Kolonel Goxhaj: Nga Shqipëria në Kosovë, Zëvendësshef i Shtabit të UÇK-së

Nga Kujtim Boriçi August 29, 2013 14:38

Kolonel Goxhaj: Nga Shqipëria në Kosovë, Zëvendësshef i Shtabit të UÇK-së

Kolonel Dilaver Goxhaj, një nga ushtarakët e parë vullnetarë nga Shqipëria në UÇK, ruan si një nga gjërat më të çmuara të jetës së tij ‘Ditarin Luftarak’ të luftimeve të shumta, që ai në detyrën e Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së (njëkohësisht dhe të koordinatorit të UÇK-së me NATO-n) e kolegët e tij, shumica drejtues të sotshëm të shtetit të Kosovës, realizuan për çlirimin e Kosovës nga ushtria pushtuese serbe… Një rol të rëndësishëm, në këtë luftë, luajtën edhe vullnetarët nga Shqipëria, për të cilët është shkruar e folur shumë pak… Për gazetën ‘Dita’, krahas një interviste të gjatë, ai afron dhe pjesë të këtij ditari nga fronti i luftës…

 

dilo goxhaiZoti Dilaver! Ju keni qenë një prej drejtuesve kryesorë, në përbërje të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Si arritët të lidheshit me UÇK-në? Cilat ishin kontaktet tuaja të para me njerëzit e saj?

-Emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë e kam dëgjuar për herë të parë përmes valëve televizive të TVSH-së, në fillim të vitit 1994, kur u transmetua komunikata e parë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Përmes asaj komunikate mësova se të gjitha aksionet e armatosura kundër policisë serbe në Kosovë ishin kryer nga UÇK-ja, ku i pari kish qenë aksioni i Gllogovcit (sot Drenas) i kryer nga Komandanti i parë i njësitit të parë luftarak të UÇK-së, Adem Jashari me shokët e tij. Ai lajm për mua nuk ishte befasi…

 

Përse nuk ishte befasi një lajm i tillë?

-Nuk ishte befasi pasi qysh në muajin Tetor 1991 jam njohur rastësisht me Sekretarin e Përgjithshëm të Frontit Çlirimtar të Kosovës, z. Ismet Kryeziu. Nga ai mësova se shumë shpejt do të fillonte përgatitja në Shqipëri e kuadrove dhe e personave të tjerë nga Kosova për të organizuar dhe shpërthyer luftën e armatosur në Kosovë. Fronti për Çlirimin e Kosovës kish lindur si reagim i politikës ultra paqësore që filloi të ndiqte LDK-ja. Deri në atë kohë dinim se vepronte në ilegalitet një forcë politike e quajtur LPK, por kryesisht jashtë Kosovës. Nëpërmjet shtypit ilegal që botohej në Kosovë,revista “Çlirimi”, numri i parë i të cilës doli në Korrik 1993, mësuam se brenda në Kosovë vepronte edhe një parti tjetër në ilegalitet, LKÇK-ja. Edhe ajo ishte si reagim ndaj politikës, që e priste lirinë e Kosovës nga Perëndia dhe vetëm nga Perëndia. Qysh atëherë mbaja lidhjeme shqiptarë të ndryshëm nga Kosova, ku më vonë pothuajse të gjithë i takova në radhët e UÇK-së.

 

Pra, takuat më pas në front luftëtarët që ishin përgatitur vite më parë në Shqipëri?

-Ajo që më ka habitur më shumë është kur në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së takova ish nënkryetarin e Fronti për Çlirimin e Kosovës, juristin 59 vjeçar Sokol Dobrunën, nënkryetar i atij Fronti dhe tashmë kryente detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Juridike të SHP të UÇK-së, për të cilin kisha dëgjuar se ish burgosur e pushkatuar, por jo. Baca Sokol më ka befasuar për shumë gjëra. Ai, si dhe shumë e shumë të tjerë nga radhët e UÇK-së, meritojnë monografi të veçantë.

 

Të kthehemi pak tek përgatitja e luftëtarëve nga Kosova në Shqipëri deri tek përgatitja e kushteve për luftë në Kosovë?

-Periudha përgatitore në mënyrë të organizuar në Shqipëri e djemve dhe e burrave kosovarë, vazhdoi deri në vitin 1993, kur u arrestuan nga policia jonë Adem Jashari së bashku me Ismet Kryeziun, për gjoja armëmbajtje pa leje. Si rrjedhojë e përgatitjeve intensive në Shqipëri dhe e punës propagandistike në Kosovë e jashtë saj, u krijuan kushtet për krijimin e një organi drejtues të luftës në Kosovë. Ai u krijua në Dhjetor të vitit 1993, me emrin Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ku në krye të tij u emërua Azem Syla. Të gjithë emrat ishin tepër sekret. Unë nuk i kam ditur, por si organe, po. Ngjarjet në Kosovë i kam pas ndjekur me shumë vëmendje, edhe kur u lirova nga ushtria, madje atëherë më shumë, por jo se kisha njohje tjetër. Kosovarët besoj se janë mjeshtërit më të mëdhenj në botë për sa i përket konspiracionit, dhe kjo nga që ata kanë luftuar 55 vjet rresht në ilegalitet. Janë të pa arritshëm në këtë drejtim. Ata nuk lexohen kurrë. Pas rrethimit të tretë të Jasharajve në Prekaz të Skënderajt, 3-5 Mars 1998, vritet komandanti i krijimit të UÇK-së, Adem Jashari, vetë i 56-të. Dhe ndodhi e kundërta e asaj që priste Serbia…

 

Çfarë ndodhi pas kësaj ngjarje?

-UÇK-ja shpërtheu dhe u rrit në formën e një bumi. Gjithë atë aktivitet ushtarak filloi ta pasqyronte me një saktësi të çuditshme gazeta “Rilindja”, që botohej atëherë në Tiranë. Flas për aktivitetet dhe luftimet e UÇK-së dhe jo për komentet politike të asaj gazete për UÇK-në, të cilat ishin turp i shqiptarisë. E merrja atë gazetë çdo  mbrëmje, në ora 21.00, ku shpërndaheshin 100 kopjet e saj, tek kioskat para hotel Dajtit. Përmes kësaj gazete fillova të krijoj njohuri pak a shumë të plota për UÇK-në dhe fillova të shkruaj në atë gazetë analiza për veprimet ushtarake të UÇK-së, ku në çdo analizë jepja edhe mendimet e mia se si do të ishte më mirë të vijohej më tej. Ndoshta si rrjedhojë e profesionit, si ish pedagog në Akademinë ushtarake. Është interesante se shkrimet që m’i botonte gazeta “Rilindija”, nuk u bënte as më të voglën ndërthurje, jo sikundër na ndodhte me gazetën “Luftëtari” apo “Për mbrojtjen e Atdheut”, ku gazetarët ndërhynin aq shumë sa mërziteshe dhe nuk shkruaje më. Tek “Rilindja” redaktor për problemet ushtarake ishte z. Ramush Tahiri, sot këshilltar i Presidentes së Kosovës. Ato shkrime botoheshin edhe në “Rilindjen” që dilte në Gjermani e Zvicër, të cilat më krijuan shumë të njohur kosovarë.

 

Pra, që këtu nisi lidhja juaj konkrete me luftën në Kosovë?

-Po. Një ditë, nëpërmjet Gjon Lleshit, përmes telefonit, kontaktova dhe lashë takim me një nga kuadrot e Shtabit të UÇK-së, Sabit Geci. Të nesërmen ai më takoi “me një person shumë të rëndësishëm të luftës në Kosovë”, sikundër ma prezantoi, me pseudonimin Daja. Ata kishin qenë në dijeni të të gjithë shkrimeve të mia dhe qysh në takimin e dytë më pyetën, nëse shkoja pranë Shtabit të Përgjithshëm të tyre, duke shtuar: “Jo te ky shtabi që ndodhet në Tiranë, nëse e ke mësuar. Ai është shtabi i Bukoshit. Bëhet fjalë brenda në Kosovë, atje ku flet Jakup Krasniqi.”

 

Kur ka ndodhur kjo?

-Ishte fillim Shtatori i vitit 1998, pasi kisha botuar një artikull të gjatë, ku shpjegoja se pse ndodhi shpërbërja e UÇK-së dh sesi duhet ta rimarrë veten. U deshën shumë ditë që t’u jepja përgjigje pohuese, gjë që është një histori më vete. Daja më pas më prezantoi me Zekën, Hashim Thaçin, Lulin e shumë luftëtarë të tjerë që vinin për pak ditë e ktheheshin në Kosovë. U nisëm ilegalisht për në Kosovë nëpërmjet Maqedonisë..

 

Diçka për udhëtimin ilegal në Kosovë së bashku me Hashim Thaçin e bashkëluftëtarët e tjerë kosovarë të ardhur nga emigrimi?

-Së bashku me Hashim Thaçin e Lulin shkova edhe unë e Bardhyl Tahiri si dhe 5-6 oficerë kosovarë që patën shërbyer në radhët e Ushtrisë Jugosllave. Deri në Rrajcë të Prrenjasit shkuam me xhipa dhe prej andej dhe deri në Drenicë shkuam në këmbë, në kushte dimri dhe bore të pareshtur. Dëbora zgjati tre ditë pa pushim, gjatë gjithë kohës së marshimit tonë. Marshimi ishte shumë i lodhshëm, pasi kishim rreth 30 kg pajime e armatim. Po të kemi parasysh edhe borën e madhe, këmbët na rëndonin sikur të kishim varur plumba në shojet e këpucëve. Me përpjekje të mundimshme mbinjerëzore ngrinim këmbët njërën pas tjetrës me shpresën se ishim shumë afër caku të fundit. Megjithatë gjithçka e shikoja me gjakftohtësi.

 

Pse u larguat nga ushtria e Shqipërisë e vajtët në Kosovë ku arritët deri në zëvendës i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së?

-Kur unë vendosa të shkoja në UÇK nuk isha më oficer aktiv në radhët e ushtrisë tonë. Unë isha liruar qysh në Nëntorin e vitit 1994. Në atë periudhë, të ishe kolonel dhe të të mbanin në ushtri duhej që ose të pranoje teserën e PD-së, ose të kishe mik një deputet të saj. Për sa i përket vajtjes sime si ndihmës i Shefit të Shtabit të UÇK-së, i Bislim Zyrapit, (i cili më pas u zëvendësua nga Agim Çeku), besoj se e kishin krijuar bindjen si nga artikujt që shkruaja në gazetën “Rilindja” dhe që një pjesë të tyre i botonte edhe gazeta studentore e Prishtinë “Bota e re”, por edhe si rrjedhojë e bisedave, për gati disa muaj, që kisha shpesh me anëtarët e Drejtorisë Politike që ishin në Tiranë dhe ata që vinin shpesh prej Kosove dhe ktheheshin po shpejt në Kosovë.

 

Në sa beteja kini marrë pjesë, mbresat tuaja më të paharruara?

-Këtë pyetje ma kanë bërë edhe në intervistën e parë që unë kam dhënë në Gushtin e vitit 2000. Dhe kam kthyer këtë përgjigje: “UÇK-ja nuk ka zhvilluar beteja, pasi në terminologjinë ushtarake me fjalën ‘betejë’ nënkuptohet pjesëmarrja në luftim e njësive të mëdha operative, Divizion e lart. UÇK-ja ka zhvilluar luftime, si dhe planëzoi dhe organizoi një operacion, të emërtuar ‘Operacioni Shigjeta’, por që në praktikë nuk mundi të arrinte në përmasat e një operacioni, gjë e cila kërkon një analizë më vete…

Lidhur me këtë deklaratën tuaj, është një person, i cili pretendon se ka qenë edhe ai në luftë, në Kosovë dhe ju akuzon se ju kini mohuar vlerat e UÇK-së, duke thënë se ajo nuk ka zhvilluar beteja. Besoj se ka interes jo vetëm për ju, por edhe për lexuesin e gazetës, të na e sqaroni këtë lloj vërejtje, apo si mund ta quajmë ndryshe?

-Po, është e vërtetë që ai person e ka përsëritur disa herë një “akuzë” të tillë, por nuk po ia përmendim emrin, sepse nuk e meriton. Meqenëse e kërkoni po jua shpjegoj, por duhet të dini një gjë që, ajo “kritikë” e tij është një nonsens dhe, si e tillë, injoranca nuk është kurrë argument. Por, para se të shpjegojmë se ç’është beteja duhet të kemi të qartë llojet e veprimeve luftarake janë: luftimi, beteja, operacioni, fushatë dhe lufta. Luftimi zakonisht zgjat për një kohë të shkurtër, disa minuta, disa orë, maksimumi një ditë, në një rajon të kufizuar. Luftimi mund të jetë një veprim luftarak i vetëm, kurse disa luftime të lidhura bashkë mes tyre, mund të përbëjnë edhe një betejë. Luftim kryejnë skuadra, toga, kompania, batalioni dhe brigada. Të thuash se UÇK-ja zhvilloi beteja, është një idiotësi ushtarake. Ai person që e shpreh një gjë të tillë, kuptohet që nuk ka aspak haber për luftën e jo më për betejën. Përcaktimin më ideal të betejës na e jep historiani ushtarak anglez Xhon Kigan, i cili thotë se: “Beteja është diçka që ndodh midis dy njësive të mëdha ushtarake, që çon në shpërbërjen morale dhe pastaj fizike të njërës apo tjetrës palë”. Pra, duke qenë se beteja gjithmonë ka si qëllim të saj “shpërbërjen morale dhe pastaj fizike të kundërshtarit”, përmes forcës ushtarake ose duke e detyruar tjetrin të braktisë misionin e tij, ose të dorëzohen forcat e tij, ose duke e bërë atë ushtarakisht të paefektshëm për operacione luftarake të mëtejshme, gjë që në UÇK nuk ka pasur as edhe një rast të tillë. Ndoshta, ai “teoricien” apo “strateg”, si mund t’i themi, duke qenë se e ka parë luftën në Kosovë këtej kufirit, mbase e di më mirë. Ju e dini se ne nuk e kemi quajtur betejë as luftën për çlirimin e Tiranës, në nëntorin e vitit 1944, ku luftuan 5 brigada partizane dhe lufta zgjati 19 ditë. Dhe kjo nga që nuk ndodhi “shpërbërja morale dhe ajo fizike” e 2000 – 3000 forcave gjermane dhe 300 atyre balliste, që luftonin për mbajtjen e qytetit të Tiranës, ngaqë mundën të shpërthenin rrethimin dhe ikën drejt Shkodrës. Por, të thashë që në fillim, injoranca nuk është argument. Beteja në luftërat guerile mund të arrihet si tërësi e disa luftimeve të njëpasnjëshme dhe që kanë lidhje me njëri tjetrin. Dhe kjo përsëri me mund. Por është e pamundur që një ushtri guerile të zhvillojë një betejë të mirëfilltë ushtarake. Dhe nga historia e jonë e LANÇ-it, gjatë Luftës së Dytë Botërore, patëm një rast që disa luftime të njëpasnjëshme të kryera nga ato forca partizane patën vlerat e një beteje ushtarake, sikundër ishte Inkursioni Heroik i Brigadës së Parë Sulmuese, nga Jugu i Shqipërisë në Veri dhe kthimi përsëri në Jug. Por jo se ishte betejë. Luftimet, që u kryen gjatë atij inkursioni, mund të themi se patën vlerat e një beteje ushtarake.

 

Mund të na thoni pse ju i jepni vlerat e një beteje ushtarake inkursionit të Br1S, luftimet e të cilit përfunduan me luftën për marrjen e Shkallës së Valit dhe luftën për çlirimin e Tiranë nuk e quani të tillë?

-Luftën për çlirimin e Tiranës e quajmë luftim për atë çka thashë më lart: nuk ndodhi “shpërbërja morale dhe ajo fizike”, sikundër shprehet Kigan, e 2-3000 forcave gjermane dhe ato 300 balliste, që luftonin për mbajtjen e qytetit të Tiranës, pasi ato mundën të iknin dhe jemi në fundin e luftës. Megjithatë edhe ai luftim pati vlerat e një beteje, pasi shënoi çlirimin e Shqipërisë. Por edhe inkursioni i Br1S në Veri, me tre batalione, pati vlerat e një beteje ushtarake, ku luftimi më iI rëndësishëm i saj ka qenë ai për marrjen e Shkallës së Valit. E pati vlerën e betejës, pasi i dha luftës një pikë kthese vendimtare. Ku qëndron ajo kthesë e rëndësishme, do të pyesni ju. Sepse ajo fitore pati një ndikim të madh politik dhe ushtarak, jo vetëm për Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut, (që ishin të pushtuar dhe mbytur nga propaganda armike se gjoja forcat partizane ishin shpartalluar përfundimisht), por pati ndikim për gjithë luftën, duke ndryshuar ekuilibrin e forcave, në favor të LANÇ-it. Pas atij momenti e merr LANÇ-i iniciativën, edhe pse UNÇ ishte dobësuar së tepërmi dhe ishte shumë më e dobët se ushtria gjermano-balliste. Gjë që kemi të bëjmë me fillimin e një kundërmësymjeje të LANÇ-it, kundër mësymjes gjermano-balliste, e filluar në Dhjetorin e vitit 1943. Për këto arsye, luftimit për marrjen e Shkallës së Valit, “dritarja” e vetme për të dalë nga Martaneshi, unë i jap vlerat e një beteje, edhe për vetë faktin se kemi tre luftime të njëkohshme: ai i batalionit të tretë për të kapur me çdo kusht qafën e Shkallës së Valit para se ta kapte armiku që pritej të vinte nga fshati Val, dhe që e kapën dy minuta më parë; ai I batalionit të parë, i cili sulmoi duke luftuar në të dy anët nga u  kishin zënë pritë reaksionarët, ndërsa batalioni i dytë luftonte për të siguruar krahët e batalionit të parë dhe shpinën e batalionit të tretë. Luftime në rrethim. Duke qenë se atje kishim një seri luftimesh taktike të lidhura mes tyre dhe pas më shumë se 11 orë luftime, Br1S eshpërbëri moralisht dhe organizativisht armikun, i cili nuk e mori më pas veten. Pra, u arrit qëllimi i betejës dhe me të drejtë mund të themi se pati vlerat e një beteje. Prandaj ajo pati vlerat e fundme të një beteje 13 ditore edhe për faktin që Br1S vepronte e vetme, në thellësi të prapavijave të armikut, e pavarur, në mënyrë autonome, shumë larg forcave të tjera të UNÇ, në një teatër lufte të veçantë, në zona të pushtuara nga hitlerianët dhe tradhtarët, duke ndikuar në kursin e gjithë Luftës sonë Nacionalçlirimtare. Ajo pati vlera të një beteje edhe për faktin se realizohej në kushtet kur komanda gjermane dhe ato kuislinge me atë këmbëngulje për asgjësimin e Br1S kërkonin të asgjësimin gjithë UNÇ, një objektiv tepër i rëndësishëm, ndërsa komanda e Br1S luftonte për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm të UNÇ dhe vetë UNÇ të Shqipërisë. Si i tillë, ai luftim merr vlerat e një beteje, pasi jo vetëm që i kalon kufijtë e një rëndësie të shkallës operative, por merr përmasat e një rëndësie vendimtare operative, apo e thënë ndryshe, të një rëndësie strategjike. E them këtë sepse ai inkursion i Br1S ishte edhe fillimi i kundërmësymjes së Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Por, nuk duhet ta lëmë pa e theksuar edhe anën tjetër të atij marshimi. Ai inkursion i Br1S, i cili përfundoi me betejën për Marrjen e Shkallës së Valit, ishte një fitore e kushtueshme, pasi pati 75 partizanë të vrarë dhe të dalë nga luftimi, më shumë humbje se ç’pësoi armiku, por fakti është se ai marrshim e favorizoi LANÇ-in. Të dyja këto, fitorja dhe humbjet, e detyruan palën fituese, LANÇ-in, të rishqyrtonte qëllimet afatgjata të saj dhe të lëshonte urdhrin për të kaluar UNÇ në kundërmësymje të përgjithshme, duke e kapur armikun në befasi dhe duke e shokuar psikologjikisht, i cili pat krijuar bindjen se UNÇ ishte shpartalluar. Ky ishte edhe synimi ynë strategjik gjatë luftës në Kosovë. Duhej të ndodhte ajo fitore e madhe me humbje të ndjeshme që të merrej ai vendim nga Komanda e Përgjithshme e LANÇ-it, i cili vendosi fatin e fitores së LANÇ-it, pasi ndikoi në angazhimin e një sasie edhe shumë më të madhe të popullit me LANÇ-in, për vazhdimin e luftës. Për të gjitha këto unë e quaj betejë, atë luftim.

 

Kolonel Dilaver Rezo Goxhaj

Lindur në vitin 1948 në Gjirokastër. Në vitin 1962 fillon studimet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”. Kryen më pas shkollën e lartë dhe në vitin 1969 titullohet oficer komandues i Artilerisë Kundërajrore për specialist i Raketave të Drejtuara Kundërajrore. Emërohet kryeteknik i Stacionit Eksperimental i Lëvizshëm për autopilotin e raketës.. Në vitin 1972 emërohet shef shtabi i Grupit Teknik të Raketave në Pezë Helmës, Tiranë. Në vitin 1975 transferohet dhe emërohet shef shtabi i grupit të zjarrit RDK përsëri në Krujë. Në vitin 1979 shpallet oficeri më i dalluar në ushtri dhe dekorohet. Në vitin 1981 emërohet komandant i grupit të zjarrit RDKA në Maminas dhe gjatë kontrollit vjetor të ministrit për ushtrinë, zë vendin e parë dhe shpërblehet, duke e dërguar për studime në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm. Pasi përfundon studimet akademike, në vitin 1984, emërohet përsëri komandant i grupit të zjarrit RDKA në Petrelë dhe pas një viti e kërkon dhe e tërheq Akademia Ushtarake për pedagog taktike të MKA. Pasi kryen provimet pasuniversitare emërohet shef i katedrës së MKA dhe Aviacionit në atë Akademi si dhe anëtar i Këshillit Shkencor të saj, njëkohësisht edhe komandant i MKA për Frontin Perëndimor, për kohë luftë, detyrë e kryer në tre stërvitjet komando-shtabi me grup divizionesh të zhvilluara nga Shtabi i Përgjithshëm. Me rivendosjen e gradave në ushtri i jepet grada kolonel. Në vitin 1994 lirohet nga ushtria dhe punoi mësues I gjuhës angleze në disa shkolla të qytetit të Tiranës. Në fillim të vitit 1999, e kërkon Shtabi i Përgjithshëm I UÇK-së dhe shkoi vullnetar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ju besua detyra e zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në atë luftë ju besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n. Me mbarimin e luftës emërohet shef I kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, deri në shkrirjen e asaj qeverie. Me shkrirjen e asaj qeverie punoi pedagog i gjuhës angleze në Shkollën e Mesme Mjekësore të Prishtinës dhe në kolegjin Cambridge School–Prishtinë… Në vitin 2009 emërohet Specialist civil në QMS, pranë Komandës së Doktrinave dhe Stervijes dhe më pas pedagog civil në Shkollën e Trupës, për dhënien e lëndës së Trafikut Ajror, derisa doli në pension. Gjatë karrierës ushtarake, përveç hartimit të një sërë leksionesh, dispensa e metodika për procesin mësimor në Akademi dhe Shkollën e Trupës, ka botuar me dhjetëra studime shkencore për armën e MKA dhe luftërat lokale, si dhe disa libra analitikë si: “Rruga që më çoi në UÇK”, “UÇK-ja dhe Kadareja”, “Romantika e Luftës së UÇK-së”, romanin historik “Komandanti i pararojës”, një seri botimesh studimore në “Revistën Ushtarake”, periodike, të Komandës së Doktrinës Ushtarake Tiranë, etj…

 

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI:

-Si u hartua dhe u zbatua nga drejtuesit e UÇK-së ‘Operacioni Shigjeta’ në prill të vitit 1999, që është Plani i Parë Luftarak i UÇK-së, me pjesëmarrjen e 12 mijë forcave tokësore. Hartuesit e këtij plani.

-Roli i Agim Çekut, Bislim Zyrapit dhe Dilaver Goxhaj(Shpëtim Golemi) në këtë operacion luftarak.

-Kur dhe si u fut NATO në krah të UÇK-së dhe roli i saj në zgjerimin e frontit dhe radhëve të luftëtarëve për lirinë e Kosoves.

Nga Kujtim Boriçi August 29, 2013 14:38
Komento

12 Komente

  1. Pellazgu August 29, 15:45

    Qofsh i nderuar për kontributin që ke dhënë për Shqipërinë e shqiptarët!

    Reply to this comment
  2. rb August 29, 22:57

    Aktiviteti e kontributi yt per Çlirimin e Kosoves jane per t’ u respektuar. Ju jeni nje patriot i vertete. Te tjeret shesin shume e blejne pak. Ju ishit konkret. Shuat ne balle te luftes per t’ u perballur me bishen e urryer serbe. Vasalet e Serbise nuk mund ta çmojne punen, sakrificat, patriotizmin tend.
    Ata si njerez te vegjel e antikombetare nuk mund te perqafojne veprimin tend madhor e patriotik. Ju do mbeteni ne historine e lavdishme te Kombit. Atyre do t’ u harrohet edhe emri.
    Re pershendes me shpirt.
    Nga Rezo

    Reply to this comment
  3. ushtaraku August 30, 13:54

    Ushtarak i zoti,respekte per pjesmarrjarrjiien ne luften per clirimin e Kosoves.Por i nderuar Kolonel duhet te jeshe me i sinqert ne tregimin tuaj.Ju keni qene nje antare i PD dhe keni kontribuar ne largimin nga puna te shume kolegeve tuaj nga Akademia Ushtarake.Ishime karierist dhe mendjemadh, karrjeren nuk e kerkonte vetem te puna ,per te cilen duhet vle eresuar por dhe te eleminimi i kolegeve.

    Reply to this comment
    • sihat August 30, 20:18

      y qe deklarohet si “ushtaraku” dhe shkruan kaq shpifes ndaj kolegut tim Dilaveri, ose eshte ndonje ish oficer i paafte dhe zili8qar, ose eshte nje shpifes profesionist. ;Une kam qene gati 10 vjet koleg ne Akademi me Dilaverin dhe nuk ka manifestuar as edhe nje lloj vesi apo karejerizmi, e gjith kjo qe shkruan ku bicim ushtaraku eshte vetem shpifje. SWikur Dilaveri te ishte i tille, nuk do te arrinte ato suksese, prandaj ky person ose nuk e njeh ose e ka zili Dilaverin. Dilaveri i ka shoket e vralle si ne profesion, si imtelektual ashtu edhe si njeri i thjeshte e i kulturuar, ndaj dhe shpifin te liqte.
      Sihati

      Reply to this comment
  4. perlat August 30, 13:55

    Dilaver te pershendes per ate qe ke bere per atdheun tone shoku iklases toga 5 viti1962 1966 shkolla ushtarake Skenderbej perlati

    Reply to this comment
  5. Pëllumb zaimi August 31, 01:45

    E more dilo gjeshnikoshi! Tani bëhen te tere trima por une do tju rekomandoja te lexonin librin e shkelqyer te ylli polovinës”Nje kolonel midis tiranes e prishtinës” që te mernin vesh kush eshte dilaver goxhaj!? Ka disa zëmerligj qe kapen pas ndonje dobësie dhe mundohen ta ngrejne ne art. Por edhe sikur ti marim të mirëqena ata duhet ta dine mire thenien filozofike se edhe heronjté kane dobësite e veta. Ideja per ty si mendjemadh eshte krijuar per shkak te kompleksit te inferioritetit qe i mberthente kur perballeshin me dijet e tua. Domosdo nje injoranti i duket mendjemadh i dituri! Domosdo një njeri qe rri tere diten mbi libra si ty do ti duket mendjemadh atij qe s’ka lexuar nje liber ne tere karieren e vet. Dhe si per ti “vëne vulen” asaj qe mendon se jeni ju te akuzon se je antar i pd. E çfare sikur ta zëmë se kjo eshte e vertete? Pd ka plehra por ka dhe patriote. Nuk jane si sali murtaja te gjithe! Le qe kjo s’ka asnje baze se une e di. Pastaj pse nuk e pohon ai se kush te futi ty ne burg? Apo se i djeg! Dhe ti shpetove nga burgu vetem se te ndihmoi patrioti sabit brokaj… Po nejse? Ajo qe dua te them e te pohoj me force eshte se dilaver goxhaj shkoi te luftoje kur te tjeret mbushen breket. Nuk ishte i vogel ky akt. Ishte çeshtje koke,familjeje etj.etj . Te rralle jane ata qe bejne hapin qe bere ti sidomos kjo mer vlera te shumefishta atehere kur ti shkon te luftosh per lirine e shqiptareve duke patur dhe shtetin tend kundra. Dhe ti shkove megjithe djalin dilo. E rrezikove dhe ate. Ne fakt ai u be nje djale i forte aq sa ndermori dhe veprime per çlirimin e prerheves. Por me sa di jo pak e hengri tradhetia dhe ate cka na kujtonte skenat me arben presheven ne romanin e famshem “Tradhetia”. Ti je nje hero dilo! Une kete e di me mire se shteti ku bejme pjese i cili nuk e di. Nuk e di dhe asqë do ta dije. Sa per ato qe deklaroje e pershkruaje ne gazeten dita kam pasur fatin ti di me kohe. Por kujdes nga kembengulesi i paepur kujtim borici se do te te nxjere dhe ato gjera qe as vetes nuk do guxoje t’ja pohoje. Nuk te ndahet kujtimi. Eshte i tmerrshem. Por une po ja them nje sekret tendin-ngacmoje kujtim per punen e nje libri tjeter te polovines per dilon dhe qe eshte depozituar ne biblioteken e kongresit amerikan. Kerkoji dhe historine e atij qenit te luftes se kosoves qe e njohu dilon dhe i vajti prane pas luftes. E njohu megjithese nuk e kishte pare dilon prej dy apo tre vjetesh… Dilo po u zemerove qe te nxora sekretin do shkoj te ankohem ne golëm! Pergezime sa per te mbushur gjithe faqet e gazetes dita dhe komplet bllokun e kujtim boriçit!

    Reply to this comment
  6. DRENICA E KUQE August 31, 06:46

    Shembullin e gazetes shqiptare DITA Online duhet ta ndjeke i gjithe shtypi shqiptar, qofte ai i shkruar, qofte ai elektronik. Te vertetat per luften e UÇK-se, te thena nga dy ushtarake e burra te medhenj shqiptare, pjesemarres te asaj lufte titanike te UÇK-se, kolonelet Dilaver Goxhai dhe Adem Shehu, te cilet jane edhe dy figurat me te çmuara te UÇK-se ne vija lufte, jane per t’u çmuar dhe respektuar shume. Jane te rrallet e UÇK-se qe luftuan per ta bere Shqiperine dhe Lirine e popullit tone te shumevuajtur, sepse Kosova ishte vetem nje pjese e pushtuar e Shqiperise qe duhej çliruar dhe bashkuar me Shtetin ame. Kakarisjet e “ushtarakeve” dhe shokeve te tyre te “luftes” nuk mund ta peshtyejne DIELLIN SHQIPTAR Dilaver Goxhai, si dhe shoket e tij te Luftes e te Lirise se Shqiperise e te popullit shqiptar…
    Kolonelet Dilaver Goxhai dhe Adem Shehu, jane heronj te gjalle te Shqiperise, andaj çdo fyerje e tyre eshte edhe fyerje e Shqiperise dhe e popullit shqiptar. Kujdes per keto figura emblematike te luftes per Liri e per Shqiperi, te Ushtrise Çlirimtare te Kosoves, te Armates se ardhme Shqiptare.

    Nderim e respekt.

    DRENICA E KUQE

    Reply to this comment
  7. Pëllumb zaimi August 31, 10:47

    Bravo drenica e kuqe! Sa mirë qe na kujtove dhe adem shehun djalin dhe burrin patriot tiranas. Burre i shkelqyer megjithe dilo trimerine. E di moj drenice se pas kthimit nga lufta ky palo shteti yne i shperfilli dilon dhe ademin? I la pa pune e pension heronjte? Por nuk po e zgjas me kete histori me shtetin tone antihero. Te pergezoj drenica e kuqe. E kuqja eshte ngjyra e lirise dhe e flamurit kombetar dhe ju beni mire qe e perdorni ne kodin tuaj. Drenica eshte gjithashtu foleja e pare e luftes per liri dhe e ndjej veten mire kur shqiptaret e kane per nder te marin emrin e saj apo te adem jasharit.

    Reply to this comment
  8. Sali Ismaili September 24, 21:03

    Tung Dita!
    Ky Pellumb Zaimi kenka ni servil i Dilogolemit, sepse cha i liber i Ylli Polovines asht kryekeput me rrena te sajume prej Dilaverit. Une jam shoq i Dilaverit ne SHP te UCK dhe di boll mire si e ka hek shokun e vet Bardhin prej SHP hajni Dilaver.
    Sa per Drenicen e Kuche, na e kemi scharue se asht djali i Dilos Tani, prasi i djeg i Goxhajve.
    U shofte fara ketyne jashtechitjeve te popullit tone. Salia.

    Reply to this comment
  9. Bedri Dervishi September 30, 17:29

    Lavdi per se gjalli ,ushtarakut te Kombit,z.Dilaver Goxhaj.

    Reply to this comment
  10. BEXHET October 12, 17:17

    mendoj se oficeret te vertet gradat i tregojn ne lufte jo nebanka mesimore hallall bure i vertet per kontributin tend ne radhet e uçk

    Reply to this comment
  11. Aliu nga Selenic November 12, 16:52

    Dilaver Gerxha eshte nderi dhe krenariaj e popullit shqiptar.Ai qe flet keq per Dilaver Gerxhin nuk eshte gje tjetre vecse nje Rugoviste ose nje Sali iste i pa skrupullt. Dilaver Gerxhi nuk ngeli keq te behej hajne ne Kosove se atje nuk shkoi per tu ber i pasur pore per te dhen edhe jeten per interesat e Kombit tone. Dilaver Gerxha eshte shembelltyra e ndritur e atyre Patriotve Gjirokastrit si Bajo Topulli dhe Cerciz Topulli te cilet ne lufte kunder serbit dhen jeten ne Rrethinat e Shkodres, ne lufte kunder Serbo Malazezeve.
    Populli si i Jugut Ashti dhe i Veriut i jane pergjigjur gjithmon interesave te kombit te vet. Ndaj dhe me kenaqesi lexova kete shkrim.Une kam lexuar edhe Librin e Dilaver Gerxhit “UCK-je dhe Kadareja” dhe me ka bere pershtypje te madhe analizat te pa shembulta qe u ben ngjarjeve ne Kosove dhe kritikat e ashpre qe ben Dilaveri, ndaj Kadares.
    Pjesmarrje e Dilaver Gerxhit ne UCK eshte nje shembull i shkelqyer per kete plejade e cila dha nje kontribut te pa cmuar ne levizjen Clirimtare te Kosoves. Nje specialist i till ushtarak ne shtabin e pergjithshem te ushtris Kosovare ishte me shume se shume divizione ushtarak atje. Prandaj te gjith ata qe e njohin Dilaverin te mos mundohen te venitin punen e heroik te tije pore ta vlersojne ashtu sice isht situata ne ate kohe dhe atije te gjith ti japim vendin e nderit atije, vende te cilin e meriton tersishe me punen dhe sakrificat sublime ne ate fronte.
    Me vjen shum keq per disa komentues te cilet mundohen te ulin vlerat e Dilaverit pore ne te vertet ata vecse ja rrisin lert e me lart keto vlera.
    Lavdi Ushtris Clirimtare te Kosoves.
    Rrrofte heroizmi i te gjith atyre qe kontribuan ne kete levize te rendesishme !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*