës së ashpër nacionaliste, i cili, që kur erdhi në pushtet për herë të parë, jo vetëm mbajti e forcoi këtë linjë, por në të gjitha hapat e tij të një qeverisje të gjatë, bëri gjithçka ishte e mundur që të përmbyste atë që ishte arritur përmes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Marrëveshjes së njohur të Ohrit.

Ajo që u arrit nga shqiptarët nën qeverisjen e tij ishte më tepër përpjekje e zgjatur për të mundur që, edhe përmes kësaj vorbulle, të nxirren ato përfitime të mundshme, por që kurrë nuk u bënë të plota. Ali Ahmeti, ndoshta duke qenë i qartë se asnjë forcë tjetër politike shqiptare nuk kishte forcën dhe as dëshirën për të bërë presion edhe në kushte tejet të vështira, pranoi marrjen e përgjegjësisë si pjesë e koalicionit dhe, dashur apo pa dashur, qenia e tij në këtë qeverisje, solli edhe rënien e votuesve. Qëllimi i Gruevskit, që në fillim, ka qenë saktësisht i përllogaritur deri në imtësi: duke e bërë pjesë të qeverisjes një forcë politike e dalë nga lufta dhe në të cilën ish të burgosurit politikë përbënin bërthamën, elitën drejtuese të saj, të sillte njëkohësisht edhe rrënimin e saj. Çështja të nxehta si “Monstra”, arrestimi apo degradimi i një pjese të ish ushtarakëve drejtues në luftën e zhvilluar, krijimi i një opozite nga rradhët e tyre, hasmëria mes palëve dhe deri tek rasti i përgjakshëm “Kumanova”, ngjarje e ngritur përmes shërbimit të fshehtë maqedonas dhe serb, do e dëmtonin imazhin politik të BDI.

Megjithatë, ajo mbetet forca kryesore politike e shqiptarëve dhe, së bashku me dy nga forcat e tjera politike shqiptare, bëri këto ditë Marrëveshjen e njohur politike, ndërshqiptare, për të qenë një zë i vetëm në parlament, duke vendosur edhe kushtet për të qenë pjesë e qeverisjes.

Çdo marrëveshje, aq më shumë një marrëveshje politike, ka mes rreshtave edhe mangësitë e saj, por edhe prioritetet politike e kombëtare. Nëse në këtë Marrëveshje nuk janë shfaqur të gjitha, më shumë se gjithçka tjetër, tani është koha e provës së faktorit politik shqiptar.

Gruevski e ka bërë me kohën ftesën e tij. Prej kohësh ai ka dërguar emisarë, shqiptarë dhe maqedonas, tek partitë politike shqiptare, për të pranuar ofertat e tij.

Afrimi që ai u ka bërë partive politike shqiptare mund të jetë i natyrave të ndryshme; që nga vendi i kryetarit të parlamentit, vende të sigurta në qeverisje, duke dhënë edhe ndonjërën nga dikasteret kryesore, rritje të investimeve në zonat e populluara me shumicë shqiptare, duke ua bërë me sy njëkohësisht se, rritja e granteve financiare do të ishte edhe një burim i ndjeshëm fitimi për vetë elitën drejtuese të partive shqiptare.

Kënga e “Sirenës” ka filluar. Një sirenë që lidhet me pushtetin dhe financën. Joshëse për një pakicë dhe denigruese për shumicën.

Ndërkohë ai as nuk ka bërë dhe as nuk ka ndër mend të bëjë propozime konkrete, të cilat lidhen, qoftë edhe me një pjesë, të marrëveshjes politike ndërshqiptare. Vija e tij e ashpër nacionaliste përjashton çdo lloj barazie mes dy pjesëve të popullsisë, maqedone dhe shqiptare, ku shqiptarët përbëjnë rreth 40 për qind të popullsisë.

Tentimi i Gruevskit është i qartë: përmes krijimit të hapësirave për pushtet më të ndjeshëm dhe lehtësi financiare, të bëjë pjesë të pushtetit deputetë shqiptarë, qoftë edhe individualisht, përmes të cilëve të mund të rrijë në pushtet edhe një mandat tjetër, dhe, përmes këtij mandati të mund të fshijë të gjithë aktet e tij thellësisht korruptive, antishqiptare dhe përçarëse.

Në momentet e fundit ai po përdor, krahas kulaçit, edhe kërbaçin politik, duke shantazhuar drejtpërdrejtë liderët politikë shqiptarë, të cilëve, sipas tij, do ua hap defterët e vjetër të pushtetit dhe të së kaluarës së tyre politike. Një shantazh i përmasave të llojit të politikës së tij, mënyrë të cilën ai e ka përdorur sidomos në vitet e fundit.

Disa kohë më parë Gruevski nuk kishte nevojë për shqiptarët në qeveri, pasi numri i deputetëve të tij ishte dukshëm më i ndjeshëm sa se ajo që duhej për të pasur shumicën e votave. Arroganca e pushtetit të asaj kohe vazhdon edhe tani, dhe, si duket, duke shantazhuar, mendon se deputetë të veçantë, të cilët kanë përfituar nga qeverisja, do të ulin kokat dhe do të ribëhen pjesë e pushtetit. Këtë shantazh ai po e bën edhe nga opozita maqedonase, por, gjen apo nuk gjen mes tyre të gatshëm për shitje, kjo nuk është temë e këtij shënimi.

Pyetja është se çfarë do të bëjnë shqiptarët, përkatësisht tri partitë politike që kanë bërë një Marrëveshje të përcaktuar qartësisht për të qenë sëbashku.

Zëra të njohur nga tri partitë kanë filluar të ngulmojnë se ato nuk do të jenë pjesë e asnjë koalicioni, dhe, e gjithë kjo është një lojë e njohur. Nisur nga paraqitja e asnjanësisë politike, do bëhet e pamundur krijimi i një qeverie që do të mund të stabilizojë gjendjen dhe të jetë dukshëm më e afishuar në dobi të shqiptarëve. Çka do të thotë kalim në zgjedhje të reja dhe mundësi të reja për nacionalistët që të rritin manipulimin në përmasa të mëdha.

Shqiptarët në Maqedoni kanë mes tyre një shembull perfekt: mbi 75 mijë shqiptarë votuan për opozitën. Nuk është se këto mijëra nuk e dinë se kush është opozita e sotme dhe si ka qenë ajo në qeverisje. Nuk ka kaluar kaq shumë kohë sa që të humbasë edhe kujtesa kolektive. Përgjithësisht, edhe socialdemokratët maqedonas, kur ishin në pushtet, nuk kanë qenë hiç më të mirë se sa nacionalistët e pushtetit të deritashëm.

Por, ndërsa nacionalistët e çartur nuk nxjerrin asnjë mësim nga e shkuara e afërt, sepse nga e shkuara e largët jo se jo, shansi i bashkëqeverisjes me opozitën të dërgon përmes zgjedhjes së disa problemeve themelore, të cilat e kanë ngarkuar jashtëzakonisht shumë gjendjen.

Partitë politike shqiptare në Maqedoni janë para provës së madhe: do të shkojnë drejt perëndimit, një linje politike që e mbështet bota perëndimore, apo do të jenë pjesë e një politike, në të cilën, nëse deri tani ishin të detyruar të rrinin, tani do të ishte mirë të jenë të detyruar të dalin.

Liderët politikë shqiptarë në këtë vend janë në syrin e ciklonit, i cili, është lehtësisht i zgjidhshëm dhe i paqëtuar. Ata duhet të zgjedhin pa ekuivok rrugën që duhet në këto momente. Në këtë mënyrë ia ndalin turrin valës nacionaliste që ka kapërthyer këtë vend prej më shumë se një dekade, i japin mësimin e duhur një politikani thellësisht të korruptuar si Gruevski dhe, së bashku, mund të marrin më shumë përgjegjësi për të ardhmen e vendit ku jetojnë.

Rrugë tjetër nuk ka.

E as nuk mund të ketë.

January 11, 2017 11:46
Komento

4 Komente

  1. Paul Tedechini January 11, 14:34

    Per aqe kohe qe ne Maqedoni do te kete Parti shqipfolse erdoganiste, asnjihere nuk do te bajne hejr shqiptart e vertete.
    Nuk kuptoj pse autori i shkrimit i quen shqiptar te gjithe shqip-folsit ne Maedoni.

    Reply to this comment
  2. Andi Bushat Balli fahri fevZIU January 11, 16:31

    O Islami Bedri ta kam thene edhe me pare qe nuk po ben me informacion por ke filluar ta demtosh ate!
    Sa lexova fjalen ‘NOMINIM’ nuk e lexova shkrimin!

    Reply to this comment
  3. DETARI Atlantidhes @ January 11, 18:31

    kjo qe ben shqiptaret ….pas votimeve ,dmth bashkimin ndermjet tyre,duhet ta kishin deklaruar para zgjedhjeve qe te gjithe votuesit shqiptare ta jepnin voten ,kuptohet vetem partive te tyre !

    kurse tani ,eshte pak si kukuruku…….

    kane per te ardhur zgjedhje te parakoheshme dhe atehere eshte cdo gje me titane pe kombin tone .

    ne maqedoni numrohen vetem shqiptaret muslimane ne masen 40 %,por po te numerohen edhe ata te krishtere te asimiluar ne sllave,kemi edhe 30-40 % te tjere shqiptare !
    pra,po te leme menjane traplliqet fetare do te jemi qeverisesit te maqedoni dhe e meritojme se jemi autoktone.

    Reply to this comment
  4. DASHAMIRESI January 11, 20:37

    Cdo logjike normale , nuk do e kishte veshtire te zgjidhte :
    Zgjidhja me e favoreshme per shqiptaret atje , do te ishte Opozita Maqedonase , si e Keqja me e Vogel . Edhe kthimi ne zgjedhje te reja , nuk besoj se do e permirsonte situaten , perkundrazi , mund ta perkeqesonte .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*