Koha kur duhej të vinin shirat

March 26, 2018 10:50

Koha kur duhej të vinin shirat

Shënime për vëllimin poetik  “63…” të poetes Shpresa Kapisyzi

Herët, shumë herët, e kam takuar për herë të parë Shpresa Kapisyzin, megjithëse familjet tona ishin të njohura prej kohe.

Në qytetin e Lezhës, prej nga vinte në Universitet shkodrania Shpresë, aso kohe, si duket dhe nën ndikimin e poetit të pashoq, Ndoc Gjetja, ishte lindur një grup poetësh që më pas do të krijonin një shkollë poetike.

Me Rudolf  Markun, njëri nga më të shquarit, kisha qenë disa muaj në një dhomë më fakultet dhe ende i shijoj përkthimet ilegale e pazakonta që bënte. Të tjerët, Agim Isaku dhe Preç Zogaj do të ishin të  njohur nga letrat,  ndërsa më pas Shpresa,  pjesë e këtij grupi, që do të ishte elitar, do të befasonte me librin e saj të parë poetik.

Kanë kaluar kohë që atëherë dhe befas, kur mendoja se poezia ishte tashmë një nojmë e larguar, ajo erdhi me librin e saj të tretë poetik, ku nën titullin  “63…” janë përmbledhur 63 poezi.

Nëse do të më duhej të gjeja një emërtim të përbashkët për të gjithë vëllimin e saj , një mendim, jo thjesht të njohuri a shoku, gjëja e parë që më shkoi ndër mend dhe, që ia ripërsërita vetes kur e rilexoja librin në një natë bore, është në ndjenjën e fisnikërisë poetike që të përcjell; një lloj malli i brishtësisë dhe njerëzores, i gjithë atij luajitetit që kemi ndaj jetës dhe që herë pas here e harrojmë se jemi ende aty, të prekshëm, njerëzorë dhe të etur për mirësi.

Pastaj u harrova në  “pyllin që dremit nën dantella mjegullash”, “ duke kërkuar shtëpinë e gjinkallës, në trungun e plasariur të manit, mes degësh, në gjethe”, në “ hijet e çuditshme tashmë më sjellin muzgun”, në “ lejlekët e bardhë, që pranë lumit të ditëve, shndërrohen në re”, pikërisht atëherë kur “ në ujrat e Bunës digjen perëndimet”.

Vjen në libër butësisht një botë që ajo e ka takuar, ndoshta edhe ti e ke prekur dhe nuk ke ditur se si ta sjellësh mes njerëzve. Shpresa e sjell natyrshëm, me finesën e poetes që e njeh mjeshtërinë e vargut mrekullisht, me hapësirën që ka zgjuar ndër vite shpirti dhe që, dashje pa dashje, bulis në 63 poezitë e saj, aq natyrshëm , sa që do të donim ta preknim.

Titulli i librit  “63…” si duket përkon me vitet, por më tepër me jetën që ka përcjellur në poezitë e saj. Në të vërtetë është koha, kur si shkruan “ duhej të vinin shirat” e vjeshtës, kur, befas, si nga një ndryshim stinësh vjen një tjetër kohë poetike, e pakohë në të vërtetën e saj dhe e pamoshë në lirizmin përcjellës. Asnjë trishtim, asnjë hekakeqje e rëndimit të hapave, në të kundërt, kudo që ndodhet, mban ëndrrën e saj poetike, si të mbante në duar një pjesë të jetës së saj. Ndodh edhe kështu me poetët…ata mbajnë në duar pjesë të jetës së tyre dhe, kur vjen koha e duhur për to, dhe koha është ndryshe për poetët, na dhurojnë butësisht, kaq njerëzore është sjellja e tyre, sa që poetika bëhet ajo që kemi dashur të gjejmë dhe të ndjejmë.

Kam qenë disa herë në Sarajevë. Kam shkruar edhe poezi për të. Kam shkruar për shirat e gjakut të Sarajevës. E dija se me këtë qytet poetesha Shpresë e ka një lidhje mëmësore, nëna e saj kishte ardhur nga ky qytet. Ajo, ndryshe nga shumë poetë të tjerë,  nuk e sheh qytetin si një rrëke gjaku, ndoshta vizioni i nënës së larguar nga jeta nuk ia lejon këtë. Nënvetëdija e saj poetike i risjell mëmësinë që vuajti nga malli për qytetin e saj. Ajo shkruan:

Si një vajzë e bukur,e kujdesshme

Sarajeva

Vrajat e plagëve,

Me fustanin e pranvertë

Mundohet t’i fshehë…”

Dhe më tej, rishtas nga malli i nënës, krejt befas, si një plotëni njerëzore,

Dy flutura të bardha

çdo ag lodrojnë mbi të

gjithë trill,

apo janëduart e nënës

tek nderte ndërresat e mija

dikur, në fëmijëri…

“Nëna ime përgjon agimet/ në parvaz të dritares mbështetur/ si fluturz bore e vogël e bardhë/ mbas shkundjes së qiejve mbetur..”.

Në botën e ndërtuar poetikisht, që nga “ujrat e Bunës ku digjen perëndimet dhe deri tek “ netët e bardha që bien mbi Nevë” lëviz autorja me unin e saj, krejt natyrshëm, si të ishte , dhe vërtet është, në një tokë të shkelur edhe më parë, nga e cila do të marrë atë çka i duket se është më njerëzore dhe mrekullisht e përshtatur me unin e saj. Nganjëherë , sikur të kishte mall për kohrat që shkuan, ajo sjell një brishtësi poetike , si duket e strukur thellë tek ajo dhe që ka pritur të bulisë, dhe, si ndodh me poetët, këtë, edhe kur është menduar se e ka bërë thjeshtë për veten e saj, e ka rikthyer tek të tjerët. Nëse unë gjej çastin poetik në një lagje të çfarëdoshme të qytetit të Shkodrës njëlloj si e gjej edhe në poezitë e lindura qyteteve të tjera, si buzë Senës , në Paris, kjo nuk është njëanshmëri poetike, por malli i risjellur kudo që poetesha e ka përjetuar dhe ky mall nuk ka emër vendi, qyteti e stature: është malli për gjithçka njerëzore, tepër e dashur, tepër e përjetuar dhe e risjellë në një çast lirizmi.

E vërtetë, Shpresa është poete lirike e dorës së parë; fëshfërima e natyrës, jetës, brengës, hallit, mallit, dëshirës, përplasjes, vuajtjes, përçudnimit të kohës dhe dhimbjes së poetëve, “ qiellit ku mbrëmë shpërthyen jargavanët” e deri tek ajo brishtësi poetike:

E kisha një ëndërr

e humba padashur,

në fund të detit

u shndrrua në perlë…

Ose më tej:

“Ikën gjithë të moshuarit

e fisit

me hap të lehtë

si fllad i muzgut

në livadh

Në frymëmarrjen

e fijeve të barit

duket se enden,

“Dolëm të marrim pak ajër”

“63…”  është njëri nga ata libra që kanë në vete diçka shumë të veçantë: ndjenjën e bukur të së ngrohtës njerëzore dhe mirëdashjen për jetën, shikuar në një moshë që , duke u poetizuar, është pranverizuar.

Si të thuash, shpirti është vënë mbi gjithçka tjetër dhe lirizmi e ka bërë më të ndjeshëm, më të bukur, të afërt dhe fisnik deri në dhembje.

Dhe ky lirizëm  i shfaqur butësisht, si një çelje jargavanësh, është ajo që afrohet në “ 63…”

Bedri Islami

 

 

March 26, 2018 10:50
Komento

2 Komente

  1. Nik Maloku March 26, 17:30

    Nje shkrim fisnik dhe i shkruar bukur dhe me kulture nga poeti dhe publicisti Bedri Islami. Nje veshtrim i sakte dhe penetrues ne boten poetike te Shpresa Kapisyzit- nje poeteshe fine dhe e matur ne saktesine e saj. U gezova shume qe ka botuar librin tjeter poetik , i cili jo vetem prej fjaleve te Islamit, por dhe nga vargjet e cituara, duket se eshte liber ne lartesine e vleresimeve te artikulli qe Botohet.
    Urime te vecanta Shpreses- qe mbetet e deshmuar prej vitesh si poete e vertete.

    Reply to this comment
  2. Medulin March 26, 17:31

    Nje shkrim fisnik dhe i shkruar bukur dhe me kulture nga poeti dhe publicisti Bedri Islami. Nje veshtrim i sakte dhe penetrues ne boten poetike te Shpresa Kapisyzit- nje poeteshe fine dhe e matur ne saktesine e saj. U gezova shume qe ka botuar librin tjeter poetik , i cili jo vetem prej fjaleve te Islamit, por dhe nga vargjet e cituara, duket se eshte liber ne lartesine e vleresimeve te artikulli qe Botohet.
    Urime te vecanta Shpreses- qe mbetet e deshmuar prej vitesh si poete e vertete.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*