Kombëtarja kuqezi i bashkohet fushatës ndërgjegjësuese të Autizmit

March 22, 2018 14:59

Kombëtarja kuqezi i bashkohet fushatës ndërgjegjësuese të Autizmit

Në prag të ditës ndërkombëtare të Autizmit, futbollistët e përfaqësueses sonë të futbollit i janë bashkuar kauzës ndërgjegjësuese të Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” për më shumë mbështetje dhe integrim ndaj fëmijëve dhe individëve që jetojnë me çrregullimin e spektrit autik.

Të kryesuar nga zv.presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Edvin Libohova, sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku, si dhe nga trajneri Christian Panucci, lojtarët kuqezinj kanë zbritur në qendrën rajonale për Autizmin në Farkë, ku janë pritur nga presidentja e fondacionit, Dr.Liri Berisha, si dhe janë takuar me fëmijët që marrin terapi aty, si edhe me prindërit e tyre.

Djemtë e kombëtares, pasi panë nga afër ambientet ku ata marrin shërbime, improvizuan një ndeshje të shpejtë futbolli me ata më të rriturit, por edhe shkëmbyen fanellat e kombëtares me ato të fondacionit.

Presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Dr.Liri Berisha, pasi falënderoi FSHF-në për këtë mesazh të fortë mbështetës ndaj kauzës së Autizmit, i cilësoi djemtë e kombëtares si ambasadorët më të mirë të kombit në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përhapjen e humanizmit ndaj fëmijëve më aftësi të kufizuara.

Sipas zonjës Berisha, ardhja e skuadrës kombëtare në këtë qendër ishte një mbështetje e fortë për të sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar opinionin për Autizmin. Zv.presidenti i FSHF-së, Edvin Libohova, duke përshëndetur misionin e përkushtuar të Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” në fushën e Autizmit, tha se sporti i ka dhënë gjithmonë zë mesazheve për më shumë humanizëm dhe mbështetje ndaj personave në nevojë.

Nga ana e tij, trajneri i ekipit kombëtar, Christian Panucci, e vlerësoi si shumë të nevojshme vendosjen e sportit në funksion të rritjes së ndërgjegjësimit ndaj kauzave që prekin njerëzit në nevojë dhe theksoi në mesazhin e tij për më shumë angazhim dhe vëmendje karshi këtyre fëmijëve.

Pas një loje të improvizuar mes fëmijëve dhe futbollistëve të ekipit kombëtar, djemtë kuqezinj dhe stafi i fondacionit thirrën njëzëri “ndriço blu për Autizmin”, veprim simbol ky, që rrit vetëdijen e publikut dhe të shtetit për më shumë vëmendje dhe mbështetje ndaj individëve të prekur nga ky çrregullim.

a.s/dita

March 22, 2018 14:59
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*