Kolaboracionistët e rinj shqiptarë!

April 21, 2018 09:54

Kolaboracionistët e rinj shqiptarë!

Gjon Bruçi

Prej dhjetë ditësh në faqet e gazetës DITA ka nisur e  vijon cikli i përvitshëm i debatit midis historianëve, studiuesve, intelektualëve dhe pseudove të këtij komuniteti, për historinë e popullit shqiptar, veçanërisht atë të LANÇ dhe të periudhës së socializmit. Midis titujve të shkrimeve, që lidhen me këtë çështje, më të goditur kanë qenë “Masakruesit e historisë” i zotit Xhevdet Shehu dhe “Mëkatarët e historisë” i zotit Shkëlzen Çika. Të dy shkrimet, e mësipërme, ashtu si edhe materiali i Muharrem Xhafës, me titull “Duçja do t’i kishte zili neofashistët shqiptarë”, apo argumentet e profesor Pëllumb Xhufit për kampin e dikurshëm të Tepelenës, kanë jo vetëm vërtetësi historike, por edhe deduksione të sakta, të cilat dalin nga një gjykim realist i ngjarjeve dhe fenomeneve të zhvilluara në kohë e hapësirë të caktuar.

Për të nisur debatin tim modest për këtë çështje, po përdor një fragment  të fillim-shkrimit të zotit Shkëlzen Çika, fragment i cili përmbledh gjithë substancën shkrimit në fjalë. Autori, pasi jep një tabllo tepër të përmbledhur të demokracisë shqiptare të këtyre 28 viteve, shtron pyetjen:

Shqipëria është në këtë stad zhvillimi e kulture demokratike se ferrat e së kaluarës vazhdojnë t’i kemi nëpër këmbë, siç pretendon rreshtimi i djathtë politik, apo gjithë klasa politike është vetë një kaçup ferrash, ku gjembat janë i vetmi frutë që prodhon për popullin?!  Dhe pa hezituar, pyetjes së mësipërme autori i jep këtë përgjigje: “Fatkeqësisht ka predominuar opsioni i dytë?!

Sipas meje, një përgjigje tepër e saktë.

E gjithë klasa politike, e këtyre njëzet e tetë viteve të të ashtuquajturës “demokraci pluraliste borgjeze”, rezultoi një klasë bastarde e ardhur nga dy drejtime të ndryshme, por me një objektiv të përbashkët: Masakrimin e historisë, të shoqërisë dhe të vetë Shqipërisë, duke e kthyer këtë të fundit në një kavje eksperimentale për sociologët dhe menaxherët e rinj të sistemit tashmë të mykur të kapitalizmit.

Politikanët tanë “njëzetetetë vjeçarë”, që kanë bërë ligjin në politikë e në pushtet, ndonëse militojnë në tri apo më shumë parti politike, siç thashë më sipër, vijnë nga dy drejtime: Drejtimi i parë, “Revanshistët” e sistemit të përmbysur në 29 Nëntorin e vitit 1944, dhe Drejtimi i dytë – “Bastardët e socializmit”, të cilët u kthyen në bashkëpunëtorë të të parëve, ose ndryshe, kolaboracionistët e rinj. Ashtu si në vitin 1939, edhe në vitin 1990, vendi ynë u përball me pushtimin. Pushtimi i parë ndodhi nga fashistët. I dyti, ky i 1990-ës nga neofashistët. Si në çdo pushtim, nuk kanë munguar bashkëpunëtorët vendas. Dhe kjo ka ndodhur në pothuaj të gjitha vendet e në të gjitha kohërat. Sepse çdo vend e çdo kohë ka bastardët e tij/ të saj.

Tashmë, edhe naivët më të firasur e kanë kuptuar se Partia Demokratike me bishtrat që u rreshtuan pas saj, jo vetëm nuk përfaqësonte një forcë të re e demokratike, por përkundrazi ishte një repart i ri neofashist, kopje e kuadrateve nazifashiste italo-gjermane të viteve tridhjetë. Me të drejtë, zoti Sh. Çika thekson në shkrimin e tij se: “Kur Partia Demokratike, forca e parë opozitare, erdhi në pushtet pas përmbysjes së regjimit komunist, i ra barra e përgjegjësisë të ngrinte godinën e shtetit të së drejtës. Por fatkeqësisht, qeverisja e saj në vitet 1992-1997, po t’i referohemi shtypit perëndimor, rezultoi një “shtet gangsterësh”. Kjo formë qeverisje të sillte në kujtesë Republikën e Weimarit, të etiketuar “demokraci pa demokratë”.

Në vijim, unë do të shtoja se jo vetëm në vitet 1992-1997, por madje edhe në ditët e sotme kjo parti politike, apo më saktë ky konglomerat politik, ishte dhe ka mbetur një “parti (klan) “gangsterësh”, në formë dhe në përmbajtje si kuadratet e zeza nazifashiste të Luftës së Dytë Botërore. Me sjelljet dhe “bëmat” e saj prej 28 vitesh në politikë dhe 15 vitesh në qeverisje, kjo parti, apo ky “konglomerat” i ka shkaktuar dëme vendit tonë më shumë se i gjithë pushtimi nazifashist i periudhës 1939-1944. Kush mendon e shpreson se nuk është kështu, atëherë ai nuk mund të shërohet nga naiviteti ekstrem.

Por unë nuk dua të ndalem në këtë pikë, të cilën e quaj të ezauruar. Fashistët dhe neofashistët e kanë treguar veten se çfarë kontingjenti janë. Problemi mbetet tek ata që i mbështesin. Gjatë luftës, mbështetësit e nazifashizmit u dalluan shumë shpejt. Kjo ndodhi sepse dinamika e luftës prevalon mbi gënjeshtrën e propagandën. Ndryshe ndodh në kohë paqeje, kur në vend të automatikut e mitralozit “këndon” propaganda e të gjitha ngjyrave, e cila, ujkun dhe çakallin i zbukuron me lëkurën e deles e të qengjit.

Po kush janë kolaboracionistët e rinj, që bashkëpunuan e po bashkëpunojnë me neonazistët e kohës së sotme? As më pak e as më shumë, janë krerët, apo nomenklatura e Partisë Socialiste dhe, ata që vijojnë t’ju shkojnë prapa, për hir të një trëndafili, të cilit ka kohë që i ka dalë ngjyra dhe era. Është e sigurt se nëse Partia Socialiste, do të kishte qëndruar në programin e saj social-demokrat, që reklamoi kur u konvertua nga ish PP, jo vetëm pushteti nuk do të kishte rënë në duart e partisë naziskine, me emërtimin e pamerituar “Demokratike”, por kjo e fundit, që në dhjetëvjetëshin e parë të jetës së saj do të kishte dalë jashtë politikës. Por, fatkeqësisht, historia ka vërtetuar se socialdemokracia ka në themel kompromisin, korrupsionin politik dhe tradhtinë e programit të saj dhe të atyre që e mbështesin. Kësaj skeme nuk do t’i shpëtonte as PS-ja e vendit tonë. Ishte pikërisht kjo parti (PS) që në vitin 1992 solli në pushtet Hitlerin shqiptar, Sali Berishën, siç solli Hindenburgu Hitlerin e vërtetë në vitin 1933.

Të ishte vetëm ky veprim i vitit 1992, që autorët e quajtën një “taktikë” për të ruajtur vendin nga djegia (si puna e Petenit, që për të “shpëtuar” Parisin u lidh me Hitlerin), do të ishte gjysma e së keqes. Por roli i kolaboracionistit vijoi e vijon edhe sot.

Po sjell disa momente, të cilat mund të rikujtohen shpejt, edhe nga ata që kujtesën e kanë shumë të shkurtër:

A nuk ishin eksponentët e PS-së që, kur Berisha me të vetët po bënte gati valixhen për t’u larguar nga gjëma që kishte shkaktuar në vitin e zi 97-të, e qetësuan dhe i thanë “rri i qetë se na ke ne”? (Mund të pyeten për këtë Fino e Majko). Disa muaj më vonë, po socialistët që erdhën në pushtet, ngritën kartonët dhe miratuan “amnistinë” e famshme, e cila mbuloi përgjithmonë krimin e madh të Partisë demon-kratike dhe liderit të saj. Një vit më vonë, “Arturo-Ui” ynë, praktikoi “grusht-shtetin” e adashit të tij në Gjermaninë e viteve tridhjetë. Socialistët në pushtet, jo vetëm e gëlltitën “grushtin” berishist, por edhe e ruajtën autorin për ta sjellë përsëri në pushtet në vitin 2005. Të gjithë besoj e kujtoni ditën kur në Gërdec plasi “bomba atomike berishiane” dhe kryetari i PS-së, jo vetëm nuk i rrëmbeu nga dora “spektrin” e qeverisjes, por i rrahu shpatullat, duke e ngushëlluar për baxhanakun që humbi në kraterin e fabrikës së barotit. Vrasja e katër qytetarëve të pafajshëm midis bulevardit, duhej ta çonte më në fund Arturo-Berishën prapa hekurave. Por krerët socialistë në vend të kësaj zgjodhën “Krokodilin” e Francës, duke na u betuar se “burgosjen e Berishës” do ta bënin sapo të vinin në pushtet. Mirëpo edhe pas ardhjes në pushtet të socialistëve, Berisha mbeti si “kokrra e mollës”, sepse pushtetarët, nuk kishin në dorë “tagrin” e prokurorit e të gjykatës. Madje edhe tani që Prokuroren e Përgjithshme e zgjodhën me votat e tyre, “tagri” përsëri nuk po u ndez.

Kësaj telenovele, tashmë i ka dalë boja, dhe vetëm të sëmurët vijojnë ta shohin përsëri. Por le të kalojmë tek problemet, për të cilat e nisëm shkrimin: tek “Masakrimi i historisë”, siç shkruan zoti Xh. Shehu, apo “Mëkatarët e historisë” siç e titullon shkrimin e tij zoti Sh. Çika.

Edhe në masakrimin e historisë, të “djathtët”, ku janë grumbulluar e militojnë pinjollët e kolaboracionistëve të djeshëm dhe të “persekutuarit” apo të “dënuarit” e socializmit, nuk janë vetëm. Në ndihmë e në bashkëpunim të tyre janë edhe drejtuesit e PS-së,  që para dite bërtasin për mbrojtjen e vlerave të LANÇ, e mbas dite, e sidomos natën veprojnë si Makbethi. Konkretisht: Dihet se vala “demon-kratike” e fund-viteve nëntëdhjetë shembi e shkatërroi pothuaj të gjitha simbolet dhe objektet e LANÇ e të Dëshmorëve të kësaj lufte. Po çfarë bëri PS-ja për t’i rregulluar ato, kur dihet se nga 28 vite, të paktën në 14 prej tyre ishte në pushtet?  Thuhet  se loja me “dosjet” e periudhës së socializmit ka çuar në keqpërdorimin e tyre. Pa diskutim, i pari Berisha ka “lozur” me dosjet, duke i përdorur sipas nevojave të ditës e të pushtetit të tij. Por siç konstatohet, kjo “lojë” po vijon edhe sot kur janë socialistët në pushtet dhe kur administratorët e këtyre dosjeve janë caktuar nga kryeministri aktual. Po i lëmë mënjanë shtatoret, bustet apo pllakatet e ngritura për tradhtarët dhe kolaboracionistët, të cilat kanë mbirë në sheshet dhe rrugët e qyteteve, sepse, siç thuhet, qeveritarët socialistë “nuk paskan “tagër t’i heqin”!  Po të ngrenë shtatoret, bustet dhe pllakatet e Heronjëve dhe Dëshmorëve që i hoqi e i shkatërroi “vala demon-kratike”, kush i pengon? Mos vallë u mungojnë sheshet e bulevardet? Vërtet ishte Berisha që ngriti shtatoren e tradhtarit Ahmet Zogu, dhe Rama i socialistëve nuk ka bythë ta heqë, po shtatoren e Ismail Qemalit, kush e pengon ta vendosë në sheshin kryesor të kryeqytetit, në krah apo përballë Skënderbeut? Kur ishte Berisha në pushtet, Muzeu Historik Konbëtar përjetoi përdhunim e masakrim si në konceptim dhe në drejtim e menaxhim. Po tani që drejton PS-ja, pse Kryeministri socialist nuk vendos në krye të këtij institucioni Moikom Zeqon apo Pëllumb Xhufin, dy nga personalitetet më të spikatura të inteligjencës shqiptare?

Mashtrimet, shtrembërimet dhe abuzimet, na kumton Shkëlzen Çika, paraqiten shkoqur në “Shtëpinë e gjetheve” dhe në “BukeArt-2”. “Te BunkArt 2, – shkruan Shkëlzen Çika, – është afishuar një fotografi e madhe e Hamit Matjanit, si një nga martirët e shquar për liri e demokraci. Nën këmbët e tij është vendosur në përmasa të vogla fotografia e Heronjve të Popullit Asim Aliko dhe Hekuran Pobratit. Kjo gjë sa është irrituese, është njëkohësisht kthim i historisë tërësisht me kokë poshtë. Nëse vazhdon të gjykohet se demokracinë do ta sillnin bandat e armatosura me monstra të tilla si Hamit Matjani, Llesh Marrashi, Mark Gjon Markaj, Jup Kazazi, Hetem Çako, Tahir Prençi, Ahmet Kabashi, Alush Leshanaku, Ndue Gjon Markaj etj, kjo është të vësh duart në kokë dhe të ulërish me të madhe. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: Kë duhet të nderojë historia, Asim Alikon apo Hamit Matjanin?!”

Konstatimit të autorit, unë dua t’i shtoj edhe këto fjalë:  Kush i ka ngritur “Shtëpinë me gjethe” dhe “BunkArt-in”? Berisha me neonazistët e tij, apo socialisti Rama me shokë? Të gjithë e dimë se është ky i fundit. Pa dyshim që autori i “Komunistët në litar, veteranët në hanxhar”, parullë që u artikulua në fillimet e demokracisë dhe që u fiksua në librin e përbashkët me kolegun e tij, të ndjerin Ardian Klosi, nuk kishte se si të ngrinte në mes të bulevardit, veçse një bunker turpi e mashtrimi si bunkerët e nazistëve të kohës së luftës.

Ja pra, që i dhamë përgjigje se kush janë bashkëpunëtorët e neonazistëve, apo më qartë “kolaboracionistët” e rinj shqiptarë.

Për fat të keq, mbas këtyre kolaboracionistëve vijojnë të ecin edhe një pjesë e socialistëve të ndershëm por naivë, pa zënë në hesape ata që termin “socializëm” e kanë thjeshtë një “kartë krediti” për tërheqjen e monedhave që ju jep pushteti i radhës. Por ajo që na trishton, është qëndrimi i intelektualëve të vërtetë shqiptarë dhe sidomos i Organizatës së Veteranëve dhe asaj të Dëshmorëve, të cilët nuk po e kuptojnë se në të tri partitë kryesore, që kanë diktuar e diktojnë politikën dhe qeverisjen e këtyre njëzet e tetë viteve, kanë depërtuar e marrë frenat figurat e të njëjtës “prerje”, më qartë bastardët e socializmit dhe mbeturinat e neonazizmit, dy degë të së njëjtës pemë të sistemit tashmë në kalbëzim të borgjezisë.

Gjersa kjo “lojë” e politikanëve aktualë të kuptohet nga populli dhe inteligjenca drejtuese e tij, vendi ynë do të mbetet në të njëjtat standarde me ditët e sotme dhe s’ka “negociatë”, e madje as anëtarësim në BE,që ta sjellë në parametrat e demokracisë së vërtetë.

 

April 21, 2018 09:54
Komento

20 Komente

  1. Claus April 21, 10:51

    Idete i paska marre nga komenti im i meparshem tek zoti Cika, ky Bruci.
    Po nuk ka problem, mjafton qe njerezve ti hapen syte, po se kush i shkruan, kjo eshte me e parendesishmja,

    Reply to this comment
    • Dashi April 21, 21:32

      hahahaha
      Shkrim nga nje muzhik per muzhike ne Serbi dhe Rusi.

      Reply to this comment
    • Peza April 22, 01:15

      Krimi i pare i Edi Rames eshte baltosja e LANC-it duke e cilesuar Lufte Civile!
      Pra ai vuri ne nje kandar clirimtaret partizane me bashkepuntoret e pushtuesve-ballistet!
      Krimi i dyte eshte rrenimi total i PS-se.
      Sot nuk ka PS,por militante qe luftojne per votat e Rames me shoke!
      Se fundi Rama eshte armik i shtetit,i dialogut,i degjimit te zerit te popullit!
      Ne shtetin e Rames nuk sundon ligji por “maliqi”!

      Reply to this comment
  2. Gjon Bruçi April 21, 12:29

    Z. Claus, keni te drejte: patjeter qe jam ndikuar edhe nga komenti juaj, te cilin do ta kisha cituar, sikur t;ju njihja me emrin e vertete. Respekte!

    Reply to this comment
  3. marshalli Sali April 21, 13:55

    Shkrim perfekt,me pike dhe presje.Kjo eshte e verteta.Edi Ramen nuk e ka penguar gje qe te vere atje bustin e Ismail Qemalit,apo per te vene ne krye te muzeut kombetar Pellumb Xhufin apo Moikomin,pa mire per te hequr ato te Zogut e te tjere kolaboracionisteve e tradhetareve te vendit,pervec idese se tij qe te jete sa me i pranueshem nga klani Berisha e nga ai i te persekutuarve politike,apo dhe per te qene besnik i ideve te shprehura dikur publikisht prej tij “komunistet ne litar,verteranet ne hanxhar”(kuptohet pervec komunistit special 24 karatesh me shume flamuj ne xhepin e brendeshem Berishovic).Edi Rama eshte ne te njejten linje me shume te djathte ekstreme ne shqiperi,por fakti qe ai u konfliktua me Berishen dhe e rrahen dhe e bene mut qe nuk do e haroje per gjithe jeten njerezit e Berishes,beri qe ai ti ngjitet partise socialiste dhe meqenese idete e tij nuk mund te pine uje atje,i la deklaratat e tij publike te dikurshme dhe uzurpoi drejtimin e kesaj partie,duke punuar ne prapaskene kunder komunisteve,herojve,deshmoreve dhe trashegimise se dikurshme komuniste dhe duke u pershtatur me batakun politik shqiptar,duke e shpetuar ne njefare menyre dhe Berishen nga pergjegjesite e tij per 1997-ten,1998-ten etj etj dhe duke e bere luften kunder PD-se dhe sidomos kunder Berishes vetem ne aspektin politik,dmth.me deklarata e llogje pazari.

    Reply to this comment
  4. KOZi April 21, 14:02

    Ok, po cfare kerkohet me kete artikull !? Sot nuk jemi miq me jugosllavet as me Ruset as ne krahun lindor komunist te Traktatit te Varshaves ! Jemi ne NATO dhe miq me Anglo-Amerikanet !
    Nga Edi Rama cfare kerkohet ? te jete ne Nato dhe BE dhe te drejtoje si te jete ne Varshave, Jo nuk mund te ndodhe. Edi Rama nuk ka ndryshuar , ashtu si sot edhe dje e njohim ne artikullin tek RD per monumentet, ne fjalen e tij ne mitingun tek stadiumi,ne botimin “Refleksione” Edi Rama,Ardian Klosi.etj. Kerkoni ta ndryshoni !? jo ! ….tung

    Reply to this comment
    • Kris 1 April 21, 15:18

      Drejt e ke!Edi Rama eshte plotesues i doktrines Berishiane si i thone tenxheria Berishiane gjeti kapakun e mavijosur te rilindjes Edviniste.Edi Rama nuk mund te ndryshoje karakter.Eshte nje kerpudhe helmuese qe lulezon ne trupin e kalbur te Ps mes rrenkimeve te Braceve dhe ulerimave te Taulanteve

      Reply to this comment
  5. Gjeneral Telini April 21, 15:28

    Shkrim i sakte. piktor pardesybardhi, i rilindjes mavri, ne nje gjolishte, noton me like defter floririn, lulush hollandezin, saleh haram berishovksin, tosin e thanasit, bixhozxhiun, mohanen e likes, e shume tè tjere.

    Reply to this comment
  6. Moisi Golemi April 21, 16:50

    Pershendetje z. Gjon Bruci. Kisha nje pyetje per ju. Gjithmone kam qene kurioz si eshte shuar babai juaj, Zef Bruci. Di qe ka qene ne sherbim te Zogut, pastaj gjate Luftes me partizanet dhe pas Clirimit di qe ka qene perplasur me Komitetin e Maleve (te cilet ju dogjen shtepine ne Urake). Por nuk i di fundin. Faleminderit!

    Reply to this comment
  7. Gjon Bruçi April 21, 18:44

    Zoti Moisi Golemi, po jua plotësoj sa më shkurt kuriozitetin për ecurinë e shkurtër të jetës së babait tim, Zef Bruçi: Gjatë vitit 1938 gjer ne mars të vitit 1939, Zef Bruçi, për nevoja ekonomike, dhe me ndihmën e miqve të babait të tij në Mat (Bilal Kola, Sul Kurti, etj.- oficera në rezervë të Zogut), vishet xhandar dhe vendoset me shërbim në Tiranë. Si njeri pa asnjë gram shkollë, ai të vetmen ndihmë që i dha Zogut, ishte shërbimi i rojes pranë pallatit të tij apo objekteve të tjera të shtetit të asaj kohe. Në mars të vitit 1939, pasi merr nga armatura e xhandarmërisë tri pushkë e një torbë me fishekë, arratiset nga xhandarmëria dhe pas dy-tri ditëve rrugë më këmbë, mbërrin në kasollen e tij në fshatin Lufaj të Selitës (Mirditës). Me pushtimi italian, u largua edhe rreziku i arrestimit të “xhandarit të arratisur”. Në filim të vitit 1943, në kasollen tonë në Lufaj, erdhi dhe qëndroi dy netë komunisti Bardhok Biba. Qysh nga ato netë, babai im, Zef Bruçi, me vëllain më të madh, Prengën, dhe gjithë familjen u vu në shërbim të Bardhok Bibës dhe të LANÇ. Zef Bruçi nuk doli partizan në formacionet e Ushtrisë Partizane, por shërbeu si partizan tereni (pritje, përcjellje dhe ndërlidhës i shokëve të LANÇ). Në qërshor të vitit 1946, siç e thoni edhe ju, një bandë reaksionare me në krye major Llesh Gjomarku (vëllai i Mark Gjomarkut), në zbatim të një vendimi të “Komitetit të maleve”, vjen në Lufaj që të pushkatojë vëllezërit Preng e Zef Bruçi, si aktivistë të LANÇ dhe komunistëve që erdhën në pushtet, por aksioni i tyre përfundoi vetëm me djegien e shtëpisë sonë, të ndërtuar në fund të vitit 1943. Në vitin 1947 Zef Bruçi pranohet në radhët e PKSH dhe ngarkohet me detyrën e Kryetarit të Këshillit të Frontit të fshatit Lufaj. Më 5 korrik 1949, bandat e reaksionit vranë Heroinën e Popullit, Shkurte Cara. Një ditë më pas, më 6 Korrik 1949 vranë dhe Zef Bruçin, në moshën 34 vjeç. Shkurte Cara, Zef Bruçi dhe tre-katër të tjerë përbënin organizatën e partisë për gjithë Selitën (Bajrakun – Lokalitetin). Nëse të intereson, për më hollësisht mund të lexoni librin “Heronj të heshtur”, vëllimi i V, faqe 301.
    Ndjesë që u zgjata kaq shumë, por interesimi juaj, më futi në kujtime të largëta, të cilat unë i kam të treguara e të lexuara, sepse kur ndodhi vrasja e babait, unë ishe vetëm tre vjeç. Respekt për ju.

    Reply to this comment
    • Jetnori April 22, 02:19

      Respekt per ndershmerine dhe guximin per tu perballur me antishqiptaret te cilet jane shtuar pasuruar dhe akoma me keq egersuar. Antikomunizmi i tyre eshte thjeshte hilja e madhe antikombetare qe ka si qellim shenjterimin e tradhetise dhe shperberjen kombetare duke zgjatur ne pafundesi urrejtjen klasore. I perjetshem qofte kujtimi babajt tuaj ne lufte per nje jete te re. Rralle vende kan perjetuar situate kriminale si ajo qe i ndodhi vendit tone pas lufte. Emigracione politike pati kudo ne bote por ne asnje vend nuk ndodhi qe emigracioni, apo akoma me keq bashkpunetoret e fashizmit, te krijonin banda kriminelesh per te terrorizuar vendin e tyre duke u perdorur nga fqinjet e tyre ne menyren me poshteruse. Ky ishte fati i Shqiperise bashkpuntoret e fashizmit klasa me antikombetare e perlyer me gjak cilesohen NACIONALISTE apo atdhetare. Krimet kundershqiptare ishin ne kulmet e tyre si ne Kosove ashtu dhe ne Cameri me vrasje dhe shkretime deri ne ekstreme. Nacionalistet apo atdhetaret e familjeve sic kan qejf te thuhen te MEDHA jo vetem qe nuk u beri pershtypje por me e keqja furnizoheshin me armatime dhe hidheshin nga ajri deti dhe toka per terror ne vendin e tyre, pikerishte nga vrasesit e kombit te tyre. Trimeria nacionaliste u shkarkua mbi njerezit qe punonin dite e nate nje pjese pa shperblim vetem qe te ndryshonin vendin ku jetonin. Krimet e tyre nuk njihnin kufij duke vrare femij vajza te reja me qellim per te perhapur frike dhe pasiguri. Komunizmi pati te keqijat e veta qi ishin pjese e sistemit por edhe pjese e njerezve abuzues ne emer te pushtetit. Vete jam viktim e te dyjave duke vuajtur per me shume se 7 vite internim ne zona te thella malore te vendit. Vujtjet dhe mundimet e ketyre viteve sigurisht qe nuk me japin te drejte te hakmerrem ndaj cdo gjeje qe u be pjesmarrese viteve te mia te veshtira. Ne Shqiptaret kemi fjale te cuditshme kuptimplota qe tregojne urtesi dhe respekt. Ne themi tu harrovshin te ligat. Historia sot ka rene ne duar te liga te njerezve pakarakter moral dhe personalitet. Historianet e rinje sot te cudisin kur i degjon, qellimi i tyre nuk eshte historia qe gjoja i prek por poshterimi i historise dhe akoma me keq i historineve me te nderuar qe sot per sot kemi. Ju pershendes.

      Reply to this comment
    • Moisi Golemi April 22, 14:57

      Zoti Gjon, faleminderit per sqarimin qe bete persa i perket babait tuaj. Kureshtja ime eshte shtyre nga fakti se, te paret e mi u strehuan ne shtepine tende, ne Lufaj, gjate operacionit ndeshkues me forca ajrore, qe Italia beri mbi fshatrat e Matit ne 1943. Shtepise tende i kam bere fotografi nga larg. Gjithashtu, gjyshi im dhe babai yt kane qene vellame. Ka mundesi qe ta kesh kuptuar nga cila dere jam. Ketu dua te qendroj anonim. Ju pershendes.

      Reply to this comment
  8. valentina April 21, 21:07

    Shkrim perfekt, meriton te shfaqet cdo dite ne te gjitha mediat qe mund ta pranojne.

    Reply to this comment
  9. kampaçurreta April 21, 22:33

    Gjithçka shkruan eshte e vertete, munde te shtoj qe ne ato bunkartet qe ka ngritur i “famshmi” Edi Rama ne se do te ngrihej nga varri i ati i tije . Kristaqi, do ta peshtynte per pa saktesine qe eshte servirur,por ai ka harruar qe jane nje plejade e tere kuadrosh qe i kane perjetuar 45 vitet e socializmit. Nuk e din Edi Rama se poshte shtepis se bardhe ne Uashington ( 6 kate posht) ka nje bunker berthamor dhe kuptohet i paisur si ne Amerike, mbi 1000 vite ka Zvicera qe nuk ka degjuar krisma lufte por poshte çdo banese private e shteterore ka nje vend strehim e detyruar me ligj, Edi Rama eshte nga ata qe ne 90 nuk e gjeti asnje vrime per te hyre ne PD e themeluar nga pseudokomunistet e tipit Sali,Elez,Rajerson, deri tek kapterri dekoruesi i krimineleve Nishan. i u kthye te majtes e perbere tashme nga frikacake e mori neperkembe dhe tani nuk i ka mbetur asnje shenje per te perfaqesuar te majten e vertete e per ta shkaterruar perfundimisht me doktrina ultra fashiste duke e derguar popullin ne gjendjen e viteve 20 te shekullit te kaluar. dhe per te shperndare mendjen nga varferia ekstreme veçanerisht ne ato fshatra si Lufaj nuk di ne se ka mbetur ndonje varfanjak atje dhe ne gjithe lufajt ne tere shqiperine merret me akrobatlleqe te tipit bunkeresh, kampesh perqendrimi,ngritjen e permendoreve per kriminelet, perdhunimin e heronjeve. me gjithate le ta gezojne Shqipetaret, ta gezojne Kuksianet taksen e Tunelit ku i kane futur Sali Berishe dhe Edi Rama,dhe gjithe shqipetaret per te gjitha taksat shkaterruese qe po i u vihen ne qafe gjithnje e me teper.

    Reply to this comment
  10. Gjon Bruçi April 22, 17:09

    Moisi Golemi, besoj se e kuptova, nese eshte fjala per nje foto te bere nga “Qafa e Shyte” qe ndan Lufajt me fshatrat e Matit. Sidoqofte une te pershendes e te uroj gjithe te mirat!

    Reply to this comment
  11. Fidel Kastro April 22, 22:09

    Enveri ndjehet i lumtur atje ne varr se vepra e tij jeton .Gjon Bruçi mban lart flamurin e Marksizem -Leninizmit , por do te ishte me i besuar qe (nese ka femije) femijet e tij apo familjare te aferm mos te kene emigruar ne vendet kapitaliste borgjeze te Evropes Perendimore se kjo quhet “tradhti ndaj Atdheut”, po te shkonin ne Kube ose ne Korene e Veriut. “Bravo” Gjon je konseguent ne luften e klasave , besoj se duhet te fillojne prape pushkatimet , sidomos ne katoliket e veriut , bijte e reaksionareve qe donn te permbysnin pushtetin popullor . Sa mire ishim atehere . partine e kishim te forte ,hanim buke misri me shellire e qepe dhe po te ishte nevoja dhe bar do te hanim . E lum si ty o Gjon Bruçi per kurajon qe ke qe te zezen e quan te bardhe dhe anasjelltas. Ne fund te jap nje porosi : Futi nje vizite andej nga Kimi i Korese se Veriut dhe fito energji te reja e ktheu me pas ne Shqiperi po qe se te lejon Kimi se ndoshta te mban atje si historian i talentuar.

    Reply to this comment
  12. Orteku i Fekenit April 23, 09:35

    Gjon “djali” ke te drejte!
    Puna e bandave duhet te pare si vazhdim i LANC it se behet fjale per te njejtet personazhe qe si thua ti bashkpunuan me okupatorin kete se luan topi.
    Demokracia kshtu e ka do ti vije koha edhe Matjanve e Nishanve me shoke nuk ja vlen te hapen debate te tilla me Amerikanet tani kur kemi nevoj per tjeter ndihme nga ta.Sot e ksaj dite asnje president amerikan nuk ka kerkuar falje per Hiroshimen e Nagasakin e ne te presim te na kerkojne falje per nje cope H.Matjani
    Bunkerin muse Le ta visitojne turistet .Asim Alikon nuk na e merr dot njeri as nji Nishani i vogel jo e jo !
    Sic thote edhe Rrahman Perllaku te mos ngaterrojme LANC in me Diktaturen.
    Rri gjithmon nga krahu i drejt si te rreh zemra majtas!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*