Kolonel Malindi: Si u shpëtuam jetën 30 amerikanëve gjatë luftës dhe mbresat e takimit pas 52 viteve

Kujtim Boriçi December 3, 2012 11:00 Updated

Kolonel Malindi: Si u shpëtuam jetën 30 amerikanëve gjatë luftës dhe mbresat e takimit pas 52 viteve

“Avioni me të cilin udhëtonin amerikanët më 10 nëntor 1943, u godit nga artileria gjermane dhe ra në tokë. Ne nxituam para gjermanëve dhe u shpëtuam jetën”

 

Një histori të rrallë të ndodhur gjatë luftës, Kolonel Skënder Malindi e ka të gjallë dhe sot pas gati 6 dekadash… Teksa Batalioni i Rinisë ‘Margarita Tutulani’ që ai komandonte ishte përballë forcave gjermane, papritur, në vijën e zjarrit bie një aeroplan me 30 ushtarakë amerikanë të fushës së shëndetësisë. Partizanët shqiptarë nxitojnë para se ata të bien në duartë e gjermanëve, i marrin dhe u shpëtojnë jetën… Pas shumë dekadash, përkatësisht në vitin 1995, një ish-infermiere e më pas një Kolonel Zbulimi amerikan, dy nga të shpëtuarit e dikurshëm nga partizanët shqiptarë, vijnë për vizitë në Shqipëri dhe takojnë Malindin… Këtë histori të rrallë, Kolonel(në pension) Malindi e rrëfen për ‘Dita’….

 

Çfarë detyre kishit ju në këtë kohë?

-Ishte krijuar pak kohë më parë Batalioni i Rinisë ‘Margarita Tutulani” dhe mua, ndonëse i ri në moshë, më ishte besuar detyra e komandantit të këtij reparti partizan.

 

Diçka konkrete për këtë ngjarje të rrallë?

-Ishte data 10 nëntor e vitit 1943, e fronti jonë i luftës ndodhej jo shumë larg forcave gjermane. Një avion amerikan i cili u pa duke fluturuar mbi qiellin e Kuçovës, goditet nga artileria kundërajrore gjermane dhe detyrohet të ulet në arat e fshatit Dëshiran, në krahun e djathtë të lumit Devoll, afër Kuçovës…

 

Si vepruat ju në këtë moment?

-Menjëherë u afruam ndihmë. Partizanët që ndodheshin aty afër shkuan me vrap në vendin e uljes së avionit dhe morën gjithë personelin që ishte në avion, të cilët, nuk kishin pësuar asnjë lëndim gjatë uljes. Gjermanët mbërritën më vonë aty, pasi lumi Devoll ishte fryrë nga shirat dhe ishte e vështirë për t’u kaluar. Partizanët i tërhoqën me të shpejtë gjithë amerikanët që ishin, 30 vetë, 15 djem e 15 vajza dhe duke kaluar fshat më fshat dolën në Berat, ku u pritën me shumë dashuri nga populli i këtij qytetit.

 

Kush u përkujdes për ‘ta?

-Ushtarakët amerikanë u morën nën kujdesin e partizanëve të Batalionit të Rinisë “Margarita Tutulani” dhe u vendosën për të pushuar në një vend pranë kazermave të Uznovës, ku ishte vendosur dhe vetë batalioni. Gjatë gjithë kohës që qëndruam bashkë, nuk e kuptuam dot plotësisht përse fluturuan mbi qiellin tonë dhe për çfarë misioni kishin ardhur, pasi nuk dinim gjuhën e njëri-tjetrit. Por dhe se nuk na tregonin misionin e tyre… Mësuam vetëm se ata ishin aleatët tanë dhe luftonin kundër të njëjtit fronti armik… Më vonë, pas më shumë se 5 dekadash, në takimin e befasishëm, do të mësonim se ata ishin personel mjekësor në spitalin e aleatëve në Bari të Italisë…

 

Si i pritëm dhe i përcollëm ushtarakët amerikanë?

-Ishte luftë e ashpër, e ata nuk kishin ku të shkonin. Më 15 nëntor 1943, pa gdhirë ende, forcat gjermane nga Otllaku dhe Kuçova, në befasi sulmuan Beratin, duke përdorur kryesisht trupat e motorizuara, autoblinda, tanke dhe artileri, të mbështetur fuqimisht nga avioni “Stukos”. Luftime të ashpra u zhvilluan nga partizanët e batalionit italian “Antonio Gramshi” dhe nga partizanët e batalionit të rinisë “Margarita Tutulani”, të cilët pësuan mjaft humbje. Nga batalioni i rinisë u vranë partizanët: Irfan Shehu, Arif Myftari dhe Zoi Mitrushi, si dhe mjaft partizanë të batalionit “Antonio Gramshi”. Forcat tona u tërhoqën nga qyteti i Beratit në drejtim të fshatrave të Skraparit. Bashkë me partizanët u tërhoqën dhe amerikanët. Gjermanët vazhduan me sulm të fuqishëm deri në Vërtop, pasi më tutje, drejt Skraparit, nuk kishte rrugë automobilistike. Por këtu ndodhi një e papritur për ushtarakët amerikanë…

 

Cila ishte kjo e papritur?

-Shtabi i qarkut të Beratit dhe amerikanët, pasi kaluan Vërtopin u futën në një pyll në fund të fshatit Lybeshë. Por këtu u rrethuan nga forcat balliste, të cilët kërkonin dorëzimin e tyre. Partizanët e batalionit të rinisë “Margarita Tutulani” u shkuan menjëherë në ndihmë, i sulmuan ballistët, duke nxojerrë nga rrethimi shtabin e qarkut dhe amerikanët.

 

Cili ishte destinacioni i mëtejshëm i amerikanëve?

-Amerikanët, të shoqëruar me partizanë, u nisën në drejtim të fshatrave të Skraparit, ku ata morën kontakt me oficerët anglezë që ishin pranë shtabit tonë, si ndërlidhës me qeverinë angleze. Oficerët anglezë, për çfarë u kishte ndodhur amerikanëve, informuan Komandën Ushtarake të Mesdheut që ndodhej në Itali e morën udhëzime që t’i nisin ata drejt bregdetit në rajonin Dhërmi-Karaburun, ku do vinte një anije luftarake angleze për t’i çuar në Itali. Pasi morën udhëzimet nga oficerët anglezë, amerikanët filluan lëvizjen duke ecur nëpër fshatrat e Skraparit. Kaluan në Përmet, Zagori, mali i Çajupit, nëpër fshatrat e Gjirokastrës, për të mbërritur në fshatrat Pilur të Himarës. Prej andej udhëtuan për në bregdet, ku do të takoheshin me një oficer amerikan, i cili do të vinte apostafat nëpërmjet detit dhe do t’i i priste atje për t’i çuar në Itali. Këtu u ndamë me miqtë amerikanë, pa ditur se dekada më vonë, do të ndodhte një befasi e këndshme, një takim i pa pritur…

 

Kur ka ndodhur dhe cila ishte kjo befasi?

-Në fakt janë dy. E para ka ndodhur në vitin 1995. Një delegacion i lartë i shtetit shqiptar, kryesuar nga Presidenti Berisha shkon për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës… Një nga ato vajzat e atëhershme, infermiere, por që tani ishte plakur, me të dëgjuar lajmin shkon dhe takon presidentin Berisha dhe i tregon atij të gjitha peripecitë që kishte vuajtur gjatë luftës në Shqipëri. Presidenti Berisha e fton atë të vizitojë Shqipërinë… Pas pak kohësh, kështu ndodh… Dhe unë takoj një nga ushtaraket amerikane, që dikur u shpëtuam jetën në luftë…

 

Si ndodhi dhe mbresat e këtij takimi?

-Ajo, bashkë me vajzën e saj erdhi në vendin tonë, nën përkujdesjen e Ministrisë së Mbrojtjes. Ministria kishte informata, që unë kisha pasur kontakt me këta amerikanë në kohën e luftës, prandaj më rekomandoi që të shkoja dhe të takoja këtë amerikane që ishte vendosur ne hotel “Ballkan”, diku pranë Liqenit Artificial. Shkova e takova. Më priti me përzemërsi dhe biseduam bashkë gjerë e gjatë duke kujtuar atë kohë. Ajo më tregoi se çfarë mbante mend më shumë për rrëzimin e avionit, për pritjen në Berat, si shpëtuan nga gjermanët dhe për marshimin e gjatë deri sa mbërritën në Itali. Midis të tjerash ajo më tha: “Kur hymë në Berat na priti një komandant, djalë i ri hipur në një kalë të bukur”.

 

Kush kishte qenë ai djalë i bukur që i kishte rënë në sy amerikanes atë nëntor të vitit 1943?

-Eh…Dhe ashtu ishte vërtetë, unë kisha hipur në një kalë të bukur, të cilin e kisha marrë nga Regjimenti i Kavalerisë, që kishim çarmatosur ne Berat. Pasi hezitova goxha, i thashë se ai djali isha unë. Ajo u befasua, i shndritën sytë nga gëzimi për saktësinë e memories.

 

Cili kishte qenë misioni i 30 amerikanëve gjatë luftës në Shqipëri?

-Ngaqë nuk dija asgjë për ‘ta dhe isha kurioz të dija të vërtetën, e pyeta: “Përse erdhën mbi qiellin tonë dhe çfarë misioni kishit”? Ajo më shpjegoi se ata djem dhe ato vajza në ato kohë ishin infermierë dhe punonin në spitalin ushtarak amerikan në Palermo të Sicilisë, ku mjekonin ushtarët e plagosur. Nga luftimet e ashpra në Italinë qendrore me gjermanët, kishte pasur shumë të plagosur të tjerë që ishin shtruar në spitalin ushtarak të Barit, i cili nuk i përballonte dot. Ndaj kërkoi ndihmë nga spitali ushtarak i Palermos. Për këtë qëllim ata morën 15 djem dhe 15 vajza infermierë me avion nga Palermo për të shkuar në Bari.

 

Çfarë kishte ndodhur gjatë fluturimit të tyre me avion?

-Gjatë fluturimit, kur avioni me të cilin ata udhëtonin hyri në rajonin e Pulias, gjithë vendi ishte mbuluar me re të dendura dhe asgjë nuk shihej poshtë, madje as deti Adriatik nuk mund të dallohej. Pilotët duke kërkuar vend ku të uleshin, pa dashur fluturuan mbi qiellin e Shqipërisë në Kuçovë, ku u goditën nga artileria kundra-ajrore gjermane dhe u detyruan të uleshin.

 

Çfarë bënë amerikania dhe vajza e saj gjatë qëndrimit në Tiranë?

-Amerikania me të bijën, të ndihmuar nga Ministria e Mbrojtjes, shkuan në disa vende ku kishin qenë në kohën e luftës; si në Berat, Dhërmi e gjetkë, ku u pritën me përzemërsi dhe bënë shumë fotografi. Pas qëndrimit 10 ditor në vendin tonë, u larguan nga Shqipëria me përshtypjet më të mira. Ish-infermierja, kur u kthye në SHBA lajmëroi kapitenin zbulues amerikan që i kishte shoqëruar ata për tu kthyer nga Shqipëria në Itali në kohën e luftës për vizitën që kishte bërë në Shqipëri dhe për pritjen shumë miqësore që i kishin ofruar shqiptarët. Kjo bëri që dhe kapiteni amerikan, disa kohë më vonë, të vij dhe ai për vizitë në Shqipëri…

 

Kur dhe si ndodhi kjo?

-Ish-Kapiteni i Zbulimit, që tani ishte Kolonel, kërkoi që edhe ai të vizitojë Shqipërinë. Kërkesa e tij u pranua dhe ai u ftua për të ardhur në vendin tonë. U takova edhe bëra një bisedë të gjatë me të. Ai më tha se si kishte marrë urdhër nga Komanda Ushtarake e Mesdheut që të vinte në Shqipëri, për të tërhequr amerikanët që ishin rrëzuar me avion dhe t’i dërgonte në Itali. “Për të zbatuar këtë detyrë,-tha ai,- u nisa me disa ushtarë si masë mbrojtjeje dhe me disa radistë për t’u lidhur me oficerët anglezë që ishin pranë shtabit tonë dhe me Komandën Ushtarake të Mesdheut. Me një anije luftarake angleze lundruam në Detin Jon dhe pa u diktuar natën zbritëm në fshatin Dhërmi, ku bujtëm në shtëpinë e një fshatari, i cili na priti në mënyrë shumë miqësore. Në dhomën ku qëndronim, i tregova për misionin tonë dhe kërkova ndihmën e tij. Ai u tregua shumë i gatshëm që të më ndihmonte për çdo gjë që kisha nevojë. Në murin e dhomës së kësaj shtëpie pashë varur një pushkë që nuk e kisha parë më parë. U bëra kurioz dhe e mora në dorë pushkën për ta parë me hollësi, e cila ishte e markës “Maliher”. Duke e lëvizur nëpër duar, padashur shkela këmbëzën dhe pushka shkrepi duke hapur një vrimë në tavan, i cili ishte prej dërrase. I zoti i shtëpisë nuk u shqetësua dhe nuk u merakos për vrimën në tavan. Të shoqëruar nga i zoti i shtëpisë, u nisëm në drejtim të Pilurit, ku rrugës u takuan me amerikanët që vinin drejt nesh. Mbasi u përshëndetën me ta, u nisëm për në rajonin e Karaburunit ku do të mbërrinte anija luftarake angleze për të na marrë në bashin e saj. Çdo gjë kaloi pa shqetësime deri në Itali.

 

I vizitoi koloneli amerikan pas disa dekadash vendet e Shqipërisë ku kishte qenë gjatë luftës?

-Po. Pas këtij rrëfimi, koloneli kërkoi që ai të shkonte në vendet ku kishte qenë në kohën e luftës. Ministria e Mbrojtjes ia plotësoi kërkesën dhe ai shkoi edhe në shtëpinë ku kishte qenë dikur, në Dhërmi. Kur u fut në dhomën e kësaj shtëpie, vështroi menjëherë lart tavanin dhe pa që vrima e plumbit ishte akoma ajo që kishte shpuar plumbi i tij në 1943 dhe mbeti i habitur. Një kujtim i paharruar dhe i mrekullueshëm ishte ky fakt për kolonelin amerikan. Kolonelit iu bë një pritje shumë miqësore dhe ai u largua nga Shqipëria shumë i kënaqur dhe me kujtime mbresëlënëse. Ja ky ishte i gjithë tregimi i kësaj ndodhie që të duket si diçka e pabesueshme, por që është e vërtetë…

 

SOM 1

“Ishte data 10 nëntor e vitit 1943, e fronti jonë i luftës ndodhej jo shumë larg forcave gjermane. Një avion amerikan, me 30 vetë, i cili u pa duke fluturuar mbi qiellin e Kuçovës, goditet nga artileria gjermane e detyrohet të ulet në arat e fshatit Dëshiran, në krahun e djathtë të lumit Devoll, afër Kuçovës… Nxitojmë mes flakëve e u shpëtojmë jetën”

 

SOM 2

“Amerikania me të bijën që erdhën ën Shqipëri në vitin 1995, të ndihmuar nga Ministria e Mbrojtjes, shkuan në disa vende ku kishin qenë në kohën e luftës; si në Berat, Dhërmi e gjetkë, ku u pritën me përzemërsi dhe bënë shumë fotografi. Mbas qëndrimit 10 ditor në vendin tonë, u larguan nga Shqipëria me përshtypjet më të mira”

 

SOM 3

“Koloneli amerikan kërkoi që të shkonte në vendet ku kishte qenë në kohën e luftës. Ministria e Mbrojtjes ia plotësoi kërkesën dhe ai shkoi edhe në shtëpinë ku kishte qenë dikur, në Dhërmi. Kur u fut në dhomën e kësaj shtëpie, vështroi menjëherë lart tavanin dhe pa që vrima e plumbit ishte akoma ajo që kishte shpuar plumbi i tij në 1943 dhe mbeti i habitur”

 

KUSH ËSHTË KOLONEL SKËNDER MALINDI

 

Kolonel Skënder Malindi u lind më 5 qershor të vitit 1920 në Malind të Skraparit. Pas shkollimit në vend, në moshën 20-vjeçare shkon për studime në akademinë Ushtarake të Milanos në Itali.  Për shkak të refuzimit të betimit për Viktor Emanuelin, përjashtohet nga Akademia dhe kthehet në vendlindje. Lidhet me njëherë me lëvizjen, ku pas kontributit në teren për ngritjen e popullit në luftë,ngritjen e Këshillave Nacional-Çlirimtare, del partizan. Pas disa betejave me çetat partizane, më 20 shkurt 1943 është nder partizanët e parë të Batalionit të Rinisë për Qarkun e Beratit “Margarita Tutulani”, të sapo krijuar. Plagoset në luftë dhe pas kurimit në Itali, në çlirim kthehet në Shqipëri. Në vitin 1945 dërgohet në Akademinë Ushtarake ‘Frunze’ në Moskë. Pas përfundimit të saj emërohet Zëvendës Drejtor  i Drejtorisë Operative në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Në vitin 1949 është komandant i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Në vitin 1951 emërohet komandant i Brigadës Autonome në Shkodër. Në vitin 1952 është komandant Divizioni në Korçë. Është në grupin e oficerëve ‘puçistë’ të dënuar në vitin 1974. Tashmë është në pension.

Kujtim Boriçi December 3, 2012 11:00 Updated
Komento

2 Komente

  1. Dashnor Kozaj January 24, 18:00

    Respekte , qenka burre i vertete . Nuk paska qene servil dhe lajkatar . Bravo .Regjimi i Enver Hoxhes , burrat e vertete i vrau ,ose i internoj ,duke i degdisur ne vende te rendomta ,per ta ……….

    Reply to this comment
  2. avrami January 25, 00:09

    …. ky shkrim ka te verteta por edhe disa mangesi jo nga gazetari por nga I intervistuari. Ai vertet ishte nje kuader ushtarak dhe me merita te njohura …por nuk i lejohet te pervetsoj punen dhe kontributin e njerzve te tjere te lidhur me luften antifashiste qe u muaren me gjetjen dhe shoqerimin e ketij grupi te sanitarve amerikane qe avionic luftarak I aleateve kishin humbur drejtimin e levizjes ate mengjes te mjergullt te nenrorit 1943. Njarja ka ndodhur ne kodrat prane Belshit ne pellgun ujor te Cerrages. Ne kete rajon vepronin vetem forcatt e Grupit te pare partisan te Qarkut te Beratit, qe ishte Grupi Myzeqese.Partizanett myzeqar te ketij formacioni nxuaren gjith ekujpazhin sanitar te avionit nga lera e Gjolit dhe muaren masa e sigurimit per te mbrojtur keta aleate. U caktua nje njesit partisan per ti cuar ne Berat ku ndodhej shtabi I Qarkut te Beratit ne te cilin ato dite do te formohej edhe batalioni partizan Margarita Tutulani ku mund te ishte I pranishem mbase edhe zoti Skender Malindi. Partizanet e forcave te Myzeqes pasi u pershenden me ekuipazhin sanitar prej mbi 23 infermjereve dhe disa infermjerve dhe drejtues te avionit muaren rrugen nga Dumreja dhe drejt fshatrave te Kucoves dhe arriten ne Beratin qe ato dite ishte ne nje qegesi per shkak te nje marreveshjeje qe me vone eshte denuar si e pa justifikuar per gjendjen dhe kohen qe ndodhi. Kuadrot e Myzeqese Rrahman Ruci, Spiro Bakalli, Miti Bozo, Skender Libohova, Loni Dhamo, Koli Bozo , Llaqi Jano e te tjere caktuan komisar Hasan Ginen qe kishte mbaruar shkollen teknike amerikane e dinte anglisht e italisht qe te drejtonte sigurimin e aleateve amerikan per ne Shtabin e Qarkut te Beratit…me tej historia vazhdon ashtu sic e ka degjuar dhe pare nga te tjeret zoti Malindi. Ne mjaft shkrime gazetareske sillen mjaft pasaktesi qe te cojne edhe ne humor per trajtimin e genjeshtert te ketij angazhimi shqiptar per te shpetuar jeten e ketyre aleateve qe rastesisht rane ne teritorin tone…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*