Kolonja, “as e vogël, as e madhe”!…

December 24, 2017 17:39

Kolonja, “as e vogël, as e madhe”!…

“Sa vend i bukur. Kur ta shpallim Shqipërinë Republikë, do të ndërtoj atje një kasolle dhe çdo behar do të vij të shkoj pushimet në fshatin e stërgjyshërve të mi”, ishte shprehur në kohë të vetë Noli.

Kjo dëshirë e tij është gdhendur sot në faqen e gurtë të një memoriali, për t’u kujtuar jo vetëm kolonjarëve, por të gjithëve, se Kolonja është parë prej kohësh si një destinacion i mahnitshëm turistik.

Të tillë, të bukur dhe joshëse, e bën Kolonjën historia, veçanërisht ajo e periudhës së Rilindjes Kombëtare, ku mbi 60 për qind e figurave historike të asaj kohe, kapedanë trima, mësues heronj e ideologë të shquar të Pavarësisë së Shqipërisë ishin ose kishin origjinën nga Kolonja;

Të tillë, të bukur dhe joshëse e bëjnë Kolonjën monumentet e shumta natyrore që shtrihen nga mali i Gramozit, në pllajën e famshme poshtë tij, 1100 m mbi nivelin e detit, me ata fshatra piktoreskë nga jashtë dhe të ngrohtë e miqësorë nga brenda;

Të tillë, të bukur dhe joshëse e bëjnë Kolonjën, muzika monumentale kolonjare, vallet e veshjet tradicionale unikale në llojin e vetë;

 Të tillë, të bukur dhe me miq të shumtë, turistë vendas dhe të huaj, e bëjnë Kolonjën pritja dhe përcjellja, mbi të gjitha kuzhina, byreku i saj i veçantë, të cilit Noli i “ngriti” një lapidar të vogël, kur, ditën e 28 nëntorit të vitit 1923, gjatë vizitës në shtëpinë e Kristo Kirkës në Korçë, tek provoi byrekun korçar, i tha me shaka të zotit të shtëpisë: “Shumë i shijshëm qenka, si byreku i Kolonjës”!… “Ku e ke provuar byrekun e Kolonjës”?! – e ngacmoi Kristoja. “Në Amerikë”! – tha Noli;

Të tillë, të bukur dhe joshëse e bëjnë Kolonjën njerëzit e saj, të mëdhenj e të vegjël, punëtorë dhe me kulturë pune, e bën dashuria dhe respekti që kanë ata për veten, vendin dhe vlerat e tyre të gjithanshme.

***

Nisemi drejt Kolonjës me një shofer “flori djalë”, i zoti në timon dhe që nuk e kishte fare bezdi të ndalonte atje ku i thoshe!  Ndalesa e parë  u bë në  një klub-rrapishte në të dalë të Elbasanit, ndalesa e dytë, buzë Liqenit të Ohrit dhe i treti, te klubi “Metko” sa hyn në Kolonjë, ku dëndemi me mish qengji.

Më pas kalojmë disa qafa, nëpër pishnaja të rralluara dhe diku, në një të përpjetë të lehtë mes hijes së pishave, shoferi thotë për një pushim të vogël.

Ndërsa ndezim cigaret, hedhim vështrimin tej Pllajës së Kolonjës dhe pyjeve të Qytezës.

Në kohën e socializmit fshati quhej Çlirim dhe përbëhej nga fshatrat Kaltanj, Lenckë, Luaras, Qesarakë, Qytezë, Selenicë e Pishës. Ky fshat i bashkuar është quajtur me një emër të bukur shqip “Çlirim”. Po vallë, kush e nga kush u çlirua këtu, në këtë pllajë-nyjë bashkim udhësh këmbësore që katër muaj dimri lëngon nën dëborë dhe muajt e tjerë digjet nga dielli? E pse të mos ishte Qyteza një fshat i trajtuar në këtë mënyrë, kur s’është veçse tre kilometra larg, mes pishash, prej këtu? Aq më tepër që ishte fshati i paraardhësve të Nolit.

Por le të lëmë arsyetimet tona dhe le të vijojmë udhën e paasfaltuar që tani po arrin në kilometrin e nëntë.

Ardhja e një makine të paparë me targë Tirane bën përshtypje në këtë fshat, ku nga 93 familje në vitin 1989, sot a janë apo jo 14; ku nga gumëzhitja e fëmijëve të shkollës, sot syri të zë vetëm një ndërtesë  me emrin madhor ”shkollë”, realisht një ngrehinë xhamathyer, e braktisur, por edhe  tullahequr nëpër cepe.

E dimë të gjithë se e sotmja e qesh të djeshmen dhe e nesërmja të sotmen, por e kemi edhe të drejtën të themi, apo edhe të hamendësojmë: Mos ndoshta  prishte punë emri fetar “Shënmërtir”? Mos ndoshta u nënvleftësua nga mosnjohja fshati mijëravjeçar Qytezë? Mos ndoshta  u desh që të fshihej nga fjalori emri i Teqesë fetare dhe atdhetare e Qesarakës që në këto anë ka qenë famëmadhe?

Dikur, deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar, këtu, në këto rrugë, ka patur gjallëri të madhe. Ja këtu ishte klubi, modern për kohën, thuajse si ata në Tiranë; pak më lart ishte spitali me aq shtretër; atje ishin zyrat e ish xhandarmërisë, më vonë policisë, më tej, të administratës,  magazinat e ndërmarrjeve shtetërore të punëtorëve të pyjeve, të ndërmarrjes bujqësore; ja këtej hyje për në berberanë dhe rrobaqepësi; ja tek ajo qoshja ishte këpucari dhe samarxhiu; këtu, te cepi, ishte dyqani i shitblerjes dhe zyrat e postë telegraf-telefonit…

Po tani? Janë disa familje që mbijetojnë si  të munden. Ke mall të takosh  njerëz. Atje poshtë tek ata plepat e gjatë e plot hije është rezervuari nga ku merrnin ujë për vaditje sa e sa hektarë tokë, tani, thuajse i mbushur me remë, i pashfrytëzuar, dikush aty ka hedhur rasat peshku me shpresë se mund të bëhet diçka…

Duke ecur së bashku dolëm  në një qafë ku para syve hapet një  ekran i gjerë, horizont i pa matur;  hapësirë që mund ta rrokë vetëm fluturimi i shqiponjës; luginë, pyje, gurë, maja malesh, qafa  e përsëri pyje tek–tuk shtëpi si dhëmbët e një plake; janë fshatrat e dikurshme me nga 15 deri 200 shtëpi e  tani vetëm me dy-tri familje  të vetmuara që mbijetojnë pa udhë automobili, pa dritë elektrike, pa ambulancë, pa mësues…Ata merren me dru. Presin dru, bëjnë dru, djegin dru, gatuajn dru dhe hanë …dru! Ja, ky është “Çlirimi” i sotëm.

Po errësohej dhe  na duhej të shkonim patjetër në Qytezë. Dikush më tregon: “Këtu ka qenë reparti i kimisë dhe i flakëhedhësve të korpusit të Korçës; atje tej ishte tuneli i batalionit të ndërlidhjes të korpusit të këmbësorisë; lart në brinjë të atij malit ishin pozicionet e një grupi artilerie me larghedhje të gjatë; këtej kalonte gjenerali Petrit Dume kur vinte për pushime apo stërvitje dhe qëndronte atje lart te një vilë e vogël-saune druri.”

“E shikon atë pyllin atje, thotë një tjetër, në vitin 2005, atij pylli të mrekullueshëm me pisha të Qytezës dikush i vuri zjarrin! Pylli ishte dhe do të ishte në shekuj pasuria më e madhe e Qytezës, pas njerëzve, – vijon ai. Por ja që smirëzinjtë, ata që t’i quash kriminelë – është pak, e dogjën! Thuhet se deshën të mbulonin vjedhjet e prerjet e paligjshme të ”viteve të arta” të vjedhjeve që  vërshuan gjithkund në Shqipëri pas  përmbysjes së sistemit socialist…Siç e sheh, kanë filluar të vetëmbijnë filiza të rinj (për mbjellje të organizuara nga shteti apo private as që mund të mendohet tani për tani), por edhe këtyre filizave, po t’u ecë fati  do t’u duhen 40-50 vjet për t’u bërë tamam pisha!

Unë rrudha fytyrën e trishtuar dhe nuk gjeja fjalë ngushëlluese as për vete as për bashkëfolësin, por vetëm seç mallkova instinktivisht nëpër buzë me zë të ulët…

Kishin kaluan vetëm tetë minuta në këtë rrugë  udhëtim-rrufe. Mbas një të përpjete të thekur, pas tre-katër kilometrash malore, mes gulçimash gati njerëzore, makina  ndaloi në  një sheshore të vogël me bar gjysmë jeshil e gjysmë të tharë. “Erdhëm”, shqiptoi plot gëzim ai që foli për pishat. Ja kjo është qyteza, tha ai si me një fare krenarie për rolin e ciceronit që kishte marrë.

Këmbët  e njerëzve çapitin nëpër kalldrëm. Është pothuajse i njëjti  kalldrëm si kudo në qytetet e bukura shqiptare: në Apoloninë e lashtë, Gjirokastër, Berat, Çorovodë, Kalanë e Rozafës, Kalanë e Petrelës, Kalanë e Prezës, Mitropolinë e Korçës, Krujës, Prizrenit…

Majtas një bahçe me bar të thatë e pak më lart, një mur rrethues ornamental i një shtëpie njëkatëshe, ku lexohet “Lavdi dëshmorit të fshatit tonë, Bido Hasani”. Kësaj pllake mermeri një dorë  mëshiruesi i ka vënë përreth një varg lulesh artificiale. Te çezma–cylinë pak më lart, afrohet një grua tepër e lodhur. Është banore e fshatit siç duket. Nuk pranon që të fotografohet duke mbushur ujë, se “jam kështu e pa veshur, e pa nisur, e pa krehur…”.

Ecim drejt rrugës me kalldrëm. Del një burrë, muaj i parruar e i paqethur, me një bluzë si me vija e si pa vija dhe një palë pantallona të zhubrosura. Ishte duke sosur punët e akshamit.

Në të dy anët e rrugës, dyer të kyçura, bar i tharë, pemë degëthyera. Ja tani, djathtas një gardh i lehtë me tel e pas tij një plevicë më dy mullarë bari të thatë, një kasolle të vogël më tej dhe nja dhjetë krerë dele të bardha e tri të zeza që bëjnë me shpejtësi krrap-krrupjet e fundit të kullotjes ditore. Dëgjohet një lehje qeni.

Ja Qyteza e sotme. Dy kanë mbetur dhe hahen si qentë, kur gjithçka është rehen, jermë, djerrë, e tharë. Edhe pse ujë ka sa për njëqind familje. Klima është si  në asnjë vend tjetër për yshyrate e prodhime, si për njerëz e për kafshë… vetëm se nuk ka rrugë…!Ehh!

Shtëpitë janë të ngritura prej njerëzve e për njerëzit. Por ata kanë ikur! Ikën në dalldinë e viteve të mbrapshta dhe tani nuk kthehen dot më!

Teqeja e Qesarakës, e hapur, siç janë teqetë

Ndalojmë te porta e Teqesë së Qesarakës që ishte mbudhë, por fshati nuk dukej kund. Ajo qe formalisht e mbyllur, por në të vërtetë ish e hapur, siç janë teqetë. E vizituam Teqenë edhe nga jashtë rretheqark. Çdo objekt ka një histori, më tepër të dhimbshme, dramatike e mitike se sa joshëse dhe ngazëllyese.

Teqeja me një kube tepër të lartë gjysmë sferike, me stil të kahershëm bektashian, jashtë me gurë të skalitur e të shkruar- të gjithë gurët e jashtëm të murit të lartë cilindrik ishin të tillë, një çudi e veçantë kjo! –brenda faqet e kubesë dhe pjesa më e madhe e mureve ishte veshur me shumë lloj pikturash e afreskesh të fesë myslimane. Varret-sëndyq të zbukuruar më së lartmi, të baballarëve dhe dervishëve me emër, me objekte të posaçme e të shenjta fetare ishin dekoracion karakteristik për  truallin e gjerë ku hymë duke zbathur më parë këpucët para prakut të portës dhe duke mos e shkelur pragun, u futëm  duke kryer edhe ritin fetar të dhurimit.

Teqeja ishte një objekt që datonte para vitit 1940. Gjyshi tregoi se edhe grekët gjatë Luftës Italo-Greke nuk e prishën, as sistemi socialist nuk e prishi. Në vitin 1967 u prish me zjarrvënie ndërtesa tjetër që ishte mbi udhë, ku atëmot ishin djegur edhe katër vetë brenda saj.

Rehova e traditës

Kur ishim ne në Kolonjë, ishte fushatë zgjedhjesh. Zgjidhej kryetari i ri i baskisë. Partitë politike tani ishin kujtuar dhe kishin zbarkuar rëndshëm në të gjithë zonën nga Qafa e Qarrit deri Çarshovë. Kështu ndodh gjithmonë kur kërkojnë votën, bëhen urë e vig, por shpejt harrojnë. Na marrin edhe ne për “të deleguar”. Nuk është se kemi ndonjë qar nga kjo, pasi disa na shikojnë shtrembër. Megjithatë ne shikojmë punën tonë. Nisemi drejt Rehovës, e cila shtrihet në rrëze të malit të Gramozit.

Rehova, ky fshat piktoresk me vendim të KKR së fundmi është shpallur Qendër e Mbrojtur Historike. Fshati i Rehovës është i njohur në të gjithë vendin për artizanatin, mikpritjen, gatimet e veçanta, bukuritë dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme.

Qendra Historike e fshatit Rehovë, përfshin të gjitha ndërtimet ekzistuese dhe përbëhet nga një kompozim kompakt tradicional që zhvillohet rreth  kishës  dhe sheshit qendror të fshatit. Ansambli i ndërtuar paraqet tipologji interesante veçanërisht në krijimin e hapësirave urbane, si dhe  përfshin një numër të konsiderueshëm banesash me një tipologji të larmishme dhe një rrjet rrugor të shtruar me kalldrëm. Ndërtimet në përgjithësi janë dykatëshe dhe janë ndërtuar me mur guri, si dhe ka një numër të konsiderueshëm portash me hark dhe sofat me gurë të gdhendur.

Në pjesën e vjetër të fshatit Rehovë, një nga gjërat e rralla që vihet re lehtësisht janë portat e shtëpive në rrugët me kalldrëm,  të cilat në një pjesë të madhe të tyre ruajnë karakteristikat e punimit nga mjeshtrit rehovarë si dhe kohën kur janë ndërtuar, që daton deri në fillim të shekullit 20.

Kisha që gjendet në qendër të Rehovës, është ndërtuar në vitin 1820. Ikonostasi i saj ndërtuar me kontributet e rehovarëve gjendet sot në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, si një pjesë e çmuar e koleksionit të artit bizantin.

Nuk kemi mundësi t’i shkelim këtë radhë të gjitha, por në Rehovë njihemi me guidën turistike të përgatitur nga Bashkia e Ersekës si, Çuka e Peçit në vargmalin e Gramozit, kanionet e Virkës, Borovës, Pagomenit, Ujvara e Rehovës, Pishat e Pogonicës, mali i  Koziakut, liqeni karstik akullnajor i Gramozit, Sheleguri, korija e Shën Kollit të Vodicës, shpella karstike e Podës, Urat e moçme të gurta të Postenanit dhe Radovës, Llixhat e Sarandaporit, vendbanimi neolitik në fshatin Kamnik, kala, tuma, kisha e teqe shekullore etj.

Sa e vogël dhe sa e madhe Shqipëria!…

 “Tani do shkojmë te Guri i Sehirit”, tha shoqëruesi. Përballë nesh hapësirë e gjelbër; shtëpi  sikur ishin hedhur nga qielli si kokrra qiqre mes pyjesh; pyje, pyje, lugina, gurë më të djathtë e përsëri pyje e male në të majtë.

“Ja atje është Qafa e Kumbullës e matanë saj – Frashëri! Frashëri  i të mëdhenjve të Shqipërisë! Hidh shikimin më djathtas syri të zë një majë mali gri, të ç’veshur nga bimësia e lartë. Aty ka vetëm sherbele dhe bimë të tjera mjekësore. Ai është Mali i Miçanit, rrëzë të cilit ndodhet fshati gjysmë ortodoks e gjysmë mysliman me këtë emër (nga ku ka marrë emrin edhe mali sipër tij), duket po me këtë madhështi edhe nga fshati im i lindjes, Qafa e Skraparit.

Sa e madhe, dhe sa e vogël Shqipëria!…E madhe nga fama e terreni, e vogël nga përçarja dhe vlerësimi i vetvetes  prej atyre që kemi patur gjithmonë në krye.

 

December 24, 2017 17:39
Komento

1 Koment

  1. blendi...ziu December 25, 09:59

    Kush eshte autori ?!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*