Kompanitë e huaja trefishojnë transferimet e tyre tek kompania mëmë

April 1, 2015 22:46

Kompanitë e huaja trefishojnë transferimet e tyre tek kompania mëmë

Sipërmarrësit e huaj që prej vitesh janë në Shqipëri vijojnë të transferojnë fitimet e tyre tek kompania mëmë. Kjo ndodh kryesisht në sektorin bankar dhe telekomunikacion.

Por ajo çfarë është e dukshme në vitin që lamë pas është trefishimi i këtyre transfertave në një periudhë të shkurtër kohore. Këtë konfirmojnë të dhënat e Bankës së Shqipërisë, ku pas konstatimit që Investimet e Huaja Direkte kanë rënë në vendin tonë, pohohet statistikisht dhe fakti i trefishimit të transferimit të parave në kompanitë mëmë.

Specialistët e ekonomisë bëjnë të ditur se kjo rritje e transferimit ka ardhur si shkak i regjimit të taksave në vendin tonë, e kryesisht të rritjes së taksimit të dividendit në masën 15 për qind. Nga ana tjetër kjo shihet dhe si një nga arsyet që ka mbajtur euron në nivele të larta në tregun e brendshëm, edhe pse në bursën ndërkombëtare ajo ka rënë.

E më konkretisht sipas shifrave të fundit në bilancin e pagesave, pjesa e debisë në zërin e të ardhurave nga investimet u rrit me 3 herë, nga 81.7 milionë euro që ishte në 2013-ën në 240 milionë një vit më parë.

Rritja ka qenë veçanërisht e fortë në dy tremujorët e fundit të këtij viti, ku fitimet e transferuara jashtë kërcyen në 64 milionë euro, nga 10 milionë euro në periudhën qershor-shtator 2013 dhe nga 24 në 70 milionë euro në tremujorin e fundit.

Transferimi i fitimeve jashtë vendit shënoi një rritje të ndjeshme në periudhën 2007-2009, duke qenë dhe një nga faktorët që zhvlerësoi lekun në vend (kërkesa e kompanive për valutë ishte shumë e madhe në një treg që vlerësohet se këmben rreth 3-5 milionë euro në ditë, duke ndikuar ndjeshëm kursin e këmbimit).

Më pas ky zë shënoi rënie, teksa kompanitë filluan të ndienin presionin e krizës ekonomike. Por, në vitin 2014, fitimet e transferuara u rritën ndjeshëm.

Arsyeja kryesore e rritjes së transferimit të fitimeve se lidhet me faktin që nga 1 janari 2015 tatimi mbi dividendin u bë 15%.

Duket se kompanitë e huaja nxituan të bëjnë shpërndarjen e dividendit në vitin që kemi lënë pas, duke mos i lënë ato për vitin 2015.

Sipas Bankës së Shqipërisë, fluksi dalës i investimeve është kryesisht në formën e pagesave të dividendëve dhe vlerës së fitimit të riinvestuar pjesë e investimeve direkte në Shqipëri. Kjo duket të jetë reflektuar dhe në të ardhurat nga ky zë në buxhet këtë vit.

Sipas statistikave të Ministrisë se Financave, të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale ranë me 12.6% për 2-mujorin, në rreth 4 miliardë lekë.

Si shkak i kësaj lëvizje të kompanive që investojnë në vendin tonë, kërkesa e rritur për valutë nga kompanitë që transferojnë fitimet është dhe një nga arsyet kryesore që shpjegon euron e fortë në Shqipëri, që ka mbetur në nivelet e 140 lekëve (njësoj si kur euro këmbehej me 1.3 USD në bursat jashtë), ndonëse në bursa ai po shkon drejt barazimit me dollarin.

Kjo kërkesë e fortë për euro në vend, ka mbajtur të mbiçmuar monedhën e përbashkët, çka është reflektuar dhe me rritjen e lartë të dollarit, që këmbehet afër 130 lekëve.

April 1, 2015 22:46
Komento

2 Komente

  1. ZYBER HALLULLI April 2, 10:55

    si do qe te jete shqiperia ka taksat ùme te ulta ne europe! shpetuan kete vit por do paguajne detyrimet vitin tjeter ! keta investitore parate e shqiptarve fitojne dhe duhet te kthejne diçka mbrapsh, ne te kundert quhet shfrytezim, skllaveri!

    Reply to this comment
    • Endri April 2, 12:04

      Kush ta ka thene qe kemi taksat me te ulta ne europe? Nuk kemi as taksat me te ulta ne rajon. Apo e krahason veten me Norvegjine e Suedine? Maqedoni, Serbi dhe Mali i zi kane taksa me te ulta per mos thene dhe vende te tjera jashte Ballkanit.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*