Kolegët nuk kanë folur për shumë nga shkeljet për të zbatuar porositë e mia

December 4, 2013 09:58

Kolegët nuk kanë folur për shumë nga shkeljet për të zbatuar porositë e mia

Është e vërtetë që unë që gjatë luftës Nacional Çlirimtare dhe më vonë, si rezultat i pikëpamjeve anti-parti që kam patur, kam biseduar me persona të ndryshëm siç kam deponuar dhe në proceset e mia hetimore

 

PROCES – VERBAL

Në Tiranë më 23.03.1977

 

Unë, hetuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, marr në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.

 

Pyetje: Vazhdo i pandehur të japësh shpjegime rreth akuzës.

 

Përgjigje: Pupo Shytin e kam njohur që nga fundi i vitit 1946 në Komisionin e Planit, ku ka punuar gjatë viteve deri 1974-1975. Kam punuar me të duke qenë ish-përgjegjësi i Planit, në 1951 deri në gjysmën e parë të të 1954 dhe në vitet 1958-1965 kur ka qenë Zëvendës President.

Pupua ka patur pikëpamje që tek ne bëheshin plane të fryra dhe kjo fillon nga viti 1947 mbas mos aprovimit jugosllav (me Kiço Ngjelën kryetar të delegacionit) me revizionistët sovjetikë dhe në vitet 1961 dhe 1965 për kërkesat e RP të Kinës. Këto pikëpamje Pupua i shprehte në mënyrë të zakonshme si rregull i tij, fajin jua atribuonte kërkesave të fryra të digastereve e jo kujdesit për të gjykuar që këto plane ishin vendosur nga Partia e të mbante qëndrimin e duhur për to.

Nga sa më kujtohet, në organizatën e Partisë diskutonte sa për të shkuar rradhën, e jo për ta bërë Partinë udhëheqëse.

Rrallë herë shkonte në ndërmarrje. Punën e tij e përqëndronte në zyrë dhe kishte besimin që aty bëheshin planet e jo duke zbatuar vijën e masave. Për këtë kemi patur shpesh herë kundërshtime, sidomos në 5 vjeçarin e pestë.

Ishte ambientuar që në bujqësi nuk mund të realizoheshin planet nga eksperienca shumë vjeçare dhe nga pikëpamjet e rezervat ndaj normave të Partisë për hartimin e planeve sipas vijës së masave.

 

Pyetje: Fol i pandehur si e ke njohur Zenel Hamitin.

 

Përgjigje: Zenel Hamitin e kam njohur (disa ditë) kur i dorëzova punën e ish Drejtorisë së Industrisë së Naftës në Kuçovë. Pas Kuçovës, nga sa më kujtohet, ka qenë për një kohë përgjegjës i legatës shqiptare në Romë. Më vonë, gjithë kohën ka qenë Z.Ministër (një kohë edhe Ministër) i ish-Ministrisë së Minierave dhe Industri-Minerave. Nga sa di, me korrespondencë ka studjuar për gjeologji. E kam njohur më nga afër dhe kam qenë bashkëpuntor me të gjatë viteve 1966-1975 në Ministrinë e Industri-Miniera ku kishte ardhur në ngarkim në gjeologji, miniera, kimi, naftë. Njihte prej vitesh kuadrit e naftës. Në vitet 1966-1970 mbulonte kërkimet e naftës e të gazit, duke patur në vartësi edhe Institutin e studimeve dhe kërkimeve.

Si specialist dhe me përvojë, në vend që të më ndalonte mua për rastet (e shumta) e strukturave që i nënshtroheshin çpimit jo në mënyrën shkencore siç përcaktonte vendimi i Byrosë Politike, ai ka vepruar duke e shkelur këtë vendim duke rishprehur: “Gorrishti, Ballshi etj., janë zbuluar vetëm mbi bazën e rilevimeve gjeologjike, pa pasur studime sizmike.” Pra ai kishte pikëpamje e rezerva ndaj normave të Partisë.

Në mbledhjen e organizatës së Partisë, në dukje tregohej për rëndësinë e madhe të organizatës bazë. Një nga mbledhjet e organizatës bazë, gjatë muajit Prill 1974, më kritikoi për diskutimin tim, afërsisht: “Koçua të ketë një çikë respekt më shumë për organizatën e Partisë!”, ndërsa për të njejtin diskutim afërsisht më kishte lavdëruar në Mars 1974 në Fier. Nga sa më kujtohet, në përgjithësi, diskutimet e tij në organizatën bazë, ishin sa për të kaluar radhën, në fakt, zor se e pranonte kritikën. Në një mbledhje nga gjysma e vitit 1974 (ku merrte pjesë edhe Ksenofon Nushi), ka ndërhyrë në mënyrë gati brutale për t’ja ndërprerë diskutimin Mirush Patos (drejtor i kimisë) sepse e kritikonte atë. Pra ai nuk besonte në rolin udhëheqës të organizatës bazë.

Nga sa më kujtohet, në vitin 1967 shkon në Pekin për eksperiencë nga RP e Kinës për naftën, ku midis pjesëtarëve të tjerë mori edhe Lipe Nashin, me të cilin kishte shumë afrimitet. Duke qenë se do të kërkonin dhe një kredi të veçantë për naftën, i kam porositur mirë të dy që porosinë e makinerive e materialeve ta bënin duke patur parasysh të gjithë sektorët e naftës dhe sidomos kërkimet. Megjithatë shumicën e porosisë e bënë sidomos për shfrytëzimin e naftës, shumë pak për sizmikën. Siç kam deponuar, ai nuk ka qenë për krijimin e DPN dhe në fakt ka thënë se dhe po të krijohej, ai nuk do të vente të drejtonte një aparat të tillë. Por këtë ai nuk e kishte se ishte kundër decentralizimit, sepse ai ka mbrojtur dhe ka qenë pro propozimit të Muzak Kallajxhiut për të bërë një drejtori të përgjithshme për të gjithë minierat që të ishte si një ministri e vogël jashtë ministrisë. Sipas këtyre faktorëve, ai nuk ishte për t’u larguar nga Tirana në Fier, në DPN, e jo kundër decentralizimit.

 

Pyetje: Fol i pandehur si e ke njohur Ramadan Xhangollin.

 

Përgjigje: Ramadan Xhangollin e kam njohur rreth vitit 1954, në pushime në Pogradec kur isha i sëmurë. Krijova me të një shoqëri e miqësi personale e familjare, të sëmurë, mikroborgjeze, për kalim të kohës së lirë. Afrimiteti mikroborgjez në muhabete të ndryshme për një kohë të gjatë, vetë krijoi një besim reciprok të sinqertë, por në fakt jo në rrugë partie, por mbështetur dhe në karakter të njëllojtë. Duke qenë kështu, për çështje normash partie ose për probleme të ndryshme, shkëmbimi i mendimeve puqej, sepse ishim me pikëpamje anti-parti të njëjta.

Në vitet 1957-1959 kemi patur të njëjtat pikëpamje lidhur me prishjen e marrëdhënieve me vendet revizioniste, të vazhdonim tregëtinë me ta, ndërsa çështjet e tjera ideologjike të zgjidheshin në rrugë të veçantë, pa gjykuar më thellë. Për periudhën 1961-1965, midis bisedave për çështjet ekonomike, që i vinim në radhë të parë (si rrjedhim i pikpajmeve tona jo në norma partie), shfaqnim mendime të tilla si: “Mirë bukën dhe mallrat e tjera që na i siguron RP e Kinës, por a është kjo në gjendje teknikisht të sigurojë zhvillimin tonë për gjithë degët e tjera të ekonomisë, me gjithë vullnetin e mirë të saj? Kjo gjendje mund të pengojë zhvillimin tonë.”

Si edhe më parë gjatë viteve 1966-1970, nuk kemi qenë për ashpërsimin e luftës së klasave ndaj punëtorëve me biografi të çalë, ose që pas ndonjë gabimi janë ndrequr e punojnë për zbatimin e detyrave. Më kujtohet që më ka folur për kulakët që kishin mbetur pak tek neve, nuk përbënin ndonjë rrezik etj., por unë nuk ja kam zgajtur një muhabet të tillë, sepse s’kisha as ndonjë dijeni konkrete për ta.

Nga fillimi i vitit 1974, një ditë më thotë se mirë që kishim gjetur rezerva gjeologjike apatitinë Gusmar (më tha se e kishte dëgjuar në Shtëpinë e Partisë), po nafta, duke më lënë të kuptoja se këtu ishte problemi kryesor.

Nga sa më kujtohet, në Mars 1974, në moment depresioni nga më të fortat që kam ndjerë gjatë jetës sime dhe që pregatitesha për autokritiken timë për naftën, duke patur besim te “miku” në vend se këtë ta bëja te Partia, kjo ishte para aktivit të Fierit. Pse e bëra me të një bisedë të tillë e jo ku duhej, kjo është rrjedhim i pikëpamjeve të përbashkëta anti parti. Në bisedë e sipër më kujtoi se edhe ai, për gabimet e tij në rrethin e Korçës, e kishte ndjerë veten vështirë deri sa u bë aktivi në Korçë, ku ishte i deleguar Sekretar i KQ Ramiz Alia, dhe mbas aktivit çdo gjë u normalizua.

 

Pyetje: Fol i pandehur si e ke njohur Hasan Hamzën.

 

Përgjigje: Hasan Hamzën e kam njohur prej kohësh si specialist nafte në ish Ministrinë e Minierave dhe që në vitin 1966 në Ministrinë Industri-Miniera, ku sipas ndarjes së punës që u bë me organikën e re, u vendos në Drejtorinë e Planit për sektorët kimi-metalurgji, sepse u krijua një drejtori e naftës në ministri. Si biografi të tij, kam njohur që babai i tij, para lufte ka qenë funksionar komune.

Rreth vitit 1969 u dërgua në Institutin e kërkimeve të naftës si ekonomist i nevojshëm për Institutin dhe për efekte qarkullimi. Në fillim të vitit 1971, me krijimin e DPN, meqë në ministri u suprimua Drejtoria e Naftës, dhe do të kishte organikisht një punonjës, (siç ka qenë në Ministrinë e Minierave) u transferova në ministri me rekomandim edhe të Lipe Nashit se do ta kryente shumë mirë detyrën që i kërkohej. Për shkurtim organike, nga fillimi i vitit 1973, ju ngarkua funksioni i ndihmësit të ministrit.

Për çështjet e naftës e kam marrë shpesh herë në Fier (DPN) dhe në Sarandë. E kam ngarkuar shpesh herë dhe me redaktim relacionesh, kryesisht për sektorin që mbulonte. Në vitin 1968 e kam marrë edhe në RP të Kinës si ekonomist.

Lidhur me punët e naftës, ajo që rëndon më shumë mbi të është shkelja e vendimit të Byrosë Politike (viti 1967) për naftën, për të cilin, si specialist me përvojë (pavarësisht fajeve të mia), duhej të kishte kërkuar e insistuar ndaj meje për zbatimin e kërkimeve dhe shfrytëzimin e vendburimeve gëlqerore, mbi baza shkencore, ashtu si e përcaktonte vendimi. Një gjë të tillë ai nuk e ka bërë, përkundrazi në heshtje ose për të zbatuar porositë e mia, nuk ka ndërhyrë e sidomos për të informuar mbi gjendjen e gëlqeroreve.

Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe pa vërejtje i nënshkruaj.

 

 

I PANDEHURI                 HETUESI

/ KOÇO THEODHOSI /       / ELHAM GJIKA /

 

PROCES – VERBAL

Tiranë më datën 23.03.1977

 

Unë, Elham Gjika, hetues i Ministrisë së Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi, i cili pasi u pyet deponon.

 

Pyetje: E dëgjuat vendimin mbi ndryshimin e akuzës dhe ç’keni për të thënë?

 

Përgjigje: Po, unë e dëgjova vendimin mbi ndryshimin e akuzës, jam dakort me këtë ndryshim, është e vërtetë që unë që gjatë luftës Nacional Çlirimtare dhe më vonë, si rezultat i pikëpamjeve anti-parti që kam patur, kam biseduar me persona të ndryshëm siç kam deponuar dhe në proceset e mia hetimore që kam bërë në hetuesi.

Siç thashë, janë të vërteta dhe i firmos me firmën time.

 

I PANDEHURI                HETUESI

/ KOÇO THEODHOSI /     / ELHAM GJIKA /

 

 

December 4, 2013 09:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*