Koloneli i GdF, Ruis: Si e shkatërrova klanin ‘Habilaj’

December 21, 2017 19:04

Koloneli i GdF, Ruis: Si e shkatërrova klanin ‘Habilaj’

Njeriu që i dha fund perandorisë së drogës dhe trafikut të armëve nga klani Moisi Habilajt, quhet Francesco RUIS, një oficer karriere që mban gradën e Kolonelit. Kolonel Ruis i cili prej disa vitesh është komandant Guardia di Finanza për Cattania për herë të parë në një intervistë të gjatë për Report TV rrëfen se si mundi të shkatërrojë klanin “Habilaj”.

Intervista sjell detaje të panjohura për operacionin e koduar “Roza Dei Venti” të cilit iu deshën 4 vite hetime deri në momentin e arrestimit të Moisi Habilajt dhe bashkëpunëtorëve të tij.

A ka hetuar vetëm në Itali apo edhe në Shqipëri Guardia di Financa për Cattanian? Kur u zbulua për herë të parë klani Habilaj? Deri ku shkojnë në Shqipëri lidhjet e Moisi Habilajt? Këto dhe të tjera pyetje marrin përgjigje nga Kolonel Francesco RUIS.

Si kanë nisur hetimet për Moisi Habilaj?

Hetimet për trafikun e drogës kanë nisur prej vitesh, për Habilajn hetimet kanë nisur që në vitin 2010-2011 me operacionin e koduar “Odisea”, një operacion që kishte për synim rrugën ballkanike, pra trafikun e drogës që vinte nga brigjet shqiptare me destinacion Italianë meridionale, në veçanti në zonën e Katanias ku kishim në vëzhgim ngarkesat dhe lëndët narkotike që vinin në sheshin Raguzana dhe sheshin e Katanias. Nga të dhënat e një hetimi të mëparshëm , lindën disa elementë, disa të dhëna të cilat nuk mund të kufizoheshin vetëm me një hetim por na dha mundësinë për t’u thelluar, për të shkuar në atë që njihet sot si operacioni “Roza dei Venti”. Duhet theksuar se impenjimi i Guardia di Finanzia ka qene në kohë, konstant,  me një vëzhgim permanent të trafikut të drogës nga brigjet shqiptare drejt Italisë. Dhe një nga këto hetime na çoi të përqendroheshim drejt asaj që më pas do të ishte dhe organizata e Habilajt.

Në operacionin tuaj “Roza Dei Venti” Moisi Habilaj është konsideruar koka e organizatës, e aftë jo vetëm për trafikimin e sasive të mëdha të drogës por edhe për trafik armësh. Cili është profili sipas jush i Moisi Habilajt?

Nga hetimet që ne kemi bërë në Itali, në mungesë të një marrëveshje hetimor me Shqipëri dhe nuk mund të hetojmë në një vend tjetër, Moisi na rezulton si njeriu që negocionin, arrin marrëveshje me personazhe të rëndësime të organizatave kriminalë kataneze për hyrjen e lëndëve narkotike në tregun italian, pra ai është pika e referimit e atyre që mund ti quajmë broker në Itali, figura si ajo e Rielës në Katania që ndërthurej me Habilaj për të siguruar lëndën narkotike që më pas përdorej nga grupe të ndryshme mafioze. Pra figura e Habilajt është domethënëse pasi përfaqëson një pikë kontakti për klanet mafioze këtu në Siçili, një pikë referimi e rëndësishme për të sjellë nga Shqipëria sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, dhe paralel me këtë si çdo trafik i paligjshëm, e njëjta organizatë siç ka rezultuar në një nga sekuestrimet  në vitin 2015 transportonte edhe armë. Për trafikun e armëve më lejoni të theksoj se shqetësimi i Habilajt dhe i organizatës së tij ishte mjaft i madh, ata ishin të vetëdijshëm se çfarë transportonin dhe madje dhe për risqet që me vetëdije i cilësonin më të mëdha sesa trafiku I armëve. Por pavarësisht kësaj ata nuk kanë hezituar që krahas drogës të trafikonin dhe armë. Kjo tregon se kur një organizatë është e mirëorganizuar është e gatshme të merret me çdo lloj trafiku të paligjshëm, paralel me atë që ata e cilësonin si trafikun kryesor pra hyrjen ne tregun Italian të lëndëve narkotike.

Në Shqipëri organizata Habilaj gjithmonë  ka arritur t’ja hedhë drejtësisë shqiptare ndërsa ju arritët të zbulonit trafikut ë kësaj organizate? Sa e rëndësishme është kjo?

Kjo ka rëndësinë në kuptimin se ne arritëm të kuptonim peshën e personit që po ndiqnim, në një kontekst sicilian veçanërisht të vështirë, ku të përcaktosh lidhjet mes personave apo grupeve nuk është aspak e lehtë. Duke pasur parasysh se grupet kriminale në Katania me të cilat bashkëpunonte Habilajn merrnin masa të larta sigurie për të mos qenë në përgjim apo në ndjekje. Kështu pra vetëm përdorimi i teknikave shumë të sofistikuara të hetimit, dhe në veçanti duke arritur të asgjësonim ato masa sigurie që ata ndërmerrnin, si p.sh ndryshimi i vazhdueshëm i telefonave apo i makinave që ata përdornin, për të cilat përfaqësuesit e organizatave kriminale shqiptare dhe italiane kushtonin një vëmendje tepër të madhe, e bëri këtë hetim shumë të vështirë. Por në fund na çoi në rezultatin që stimuloi edhe prokurorinë shqiptare qe të kërkonte bashkëpunimin me autoritetet e Katanias, Kështu njerëzit e mi janë thirrur në Shqipëri nga autoritet e drejtësisë përsa i përket provave që kishim siguruar në Itali për Habilajn dhe bashkëpunëtorët e tij.

Pra në këtë pikë ju keni nisur një bashkëpunim me autoritetet shqiptare  për të hedhur dritë rreth organizatës së Habilajt nga Shqipëria drejt Italisë?

Po është krijuar një bashkëpunim mes prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane dhe prokuroria shqiptare ka kërkuar të ketë të gjitha provat e mbledhura në Itali për t’ia bashkuar hetimeve që ndërkohë janë ndërmarrë në Shqipëri rreth kësaj organizate. Në këtë mënyrë është e mundur të krijohet një mozaik i plotë. Siç thashë edhe në fillim një aktivitet i tillë nuk mund të hetohej edhe për shkak të mungesës së juridiksionit dhe hetimi ynë ka nisur në momentin që Habilaj ka hyrë në territorin Italian, më pas monitorohej dhe vëzhgohej në të gjitha lëvizjet. Me këtë lloj bashkëpunimi me siguri autoritetet e drejtësisë shqiptarë janë në kushtet për të kuptuar dhe verifikuar atë që ndodhte në Itali, për të bashkuar dhe të dhënat tona dhe për të bërë një kuadër të plotë dhe për të pasur një mozaik të plotë të asaj që ishte kjo organizatë dhe ndoshta për të vijuar hetimet të cilat nuk mund të ishin të mundura pa përfundimin e operacionit “Roza Dei Venti”.

Duke qenë se Shqipëria konsiderohet vend burimi për trafikun e drogës, përsa i përket tregut italian çfarë impakti ka dhe si mund të përballohet?

Impakti është i rëndësishëm duke konsideruar se grupi ynë operativ i antidrogës që ka qëllim kryesor luftën ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës, ndjek dy drejtime dhe këto drejtime janë ato që lidhin Italinë më Amerikën e Jugut dhe me Shqipërinë. Kjo tregon që Shqipëria konsiderohet edhe historikisht si vend furnitor i lëndëve narkotike dhe flukseve kriminale të krahasueshme me vendet e Amerikës Jugore. Këtu më lejoni të përmend rolin që ka Guardia di Finanzia në një sinergji absolute mes forca të ndryshme në terren. Është e nevojshme që të operojë një polici e pranishme në territor, për atë që do të ndodhë para se të vijë lënda narkotike duke hyrë edhe në dinamikën e klaneve lokale. Forcat detare që arrijnë të patrullojnë  në brigje apo në det të hapur që janë në gjendje të vëzhgojnë të ndjekin të lejojnë qëllimisht të kalojnë ngarkesat për ti bllokuar më pas, kjo ka qenë strategjia fituese që është përdorur në operacionin “Roza dei Venti”  apo dhe në operacione të tjera. Një vëzhgim që nis nga deti dhe përfundon në tokë. Pra për të luftuar trafikun në rrugën ballkanike krahas një bashkëpunimi mes autoriteteve të drejtësisë së dy vendeve duhet dhe një forcë policore e përgatitur dhe Guardia di Finanzia i ka këto kapacitete që të pikasë trafikun në det dhe të koordinohet me autoritetet që merren me fenomenin në tokë, duke bashkuar forcat në dy frontet në det dhe në tokë është e mundur të luftohet ky lloj trafiku në mënyrë efikase.

Rreth vështirësive që ju keni hasur në këto hetime është dhe perceptimi se Habilaj mund të kishin mbështetjen e njerëzve të rëndësishëm në Shqipëri, janë kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe siç kanë dalë nga përgjimet kishin në dispozicion dhe disa zyrtarë të policisë kufitarë shqiptare, sa i fortë ishte klani “Habilaj”?

Gjatë hetimit, perceptimi i kësaj lidhje farefisnore apo këtij bashkëpunimi në Shqipëri bëri që ne të rrisim vëmendjen ndaj kësaj organizate. Fakti se në Itali perceptimi se ky subjekt mund të kishte lidhje të rëndësishme politike në Shqipëri, e bëri punën tonë edhe më të kujdesshme pasi e dinim që mund të përballeshim me subjekte shumë të fortë. Por sigurisht ky perceptim nuk mund të thellohej për shkak edhe të mungesës së juridiksionit, për arsye se aspektet të cilët perceptoheshin në Itali duhet të verifikoheshin në territorin shqiptar. Dhe për këtë arsye është e drejtë që për këtë të hetojnë autoritetet shqiptare. Efekti që kishte për ne këtu në Itali ishte që ne duhet t’i kushtonim më tepër kujdes, për të rafinuar më mirë teknikat dhe për të mbledhë të gjithë elementët e mundshëm në të gjitha drejtimet që sot mund të përdoren në mënyrë të ligjshme, për të vlerësuar çështjen dhe kompetencën, nga ana e gjykatësit dhe autoriteteve shqiptare. Por e përsëris që ky aspekt ka përbërë sigurisht atë marsh më tepër për një organizatë që siç e thashë ka treguar se ishte shumë e fortë dhe me autoritet, aq sa mund të ulej e qetë dhe për të bërë biznes me subjekte që kane një peshë të rëndësishme në Siçilinë orientale në kontrollin e territorit. Dhe kjo i garantohet i subjekti të huaj vetëm nëse është një person me autoritet, një personi që pas fjalëve shkon tek veprat konkrete. Në mënyrë të qartë Habilaj dhe organizata e tij kanë treguar me fakte kapacitetin për të transportuar sasi të konsiderueshme hashashi por edhe në trafikun e armëve.

Në fund sa ishte sasia e këtij trafiku?

Si në çdo hetim qëllimi ynë kryesor ishte evidentimi i përgjegjësve sesa të bllokonim sasitë e drogës. Sasitë që kemi bllokuar janë rreth 8 mijë kg hashash për një vlerë rreth 50 milionë euro. Janë të dhëna që përbëjnë një fotografim të momentit. Kështu që për të bërë një bilanc komplet duhet bërë një vlerësim. Nëse këtij fotografimi që kemi bërë ne do t’i shtonim dhe shumë të tjera të një periudhe tre vjeçare mund të imagjinoj sepse nuk është e drejtë të flas pa pasur të dhëna konkrete se çfarë mund të jetë volumi i sasisë së drogës dhe fitimeve të kësaj organizate italo-shqiptare.

December 21, 2017 19:04
Komento

1 Koment

  1. floriri i Bençes December 21, 20:48

    Zoti kolonel, flislni per mungesen e juridiksionit ne territorin shqiptar?
    “Peralla me mbret”!
    Ju pergjoni me qindra numra telefonik shqiptar, prandaj ju lutem mos genjeni, pranoni me ndershmeri qe me teper prova nuk keni mundur te siguroni, megjithese keni internacionalizuar proçesin e pergjimeve telefonike.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*