Kolonel Nuredin Dushani nga Bolena, si kalaja me bedena

September 6, 2018 12:51

Kolonel Nuredin Dushani nga Bolena, si kalaja me bedena

 

Me rastin e 90-vjetorit të lindjes

Nga Dhimitër Shtëmbari

Në një pyll me drurë të moçëm ta ka ënda të ndalesh më gjatë përpara ndonjë  druri trungtrashë, duke medituar se çfarë historish mund të kenë ndodhur nën  kurorën e degëve të tij pa gjethe.

Kështu të bëhet kur ndodhesh para ish ushtarakut madhor, Nuredin Dushani, dikur si sorkadh mali e tani i ngadaltë, tepër i ngadaltë, për shkak të moshës e, sidomos, të sëmundjes.

– E çfarë do të shkruani për mua! – na drejtohet. – Kemi kohë që e kemi mbyllur kapitullin; na mbetet vetëm të vendoset kopertina e fundit…

Ndërsa na thotë kështu, ndihemi edhe më të detyruar të shkruajmë diçka, qoftë edhe modeste, për këtë Kolonel në pension, (çuditërisht, jo gjeneral), që më datën 10 të këtij muaji mbush plot nëntëdhjetë vjeç.

Stërgjyshit i ishte ngritur këngë

Pema familjare nga ka dalë Nuredin Dushani atje në Bolenë të Vlorës ka rrënjë të thella. Gjyshi i gjyshit të tij, Kasëm Mullahaj, ka qënë ushtar trim i çetës së Zenel Gjolekës. Siç kanë pas treguar, teshat e Kasëmit binin erë barot. Edhe sot është e njohur një këngë popullore, që bën fjalë edhe për këtë kapedan të kohës.

Edhe gjyshi i Nuredinit pushkën e mbante kurdoherë të varur në mur. Të varur dhe me fishek në gojë. Më shumë kujdesej për armën, se sa për plugun.

Edhe gjyshi i së ëmës, Hodo Isuf Bushi, kanë pas dhënë jetën në luftën kundër turqve. Madje, edhe dy xhaxhallarët e tij, Shahe e Nuro Mullahaj, kanë bërë të njëjtën gjë në luftën kundër turqve, njëri në Meçovë të Greqisë dhe tjetri në Peshkëpi të Vlorës.

Edhe i ati i Nuredinit, Dushani, si dhe njëri xhaxha, Zeqiri, kanë pas qënë aktivë në Luftën e Vlorës të vitit 1920.

Kalendar i lavdishëm historie. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Pushkët ndërronin duar në breza.

I ati, Dushani, emrin e të cilit Nuredini e mban për mbiemër, ishte nga ata burra që nuk duronte dot pluhur në vesh. U bashkohej shokëve kur ishte puna që ngriheshin kundër padrejtësive shoqërore.

Kur pushtohej Shqipëria nga fashistët italianë, Dushani vuri pushkën në sup  dhe bëri tutje, por…  çdo gjë kish marrë fund. I vetquajturi mbret i kishte bërë me kohë llogaritë!

Që në fillim të LANÇ Dushani u përfshi në çetën vullnetare të zonës së Bolenës.

“Rebeli” i familjes

Ndërsa këshillohej në familje që të ruante bagëtitë, se donin të hanin njerëzit e shtëpisë, Nuredini i ri rrinte sa rrinte dhe bënte tutje nga mesi i fshatit. Takonte e bisedonte me moshatarët e vetë. Nuk i bëhej të qëndronte mënjanë.

Në mars të vitit 1942, kur ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç, pranohet në gjirin e Rinisë Antifashiste të zonës. Sekretar i organizatës ishte Kamber Aliko, vëllaj i Asim Alikos – Hero i Popullit.

– Mirë që u pranuat në Rini, po a e dini se çfarë detyrash ju dalin tani? – na drejtohej herë mbas here Kamberi, – tregon Nuredini.

Ia kuptonin nëntekstin e pyetjes që u drejtonte sekretari i organizatës së Rinisë. Dhe Nuredini tregon, se që në këtë kohë nisi të kryente detyra që ia ngarkonin militantë politikë të ardhur deri edhe nga qyteti i Vlorës. Mirëpo, siç tregon, gjeti belanë në shtëpi: Jam unë, janë edhe vëllezërit e tu – Raiti e Malo me pushkë, prandaj qendro përqark shtëpisë, vazhdonte ta këshillonte i ati.

Kur i qe vrarë në Qarrisht të Librazhdit njëriu i shtëpisë, Maloja – partizan i Brigadës I Sulmuese, Nuredini nuk kishte pritur më.

– Bëni si bëni, – u kishte thënë njerëzve të familjes, – tani kam vendosur: do të shkoj partizan. Më vjen turp të qendroj pranë vatrës.

Dhe kishte nxituar për t’u bërë pjesëtar i Batalionit të parë të Grupit Partizan Vlorë – Gjirokastër.

Përgjegjës i Rinisë së Brigadës VIII Sulmuese Partizane

Më 25 prill të vitit 1944 Nuredini kishte qënë i pranishëm në Sheper të Gjirokastrës teksa zhvillohej ceremonia e krijimit të Brigadës VII sulmuese Partizane. Aty kishte dëgjuar të flitej edhe për emrin e kësaj njësie të lavdishme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Kishte nga ata që dëshironin ta quanin Brigada e Vëllazërimit. Sepse në gjirin e saj kishte edhe mjaft djem e vajza nga minoriteti grek.

Kishte syresh që dëshironin ta quanin Brigada Partizane e Rinisë. Sepse mbi 90 përqind e efektivit përbëhej nga të rinj e të reja.

Por kishte edhe nga ata që kërkonin që formacioni partizan që krijohej rishtaz të quhej Brigada e Labërisë. Sepse pjesa dërrmuese e saj përbëhej nga lebër.

– Edhe pse vija nga formacione të tjera partizane, – tregon Nuredini, – u rreshtova si një partizan i thjeshtë. Kuptohet, para meje ishin dhjetëra e dhjetëra të tjerë, që gjatë luftimeve që kishin bërë iu ishin përzhitur flokët nga flakët e barotit.

Është e vështirë t’i shkulësh Nuredinit mbresa për veten e tij, sidoqoftë arritëm t’i shkëpusnim diçka:

Gjatë një përpjekjeje të bërë me nazistët te Ura e Kardhiqit Nuredini plagoset rëndë. Shokët i shkojnë menjëherë në ndihmë.

– Ku je plagosur? – nxitojnë ta pyesin ata që iu gjënden pranë.

– Ja, këtu…

Dhe Nuredini u bën shënjë kokën, nga i rridhte gjak, i cili i kishte skuqur krejt fytyrën.

– Po ty të janë mbushur edhe këpucët me gjak! – i thotë dikush.

Dhe ia ngre pak pantallonat dhe, ç’të shikonte?! Diku posht shpinës i qe hapur një plagë e thellë.

Cifla e predhës në kokë iu hoq në një nga spitalet e Beogradit

Ndërsa luftohej kundër nazistëve për çlirimin e qytetit të Gjirokastrës, një grupi partizanësh, në përbërje të të cilit ishte edhe Nuredini, i qe ngarkuar detyra që të zinte një pozicion të përshtatshëm diku lart Qafës së Pazarit.

– Ecnim me shumë kujdes që të mos diktoheshim nga armiqtë, – tregon Nuredini, – kur… ndjej sikur të më kishte shpuar ndonjë bletë.

Dhe vazhdon tregimin:

Detyrohem të ulem, kthej sytë nga pantallonat, kur shikoj që këpucët më ishin mbushur me gjak! Ndërkohë më nisën dhimbje therëse. Me zvarritje shokët vijnë drejt meje që të më tërheqin. Në çast shikoj para meje dy gra gjirokastrite, që vazhdonin të më afroheshin duke qarë. Me të mbritur pranë meje, u drejtohen shokëve të mi që të më mernin në shtëpitë e tyre. Ndërkohë që shokët vazhdonin të më ndalonin rrjedhjen e gjakut, nënat gjirokastrite nuk hiqnin dorë nga kërkesa e tyre: “Na e lini djalin, se e shërojmë ne”, vazhdonin të thoshnin ato.

Sakaq pat mbrritur aty komandanti i batalionit, Kadri Aliu.

– I ka lezet plaga partizanit, – i ishte drejtuar Nuredinit. – Në luftë jemi; nuk jemi në shëtitje…

Dhe pat urdhëruar që i plagosuri të dërgohej pa vonesë në spitalin më të afërt partizan.

Vet Kadri Aliu, që gjatë Luftës pat mbrritur deri komandant Brigade Partizane, qe plagosur disa herë.