Komiteti i Helsinkit: CEZ po kërcënon jetën e qytetarëve

Redaksia Online November 15, 2012 17:46

Komiteti i Helsinkit: CEZ po kërcënon jetën e qytetarëve

Ka ardhur reagimi i Komiteti Shqiptar të Helsinkit per paralajmerimin e CEZ se do te nderpres energjine per ujesjellsat. Sipas KSHH ndërprerja e energjisë për 40 ndërmarrje lokale të ujësjellësve “është një kërcënim i rëndë për jetën e shëndetin e banorëve”.

“Ky është një njoftim ogurzi, për gjithë atë pjesë të popullatës së vendit tonë, lajm që krijon panik tek ata por edhe më gjerë, si dhe rrezik imediat për jetën dhe shëndetin e shtetasve. Uji është elementi më i domosdoshëm për jetesën e njeriut, pa përjashtuar këtu edhe nevojat e domosdoshme për ujë të institucioneve, si spitale, shkolla, çerdhe e kopshte, ose nevojat e sektorit të biznesit privat, që furnizojnë popullatën me shërbime dhe artikuj jetësorë, që i ofrojnë tregut”, thuhet në reagimin e KSHH-së.

CEZ akuzohet se po tregohet e papërgjegjshme dhe e paaftë për të menaxhuar këtë biznes që ka marrë përsipër por KSHH akuzon edhe strukturat e qeverisjes për mos mbikëqyrje.

“Shkarkimi i kësaj situate në kurriz të shtetasve është gjëja më e patolerueshme për një shtet demokratik. Kjo është zgjidhje e gabuar për një kompani që vjen nga një vend anëtar i BE dhe një papërgjegjshmëri e rëndë për një shtet që pretendon të marrë statusin e vendit Kandidat për integrim në BE”, nënvizohet në komunikatën e KSHH-së.

Komiteti Shqiptar të Helsinkit kërkon që “organet përkatëse të shtetit shqiptar të marrin menjëherë masat e nevojshme për të moslejuar veprimin e paralajmëruar nga kompania CEZ Shpërndarje, ndërsa kësaj të fundit i bën thirrje të rishikojë vendimin e saj dhe të ndjekë rrugën ligjore, duke përdorur mjete, që janë në përputhje me parimet e shtetit demokratik, për të siguruar të drejtat e saj si kreditore”.

Në rast se CEZ vepron sipas paralajmërimit atëherë KSHH i sugjeron organeve të prokurorisë, që në rast të ndërprerjes masive të furnizimit me ujë nëpërmjet rrjetit publik, të fillojë, menjëherë çështjen penale në ngarkim të kujtdo, që me veprime ose mosveprime do ta shkaktojë një situatë të tillë.

Redaksia Online November 15, 2012 17:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*