Kohë përplasjesh!

August 19, 2017 11:57

Kohë përplasjesh!

Teksa aleatët e vjetër përplasen për interesa lokale ekonomike, që gjenerojnë politikat e sanksioneve, Kremlini vazhdon i qetë, ndjekjen e objektivave të tij gjeopolitikë. Së fundmi, është urdhëruar mbyllja e trafikut detar të ngushticës së Kërçit. Ngushtica, e pozicionuar gjeografikisht në skaj të Evropës Lindore, ndan Krimenë e aneksuar nga Rusia kontinentale, bllokon portën dalëse nga Deti Azov, për në Detin e Zi, që shërben si portë hyrje drejt Mesdheut. Mbyllja, që do të aplikohet me intervale të ndryshme kohore, ka rritur tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës.

Synimi është ndërtimi i një ure, që duhet të lidhë së shpejti Rusinë me Krimenë. Ura e Kërçit, e gjatë 19 km, po ndërtohet me shpejtësi rekord, duke mundësuar së shpejti kalimin e automjeteve mbi katër korsi dhe rreth 47 trenave në ditë. Pjesa rrugore e urës, duhet të mbarojë në dhjetor të vitit 2018 dhe pjesa hekurudhore, një vit më vonë. Gjatë kohës së punimeve, vetëm ushtarakët rusë do të jenë të autorizuar të kalojnë pjesën mes detit Azov dhe detit të Zi. Deti Azov, dikur gjeografikisht pjesë e brendshme e Bashkimit Sovjetik, tashmë kufizohet nga Rusia dhe Ukraina. Nga ana e Kievit, po denoncohet masa që ka synim të dyfishtë, që nga njëra anë do të konsolidojë aneksimin e Krimesë dhe nga ana tjetër, do të bllokojë hyrje-daljet në Ukrainën Juglindore.

Pavarësisht përmasave të vogla dhe thellësisë së pakët, deti i Azovit mban dy portet e mëdha ukrainase, Mariapolin (450 mijë banorë) dhe Bërdianskin (115 mijë banorë), që kanë veçantinë të jenë portat hyrëse dhe dalëse të industrive gjigante të minierave dhe metalurgjike të Donbasit dhe të Ukrainës Lindore. Vendosja në mënyrë të menjëhershme nga Rusia e bllokimit të ngushticës së Kërçit, për urën e saj, bën që një pjesë e mirë e kompleksit industrial ukrainas, të gjendet e shkëputur nga shkëmbimet detare botërore. Situata, mundet atëherë të njohë një përkeqësim në Mariapol, që është nën kontrollin ukrainas, ndërkohë që ekonomia e qytetit, varet vetëm nga industria e rëndë dhe aktiviteti portual.

Ribashkimi i Krimesë, aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Rusia, vazhdon të ngelet një problem.

Vendosja e sanksioneve nga ana e BE-së, ka njohur thyerje. Skandali i fundit, prekte gjigantin gjerman Siemens, teksa ka furnizuar Krimenë me turbina të prodhimit elektrik. Sanksionet e kanë të pashmangshme të mos prekin edhe interesat ekonomikë të vendeve të BE-së.

Por, po në të njëjtën platformë është pozicionuar edhe vetë Bashkimi Evropian, teksa nuk shfaqet aspak i kënaqur, pas hyrjes së fundit në fuqi të masave amerikane, që përforcojnë sanksionet ndaj Kremlinit. Arsyeja, lidhet me dëmet e shumëfishta, që prekin interesat evropianë. Kjo, pasi në kundërshtim me praktikën e ndjekur të administratës Obama që prej imponimit të sanksioneve të para perëndimore kundër Moskës, pas aneksimit të Krimesë dhe destabilizimit në Lindje të Ukrainës, arsenali i ri i masave shtrënguese, i përpiluar nga Kongresi amerikan, nuk është hartuar në bashkëpunim me aleatët evropianë. Dhe teksti amerikan, përmban kësaj radhe dispozita të dyshimta se, mund të godasin gjithashtu ndërmarrjet evropiane, aktive në sektorin e energjisë me Moskën. Rusia, ngelet furnizuesi kryesor i naftës bruto dhe gazit natyral për 28 vendet e BE-së, pavarësisht vullnetit zyrtar për të diversifikuar burimet e furnizimit. Dhe pavarësisht tensioneve diplomatike, biznesi vazhdon si zakonisht…

Sanksionet amerikane, parashikojnë ndëshkim ndaj furnizimit me shërbim, teknologji, informacion, apo mbështetje në ndërtim, modernizim, si edhe mirëmbajtjen e tubacioneve të gazit rus. Dhe Komisioni Evropian shqetësohet nga rreziku se, mund të shikojë këto sanksione të prekin transportin e energjisë dhe mirëmbajtjen e kanalizimeve ruse në Ukrainë, thelbësore për transitin e gazit me destinacion BE-në. Dhe nëse ndërmarrjet evropiane do të preken, duhen ndërmarrë kundër-masa.

Vendimi i njëanshëm amerikan, duke thyer traditën e administratës Obama me aleatin e vjetër evropian, ka ngjallur dyshime në nivele të ndryshme evropiane se, Uashingtoni kërkon të promovojë eksportimin e gazit të lëngshëm, në dëm të gazit rus dhe sidomos në dëm të biznesit evropian. Gjatë muajit qershor, shefi i diplomacisë gjermane dhe kancelari austriak do ta akuzonin Uashingtonin se kërkonte të privilegjonte shitjet e gazit amerikan në tregun evropian.

Por, specialistë të ndryshëm tashmë vlerësojnë se, në rast se kjo situatë do të gjenerojë probleme, atëherë BE, sigurisht që ka në dispozicion të saj një sërë mënyrash për të vepruar, duke nisur që nga veprimi diplomatik në Organizatën Botërore të Tregtisë, duke shkuar drejt zbatimit të dispozitave evropiane për të bërë të mundur, bllokimin e efekteve ekstra-territoriale të legjislacioneve të huaja.

Gjithsesi, Komisioni ka përgëzuar faktin se, i është mundësuar nga Kongresi amerikan, garancia për një “konsultim” paraprak, përpara çdo vendimi konkret. Nga ana tjetër, deklarimi i presidentit amerikan Tramp, se:“Tashmë, shumë më pak projekte janë të dyshimta se, mund të goditen…formulimi i ri merr parasysh vërejtjet e aleatëve tonë evropianë, që kanë qenë partnerë të vendosur në fushën e sanksioneve kundër Rusisë”, ishte i shumëpritur nga ana e evropianëve.

Pavarësisht garancisë për konsultim, rezervat ekzistojnë. Presidenti i Komisioni Evropian, Junker, është shprehur i kënaqur që ligji i miratuar është shfaqur elastik, me kërkesën e vazhdueshme të BE-së, por se, ai nuk do të ngurronte të paralajmëronte gjithashtu se, nëse masat amerikane do të prekin ndërmarrjet evropiane, BE do të jetë gati për të reaguar.

Por, përtej garancive të dhëna, gjithçka do të varet nga mënyra se, si do të aplikohen sanksionet.

Dhe teksa aleatët përplasen, për interesa lokale ekonomike, Kremlini vazhdon i qetë dhe në heshtje, ndjekjen e objektivave të tij gjeopolitikë. I pashqetësuar aspak nga mungesa e kohezionit të tyre! Përkundrazi, i bindur se aplikimi i sanksioneve do të radikalizojë më tej, qëndrimet e tij.

DITA

 

August 19, 2017 11:57